Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Qeverisja Vendore - Dështim i turpshëm
E diele, 05.12.2021, 08:25 PM
MAQEDONI E VERIUT
QEVERISJA VENDORE –
DËSHTIM I TURPSHËM
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Që nga fillimi i
pluralizmit e deri më sot, nëpër bashkitë shqiptare kryetarët ndërrohen njëri
pas tjetrit. Kështu, tridhjetë vjet me radhë. Çdo kryetar bashkie ka qenë i
kandiduar prej partisë së vet. Çdo kryetar bashkie ka ardhur në pushtet
nëpërmjet një fushate parazgjedhore që ka zgjatur deri tridhjetë ditë. Thua ti
se zgjidhet kryetari i Amerikës. Çdo pretendent për kryetar bashkie, gjatë
fushatave parazgjedhore u ka premtuar qytetarëve çmos. Nga ajo që u kanë
premtuar qytetarëve, është realizuar pak, për të mos thënë fare. Madje, ka
nihilistë që thonë se sot është më keq se dikur.
Ku kanë mbërritur
qytetarët e bashkive shqiptare, pas tri dekada pluralizmi? Problemet me të
cilat ballafaqoheshin qytetarët para shumë viteve, ekzistojnë edhe sot.
Edhe pas shumë
viteve, qytetarët e bashkive të caktuara preokupohen:
- me mungesën e
ujit të pijshëm;
- me çështjen e
pazgjidhur të hedhurinave;
- me mungesën e
infrastrukturës rrugore;
- me degradimin e
rrugëve;
- me rrugët plot
gropa;
- me vërshimin e
ndërtimeve pa leje;
- me mungesën e
hapësirave të gjelbra;
- me uzurpim të
paligjshëm të hapësirave të gjelbra nga pronarët e restoranteve;
- me uzurpim të
trotuareve nga pronarët e tregtizave;
- me uzurpim të
trotuareve nga tregtarët e imët;
- me mungesën e
parkingjeve tokësore, nëntokësore dhe mbitokësore;
- me mungesën e
një salle sportive bashkëkohore;
- me mungesën e
një biblioteke bashkëkohore;
- me qarkullim
rrugor të dendur,
- me bllokim të
qarkullimit rrugor;
- me mungesë të
rrugëve anësore që do të bënin të mundur qarkullimin rrugor, pa hyrë në qytet;
- me mungesë të
baj-paseve rrugore;
- me ndotje të
ajrit;
- me shporta
hedhurinash, të degraduara;
- me mungesë
klasifikimi të hedhurinave;
- me papastërti në
të katër anët e qytetit;
- me rrugë që
s’kanë parë netull me sy;
- me rrugë që
s’kanë parë ujë me sy, përpos në kohë reshjesh të dendura;
- me mungesë të
një qendre për trajtimin human të qenve, të ashtuquajtur endacakë;
- me mosrespektim
të rregullave të qarkullimit;
- me mungesë
pedonalesh;
- me mungesë të
një plani urbanistik bashkëkohor.
* * *
Kryetarët e
bashkive i shndërruan bashkitë në ente punësimi dhe në ente sociale.
Këtë e kanë bërë për interesa partiakë. Janë punësuar veprimtarë
dhe militantë partiakë. Punësime nëpër bashki janë bërë edhe për arsye miqësie.
Bashkitë i kanë shndërruar në ente punësimi apo në ente sociale, sidomos ata
kryetarë bashkish të cilët kanë pretenduar të zgjidhen për një mandat të dytë
apo edhe të tretë. Me fjalë të tjera, bashkitë i kanë shndërruar në ente
punësimi dhe ente sociale, për qëllime votash. Nëpërmjet punësimeve nëpër
bashki apo nëpër organet bashkiake, këta të ashtuquajtur kryetarë bashkish, i
kanë krijuar ushtritë e veta të votuesve.
Çështje në vete
janë listat “e të punësuarve”. Nëpër këto lista, që zyrtarisht kurrë s’janë
bërë publike, mund të jenë përfshirë persona me gjendje ekonomike solide. Turp
dhe mëkat. Zhvatje e djersës së këtij populli të varfër.
Mjetet financiare
të bashkive duhet të jenë në shërbim të qytetarëve. Mjetet e bashkive duhet të
shërbejnë për ndërtimin e infrastrukturës së qytetit dhe jo për t’i “punësuar”
bijtë dhe bijat e familjeve me ekonomi solide. Turp dhe mëkat.
Turp dhe mëkat për
kryetarin e bashkisë që ka bërë “punësime” të tilla; turp dhe mëkat për bijtë
dhe bijat e prindërve me të ardhura solide; turp dhe mëkat për inteligjencien
shqiptare që i ka mbyllur sytë para një funksionimi anarkik të bashkive; turp
dhe mëkat për partitë nga radhët e të cilave vijnë këta kryetarë bashkish.
