Kulturë
Tonine Hido: Diloiada - baladë për tmerrin pa fund
E hene, 02.05.2022, 07:40 PM
DILOIADA-BALADË PËR TMERRIN PA FUND
(Pikëpamje
për poemën-baladë të tmerrit pa fund :
"DILOIADA" të autorëve Jorgo S. Telo
Eduard M. Dilo)
Nga
Tonine Hido, studiuese,
"Mësuese e Merituar", "Ambasadore e Paqes "
Libri "DILOIADA" me autorë
Jorgo S. Telo dhe Eduard M. Dilo e pa dritën e botimit në fillimviti (2009), si
për të thënë: "Po shkrijnë akujt e dimrit të acartë, nga lotët e paterur
të dhimbjeve..."
Atë vuajtje të përbashkët, hedhur në mijëra
faqe librash e gazetash, në mijëra kujtime përmes ekraneve të televizorit për
kohën pa stinë të diktaturës komuniste në Shqipëri, më të mistershmen e globit,
ku "dhe vetë Zoti ç'hoqi", autorët e japin përmes poemës – baladë,
krejt të veçantë për nga materiali faktik e shumë origjinale për nga
kompozimi...
Si poetë
autorët përcjellin një muzikë rrënqethëse, një melodi të trishtë, kompozuar
mjediseve të blerta të shpirtit, kontributeve, fisnikërisë dhe madhështisë së
familjes Dilo në Sheperin e Zagorisë e të Çajupit, pikërisht për
"Lisin" me degëshumë, të "Mësuesit të Popullit" Ilia Dilo,
gjuhëtarit. albanologut, shkencëtarit... muzikë - përballë goditjeve
çnjerëzore, amorale, me të cilat diktatura "shpërblente" vlerat e
patriotëve, kontributet e njerëzve të shquar në dituri dhe humanizëm; goditje
të "luftëklasës", ku të "grinin vampirët" për të
"vrarë" shpirtin" e për të "ckulur rrënjët" e
familjeve fisnike që nderoheshin dhe u dëgjohej fjala me peshë...
Mbi këtë shtyllë
të fuqishme: heroi, familja, përndjekja - torturë e "djajve të kuq",
"fuksave", që i bindeshin "timonit – padron", qëndresa,
përcjellja e vlerave në kohët e vështira, siç ishin mëkuar " të ishin
vetvetja" – era e lirisë përtej oqeanit etj. ecnin shtruar, gërshetuar me
njëra – tjetrën; shpjegojnë njëra – tjetrën në përqasje e përplasje kohësh,
tipash, ngjarjesh reale...ecin për rrugë të drejtë, pa devijime shpifjesh,
insinuatash, imagjinate delirante, hakmarrjeje, siç do të pritej natyrshëm prej
çdo lexuesi....
Me
dinjitetin gjenetik të babait të ndritur Ilia Dilo Sheperit dhe nënës së
mençur, të dashur, të duruar e largpamëse, Sava Ruci (degë e trimit që mbrojti
flamurin kombëtar përkrah Ismail Qemalit në Vlorë më 1912), të dhjetë fëmijët –
yje të rrënjës, krijojnë një ansambël drite njerëzore, bëmash, qëndrese, që
rrallë gjendet në një portret të vetëm.
Pikërisht
në prologun mbresëlënës, mpleksur mitikja me realen përmes metaforave mjaft
impresionuese, krijohet kuadri lokal e kohor i poemës – baladë me një antitezë
të pashoqe që më shumë kuptohet në sintoninë e qëllimit autorial:
..........................
"Fillikat vajton shtëpia...
Mbledhur lotët e përgjakur,
Nga çdo rrënjë del një bisk.
Ngjizur bisqet e përflakur
Te kondisma – obelisk."
Kështu paraqitet tema që do të shtjellojë
libri; duke vendosur një përmendore për rrënjët dhe degët e familjes Dilo, që
t'i mbetet vend i shenjtë, për t'u lutur para bustit në bronx të mësuesit të
madh Ilia Dilo Sheperi, që barbarisht e zhvarrosën pas 30 vjetëve, pasi kish
vdekur, por hijerëndë imponohet: "Fali, o Zot, se nuk dijnë ç'bëjnë!"
Nëse libri
voluminoz "Rrno vetëm për të tregue" i At Zef Pllumit, "Nder i
Kombit" është quajtur "akuzë-skaner" për diktaturën e gjatë
barbare 50-vjeçare në Shqipëri, ushtruar prej antinjerëzores, mizorisë, krimeve
të paimagjinueshme, gjithë këtë helm e gjejmë të mbledhur për jetën e një
familjeje të vetme, të familjes në zë: Ilia Dilo Sheperi: prindër, dhjetë
fëmijë me bashkëshortët e tyre e fëmijët, të bukur në shpirt e mendje, të ditur
e plot kulturë, krijues e zbatues në fushat përkatëse të diplomimit... por...
të përjashtuar, të përndjekur, të gjykuar me dëshmitarë që nuk lexonin dot as
shpifjet e porositura, të burgosur e të internuar, të masakruar gjer në djegie
së gjalli të nuses – nënë, Kaliopit, mu në prag të shtëpisë (nga vëllezër- hije
të nazizmit në krematoriume).
Ç'gjumë
bëjnë përbindësha të tillë, kur edhe për dërrasa të arkimortit (se nuk ishte
qendra funerale si tani), s'e ndihmoi asnjë nga fshati familjen zemërplazur nga
dhimbja, sa që me duart që do t'i mbanin lule – përcjelljeje me lot të ngrirë
shpirtërorë, shkulën hunjtë rrethues të oborrit, për të rehatuar trupin e
dashur në kuti kaq fyese, primitive. Me se, me ç'alfabet artikulojnë fjalët e
buzëqeshjet e shtira këta monstra që përdhosin kodin e jetës e të vdekjes?!!...
