Kulturë
Albert Zholi: Fëmijët janë aroma e jetës, për ta duhet të kujdesemi çdo ditë
E merkure, 08.06.2022, 07:13 PM
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve/ Flasin Margarita Xhepa, Luftar Paja, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Eliona Thomaraj dhe Elizabeta Susaj
Fëmijët
janë aroma e jetës, për ta duhet të kujdesemi çdo ditë
Intervistoi: Albert
Z. ZHOLI
Puna
me fëmijët nuk duhet bërë me fushata. Me ata duhet punuar çdo ditë, pasi ata
janë e ardhmja. Në të kundërt, do të rrisim një brez mediokër. Ky është apeli
që artistët hedhin në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershor. Të pyetur
posaçërisht nga “Telegraf” se çfarë sinjifikon për ta kjo ditë, Margarita
Xhepa, Luftar Paja, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Eliona Thomaraj dhe Elizabeta
Susaj pohojnë se nëse nuk kujdesemi për ta, për edukimin, për shkollimin për
mirërritjen e tyre, pa dhunë dhe keqtrajtime të çfarëdo lloji, ne kontribuojmë
në rritjen e një brezi, që nuk do të jetë i denjë për ardhmërinë e vet. Një
apel ky që hidhet pikërisht në ditën kur më shumë se kurrë vendet e botës
kujtohen se fëmijët e të gjitha moshave duhet të jenë të lumtur dhe ta jetojnë
me dinjitet fëmijërinë e tyre.
Historia
1
Qershori është dita ndërkombëtare e mbrojtjes së fëmijëve, ku vëmendja e
prindërve, shtetit dhe shoqërisë drejtohet tek fëmijët në drejtim të
respektimit të të drejtave të tyre dhe rritjes të mirëqenies. Në këtë ditë
fëmijët bëhen qendra e botës dhe aktivitete të shumta u kushtohen vetëm atyre.
Vetë ata ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit,
protesta e tyre bëhet me lojëra festive. Përveçse një ditë festive, 1 Qershori
është edhe një ditë sensibilizimi për të ndalur dhunën dhe abuzimin me fëmijët,
sidomos angazhimin e tyre në punë kur janë ende të mitur. UNICEF që prej 1950,
punon në 190 vende të botës me familjet, bashkësitë dhe qeveritë për të
garantuar të drejtat e fëmijëve. Që prej 1989, shumë qeveri kanë adoptuar
Konventën e OKB mbi të drejtat e fëmijëve, e cila garanton zbatimin dhe
respektimin e të drejtave të barabarta për çdo fëmijë, me qëllim plotësimin e
nevojave të tyre për mbijetesë, rritje, pjesëmarrje dhe përmbushjen e
potencialit të tyre. Megjithatë, ende miliona fëmijë në botë janë prehë e
dhunës, abuzimit dhe diskriminimit, dhe shumë të tjerëve nuk u garantohet shëndeti, ushqimi, streha, shkollimi apo
shfrytëzohen duke lypur apo punuar për të tjerë. Dita e fëmijëve u vendos në
datën 1 Qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë,
në 1925. Dy vjet më pas Festa e 1 Qershorit filloi të festohet në të gjithë
botën. Organizatat e Kombeve të Bashkuara, kanë rekomanduar edhe ditë të tjera,
të cilat lidhen me fëmijët si: Dita Universale e Fëmijëve, e kremtuar në 20
Nëntor, Dita Botërore kundër punës së fëmijëve, e kremtuar në 12 qershor nga
ILO, Dita ndërkombëtare kundër përdorimit të fëmijëve si ushtarë, e kremtuar në
12 shkurt nga UNODA, etj, si dhe të tjera ditë të kremtuara nga OJF të ndryshme
që marrin në mbrojtje fëmijët.
**
Margarita Xhepa,
“Artiste e Popullit”:
Janë aroma e jetës, për ta duhet të kujdesemi çdo ditë
“1
Qershori është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por
edhe në mbarë botën. Kjo ditë u kushtohet fëmijëve dhe kudo shohim aktivitete
të larmishme. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën e fëmijëve dhe
realizojnë festime, të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të
mirëqenies së tyre. Kjo ditë i lumturon fëmijët dhe prindërit e tyre kur shohin
se ata me buzëqeshjen e tyre të ëmbël, u gëzohen jetës, kujdesit dhe arritjeve.
Por jo të gjithë fëmijët janë të gëzuar. Jo kudo është kjo aromë feste. Mes
fëmijëve në shumë shtete ka dhe që nuk janë të lumtur, si nga ana ekonomike, po
ashtu dhe me prindër të divorcuar, apo të patrajtuar mirë. Ka akoma më keq, që
fëmijët shfrytëzohen të lypin në moshë të vogël. Pra, kjo ditë gëzimi, duhet të
jetë edhe një ditë apeli, një ditë kujdesi. Një ditë apeli që fëmijët të
gëzojnë, të rritet kujdesi për ta, të rritet mirëqenia, të rritet dhe të nxitet
dashuria për librin. E kemi fëmijën në zemër si një diell të vogël që shkëlqen
dhe orë e çast na kujton që ka dritë edhe aty ku na i mbyll sytë errësira e
problemeve të punës, shtëpisë, familjes. Fëmijë të Shqipërisë dhe mbarë botës:
Drita e pafajshme që keni në shpirt ju ndriçoftë si ylli polar përtej çdo
pasigurie, me të cilën do të tentojë t'ju trembë e ardhmja në jetë! Rruga juaj
e jetës të jetë plot ngjyra ylberi si qilim i bukur rrezatues. Fëmijët janë
aroma e jetës, lulja më e bukur e jetës, ndaj për çdo ditë duhet të kujdesemi
për ta”.
**
Luftar Paja,“Artist i
Popullit”:
Fëmijët, pus i thellë, ku prindërit hedhin monedhat e
dëshirave.
“Një
ditë e rrallë, një ditë që të sjell para syve përgjegjësitë tona. Sot i shohim
fëmijët më të lumtur, më të bukur, më të ditur, më me vizion, më të edukuar me
librin. Kur kujtoj fëmijërinë time dhe e krahasoj me sot, kaloj një pesimizëm.
Nuk i gëzuam lodrat, por varfërinë. Ndaj sot ndihem mijëra herë më i lumtur që
fëmijët e mi, mbesat e nipërit e mi, sot janë të lumtur të gëzuar dhe ma
mbushin zemrën me hare dhe gëzim. Fëmijët janë dritarja nga ku hyn ajër i
freskët në jetën tonë. T’i nisësh në shkollë, qoftë edhe t’i përshëndetësh ata,
është një përgjegjësi e madhe. Fëmijët janë qielli i lartë i urimeve dhe
njëkohësisht “pusi i thellë”, ku prindërit hedhin monedhat e dëshirave, që
presin t’u plotësohen me rritjen e tyre. Jeta nis me zhurmën e hareshme të
fëmijëve, me fytyrën e foshnjës së sapolindur, që nëna e mban në duar me
kuriozitetin e madh në i ngjan asaj, apo të atit. Dhe jeta vazhdon e rritet në
duart tona me shpejtësinë, që shtrihet mbi tokë agimi i një dite pranvere. Ndaj
uroj që gjithë fëmijët në botë ta kenë gjithë jetën pranverë si dita e 1
Qershorit, e cila është dita më e madhe e kujdesit për ta. Gëzuar fëmijë,
festën tuaj. Sa më të lumtur ju, po aq të lumtur dhe ne gjyshërit tuaj”.
**
Luan Zhegu, “Mjeshtër i
Madh”:
Në këtë ditë, edhe ne duam të bëhemi fëmijë.
“Në
këtë ditë, edhe ne duam të bëhemi si fëmijë, të hedhim tej petkun e babait,
gjyshit dhe të bëhemi si ata, të gëzojmë si ata, të kalojmë çaste fëminore si
ata. Ka nevojë njeriu të dalë nga vetvetja një ditë në emër të dashurisë dhe
lumturisë për fëmijët. Kur i shohim të gëzuar edhe neve na kaplon një ndjenjë
gëzimi dhe lumturie e paditur. Vjen në mënyrë organike për të gëzuar fëmijët
mbesat dhe nipërit. Jo më kot, kjo festë është në ditëndarjen pranverë-verë,
pasi kështu si këto dy stina duhet të jetë jeta e fëmijëve. Ne nuk e shohim,
por e ndiejmë jetën e re që zhvillohet mes nesh si një oazë, ku freskohemi mes
shkretëtirës, që na than, mes vështirësive të përditshme, por që na jep shtysë
të përballojmë sfidat. Kjo shtysë është ai, fëmija ynë, ata fëmijët tanë,
nipërit e mbesat që me hapat e pasigurt, me dhëmbin që sapo i ka dalë, na
tërheq aty ku lumturia nuk njeh skaje e ku lodhja nuk ekziston më, por të hiqet
si me magnet. Nuk mund t’i mbledhim dot belbëzimet e tyre, deri në fjalët e
para, por tani, pas vitesh, na kujtohet që ka qenë melodia më e ëmbël për
veshët tanë. Dhe koha rrëshqet e fëmijët rriten, që me gëzimin dhe me
buzëqeshjen e tyre na shtojnë ditët e gëzimit me atë lehtësi që përhapen
përqafimet e ylbereve me ujëvarat e furishme. Fëmijët janë kënga e jetës,
melodia më e bukur e shpirtit. Do doja që në këtë ditë të gjithë fëmijët në
botë të ishin të gëzuar. Të ishin të lumtur, por ka dhe probleme me fëmijët në
botë, madje shumë. Ndaj kjo ditë, le të jetë një ditë kthese që bota e
qytetëruar të shikojë dhe të zgjidhë problemet e fëmijëve në botë”.
