Editorial
Ndue Dedaj: Protesta e çmimeve, si 'parti' e qytetarëve
E diele, 13.03.2022, 07:23 PM
PROTESTA E ÇMIMEVE, SI “PARTI” E QYTETARËVE
NGA
NDUE DEDAJ
Nuk
është rritur vetëm nafta, është rritur çmimi i çdo produkti tjetër dhe ky është
një alarm kundër spekullimit me tregun. Është rritur buka, mielli, vaji, orizi,
frutat, perimet, gjithçka. Janë rritur biletat e udhëtimit të autobusëve,
furgonëve, taksive. Me siguri edhe “Gabi” i ka rritur çmimet. Prandaj
protestohet energjikisht. Qytetarët nuk mund ta përballojnë këtë situatë të
rënduar çmimesh “lufte”, pa qenë në luftë, ndonëse nën ndikimin e luftës në
Ukrainë. Qeveria e anatemoi protestën duke i ngjitur bishta politikë,
megjithatë ngriti një bord për monitorimin e tregut të hidrokarbureve, por ky
bord duhet të jetë për gjithë tregun e mallrave të përdorimit të gjërë.
Mundësisht brenda 24 orëve. Që të frenojë një orë e më parë matrapazët që mezi
kanë pritur të mbushin xhepat në mënyrë të paligjshme. Një babëzi që dëshmon se
jo vetëm nuk ka pikë humanizmi te një kategori tregtuesish zhvatës, por as
përgjegjshmëri para ligjit dhe detyrim ndaj çmimit tavan.
Është
qeveria e para që duhet të “protestojë” kundër rritjes arbitrare dhe abuzive të
çmimeve, për ta penguar këtë marrëzi të tregtarëve të mëdhenj apo të mesëm,
duke qenë në anën e qytetarëve në nevojë dhe jo palë me abuzuesit e tregut. E
kur qeveria nuk bëhet garanti i një tregu me rregulla për qytetarët, sidomos
kur ka vështirësi e kriza, atëherë ndodh protesta, e vetmja mundësi që ka
publiku për të vendosur për fatin e vet. Më në fund, duket se po lind “partia”
e protestës qytetare edhe në Shqipëri, mbase e marrë peng nga “shoqëria
civile”, që asnjëherë nuk është ndjerë me gjithë forcën që ajo duhet të ketë.
Ndaj mirënjohje për protestuesit e këtyre ditëve kundër rritjes së çmimeve të
energjisë etj., të cilët në jo pak raste kishin dalë bashkë me fëmijët e tyre,
që i mbanin përdore ose në krah, çka dëshmon natyrën paqësore të protestës. Çdo
nismë apo lëvizje e komunitetit për interesa publike përtej partive,
përshëndetet nga të gjithë, paçka se jo të gjitha duartrokitjet shihen, ngaqë
jo të gjithë njerëzit ndihen të lirë të protestojnë si qytetarë. Çmimet kanë
prekur dhe nëpunësit e shtetit kudo, në arsim, shëndetësi, bashki, ministri;
edhe policët që shoqërojnë në komisariate protestuesit pa asnjë faj, edhe
gjykatësit që japin masat e arrestit për ta. “Uniforma” e shtetit që mbajnë
disa nëpunës nuk është logjike t’i pengojë ata si qytetarë të lirë të
protestojnë për të drejtat e tyre. Një ushtaraku nuk i lejohet të hyjë në parti
politike, por nuk pengohet nga ligji të dalë në sheh me qytetarët e tjerë në
orët kur nuk është në detyrë, po pushim.
Në
këtë histori, nuk ka kuptim të ketë dy palë, njëra që e do dhe e bën protestën
dhe tjetra që e ndëshkon atë në emër të ligjit?! Policia duhet të të mjaftohet
me vëzhgimin e protestave dhe jo të mbushë furgonat me të ndaluar e të
shoqëruar. Protestat e padhunshme nuk e cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Serioziteti, masiviteti dhe kultura e protestave, që veç sa vijnë e shtohen në
të gjithë vendin, këtë mars të trazuar, tregon sesa e nevojshme është ajo për
të ruajtur ekuilibrat e brishtë të tregut dhe të jetës sociale. Në protestën e
sotme (të shtunës) para Kryeministrisë pamë të flisnin dhe disa aktorë të
njohur humori, që nuk kanë aspirata politike si ish-kolegu i tyre në Ukrainë
Zelenski, tashmë president i vendit (çka nuk do të kishte ndonjë të keqe), të
cilët e kanë ndjerë të nevojshme të bëhen zëri i qytetarëve edhe përmes
tubimesh të tilla protestuese. Shpresojmë që atyre t’iu bashkohen dhe artistë e
intelektualë të tjerë. Ende shoqëria jonë nuk e ka luksin që artistët të flasin
vetëm me gjuhën e artit të tyre në skenë dhe ekrane, profesorët vetëm nga
katedra etj. Foltorja publike është gjithëpërfshirëse për vetë interesat e
mëdha që përfaqëson, si kjo protestë kombëtare dhe, në këtë qasje, do të ishin
të mirëpritur veçmas ekspertët e ekonomisë për t’iu shpjeguar njerëzve (pa
kompromis me askënd dhe drojën e askujt) pse u krijua kjo “maratonë” çmimesh
dhe si duhet ndaluar.
Do
të ishte e palejueshme nëse partitë (për mendimin tonë të dështuara në kauzat
publike) do të përpiqeshin ta përdornin këtë protestë për intersat e tyre
politike. Përkundrazi, protesta qytetare, e ngritur hap pas hapi e ditë pas
dite në institucion, mund të shërbejë për të pasur një tjetër realitet politik
në vend, krejt i ndryshëm nga ky i sotmi, kur klasa politike ka rënë. Kjo nuk
do të thotë asesi që njerëzit e politikës duhet të qendrojnë larg protestës si
qytetarë, apo dhe si formacione politike, por si të tilla të gjejnë veten pa
përlarë “flamurin”. Protestat kanë fuqinë të krijojnë parti, edhe kur partitë
nuk arrijnë të bëjnë protesta për shkak të pazotësisë së tyre. Mjafton
shembulli i lëvizjes protestuese të dhjetorit 1990, që çoi në krijimin e
partisë së parë opozitare shqiptare. Ashtu siç greva e sindikaliste e
minatorëve të Valiasit çoi në rrezimin e njërës nga qeveritë e kohës. Sa herë
bie fjala për protestat qytetare, jo rastësisht sillet si shembulli më
kuptimplotë protesta e të rinjve dhe mjedisorëve në sheshin “Skënderbej” kundër
sjelljes së armeve kimike për t’i shkatërruar në Shqipëri.
Protestat
qytetare nuk kanë një prapavijë tjetër, përpos asaj që kanë shpallur, kësaj
here: çmimet e rritura rrufeshëm dhe shtrenjëtimin e menjëhershëm,
artificialisht të jetesës. Nuk është e rastit që protestuesit nuk bëjnë selfie
në rrjetet sociale, që t’i shohin shefat e partive se ishin aty, pasi ata nuk
kanë parti tjetër, pos protestës, e cila me gjasë do të të formulojë disa
“urdhërime”: ka një cak që nuk mund të kalohet as nga kompanitë tregtare
(abuzimi me çmimet), as nga qeveria (nënvleftësimi i protestës dhe intimidimi i
protestuesve), as nga politika (keqpëdorja e protestës), sigurisht as nga vetë
protestuesit - për të mos thyer qoftë dhe një xham.