Kur në vend të fjalës së mirë, që shoqëron tradicionalisht lamtumirën e fundit
për këdo, kriminelët "këshillonin" t'i hidhnin gëlqere varrit të
Dilenjve, që të mos u gjendej as nami e as nishani për kockat që
preheshin qetësisht...
Se
krimineli... kthehet në vendin e krimit... (me fjalët, intrigat, vrasjen pas
shpine)
Në një
paralele m'u kujtua familja JASHARI në Kosovë, masakruar nga forcat serbe.
Kështu në Zagori dhe jashtë saj janë masakruar mbi tri duzina dilenj:burra e
gra... veç prej shqiptarëve, ndoshta dhe bashkëfshatarëve, sepse krimbat s'e
durojnë madhështinë e lisave, rritur në diell vlerash, që dhe kur i presin si
Ilia Dilo Sheperin, gjejnë forcën t'i përqeshin kuçedrat mizore, duke thënë
para vdekjes:
"Edhe
po ma pretë fytin nga inati,
Bindjet dot s'm'i vrisni, vrisni vetëm shtatin.
Fytin do ta kem si "a-ja" e shqipes.
Boll ju kam duruar përmes kërcënimesh...!"
Se heroi ynë, Ilia Dilo Sheperi qe një
det diturie që e vuri jetën në shërbim të shkollave shqipe në krahinë e jashtë
saj, në përgatitjen e një gramatike plot vlerë në planin shkencor e
praktik për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës amtare; me "detin e
diturisë" Mësuesi i Popullit qëndroi si burrë ndaj Patrikanës, udhëhoqi
shoqatën "Kandili" me Petro Hariton e Çerçiz Topullin tok...
Kështu, me
vlagën e rrënjës familjare, gjejmë në libër gjelbërimin e hijshëm të dhjetë
degëve me gjethe – lule të Dilajve, me ngjyrimet e veçanta personale të
secilit, mbledhur në kornizën – flori të fisit, diçiturën e së cilës lexojmë në
besimin e madhështisë shpirtërore të Qirjakos, ekonomist, gazetar, që refuzoi
postin e ministrit te financave në kohën e pushtimit fashist,
sepse..."jeta është e përkohshme dhe e vërteta është e përjetshme..."
E, ndonëse
u trajtuan gjatë dekadave të "murtajës komuniste" si
"reaksionarë" prej më antikombëtarëve, duruan me thikën për kockë me
dinjitet, se pas "vdekjes" do të çelë jeta si lulja xanës së
verdhë në Çajupin e ajërit, e ujërave të pastra dhe dilenjtë besuan se do
ta shihnin atë pranverë... Dhe e panë të gjymtuar, thotë balada, të rralluar në
emra dhe shtëpi, por arritën kohën që prisnin e që e ndienin thellë në
parathënien e vuajtjes së tyre...
Nga
Zagoria e rrënjës gjer në Amerikë, përtej oqeanit, një ylber jete dhe
vdekjeje, shprese dhe ringjalljeje; kujtimet e derdhura në vargjet e baladës do
ta mbushnin hapësirën me lot të paterur, me derte të pathëna, me këngë të
pakënduara që Rovena – mbesë nuk i përqafon dot të mbledhura në pentagramin e
melodisë së mallit...
Prandaj
jetë – vdekja, gjenden pranishëm dorëpërdore në poemë ( si në librat e tjerë të
Jorgo Telos) dhe ndjehen si etaloni për "një jetë e ardhur së
vdekuri" për familjen Dilo, por që s'kërkon hakmarrje edhe kur
"djalli" shkon të prishi qetësinë qiellore të "shpirtit –
engjëll", të mësuesit Ilia Dilo Sheperi, duke kërkuar "çertifikatë të
përsekutuari"(shënimi im) . Babai i të martirizuarve përcjell inkuizitorin
të lajë gjynahet te "tokësorët"...
Kështu
autorët me realizëm, larg faljes së krimeve vetëm në qiell, japin mesazhin e
vyer se mirësia investohet në jetën e të gjallëve, për t'u ngjitur në
pavdekshmërinë e qiellit... edhe në bronxin e shtatoreve hijerënda... E keqja
përvëluese shkrumbon së pari zjarrvënësin, qoftë edhe pas shumë viteshthjesht
çështje kohe...
Kjo
filozofi përcillet natyrshëm si një baladë e kreshnikëve të kohës moderne: me
emra të njohur, me ngjarje të jetuara, përmes një gjuhe të pasur në shprehje të
krahinës, me figura pikante që vulosin mirë portrete, ide, mesazhe në
mënyrë konçize dhe shpesh të lënë pa frymë nga forca sugjestive që mbartin...
Vërtet
poema-baladë i kushtohet një fisi të vetëm, Dilajve në Sheper të Zagorisë, por
ajo që ka ngjarë dhe përshkruhet artistikisht në libër ka forcë njohëse,
përgjithësuese të pallogaritshme për arsyen e thjeshtë, se nuk mund të ketë
qetësi shpirtërore dhe paqe në shoqërinë postkomuniste, pa gjetur guri vendin e
vlerave apo antivlerave... realisht, jo me ligje pa zbatim, jo përmes shoqatave
persekutorësh ndaj ish të persekutuarve, por me drejtësi, me bazën e së
vërtetës, që është e përjetshme...
Krahina e
Dilajve, gjithë Shqipëria, ka nevojë për libra të tillë, jo për zjarre
urrejtjeje hakmarrëse, por të mos harrojmë ç'ka ndodhur, se ndryshe e kaluara
përsëritet me forma të reja, në emra të rinj në kohën moderne të demokracisë.