**
Bashkim Albali “Mjeshtër
i Madh”:
Nëse nuk i rrisim siç duhet, përgatisim një brez mediokër.
“Të
gjithë flasin për fëmijët. Të gjithë jemi prindër. Edhe shoqëria, edhe shkolla,
edhe politika, edhe shteti .Të gjithë në planin e parë mendojnë për fëmijët.
Por harrojmë se puna me fëmijët nuk duhet bërë me fushata. Ata janë e ardhmja
dhe kjo është më e rëndësishme. Duhet të kuptojmë, se nëse nuk kujdesemi për
ta, për edukimin, për shkollimin për mirërritjen e tyre, pa dhunë dhe
keqtrajtime të çfarëdo lloji, ne kontribuojmë në rritjen e një brezi, që nuk do
të jetë i denjë për ardhmërinë e vet dhe vendin do ta drejtojnë njerëz
mediokër. Me rastin e festës së 1 qershorit uroj gjithë fëmijët: Gëzuar .Të
rriten të lumtur nën kujdesin e prindërve t’i dëgjojnë ata dhe të bëhen të mirë
e të devotshëm për ta dhe për atdheun”.
**
ELIONA THOMARAJ,
regjisore, aktore:
Çdo fëmijë ka të drejtën të jetojë i lumtur
“Fëmijët
janë e ardhmja, për këtë arsye u mblodh një konferencë në Gjenevë më 1 qershor
1925 për mbrojtjen e fëmijëve kundra dhunës. Bota u ndërgjegjësua për
mirëqenien e fëmijëve, sidomos atyre jetimë, që duheshin mbrojtur dhe u duhej
siguruar e ardhmja e lumtur për të mos patur dallim midis fëmijëve, që
rriteshin në familje nga prindërit. Në të njëjtën ditë, në Kinë u bënë
pjesëmarrës në festimet e Anijes së Dragoit 200 fëmijë nga jetimorja. Dy vite
më vonë kjo datë mori përmasa ndërkombëtare për të festuar fëmijë nga e gjithë
bota. Fëmijët kanë nevojë për dashurinë tonë dhe mbi të gjitha, për mbrojtjen
tonë kundër abuzimeve, apo përfitimeve kundrejt fëmijëve. Kjo ditë për të
gjithë fëmijët është një festë, dita e tyre e personalizuar, por për prindërit
është dita kur ngrihen të kërkojnë të drejtat e mohuara të fëmijëve dhe ide
sesi mund të përmirësohet jeta e tyre. Në Shqipëri, kjo ditë festohet nga të
gjithë fëmijët pa përjashtim, por edhe konsiderohet si një ditë e dedikuar
ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e rritjes së fëmijëve në mënyrë të shëndetshme
dhe të lirë, pa ua ndrydhur atyre ndjenjat ose nismat. Fëmijët janë e ardhmja
dhe ne kemi në dorë të orientojmë të ardhmen e botës duke rritur fëmijë të
shëndetshëm. Çdo fëmijë ka të drejtën të jetojë i lumtur”.
**
Prof. Asoc. Elizabeta
Susaj :
Para fëmijëve, je para provimit më të madh në jetë.
“Çdo
njeri bëhet më i mirë para sinqeritetit të fëmijëve, që reagojnë në çdo çast dhe për çdo gjë. Mjafton të
shikosh sytë e tyre dhe je para provimit më të madh në jetë. Çdo prind kërkon
më të mirën për fëmijën e vet, por nuk duhet ekzagjeruar dashuria për ta. Në
kohët e para, fëmijët kënaqeshin me pak lodra të sajuara, ndërsa tani prindërit
e shoqëria duhet të bashkëpunojnë si t’i ruajnë fëmijët nga të ashtuquajturat
lodra, që i çojnë drejt instinkteve jo të mira. Në këtë ditë të shënuar unë si
nënë, gjyshe e kineaste u them prindërve: Dhurojuni fëmijëve sa më shumë libra
dhe praninë e tyre të domosdoshme. Kushtojuni kohë dhe vëmendje fëmijëve, sepse
që në moshë të vogël, ata marrin drejtimin në jetë”.