E diele, 01.12.2024, 08:45 PM (GMT)

Kulturë

Satira nga Sevdail Hyseni

E diele, 03.04.2022, 01:56 PM


Sevdail Hyseni

Këndi satirik

Gjahu politik

Luani, Ujku e Dhelpra

Tre gjahtarë me famë,

Dolën për të gjuajtur

Luginës me piskamë!

U pajtuan për prenë

Ta ndajnë në tri pjesë,

Ndaj pa humbur kohë

Fillojnë në mëngjes.

N’perëndim të diellit

Merr fund aksioni…

Me një ka, dash e gjel

Kurorëzohet misioni.

Luani i thotë ujkut

Ndaje prenë në vepër:

-Ty kaun, mua dashin,

Gjelin zonjës dhelpër!

Zemërohet Luani

Me forcë e godet,

Duke e plandosur

Sikur një tërmet!

Pastaj i drejtohet

Dhelprës me ren’:

-Eja moj fisnike

Na e ndanë prenë!

Gjelin për mëngjes

Drekës kaun me brirë,

E dashin për darkë

Ty të bëfshin mirë!

Buzëqeshet Luani

Kush të mësoi oj lule ftua?

-Ai që po shpurth

Atje poshtë në përrua!

Heshtja (para) zgjedhore

Lugina ka rënë n’heshtje zgjedhore,

Me disa premtime të lëna pas dore…

Të cilat përmbushen tani nëpër oda,

Ku vazhdon i fshehur pazari për vota!

Dy Listat shqiptare, po dalin në gara

Cila nga të dyja do të dal e para!

Për të siguruar ulëse n’Parlament

Atje ku problemet nuk zgjidhen me vjet!

Drejt Beogradit ku shkonin pa nda’

Baballarët tanë me sharrë në krah!

Për një gojë bukë i sprovonte jeta,

Dhe provokimi “Nema...tungatjeta!”

Po koha ka ndërruar s’është si më parë,

Parlamentit serb i duhen shqiptarë…

Bile dhe punëtorë me nevojë punësimi,

Deri n’Vojvodinë  i pret integrimi!

Lugina po zbrazet ngadalë dhe sigurt,

Disa nga liderët i kanë shitur drutë!

Një këmbë n’Beograd, tjetrën n’Prishtinë,

Duke e zhgënjyer shpresën dhe rininë!

Liderucët tanë, nga zërat kritikë

Na janë bërë imunë, tepër elastikë!

Kërkojnë nga masa votën politike,

Edhe pse e shkelën Listën Unike!

Kujdes, Rusët!

Pa kaluar mirë virusi Kovid,

Erdhi tjetri na lidhet për fyt!

Varur në qafë si gur mulliri,

Nuk merr vesh dreqi as i biri!

Sa nga kriza e gjendja e sigurisë,

Jemi mbërthyer si n’bri të dhisë!

Çmimet po rriten deri në qiell,

Nuk gjen në treg vaj edhe miell!

E mos të flasim për naftë e gaz,

Askush nuk di çka na pret pas!

Si rrjedhin gjërat punët janë pus,

-Fshati që duket s’do kallauz...!

Sapo i hoqëm maskat me doreza,

Erdhi Putini me një mijë të zeza!

Me armë nukleare kërcënon si n’Kievë,

Era e së cilës ndihet në Preshevë..!

Këndej n’Ballkan rron urti e shprehur,

-Kujdes nga rusi dhe serbi i dehur!

Nderi dhe turpi

Morën sulm ushtarët

Dikur në një fshat,

N’mungesë të burrave

T’i dhunojnë gratë!

Pasi i dhanë fund

Aksionit me porosi,

U kthyen n’kazerma

Me turpin e zi!

Dolën nga shtëpitë

Gratë e grisura, duke qarë…

Përveç njërës heroinë

Më kokën e ushtarit t’vrarë!

Ajo bëri rezistencë

Duke shfaqur trimëri,

Sa me gëzim i ndrinin

Sytë e mbushur krenari!

Desh u çmendën gratë e tjera

Nuk e kishin aq kollaj,

Kur e shihnin bashkëfshataren

Si krenohej me nderin e saj!

Kishin frikë kur t’kthehen burrat

Do të tregoj për këtë trimëri,

Ndaj vendosën që ta vrasin

Për ta zhdukur këtë ndodhi!

-E vranë nderin, të rroj turpi!

Thotë rrëfimi fiks fare…

Ndaj mesazhi i satirës

Na tingëllon ashiqare!

Nuk luftohet korrupsioni

Me zyrtarë të korruptuar,

Ato zhdukin e bllokojnë

Çdo provë të dëshmuar!

Me këto vese primitive

S’na shkon mbarë shoqëria,

Deri sa të korruptuarit

Vrasin nderin, t’rroj hajnia!

(Satira është bazuar  nga një rrëfim "Judith me kokën e Holofernes" i Giovanni Batista Salvi, 1639)

Pandemia dhe Rusia

Pa i mbushur akoma dy vjet,

Na erdhi virusi tjetër sekret!

Më i keq se i pari pandemik,

Që hap varre e mbjell panik!

Sa i hoqëm maskat me doreza,

Vaksina ruse vishet në të zeza!

Duke përhap’ sindromin Sputnik,

Nga Ukraina n’ishujt Ballkanik!

Luftës po i bie era bërthamore,

Sa vjen thellohet kriza botërore!

Ndryshe nga bota këndej n’Serbi,

Shpërthen mitingu: Rusi!, Rusi!

Dalin dhe të tjera parulla plus...

-Rroftë Putini! Rroftë baba rus!

Kurse në Luginë Listat shqiptare,

Po bëhen gati n’fushatën zgjedhore!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora