Editorial
Ramiz Selimi: Diktatorët ndalen vetëm me forcë
E marte, 08.03.2022, 08:55 PM
Diktatorët ndalen vetëm me forcë
Nga
Ramiz Selimi
Nuk ka asnjë dyshim se
Putini është irracional dhe i paparashikueshëm në veprimet e tij, vlerësojnë
ekspertët në shtetet e Evropës Perëndimore. Ata janë vërtet të frikësuar nga
ndonjë marrëzi që mund të ndërmarr ky njeri me armët bërthamore, prandaj në
fillim ishin më të përmbajtur në veprimet e tyre. Mirëpo, tani e kanë kuptuar
se kjo nuk ishte mënyra e duhur për t’iu kundërvënë këtij diktatori, sepse një
qasje e tillë diktatorët i trimëron dhe i bënë më të fortë, pastaj ata marrin
hov dhe vështirë është të ndalen pa forcë. Krahasimi i diktatorit rus Putin me
Millosheviqin nga Boris Johnson ishte i drejtë dhe i saktë. E pamë që
Millosheviqi u ndalua vetëm pas bombardimeve gati tremujore nga aleanca
perëndimore. Prandaj nga sot perëndimit i mbetet t’ia tregoj dhëmbët edhe këtij
njeriu pushtues, sepse autokratët dhe diktatorët kurrë nuk largohen me dëshirë
nga synimi i tyre. Ky njeri i dalë nga KGB-ja ruse siç duket do t’ia shkaktoj
dëmin më të madh, jo perëndimit, por vet popullit rus.
Putini në sundimin e tij,
sidomos në politikat e jashtme është treguar tepër dinak dhe i zgjuar duke
realizuar gradualisht qëllimet e tij imperialiste edhe me ndihmën e perëndimit.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Federata Ruse ishte pothuajse e
bankrotuar dhe ky shtet si shtetet tjera të dala nga komunizmi kishin probleme
serioze që të mbijetonin. Mirëpo, ishte Evropa dhe pikërisht Gjermania ajo e
cila me investime të shumta e ngriti përsëri Ariun e përgjumur nga amullia dhe
tani nga vet investimi i saj ndihet e rrezikuar.
Nuk është se Gjermania dhe
SHBA-t nuk janë fajtore për këtë që po ndodh tani, sepse janë pikërisht këto dy
shtete, por edhe tjerat që edhe sot e kësaj dite me marrëdhëniet bilaterale që
bëjnë me këtë shtet derdhin në xhepin e Putinit miliarda euro në ditë. Përveç
përfitimeve të shumta nga shitja e gazit dhe derivateve, ai me punësimin e
elitës së shteteve perëndimore, si Gerhard Schröder, Schüssel , Kern, Kneissl,
... angazhoj njerëzit me peshë nga perëndimi dhe pastaj mori informacionet e
duhura se çfarë ishte në gjendje të ndërmerrte Evropa në rast rreziku. Prandaj
duke e parë përçarjen e vazhdueshme dhe dallimet e mëdha brenda BE-s, që nga
viti 2008, pa ju trembur syri fare gjithnjë nën kërcënime shpalosi ambiciet e
tij me pushtime brenda shteteve të dikurshme të Bashkimit Sovjetik, por më vonë
edhe me bombardime jashtë tij, siç ishte bombardimi në Siri. Luftë e cila ishte
një test për Putinin karshi fuqive perëndimore dhe në vend të distancimit
ekonomik, Bashkimi Evropian me projekte të ndryshme e mbështeti edhe më tepër
Rusinë. Ai sot nuk e qanë kokën dhe as nuk frikësohet nga ndonjë ndërhyrje
ushtarake e BE-s, e cila vetëm nga frika këto ditë duket e bashkuar, sepse në
realitet është po aq e përçarë sa ishte para këtij konflikti, por, megjithatë
ai e ka frikë NATO-n dhe fuqinë ushtarake të SHBA-s.
Këtij kërcënimi bërthamor
nga ana e Putinit, perëndimi duhet t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë. T’ia
tregoj dhëmbët dhe t’i thotë se kemi epërsi dhe se nuk mërzitemi fare për
armatimin rus, kjo do ta frikësonte diktatorin rus, sepse ai nuk është njeri
vetëvrasës dhe me shumë gjasa do ta zgjidhte një rrugë tjetër. Diktatorët e
kuptojnë vetëm gjuhën e forcës dhe agresivitetit. Në çastin kur bota
demokratike orientohet me kundër kërcënime dhe njëkohësisht duke e armatosur
Ukrainën me armatim modern, ai do të zbutet dhe do të bëjë kompromise në
zgjidhjen e problemit.
Ndarja e
botës në demokrat dhe autokrat!
Regjimet diktatoriale dhe
ato autoritare gjithmonë popullit ja krijojnë bindjen dhe perceptimin mbi
dukuri të ndryshme duke u bazuar në gënjeshtrat e prodhuara nga vet regjimet që
nuk kanë asgjë të përbashkët me realitetin. Putini me kërcënimet atomike që
këto ditë po ja drejton perëndimit, me ndalimin e mediave, me shkeljen e çdo të drejte ndërkombëtare, me shkeljen elementare të drejtave të
njeriut, jo vetëm që ka kaluar në një shtet diktatorial, por është kthyer edhe
në kohë shumë vite pas, mbase për vet qytetarët e federatës ruse ky njeri do të
jetë turpi i shtetit të tyre, sikurse Hitleri për gjermanët. Është një rast
jashtëzakonisht i mirë ku perëndimi duhet ta ndaj shapin nga sheqeri. Ti
definojë qartë kush janë partnerët dhe aleatët. Mbështetja ekonomike të mos
jetë e njëjtë sikur për autokratin e diktatorin, sikur për partnerët dhe miqtë
demokrat.
Megjithatë në vitet e
ardhshme ndarja e botës mes shteteve demokratike dhe atyre autoritare do të
reflektohet gjithnjë e më tepër, jo vetëm në zhvillimet ekonomike, por këto dy
hendeqe krejtësisht me vlera të kundërta, do të paraqesin gjithmonë rrezik që
do të shkaktojnë kërcënime me vuajtje të paparashikueshme për njerëzimin.
Prandaj, kjo ndarje mund të pasojë edhe me krijimin e organizatave të reja
ndërkombëtare demokratike, ku anëtarësimi brenda saj do të kërkonte plotësimin
e disa normave të caktuara. Pastaj, organizata e kombeve të bashkuara që kemi
sot do të ishte tërësisht e parëndësishme, pasi ajo rreth saj do të mblidhte
vetëm shtetet diktatoriale dhe autoritare. Sidomos shtetet e dala nga komunizmi
do të kenë probleme serioze të lirohen njëherë e mirë nga mentaliteti
autoritar. P.sh. Serbia edhe për shumë e shumë vite do të jetë shtet autoritar,
sepse vet shtetin e tyre e kanë ndërtuar në bazë të gënjeshtrave. Populli serb
ndihet më mirë në mes të gënjeshtrave, sesa në mes të vërtetave.
Sot kemi disa shtete
autoritare me mbi 3,3 miliard njerëz, si Kina, Irani, Rusia, Korea e Veriut,
etj... që drejtohen nga një njeri i fuqishëm ose nga një parti, të cilat në
mungesë të prosperitetit dhe mirëqenies do ta rrezikojnë seriozisht botën, duke
e parë pjesën demokratike si fajtorin kryesor për deficitet e tyre. Jeta e
qytetarëve të rëndomtë në këto shtete është dhe do të jetë gjithmonë e
vështirë. Pastaj kemi disa shtete që kanë gjurmë të demokracisë vetëm në letër
dhe kur organizojnë zgjedhje. Mirëpo, aty përfundon gjithçka, pasi gjatë
numërimit ato rregullisht manipulohen në favor të atij që është në pushtet,
pastaj gjithmonë në këto vende do të ketë varfëri dhe mjerim.
Ukraina
është fillimi i fundit për Putinin
Turqia është një shtet
autokrat që llogaritet si një nga humbësit më të mëdhenj të demokracisë, por
nuk mund të krahasohet me Rusinë. Megjithëse në luftën e Ukrainës Erdogani
është rreshtuar në anën e duhur, prapëseprapë egoja e tij për të sunduar pa
opozitë në vend do të vazhdojë. Kemi shtete edhe brenda Bashkimit Evropian që
deri në luftën e Ukrainës ishin orientuar në drejtim të nacionalizmit. Rrugë e
cila do t’i dërgonte patjetër në shtete autoritare, si Polonia dhe
Hungaria,...Mirëpo, siç duket frika nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë duhet
ti ketë zgjuar dhe këndellur përfundimisht, sepse ato ishin buzë greminës.
Duhet cekur se sa i përket demokracisë Kosova është lider i vendeve ballkanike
në të gjitha drejtimet, prandaj ajo nuk duhet ta kopjojë asnjërin nga ato, pasi
vërtet Kosova nuk ka çka të mësojë nga asnjë shtet që e rrethon.
Ditët e para të pushtimit
Rus në Ukrainë e treguan forcën e saj ushtarake. Forcë e cila sipas ekspertëve
të NATO-s në asnjë segment nuk mund të krahasohet me nivelin ushtarak që ka perëndimi.
Gatishmëria e Ukrainës që të mbrojë vlerat demokratike, edhe pse me një armatim
të vjetërsuar të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik arriti ta ngadalësonte
pushtimin rus. Kjo tregon se Rusia edhe pse përdori të gjitha armët që kishte
në posedim, përpos atyre bërthamore, nuk arriti dot ta pushtonte Ukrainën
shpejtë siç kishte menduar. Madje shumë nga ekspertet ushtarak perëndimorë janë
të bindur se fuqia ushtarake ruse nuk përbën kurrfarë rreziku për Evropën. Ata
brenda pak ditëve do ta dëbonin Rusinë nga Ukraina. Mirëpo, duke parë
iracionalitetin e Putinit ku të gjithë e cilësojnë se është i paparashikueshëm,
besohet se ai në rast të humbjes është në gjendje t’i vë në përdorim edhe armët
bërthamore dhe këtu ishte frika e perëndimit, e cila siç duket po ikë ngadalë.
Gatishmëria e Ukrainasve për
ta mbrojtur shtetin e tyre do të jetë humbja e paevitueshme për Putinin. Edhe
nëse Rusia i pushton të gjitha qytetet dhe territorin e Ukrainës, prapëseprapë
ai nuk do të mund ta fitojë paqen kurrë dhe pas humbjeve të shumta që do të
pësojnë nga sulmet e përditshme, një ditë Rusia do të detyrohet njëjtë si nga
Afganistani e mundur dhe e rraskapitur të kthehet në shtëpi. Dhe, pas
poshtërimit e humbjeve të mëdha nga disfata në Ukrainë brenda qytetarëve rus do
të ketë pakënaqësi, protesta dhe ndryshim pushteti me dhunë, sepse atje kurrë
s’kishte zgjedhje të vërteta demokratike, edhe pse mendohet se një palë
zgjedhje në kohën e Jelcinit ishin të rregullta. Duke parë ketë mentalitet rus,
besoj fortë që pas humbjes së paevitueshme në Ukrainë do të ketë një revolucion
brenda Rusisë kundër Vladimir Putinit.
Pra lufta në Ukrainë është fillimi i fundit të Putinit.