E hene, 29.04.2024, 09:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Ardian Ndreca: Migjeni e Koliqi mbesin në Panteonin e letërsisë

E merkure, 09.02.2022, 08:52 PM


Ardian Ndreca:

Në numrin e datës 7 shtator 1935 e përkohshmja “Illyria” e Asim Jakovës botonte në faqen III poezinë e Millosh Gjergj Nikollës “Të lindet njeriu…”.

Kritika marksiste e akuzoi mbas Luftet Ernest Koliqit se gjoja paska dashtë me korruptue Migjenin tue ia botue atë poezi në faqen III, ku kishin botue penda premtuese apo të afirmueme si Lasgushi, L. Shantoja, E. Haxhiademi, V. Kokona, Z. Skirò, A. Caci, P. Marko, N. Haki.

Koliqi i përgjegjet i mërzitun shkarthave të Tiranës se po të mos e kishte vlerësue sinqerisht talentin e Migjenit s’do t’ia kishte përfshi krijimet në Antologjinë e vitit 1941 kur tashma s’kishte as mundësi dhe as nevojë me e korruptue poetin shkodran.

Kjo gja më solli në kujtesë nji episod të Xhevat Kortshës në procesin politik të prillit të vitit 1945 kur ndër tjera e akuzojnë se kishte shpërdorue fondet e FAP-it (fonde për arsimin të Ministrisë së asaj kohe). Xhevat Kortsha me dokumenta i vërteton Bedri Spahiut e Koçi Xoxes se ai fond ishte përdorë me u dhanë nga nji rrogë ma shumë të gjithë arsimtarëve në Shqipni dhe në “Tokat e Lirueme”.  Prokurori Bedri Spahiu atëherë kthehet e i thotë: “E ke bërë që t’i bësh profashistë arsimtarët, i pandehur!”

E Xhevat Kortsha pa e prishë gjakun i kthehet me ironi prokurorit tue i thanë:

– “Paskeni një konsideratë të lartë për mësuesat shqiptarë, meqë mendokeni se me një rrogë u korruptuekan dhe i shitkan idealet e tyre!”

Tue u kthye te poezia e Migjenit “Të lindet njeriu…” - Koliqi kujtonte në vitin 1966 sesi Karl Gurakuqi propozoi me ia ndryshue nji epitet në vargun e fundit që iu duk i pangjyrë, tue e zevëndsue me fjalën “kombtar”. Poezia doli në atë formë që propozoi Gurakuqi.

Madje edhe në  botimet e mavonshme, përfshi atë të vitit 1961, ashtu paraqitet.

Ta kishin dijtë redaktorët se atë cilësor e kishin vendosë “anmiqtë e popullit” si Koliqi e Gurakuqi do ta kishin zhdukë me siguri - e kushedi se me çka do ta kishin zëvendësue! Por gjithsesi nuk mujtën me ndejtë pa i futë hundët tek poezia e Migjenit, kësaj herë tue zevëndsue foljen “flakrojë” me “ndezi” e tue ia ulë dukshëm peshën vargut, pa dashtë me njehë gabimet e shtypit.

Koliqi në nji shenjim autograf të vitit 1938 e vendosë Migjenin të parin në listën e “shkrimtarëve pararojë”.

S’mbulohet dielli me shoshë kanë pasë thanë të moçmit! Migjeni e Koliqi mbesin në Panteonin e letërsisë, kurse kritikët mendjepërpimë prej ideologjisë janë harrue tashma.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora