| E merkure, 09.02.2022, 08:52 PM |
Ardian Ndreca:
Në
numrin e datës 7 shtator 1935 e përkohshmja “Illyria” e Asim Jakovës botonte në
faqen III poezinë e Millosh Gjergj Nikollës “Të lindet njeriu…”.
Kritika
marksiste e akuzoi mbas Luftet Ernest Koliqit se gjoja paska dashtë me
korruptue Migjenin tue ia botue atë poezi në faqen III, ku kishin botue penda
premtuese apo të afirmueme si Lasgushi, L. Shantoja, E. Haxhiademi, V. Kokona,
Z. Skirò, A. Caci, P. Marko, N. Haki.
Koliqi
i përgjegjet i mërzitun shkarthave të Tiranës se po të mos e kishte vlerësue
sinqerisht talentin e Migjenit s’do t’ia kishte përfshi krijimet në Antologjinë
e vitit 1941 kur tashma s’kishte as mundësi dhe as nevojë me e korruptue poetin
shkodran.
Kjo
gja më solli në kujtesë nji episod të Xhevat Kortshës në procesin politik të
prillit të vitit 1945 kur ndër tjera e akuzojnë se kishte shpërdorue fondet e
FAP-it (fonde për arsimin të Ministrisë së asaj kohe). Xhevat Kortsha me
dokumenta i vërteton Bedri Spahiut e Koçi Xoxes se ai fond ishte përdorë me u
dhanë nga nji rrogë ma shumë të gjithë arsimtarëve në Shqipni dhe në “Tokat e
Lirueme”. Prokurori Bedri Spahiu atëherë
kthehet e i thotë: “E ke bërë që t’i bësh profashistë arsimtarët, i pandehur!”
E
Xhevat Kortsha pa e prishë gjakun i kthehet me ironi prokurorit tue i thanë:
–
“Paskeni një konsideratë të lartë për mësuesat shqiptarë, meqë mendokeni se me
një rrogë u korruptuekan dhe i shitkan idealet e tyre!”
Tue
u kthye te poezia e Migjenit “Të lindet njeriu…” - Koliqi kujtonte në vitin
1966 sesi Karl Gurakuqi propozoi me ia ndryshue nji epitet në vargun e fundit
që iu duk i pangjyrë, tue e zevëndsue me fjalën “kombtar”. Poezia doli në atë
formë që propozoi Gurakuqi.
Madje
edhe në botimet e mavonshme, përfshi atë
të vitit 1961, ashtu paraqitet.
Ta
kishin dijtë redaktorët se atë cilësor e kishin vendosë “anmiqtë e popullit” si
Koliqi e Gurakuqi do ta kishin zhdukë me siguri - e kushedi se me çka do ta
kishin zëvendësue! Por gjithsesi nuk mujtën me ndejtë pa i futë hundët tek
poezia e Migjenit, kësaj herë tue zevëndsue foljen “flakrojë” me “ndezi” e tue
ia ulë dukshëm peshën vargut, pa dashtë me njehë gabimet e shtypit.
Koliqi
në nji shenjim autograf të vitit 1938 e vendosë Migjenin të parin në listën e
“shkrimtarëve pararojë”.
S’mbulohet
dielli me shoshë kanë pasë thanë të moçmit! Migjeni e Koliqi mbesin në
Panteonin e letërsisë, kurse kritikët mendjepërpimë prej ideologjisë janë
harrue tashma.