Editorial
Enver Bytyçi: Agresioni rus në Ukrainë dhe përgjegjësit e projektit për ndarjen e Kosovës!
E merkure, 02.03.2022, 08:55 PM
Agresioni rus në Ukrainë dhe përgjegjësit e projektit për ndarjen e Kosovës!
Nga
Enver Bytyçi
Para
katër vitesh nisi fushata e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.
Ishte shkurti i vitit 2018 kur këshilltari i Thaçit, Bekim Çollaku, lëshoi
deklaratën për "një kompromis të dhimbshëm të Kosovës në dialogun me Serbinë"!
Ajo deklaratë erdhi në atë kohë kur Hashim Thaçi u pajtua me Edi Ramën dhe
Aleksandër Vuçiq për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Më
vonë ish-presidenti i Kosovës doli hapur në publik për kompromisin me territore
me Serbinë me skemën "Le ta heqim qafe Serbinë e ta largojmë atë nga
Kosova! T'ia japim Veriun", thoshte Thaçi!
Kjo
skemë mashtruese pro-serbe dhe pro-ruse u përdor në javët e fundit nga
mbeturinat thaçiste për dy arsye: Së pari, se ata mendojnë se po i vjen fundi
bisedimeve Kosovë-Serbi dhe se arritja e një marrëveshjeje midis palëve do e
varroste idenë e ndryshimit të kufijve. Së dyti, sepse shohin te kërcënimi dhe
pushtimi rus të Ukrainës shansin për të bërë edhe njëherë presion që qeveria e
Albin Kurtit të pranojë ndarjen e Kosovës.
Skema
e shkëmbimit të territoreve, ndryshimit të kufijve dhe ndarjes sëe Kosovës
është mbështetur fuqishëm nga kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama. Por ai
personalisht nuk ka folur për këtë në publikun shqiptar. Sipas dëshmive të
personaliteteve europiane, ai e ka propozuar i pari opsionin e ndarjes së
Kosovës, pasi është takuar disa herë me presidentin e Serbisë, Aleksandër
Vuçiq. Ndekaq Rama është treguar i kujdesshëm në deklarimet e tij. Por ama ai
mori në mbrojtje publike të gjithë aktorët politikë shqiptarë që punuan për
ndryshimin e kufijve dhe sulmoi me gjuhën e rrugëve mbrojtësit e territorit të
Kosovës. Ai është përçarësi më i madh në historinë politike të shqiptarëve!
Historia i ka regjistruar përçarjet e tij anti-shqiptare e pro-serbe, përfshirë
dhe deklarimet e tij në nëntor 2018 në Pejë!
Ndërkaq
ajo që po ndodh sot në Ukrainë dhe agresioni i Vladimir Putin kundër një vendi
sovran, dëshmon sesa të rëndësishëm janë territori dhe kufijtë për shtetet dhe
kombet europiane dhe më gjerë. Megjithatë për të ndryshuar kufijtë e Kosovës
ish-presidenti Hashim Thaçi u takua para tri-katër vitesh edhe me prsidentin
rus Putin. Më pas deklaroi se
"Kosova nuk ka pasur kurrë armiqësi me Rusinë" dhe e falenderoi presidentin
Putin për mbështetjen e tij për ndarjen e Kosovës. Nëse do të kishte ndodhur
kjo, sot Hitleri i shekullit XXI do ta kishte ndezur Ballkanin Perendimor në të
njëjtën masë si edhe Ukrainen. Kjo ishte arsyeja e vetme pse Putin mbështetjen
për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës të propozuar si paketë nga
Thaçi, Vuçiq dhe Edi Rama. Ky zhvillim I para pak viteve është rast i
mrekullueshëm studimor për shkenctarët për të hulumtuar faktin se si një
president shqiptar i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë u bënë partnerë të
Vladimir Putin në një aventurë që legjitimonte veprimet ushtarake të Moskës së
sotme kundër një vendi të lirë e të pavarur, si Ukraina!
Ndarja
e Kosovës u inicua nga dy liderë të çmendur e të papërgjegjshëm shqiptarë.
Ndërkohë atë opsion e përkrahën të gjithë politikanët anti-europianë dhe
pro-rusë të Europës e madje në SHBA.
Ishin shefi i ekzekutivit hungarez, Viktor Orban, kryeministri slloven,
Janez Jansha, ish-kryeministri austriak, Sabastian Kurz, ministrja e tij e
Jashtme, Karin Kneissl, Frederica Mogherini, John Bolton, apo presidenti çek e
të tjerë që përkrahën në forma të ndryshme ndryshimin e kufijve midis Kosovës
dhe Serbisë. Fatmirësisht ky projekt përfundoi në qelinë e Hagës!
Nëse
do të kishte një marrëveshje me ndarjen e Kosovës, sot pas sulmeve ruse kundër
Ukrainës do të kishte ndodhur shpërbërja e menjëhershme e Bosnjë-Hercegovinës
dhe zhbërja e shtetësisë së Malit të Zi. Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi
do të shërbente si alibi i këtyre zhvillimeve. Aksioni i parë politiko-ushtarak
për hegjomoninë ruse do shfaqej kërcënueshëm në shkallën më të lartë në
Ballkanin Perendimor. Nuk është për t'u çuditur se ata që dje ishin pro
ndryshimit të këtyre kufijve, sot janë zërat më pak kritikë për ngjarjet që po
ndodhin në Ukrainë. Dhe kjo nuk është rastësi. Ka një lidhje direkte midis
përpjekjeve për ndarjen e Kosovës dhe luftës ruse për ndarjen e Ukrainës.
Kishte një interes të drejtpërdrejtë të Vladimir Putin për këtë opsion dhe
bazuar në këtë interes Hashim Thaçi, Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe të tjerë
opsionistë anti-Kosovë rendën pas presidentit diktator të Moskës!
Sot
jemi në situatën që kërcënohet jo vetëm Ballkani Perendimor dhe Europa
Perendimore, por gjithë kontinenti europian.
Fatmirësisht
Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në rajon janë komodë dhe në të drejtën e tyre
të kundërshtojnë agresionin e Vladimit Putin në Ukrainë, si parakusht për të
parandaluar hegjenominë e Rusisë në rajonin tonë. Mjafton ky argument për të
denoncuar autorët e ndryshimit të kufijve dhe për të nderuar ata që mbrojtën me
çfarë mundën territoret ballkanike, veçmas territorin e Kosovës!