Në një shtet
ligjor dhe në një shoqëri të ngritur punësimet bëhen me konkurs publik dhe në
përputhje me nevojat e institucionit. Në asnjë shtet të botës së qytetëruar
punësimet nuk bëhen pa konkurs publik dhe në kundërshti me nevojat e
institucionit.
Nëpër bashki të
caktuara, për interesa meskinë të kryetarit të bashkisë dhe të partisë nga e
cila vjen, “punësimet” janë bërë:
- pa konkurs
publik; dhe
- në kundërshti të
plotë me nevojat e institucionit bashki apo të organeve bashkiake.
Me një fjalë,
“punësimet” janë bërë pa kurrfarë sistematizimi të mirëfilltë apo me njëfarë
sistematizimi fiktiv. Si rrjedhojë:
- në një zyrë, ku
është dashur të punojnë një apo dy vetë, “kanë punuar” tre-katër vetë;
- persona të
caktuar, bij dhe bija të etërve dinakë, kanë marrë rroga duke ndenjur në
shtëpi.
Legjenda thotë se
nëpër listat e pagave figurojnë edhe persona të cilët kanë punuar edhe nëpër
ndërmarrje të tjera. Turp dhe mëkat. Veprime absurde si në veprat e Franc
Kafkës, të Zhan-Pol Sartrit, të Alber Kamysë, të Semjuel
Beketit.
Pjesë e listave të
honorarëve kanë qenë edhe të ashtuquajturit mbartës të proceseve kulturore dhe
realizues të të ashtuquajturave projekte. Vite me radhë, këta kulturtregerë
trokasin nëpër dyert e bashkive, pa i lënë rahat as sponsorët privatë,
për të nxjerrë mjete për veprimtarinë e tyre që ata e cilësojnë si kulturë.
S’ka dyshim se veprimtaritë kulturore i duhen një shoqërie, por jo çdo
manifestim mund të merret për kulturë. S’është kurrfarë krijuesi artistik ai i
cili vihet në shërbim të politikës. Artistët e mëdhenj nuk janë vënë në shërbim
të pushtetit as në mesjetë, e ku më në kohën e komunikimit satelitor. Arti i
mirëfilltë është kundërshti e pushtetit, e çdo pushteti. Këta kulturtregerë dhe
realizues “të projekteve”, trokitjen nëpër dyert e bashkive – dhe të sponsorëve
– e kanë shndërruar në mënyrë jetese.
Në lista pagash
bijë dhe bija etërish dinakë, në një kohë kur punëtorët e Ndërmarrjes Komunale
Publike s’i kanë marrë rrogat në mënyrë të rregullt. Qytet i palarë dhe i
papastruar, në një kohë kur në Ndërmarrjen Komunale Publike ka tepricë të
punësuarish.
Ç’qeverisje
vendore janë këto kjo kur një përqindje e madhe e qytetarëve nuk i shlyejnë
detyrimet komunale?!
Në asnjë vend ku
zbatohet ligji dhe ku çon peshë vetëdija qytetare, kryebashkiaku nuk e nis meremetimin e rrugëve apo të rrugicave,
tre muaj para fillimit të fushatës zgjedhore. Domethënë, qëllimi është t’i
fitoj votat dhe jo të kryej punë.
Bashkitë dhe
qeverisësit e tyre, vërtet shumë punë i kanë lënë pa i bërë, por ka edhe do
punë që i kanë bërë, madje me përkushtim dhe vigjilencë të madhe. E kanë bërë
politizimin dhe partizimin e skajshëm të të gjitha poreve të shoqërisë. Sidomos
të arsimit. Të arsimit fillor dhe atij të mesëm. Shërbëtor shkolle katundi s’ke
mundur të punësohesh, pa të punësuar kryebashkiaku, domethënë partia. Kryetarët
e bashkive janë kujdesur që në pozita drejtuese të caktojnë kryesisht persona
të dëgjueshëm, që i dirigjojnë dhe që i urdhërojnë më lehtë. Të tillët që kanë
qenë të etshëm për pushtet. Të tillët i kontrollon më lehtë, shumë lehtë.
Mirëpo,
ish-prefektët harrojnë se lakmitarët e pushtetit, sapo vjen në pushtet një
forcë e re, sakaq ia kthejnë shpinën komunarit humbës. Tani kthehen e bëhen me
pushtetarin e ri. Për t’iu përshtatur rrethanave të reja, këta kameleonë që
s’kanë kurrfarë parimi, thonë: “Ishte koha për ndryshime”.
Bashki të caktuara
janë shndërruar kësisoj në prona private të kryetarëve të bashkive. Kryetarë të
caktuar kanë menduar se bashkitë janë mall babe të tyre.
Para veprimeve të
sipërthëna – surrealiste, shumë pak kanë reaguar, për të mos
thënë hiç, edhe anëtarët e të ashtuquajturve këshilla bashkiakë. Pjesë e këtij dance
macabre s’ka sesi të mos jenë edhe të ashtuquajturat kabinete të
kryetarëve të bashkive.
Nëpër shumë
bashki, me dekada është punuar në mënyrë jotransparente. Pushteti vendor
është qeverisur dhe është administruar në mënyrë tinëzare dhe tinëzake. Ashtu
qeverisin dhe ashtu administrojnë shpirtrat meskinë. Ashtu qeverisin dhe ashtu
administrojnë tinëzarët dhe tinëzakët. Tinëzarë dhe tinëzakë të veshur me
petkun e engjëllit, thua ti se mizën s’e shkelin. Tinëzarë dhe tinëzakë që
hiqen intelektualë të mëdhenj. Intelektualë të mëdhenj pa asnjë provë
intelektualizmi, pa asnjë vepër intelektuale. Mashtrues të sofistikuar që
njeriu i rëndomtë s’mund t’u bjerrë në fije. Intelektualë me shpirt tregtari,
në mos dhe tyxhari. Madje këta njerëz rregullisht i sheh nëpër mediume dhe
ceremoni rasti, me poza si në veprat e Anton Pavlloviç Çehovit.
Tridhjetë vjet
pushtet vendor dhe qeverisje vendore, pa kurrfarë llogaridhënieje para
qytetarëve. Tridhjetë vjet pushtet vendor, pa kurrfarë përgjegjësie. As
përgjegjësi ligjore, as përgjegjësi morale. Shkojnë e vijnë kryetarët e
bashkive, pa i dhënë pasqyrë, raport apo përgjegjësi kryebashkiakut të ri.
Konstatohet – formalisht – njëfarë borxhi dhe aq. Përse është shkaktuar gjithë
ai borxh, askush s’ka pyetur. Ku kanë shkuar mjetet e qytetarëve, të
taksapaguesve, askush s’e di. Dhe askush nuk pyet. Kështu veprohet në provincë,
në të gjitha provincat. Në provincat e provincialëve. Mos vallë një pjesë e
mjeteve kanë përfunduar nëpër xhepat e dikujt? As për këtë s’ka pyetur kush.
Nëpër provinca dhe ndër provincialë, pyetje të tilla s’bëhen dot.
Perandorët e Romës
kanë ndjekur politikën panem et circenses (bread and circuses).
Domethënë, jepi popullit bukë e argëtim dhe qeverise atë si të
duash. Është doktrinë staliniste: Për ta qeverisur më
lehtë popullin, duhet ta mbash në varfëri. Dhe në varësi. Sill këngëtarë
nga trojet shqiptare, argëtoje masën dhe qeverise si të duash. Ndërkaq, për
bibliotekën që pret vite pa u ndërtuar, askush s’të pyet.
Por, partitë
politike shqiptare dhe prefektët e tyre, të dikurshëm, të djeshëm dhe të sotëm
duhet ta dinë se në shekullin XXI dhe në kohën e komunikimit elektronik,
qeverisjet me plot padrejtësi dhe abuzime, nuk e kanë gjatë. Një ditë u vjen
fundi. Fundi i turpshëm.
* * *
Për të sunduar sa
më gjatë, prefektët janë kujdesur t’i blejnë edhe mediumet. Ka shumë forma për
t’i neutralizuar mediumet. Një prej formave është t’i paguash. T’i paguash në
mënyra të ndryshme. Në provincë ka mediume që shiten për dy lekë. Jepi dy lekë
një shkretani që i thotë vetes redaktor apo kryeredaktor dhe ai ta nxjerrë
fotografinë në gro plan. Në çastin kur prefektura ia redukton
mjetet, ky farë mediumi i kasabasë fillon ta shajë shtetin.
* * *
Lidhur me
dështimet evidente të pushtetit vendor në këta tridhjetë vjet të tranzicionit
nuk ka reaguar fare as inteligjencia. Para ligësisë tridhjetëvjeçare, për
interesa meskinë, i kanë mbyllur sytë
edhe njerëzit me tituj akademikë. Për ngecjen e hapësirave shqiptare nuk
e ka ngritur zërin e protestës as rinia studentore. Prapambetja e komunave me
shumicë shqiptare nuk është vetëm çështje rrugësh, hedhurinash dhe qensh
endacakë. Kjo është çështje me përmasë politike, thellësisht politike.
Përballë qeverisjes
vendore jotransparente kemi një mungesë të plotë të mendimit kritik, të
kritikës politike dhe të kritikës sociale. Një inteligjencie që nuk reagon ndaj
prapambetjes së frikshme të hapësirave shqiptare, noton në vorbullën e
oportunizmit, të konformizmit dhe të poltronizmit.
Të merresh sot me
po ato probleme me të cilat je marrë para tri dekadave, do të thotë se koha e
këtij populli qenkësh rikthyer në fillimin e saj, mu si në romanet e Gabriel
Garsia Markezit. Nuk duhet lejuar që qyteti universitar të shndërrohet në
qytezë, në kasaba, në pallankë apo në varosh. Nuk duhet lejuar që në hapësirat
shqiptare të shfaqen skena si në veprat e Çarls Dikensit, të Balzakut,
të Viktor Hygoit apo të Dostojevskit – të shekullit XIX.