Kulturë
Eshref Ymeri: Hyrje për fjalorin frazeologjik anglisht-shqip
E marte, 16.11.2021, 12:34 PM
Hyrje për fjalorin frazeologjik anglisht-shqip*
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Shprehjet
frazeologjike janë thesare të gjuhës. Në to
gjejnë pasqyrimin e vet historia e popullit, veçoritë e kulturës dhe
mënyra e jetesës. Ato i japin lexuesit larminë e botës së mbartësve të gjuhës,
sepse në kuptimin e tyre përcillen drejtpërsëdrejti rezultatet e përvojës
kulturore të popullit. Si pasuri e gjuhës, ato krijohen me qëllimin që jo vetëm
ta pasqyrojnë mjedisin ku populli jeton, por edhe për ta interpretuar, për ta
vlerësuar dhe për të shprehur një qëndrim të caktuar ndaj tij.
Në
punën e vet, përkthyesi, duke studiuar shprehjet frazeologjike të dy gjuhëve,
ka mundësi të ndjekë zhvillimin e shoqërisë në mjedisin e dy popujve, duke
filluar nga lindja e traditave dhe e dokeve të tyre, deri në arritjet më të
fundit në lëmin e shkencës dhe të teknologjisë bashkëkohore, si edhe të
ballafaqojë natyrën origjinale të evolucionit të dy shoqërive të ndryshme.
Shprehjet
frazeologjike, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, mbartin në vetvete
informacion kulturor për botën, për jetën ekonomike dhe për problemet shoqërore
të njerëzve. Në nivelin frazeologjik të gjuhës, vjen e ravijëzohet veçanërisht
qartë lidhja e ndërsjellë e bagazhit kulturor të njeriut dhe e zgjedhjes së
njërës ose tjetrës shprehjeje frazeologjike në një situatë të caktuar
komunikimi.
Me
ndihmën e shprehjeve frazeologjike, të cilat nuk përkthehen fjalë për fjalë,
por perceptohen përmes rikuptimësimit, del në pah aspekti estetik i gjuhës.
Shprehjet
frazeologjike të gjuhës angleze kanë zënë vend në gjuhën e folur dhe kanë
përftuar një ngjyrim karakteristik anglez. Ato lidhen me traditat, me zakonet
dhe me botëkuptimin e popullit anglez, si edhe me legjendat dhe me faktet
historike nga jeta e tij.
Gjuha
angleze është njëra nga më të pasurat nga pikëpamja e strukturës frazeologjike.
Siç rezulton nga pasuria frazeologjike e këtij fjalori, shprehjet e saj
frazeologjike janë shumë të larmishme për nga semantika dhe forca e tyre
shprehëse. Gjuha nuk është diçka statike, ajo është në zhvillim të përhershëm,
duke u pasuruar ose duke i “konservuar” disa fjalë ose shprehje që kanë dalë
nga sfera e përdorimit të përditshëm. Shprehjet frazeologjike të anglishtes, si
të çdo gjuhe tjetër, janë jo vetëm pasqyrë e kulturës së popullit anglez dhe e
reflektimit të realitetit, por edhe e shpërfaqjes së këndvështrimeve për botën
mbarë, e mendësisë së tij, e karakterit të tij kombëtar, e traditave, e
sistemit të vlerave që ai ka krijuar në rrjedhën e shekujve dhe e veçorive
etnike që e karakterizojnë. Për nga natyra dhe krijimi, ato shërbejnë si një
burim i drejtpërdrejtë të dhënash për mënyrën e jetesës dhe për veçoritë
karakteristike të popullit anglez.
Çdo
popull ka diçka të vetën, diçka origjinale. Në shekullin tonë, kur mundësia e
udhëtimeve nëpër botë është lehtësuar, vihet re se njerëzit e një vendi tjetër
janë si gjithë të tjerët, se ata kanë po ato probleme fatkeqësish dhe gëzimesh,
urrejtjesh dhe dashurish. Megjithatë, në një grumbull njerëzish të përzier, nuk
ka ndonjë zor të madh për ta dalluar anglezin nga francezi, amerikanin nga
gjermani, italianin nga shqiptari e kështu me radhë.
Gjithsesi,
shprehjet frazeologjike të çdo gjuhe janë pasqyrë e mbartësve të saj. Prandaj
edhe pasuria frazelogjike e këtij fjalori është pasqyrë e popullit anglez. Në
ballafaqim me pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, lexuesi zbulon
specifikën kombëtare të gjuhës angleze.
Vlera
kombëtare e shprehjeve frazeologjike qëndron në vërtetësinë e padiskutueshme të
përmbajtjes së tyre. Si kurrfarë mjetesh të tjera të gjuhës, ato përthithin
historinë e mbarë kombit, veçoritë e kulturës dhe të mënyrës së jetesës,
ngjarje të shënuara në jetën e vendit, traditat e popullit, disa prej të cilave
edhe mund të mos ekzistojnë më, por që janë ruajtur në thesaret e gjuhës.
Ekzistojnë
disa burime të pasurimit të shprehjeve frazeologjike të anglishtes. Por burimi
që bie më shumë në sy është letërsia artistike. Në saje të veprave artistike të
shkrimtarëve dhe të poetëve, si të Britanisë së Madhe, ashtu edhe të vendeve të
tjera anglishtfolëse, gjuha angleze numëron në ditët tona një sasi të madhe
shprehjesh frazeologjike.
Veprat
e Shekspirit, të këtij klasiku të madh të kulturës angleze, siç vihet re edhe
në këtë fjalor, janë njëri nga burimet më të rëndësishme për nga numri i
shprehjeve frazeologjike që kanë pasuruar gjuhën angleze.
Kontributi
i Shekspirit, si një dramaturg i madh, në lëmin e pasurisë frazeologjike së
gjuhës angleze, është i konsiderueshëm dhe i paçmuar. Kjo për arsye se shumë
shprehje të goditura frazeologjike, nga gjuha e veprave të shkrimtarit, kanë
kaluar në gjuhën kombëtare, çka dëshmon për gjenialitetin linguistik dhe për
popullaritetin e tij kolosal.
Shprehjet
frazeologjike që Shekspiri ka krijuar në të gjitha veprat e veta, kanë hyrë
përfundimisht në indin e gjuhës letrare dhe të folur dhe tani ato mund të
konsiderohen si idioma tradicionale të saj. Veprat e Shekspirit janë burimi më
i pasur, pas Biblës, i idiomatikës angleze.
Kontribut
të shquar në pasurimin e shprehjeve frazeologjike të anglishtes kanë dhënë edhe
mjaft shkrimtarë të tjerë anglezë, si Çarlz Dikensi, Gollsuorthi, Valter Skoti,
Xhon Mltoni, Xhonatan Suifti dhe shumë të tjerë.
Në
pasurinë frazeologjike të gjuhës angleze vihen re edhe huazime brendagjuhësore.
Është fjala për huazime nga anglishtja amerikane, australiane, irlandeze,
kanadeze dhe neozelandeze. Domosdo që më të shumta janë huazimet nga anglishtja
amerikane (paçka se shprehjet frazeologjike, të krijuara nga shkrimtarë
amerikanë, në krahasim me ato të shkrimtarëve anglezë, janë të pakta) dhe pas
tyre vinë ato nga anglishtja australiane. Tek-tuk bien në sy huazime nga
anglishtja irlandeze, kanadeze dhe neozelandeze.
Huazimet
ndërgjuhësore, domethënë shprehjet frazeologjike, të huazuara nga gjuhë të
huaja përmes njërës ose tjetrës mënyrë përkthimi, janë një dukuri që haset
shpesh në gjuhën angleze.
Huazime
të tillë vihen re sidomos nga frëngjishtja. Kjo për arsye se kjo gjuhë, si
gjuha më me autoritet e Evropës Perëndimore në shek. XVII-XVIII, fill pas
latinishtes, e pati shtuar ndikimin roman mbi zhvillimin e frazeologjisë
ndërkombëtare, duke luajtur një rol të konsiderueshëm mbi formimin jo vetëm të
gjuhëve evropianoperndimore, por edhe të gjuhëve të tjera të Evropës.
Si në
gjuhën angleze, ashtu edhe në gjuhë të tjera, një pjesë e caktuar e shprehjeve
frazeologjike të huazuara përcillet përmes kalkimit. Galicizmat e përkthyera
patën një përdorim të gjerë edhe në anglishten e folur, edhe në anglishten e
shkruar, si, fjala vjen:
affaire de cœur - affair of the heart (çështje zemre, punë dashurie, intrigë
dashurore),
brûler la chandelle par les deux bouts - burn the candle
at both ends (“e ndez qiriun nga të dyja anët”, bën jetë të shfrenuar,
e kalon jetën yrrja-byrrja, e ngrys jetën nëpër darka e dreka, jepet pas
qejfeve, zdërhallet nëpër gostira, e shkatërron jetën me duart e veta).
Një pjesë e mirë e
kalkeve frazeologjike nga frëngjishtja, erdhën e u asimiluan në mjedisin e
anglishtes, duke e humbur lidhjen me gjuhën burimore dhe duke përftuar statusin
e proverbave dhe të fjalëve të urta. Këtu mund të përmendim disa prej
tyre :
c’est le premier pas qui coûte - it is the first step
that costs (is difficult) (çdo fillim është i vështirë, vetëm hapi i parë është i
vështirë, fillimi i mbarë është gjysma e punës).
chercher une aiguille dans une botte de foin - look for a
needle in a bottle of hay [kërkon gjilpërën në kashtë (në bar, në mullar), prashit (mih, lëron) në ujë,
prashit në të thatë, numëron qimet (fijet) e postiqes].
l’appétit vient en mangeant - appetite comes with eating
(oreksi vjen duke ngrënë).
les mariages se font dans les cieux - marriages are made
in heaven [burrin (gruan) ta ka taksur Zoti; martesa është e shkruar].
si jeunesse savait, si viellesse pouvait - if youth but
knew, if age but could [“sikur rinia të kishte dijeni (aftësi), kurse pleqëria - mundësi].
Kur bëhet fjalë
për proverba dhe për fjalë të urta, nuk mund të anashkalohet fakti që shumë
kalke të anglishtes nga frëngjishtja lidhen me gjuhën burimore, me zanafillë
latinishten. Ja disa shembuj:
finis coronat opus (lat.) - la fin couronne l'œuvre (fr.)
- end crowns the work (fundi i vë kapak punës).
nil novi sub luna (lat.) - rien de nouveau sous le soleil
(fr.) - nothing new under the sun (s’ka asgjë të re në këtë botë).
procul ex oculis, procul ex mente (lat.) - loin des yeux,
loin du cœur (fr.) - out of sight, out of mind (larg syve, larg zemrës).
quot capita, tot sententiae (lat.) - autant de tête,
autant d'avis (fr.) - many men, many minds (mendja mendjes nuk i ngjan; sa kokë, aq
mendje; secili ka mendjen e vet).
Veç kësaj, në
jetën e përditshme të anglezëve dhe të francezëve ekzistojnë një sërë shprehjesh-kalke
fluturake, me zanafillë latinishten, kuptimi i vërtetë i të cilave del në pah
vetëm kur njihesh me mitin përkatës, me gojëdhënën ose me faktin historik. Le
të ndalemi në shembujt e mëposhtëm:
corne d'abondance (fr.) - horn of plenty [“briri i begatisë”, burim bollëku
(mirëqenieje, pasurie)].
fil d'Ariadne (fr.) - Ariadne's clew (thread) (“filli i Arianës”, rrugë shpëtimi).
pomme de discord? (fr.) - an apple of
discord [“mollë sherri”, shkak grindjeje
(mosmarrëveshjesh, përçarjeje, sherri)].
talon d'Achille (fr.) - the heel of Achilles [thembra e Akilit (e dikujt)”, pika e dobët e dikujt].
victoire à la Pyrrhus (fr.) - a Pyrrhic victory (“fitore si e Pirros”, fitore me humbje
të jashtëzakonshme, fitore e barasvlershme me disfatën).
Më të
pakta janë huazimet nga gjermanishtja dhe, shumë rrallë, në ndonjë rast të
vetëm, mund të vihet re edhe ndonjë huazim nga arabishtja dhe nga kinezishtja.
Si
tjetër burim i rëndësishëm për pasurimin e shprehjeve frazeologjike të
anglishtes shërben Bibla. Ajo ka pasuruar me shprehje frazeologjike jo vetëm
anglishten, por edhe shumë gjuhë të tjera të botës. Dhe këtu s’ka asgjë për t’u
habitur, sepse besimi dhe përgjithësisht doktrina fetare kanë pasë luajtur një
rol të konsiderueshëm gjatë gjithë historisë së Britanisë së Madhe. Bibla,
gjatë shekujve, ka pasë qenë libri më i lexuar dhe më i cituar në Angli. Jo
vetëm fjalë të veçanta, por edhe shprehje të tëra idiomatike, patën hyrë në
gjuhën angleze nga faqet e Biblës.
Anglia,
siç dihet, është një “rezervat” gjigant i traditave dhe i dokeve të vjetra, të
cilat ruhen dhe nderohen me kujdes për shekuj me radhë. Ato pasqyrojnë
plotësisht tablonë botëkuptimore të popullit të saj me bindje konsevatore, i
cili e shfaq hapur atdhetarinë dhe frymën kombëtare. Anglezët janë populli më
enigmatik. Ata janë të përmbajtur në emocione, si në publik, ashtu edhe në
rrethin e ngushtë familjar. Kërshëria karakteristike e tyre ka bërë që ata të
njihen me gjërat më të mira nga ato që zotërojnë popujt e tjerë. E megjithatë,
ata u kanë mbetur besnikë traditave të tyre. Ata e vlerësojnë lart hapësirën
personale, e cila në gjuhë përcillet me termin e posaçëm “privacy” (gjë
personale). Anglezët parapëlqejnë të mbajnë distancë kur komunikojnë
me dikë. Shtëpia dhe familja për anglezin janë vlera fundamentale, çka shprehet
fare qartë në proverbin “my house is my castle” (në shtëpinë time jam vetë zot, në
shtëpinë time bëj si dua).
Të gjitha dukuritë
e lartpërmendura të jetës angleze kanë gjetur pasqyrimin e vet në pasurinë e
shprehjeve frazeologjike. Prandaj është e pamundur ta zotërosh anglishten, pa
prekur pasurinë e shprehjeve frazeologjike, sepse pa zotërimin e tyre është
shumë e vështirë të hysh në bisedë me një përfaqësues të kulturës britanike,
sidomos kur nuk ke si rezervë disa nga shprehjet më të përdorshme të fondit
frazeologjik.
Përkthimi i
shprehjeve frazeologjike është një punë fort e vështirë. Kjo për arsye se ato i
përkasin një stili të caktuar ligjërimor dhe mbartin në vetvete një karakter të
theksuar kombëtar, aq më tepër që anglishtja është një gjuhë idiomatike.
Në këndvështrimin
e përkthyesit, shprehjet frazeologjike ndahen në dy grupe. Në grupin e parë
përfshihen ato shprehje që i kanë barasvlerësit në gjuhën përkthimore, kurse në
grupin e dytë hyjnë shprehjet që nuk i kanë barasvlerës të tillë. Dihet që
barasvlerësit mund të jetë të plotë dhe të pjesshëm. Me barasvlerës të plotë
nënkuptohen ato shprehje frazeologjike, të cilat përputhen me shprehjet
frazeologjike të anglishtes për nga kuptimi, për nga përbërja leksikore, për
nga ana figurative, për nga ana stilistikore dhe për nga struktura gramatikore.
Por duhet theksuar se shprehje të tilla të anglishtes nuk janë të shumta në
ballafaqim me shqipen. Le të sjellim disa shembuj nga fjalori:
armed to the teeth - i armatosur deri në dhëmbë.
be between two fires - është (gjendet, ndodhet) midis dy zjarreve
better late than never - më mirë vonë se kurrë
find a common language with smb - gjen gjuhën e përbashkët me dikë
fish in troubled waters - peshkon në ujë të turbullt.
have (got) one foot in the grave - është me një këmb në varr
in other words - me fjalë të tjera
kill time - vret kohën
lies have short legs - gënjeshtra i ka këmbët të shkurtra
set the wolf to keep the sheep - vë ujkun bari
thread breaks where it is the weakest - peri këputet ku është më i hollë
walls have ears - muret kanë veshë
with a stone kill two birds - me një gur vret dy zogj (bën një udhë e dy punë)
Siç shihet nga
shembujt e mësipërm, në strukturën e çdo shprehjeje frazeologjike të anglishtes
dhe të barasvlerësit të saj në gjuhën shqipe, është e njëjta vatër kuptimore.
Problem serioz për
përkthyesin përbëjnë ato shprehje frazeologjike që përcjellin tradita
gojëdhënore, që lidhen me doket e vjetra dhe me fakte nga mënyra e jetesës së
popullit anglez. Për përkthimin e saktë të shprehjeve të tilla, sidomos të
atyre të stilit të zhargonit gjatë përkthimit të letërsisë artistike,
përkthyesit i duhet të konsultohet paraprakisht me fjalorë frazeologjikë dhe
sidomos me fjalorë idiomatikë të anglishtes, duke arritur shkallë-shkallë deri
në zotërimin e fondit të saj frazeologjik.
Le të ndalemi në
përkthimin e disa shprehjeve të tilla të vështira:
let the world wag (as it will) - “lëri njerëzit të dërdëllitin (si të kenë
qejf)”, gojës së botës s’i vë dot peshqir, fjalët e hallkut e vrimat e gardhit
s’mbyllen kurrë.
live on borrowed time - jeton me kohë (me ditë) “borxh”, i ka ditët të
numëruara.
saw wood zharg - “sharron pyllin”, bën
gjumin e ariut, e bën gjumin top, gërhet për shtatë palë qejfe.
the old woman is picking her geese - “plakushja u shkul pendët patokëve
të vet”, po bie borë.
Dihet që struktura
e shprehjeve frazeologjike përbëhet, të paktën, prej dy fjalësh. Por në këtë
fjalor, në tre raste, hasen fjalë të vetme në rolin e shprehjeve frazeologjike.
Ato janë renditur në fjalor për arsye se kuptimi i tyre në gjuhën shqipe
përcillet me shprehje frazeologjike. Këto tri fjalë janë :
astonishing! - çudi e madhe! mbetesh pa mend! të lësh mendjen!
nicely! - të lumtë!
true! - ashtu është!
është e vërtetë! s’e luan topi!
Duke pasur
parasysh shkallën e vështirësisë së përkthimit të shprehjeve frazeologjike të
anglishtes, mund të mendohet se është e pranueshme edhe njëfarë përshtatjeje në
gjuhën shqipe. Por autori nuk e ka parapëlqyer përshtatjen. Ai është munduar të
qëmtojë barasvlerësit frazeologjikë të gjuhës shqipe që i përgjigjen mundësisht
sa më shumë kuptimit të shprehjeve frazeologjike të gjuhës angleze.
Shprehjet
frazeologjike këtu janë të renditura alfabetikisht. Në fillim jepen shprehjet
frazeologjike që fillojnë me vatrën kuptimore. Le të marrim si shembull disa
shprehje me vatrën kuptimore time (kohë):
TIME ? time after time - 1. herë më herë, herë pas
here, kohë pas kohe, në mënyrë të përsëritur. 2. sa herë.
time and tide wait for no man - koha nuk pret, nuk ka koh?, koha s’premton, duhet vepruar sa m?
shpejt (me urgjenc?), punën e sotme mos e lër për nesër. Fjala tide këtu
përdoret në kuptimin e saj të vjetruar kohë.
time and (time) again - një e dy, një më dy, në mënyrë të
përsëritur, orë e çast, orë e minutë, pa pushim, përsëri e përsëri, sot e
gjithë ditën, sot e mot, shumë herë.
times are bad for them - për ta kanë ardhur kohë të vështira.
…
Mandej vazhdon
renditja me përbërësit e tjerë, po alfabetikisht, që i paraprijnë vatrës
kuptimore time.
a dozen times - dhjetë herë, në mënyrë të përsëritur.
a short time after - pak kohë pas.
about time - më në fund. Përdoret si shprehje kënaqësie me rastin e realizimit të
diçkaje të shumëpritur.
abreast of (ose with) the times - me hapin e kohës, në një hap me
kohën, pa mbetur prapa jetës.
after a short time - pas pak kohe.
against time - 1. shumë shpejt, me revan të madh. 2. brenda një afati të shkurtër
(një afati minimal).
…
Një renditje e
tillë është bërë me qëllim që përkthyesi
ta gjejë me lehtësi shprehjen që i intereson.
Kur qëllon që në
strukturën e shprehjeve frazeologjike shërbejnë si vatra kuptimore emra që kanë
tema të ndryshme në numrin njëjës dhe në numrin shumës, atëherë ata janë marrë
si vatra kuptimore më vete. Si shembull mund të shërbejnë emrat foot (këmbë)
dhe feet (këmbët), tooth (dhëmb) dhe teeth (dhëmbët).
Disa shprehje
frazeologjike të anglishtes kanë si barasvlerës një vargan të tërë shprehjesh
frazeologjike të shqipes, të cilat formojnë vargje sinonimike me ngjyrime të
ndryshme stilistikore. Gjatë përkthimit të letërsisë artistike, në varësi të
kontekstit, përkthyesi mund të përzgjedhë shprehjen më të përshtatshme.
Për një sërë
shprehjesh frazeologjike, në përkthim jepet motivimi i krijimit të tyre, që
përcillet me një shpjegim etimologjiko-enciklopedik, çka, në këndvështrimin e
autorit, përbën një informacion me vlera kulturore.
Nga krahasimi i
pasurisë frazeologjike të të dyja gjuhëve në këtë fjalor, rezulton se shqipja
ka një thesar jashtëzakonisht të pasur me shprehje frazeologjike. Prandaj ajo
mund të ballallafaqohet denjësisht me
pasurinë frazeologjike të çdo gjuhe tjetër, siç ka dalë në pah në
Fjalorin frazeologjik italisht-shqip (me autorë Naim Balla, Irena Lama, Eshref
Ymeri, botim i Shtëpisë Botuese “EDFA”, Tiranë 2007), dhe në Fjalorin
frazeologjik rusisht-shqip (botim i Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”, Tiranë
2015).
--------------------------
*Fjalori, me parathënie të Prof.dr. Hajri Shehut dhe pasthënie të Prof.dr.
Rami Memushajt, zë një vëllim prej 1254 faqesh dhe përmban 25 440 shprehje
frazeologjike. Është botim luksoz i Studios Intergrafika, me drejtor Eduard
Shima, dhe e ka vënë në qarkullim Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”, me drejtor
Genti Gjonaj. Tiranë 2019.