Editorial
Ryzhdi Baloku: Dallimet dhe ngjashmëritë e Putinit me Millosheviqin
E shtune, 19.03.2022, 09:55 PM
DALLIMET DHE NGJASHMËRITË E PUTINIT ME MILLOSHEVIQIN DHE TË FEDERATËS RUSE ME SERBINË
Nga
Ryzhdi Baloku
Këto
ditë në mediet vendore dhe botërore si asnjëherë më parë është gjithnjë aktuale
tema e agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, që dikur të dyja këto shtete
ishin pjesë e një shteti të përbashkët, i cili quhej Bashkimi i Republikave
Socialiste Sovjetike. Edhe Serbia me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë e
Hercegovinën, Kosovën etj., dikur ishin pjesë e një shteti të përbashkët që
quhej Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ndaj të cilave në vitet e
nëntëdhjeta Serbia kreu agresion, mu sikurse Federata Ruse ndaj disa
Republikave të ish BRSS.
Me
këtë rast vendosa që nga këndvështrimi im ta bëj një analizë krahasuese për
shkaktarët e nisjes së këtyre luftërave, përmes vënies së tyre në një paralele,
që nga gjeneza e ngjarjeve që lidhen me agresionin serb e deri të zhvillimet e
tanishme të agresionit rus.
Nëse
i shikojmë me kujdes strukturat e ndërtimit shtetëror të Bashkimit Sovjetik dhe
të Jugosllavisë, mund t'i vërejmë dallimet dhe ngjashmërinë mes tyre, si nga
aspekti historik ashtu edhe ai politik e shoqëror.
Nga
ky këndvështrim mund të themi lirshëm se Jugosllavia fillimisht ishte një kopje
e Bashkimi Sovjetik, si nga ndërtimi ashtu edhe nga funksionimi. Mirëpo, më
vonë, pas decentralizimit që ndodhi me kushtetutën e Jugosllavisë së vitit
1974, u krijuan dallime thelbësore krahasuar me funksionimin e Bashkimit
Sovjetik, si nga aspekti ekonomik, po ashtu edhe ai politik e shoqëror.
Ngaqë
temë e këtij shkrimi është zhvillimi i tanishëm i agresionit rus ndaj Ukrainës
dhe ngjashmëria e tij me agresionin serb në ish Jugosllavi, do të përpiqem për
t'i përfshirë disa nga shkaqet e këtyre agresioneve.
Për
ta kuruar dhe shëruar sëmundjen duhet gjetur shkaktarin, andaj do të tentoj t'i
gjej arsyet që i nisen luftërat në territorin e Jugosllavisë dhe të Bashkimit
Sovjetik.
Thuhet
se një shkëndijë e ndez një mal, andaj edhe ky agresion paraqet një rrezik të
madh, i cili mund ta ndezë një luftë globale që mund ta shkatërrojë botën
brenda një kohe të shkurtër.
Një
fjalë e urtë thotë: "Nxjerr një kashtë, dalin gjashtë" ! Në këtë
kontekst mund të themi se edhe agresioni i Federatës Ruse në Ukrainë i nxori në
pah shumë çështje, të cilave bashkësia ndërkombëtare nuk iu kishte kushtuar
vëmendje të duhur deri me tash.
Si
duket Bota Perëndimore i kishte qitur në harresë Luftërat Ballkanike të viteve
1912/13, të cilat i kishte nxitur Rusia përmes shteteve sllavo-ortodokse që i
kishte formuar vetë, pas mposhtjes së Perandorinë Osmane me 1877.
Shumica
nga këto shtete të sapokrijuara ballkanike, pas një kohe u zgjeruan në tokat
shqiptare përmes dëbimeve masive dhe masakrave të ushtruara mbi popullatën
civile në Sanxhakun e Nishit, të Kosovës lindore.
Kjo
mizori e kryer ndaj shqiptarëve që s'ishte parë deri atëherë, mund të
konsiderohet edhe si gjenocidi i parë në Evropë, duke mos e harruar assesi edhe
atë grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Krijimi
i këtyre shteteve në truallin e Ballkanit ishte i qartë. Përmes tyre, Rusia
pretendonte për të dalë në detet e nxehta, me qëllim që ta shtrinte ndikimin e
saj edhe në Evropë.
Këto
shtete sllavo-ortodokse, serbe, malazeze e bullgare, si dhe ai grek, satelite
të Rusisë, pa ndonjë kundërshtim (asokohe) i miratonin planet dhe direktivat e
shtet-ndërtuesit të tyre, me qëllim të përfitimit të ndërsjellë. Pos kësaj,
mund të themi po ashtu se aspak nuk ishte rastësi edhe shpërthimi i Luftës së
Parë Botërore, të cilën e nisi Rusia përmes nacionalistëve serbë, me vrasjen e
Franc Ferdinandit në qendër të Sarajevës, me 1914.
Serbia
jo vetëm që e zgjeroi territorin e saj me ndihmën e Rusisë ku morën pjesë një
numër i konsiderueshëm ushtarësh e oficerësh kozakë, ajo njëkohësisht e rriti
edhe numrin e popullsisë së saj përmes asimilimit të popujve të tjerë, e
sidomos të shqiptarëve të besimit ortodoks, të cilët i konvertoi në serbë,
ndërsa ata të Sanxhakut në boshnjakë. Zaten, një pjesë e madhe e popullatës e
Malit të Zi përbëhet nga shqiptarët e asimiluar.
Pos
kësaj, s'duhet harruar po ashtu se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore,
Jugosllavia (lexo: Serbia e Rusia) kreu pastrim etnik (lexo: gjenocid) edhe
ndaj gjermanëve të Vojvodinës.
Më
vonë edhe pas konsolidimit dhe forcimit ekonomik e ushtarak të Jugosllavisë së
AVNOJ-it, nëpër republikat e këtij shteti herë pas here pati edhe vlime
politike, të njohura në ato vite si: "IB", "MAS-POK",
"PLAVA KNJIGA" etj., të cilat u eliminuan përmes "dorës së
fortë" të kryetarit të shtetit të asaj kohe, Josip Broz Tito.
Edhe
pas lëvizjeve të cekura dhe një periudhe relativisht të gjatë të "qetësisë
së para stuhisë politike" në Jugosllavi, pasuan demonstratat e vitit 1981
në Kosovë. Këtë manifestim Serbia e shfrytëzoi si shkak që ta nisë sulmin për
suprimimin e autonomisë së saj, të cilën e realizoi në vitin 1989 përmes
tankeve të Armatës Jugosllave dhe fluturimeve të avionëve luftarakë mbi
Kuvendin e Kosovës, seancë kjo që e zhveshi Kosovën nga shtetësia e saj.
Pjesa
dërmuese e udhëheqjes jugosllave në një farë mënyre e përkrahu këtë veprim
kundër-kushtetues të Serbisë, duke e bërë "kurban" popullatën
shqiptare që jetonte në këtë shtet, me paramendim se Serbia do t'i përfundojë
apetitet e veta. Megjithëkëtë, më vonë u pa se ajo nuk ndaloi me aq. Në vitet e
nëntëdhjeta Serbia nisi agresionin mbi të tjerët, mu si Federata Ruse që i
filloi luftërat pas shpërbërjes së BRSS.
Ndonëse
fillimisht shpërbërja e Bashkimit Sovjetik qe kryer pothuajse në mënyrë
paqësore, megjithatë më vonë pati edhe gjakderdhje, ngase Federata Ruse nisi
t'i ndërzejë bashkëkombësit e vet, për t'u shkëputur prej shteteve të reja në
të cilat kjo popullatë jetonte si një pakicë etnike kompakte. Me ndihmën e
Rusisë, Osetia Jugore u shkëput nga Gruzia, duke e shpallur pavarësinë e saj me
28 nëntor të vitit 1991.
Përkundër
përpjekjeve për ta kthyer territorin e humbur, në gusht të vitit 2008 Gruzia e
humbi luftën ndaj Osetisë Jugore, të cilën e mbronin ushtarët e Federatës Ruse.
Duke
marrë parasysh që secili nacionalitet i Bashkimi Sovjetik e kishte shpallë
pavarësinë e tij në kufijtë ekzistues të Republikave në të cilat jetonin, edhe
çeçenet e ndërmorën një hap të tillë me 1994, duke menduar se do të rezultonte
me tërheqjen e ushtrisë federale ruse nga Çeçenia. Mirëpo, parashikimi i tyre
doli i gabuar. Tri grupe operative ruse nga tri drejtime ia mësynë Çeçenisë,
për ta futur kryeqytetin Grozni nën rrethim, të cilin e goditen pa ndonjë
seleksionim, me sulme të ashpra nga toka dhe ajri.
Pas
luftërave të përgjakshme dhe me likuidimin e liderit çeçen, Dudajev, në vitin
1996 u nënshkrua marrëveshja për ndërprerjen e luftës me delegacionin e këtij
nacionaliteti të kryesuar nga Mashadov. Përkundër kësaj, lufta e dytë mes
palëve ndërluftuese nisi serish në vitin 1999, ndërsa prej vitit 2000 e deri në
vitin 2009 konflikti u zhvillua në trajtën e luftës guerile dhe kundër-guerile.
Sipas
kushtetutës në fuqi, Federata Ruse në përbërjen e saj i ka 85 subjekte
federale, prej të cilave 22 janë republika, ku bën pjesë edhe Çeçenia, 1
krahinë autonome e quajtur Zhidovska dhe 62 krahina jo-autonome;
("oblast" - emërtim origjinal i përshkruar me kushtetutën e saj).
Pos
luftërave të drejtpërdrejta të Federatës Ruse ndaj të tjerëve brenda territorit
të ish Bashkimit Sovjetik, s'duhet harruar edhe ato të nxitura e të mbështetura
prej saj, qoftë edhe në formë tërthore, siç është rasti i luftës në mes të
Armenisë dhe Azerbajxhanit për regjionin Nagorno Karabah, i banuar me shumicë
armene, konflikt i cili kishte nisur rreth 30 vite më parë, që në fund pasoi me
një luftë të përgjakshme. Mirëpo, me ndërmjetësimin e Federatës Ruse, në vitin
2020 arrihet marrëveshja e paqes mes tyre, të cilën edhe tash e mbikëqyr
ushtria ruse.
Kur
bëhet fjalë për serbët në RSFJ, mund të dokumentohet lehtë se ata gjithmonë
kanë dominuar mbi të tjerët me vetë faktin se gjuha komanduese në armatë ishte
gjuha e saj. Pavarësisht këtij argumenti, synimi i tyre ishte shumë më i madh.
Të gjitha dëshmitë na shpijnë në konstatimin se shpërbërja e saj e kishte
gjenezën në hegjemonizmin serb, që ka të bëjë me ëndrrën e tyre mesjetare për
ta krijuar Serbinë e madhe.
Procesin
e projektit (të ri) për Serbinë e Madhe të cilin e kishte përgatitur Akademia
Serbe e Shkencave dhe Arteve në Beograd, Millosheviqi e nisi në Kosovë, ngaqë e
konsideronte si "hallkën më të dobët" në federatën jugosllave. Caku
përfundimtar i tij ishte që një nga një t'i shkërmoqë elementet e konstruktit
decentralizues të Federatës, me pretendim që pastaj ta krijonin një sistem të
pushtetit absolut të dominuar nga ta.
Skenarin
e përmendur e filluan me mitingje, të cilat më vonë degraduan në dhunë e
gjakderdhje. Qëllimi i Millosheviqit dhe klikës së tij ishte që njëkohësisht
t'i frikësonte edhe të tjerët, në mënyrë që mos ta pengonin në veprimet që do
t'i ndërmerrte më vonë ndaj Krahinës Autonome të Vojvodinës dhe Republikave të
Jugosllavisë, ku pos në Bosnjë e Hercegovinë serbët ishin pakicë kombëtare.
Mitingjet
e përmendura, udhëheqja e Serbisë i quajti "revolucion", me qëllim që
ta ndizte luftën, ngase i tërë arsenali ushtarak i Armatës Jugosllave dominohej
nga ta.
Në
sy të ushtrisë paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, serbët kryen gjenocid në
vitin 1995 ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës,
ndërsa bashkësia ndërkombëtare si për çudi heshti.
Për
fatin tonë, një gjenocid të tillë ndaj shqiptarëve të Kosovës e pengoi NATO, në
krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kur
njerëzimi paqedashës mendoi se u arrit një paqe e qëndrueshme në Ballkanin
Perëndimor, Rusia e nxiti dhe e ndihmoi luftën tjetër vëllavrasëse në Siri, për
t'ia mësyrë së fundmi edhe sivëllezërve të vet në Ukrainë.
Pas
këtij agresioni, Bota u trand si asnjëherë më parë dhe u rreshtua në anën e
viktimës, pos Serbisë së Aleksandar Vuçiqit që u radhit në anën e agresorit.
Madje, për ta përkrahur Federatën Ruse organizuan edhe mitingje në Beograd.
Arsyeja
e reshtimit të Serbisë në anën e Rusisë është e qartë, janë aleatë të vjetër!
Kohë më parë, me miratimin e Presidentit Aleksandar Vuçiq, Federata Ruse e
ndërtoi bazën e saj afër qytetit të Nishit. Prej kësaj Federate, Serbia u
furnizua me sistemin e raketave Kornet, Pancir, pastaj me automjete të
blinduara zbulimi, tanke moderne, helikopterë, avionë luftarakë etj.
Pos
kësaj, s'duhet harruar se para pak vitesh, mercenarët serbë kishin shkuar në
Krime dhe Donbas, për t'i ndihmuar ruset në luftë kundër ushtrisë së Ukrainës.
Po ashtu nuk është rastësi shkuarja e grupeve adoleshente (fëmijë të
luftëtarëve serbë), që t'i vijojnë trajnimet luftarake nëpër kampet ushtarake
të Rusisë, me qëllim që të aftësohen dhe perfeksionohen në mjeshtërinë e
vrastarëve profesionistë.
Përkundër
krimeve të kryera dhe dëmeve të mëdha materiale që shkaktuan serbët gjatë
luftërave në ish Jugosllavi, bashkësia ndërkombëtare nuk e detyroi Serbinë që
t'i paguajë reparacionet e luftës. Përkundrazi, ajo e përkëdheli udhëheqjen e
saj të re që ishte zgjedhur pas përfundimit të luftës në Kosovë, edhe pse kjo
kastë politike i mohonte krimet dhe gjenocidin e kryer nga shteti i tyre.
Si
duket, duke e parë këtë qëndrim oportunist të bashkësisë ndërkombëtare ndaj
Serbisë, madje edhe miklues ndaj udhëheqjes së saj, Rusia si fuqi e madhe
botërore mori guximin dhe iu kthye ëndrrës për rikthimin e Perandorisë së
dikurshme, me agresion ndaj Ukrainës, e cila ka rreth 45 milionë banorë, në një
sipërfaqe prej 603.628 km2.
Si
përfundim mund të nënvizoj se ngjarjet e fundit në Ukrainë e bënë bashkësinë
ndërkombëtare më syçelë ndaj Federatës Ruse dhe Serbisë, siç thotë proverbi
"Ra ky mort e u pamë", andaj edhe këto zhvillime mundësuan që të
shihet fytyra e vërtetë e qeverisë së Rusisë në krye me Vladimir Putinin dhe e
qeverisë së Serbisë në krye me Aleksandar Vuçiqin.