Kulturë
Lulëzim Shishani: Fjalori i madh i gjuhës shqipe - problemet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë!
E hene, 15.11.2021, 08:32 PM
Fjalori i madh i gjuhës shqipe - problemet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë!
Sqarim për publikun
Pas publikimit të
njoftimit për fillimin e procedurës penale kundër përfaqësuesve të Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë, kemi vërejtur një shqetësim të madh të qytetarëve dhe
një mjegullim sikur ne nuk pranojmë bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Për interes të
opinionit publik e shohim të arsyeshme ta sqarojmë pozicionin tonë përmes një
oferte publike për bashkëpunim pa kushte me çdo institucion të Shqipërisë me
qëllim të përbashkët përparimin e gjuhës shqipe.
Ofertat tona në të
shkuarën...
Më shumë se një
herë, me shumë ngulm kemi provuar bashkëpunimin për Fjalorin e madh të gjuhës
shqipe me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Qysh në vitin 2002
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i kemi ofruar (propozuar) financim të
plotë dhe mbulim të të gjitha shpenzimeve për një fjalor të tipit të madh, ku
të gjitha të drejtat për botim si format libri do t’i mbeteshin Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë, ndërsa versioni digjital i fjalorit të ishte pa pagesë
për banorët e Shqipërisë e të Kosovës. Oferta jonë u refuzua nga Departamenti i
Leksikologjisë, edhe pse asokohe ishim partnerë dhe kishim një
bashkëpunim të kontraktuar me departamentet e tjera të gjuhëtarëve të
respektuar.
Në vitin 2019
Qeveria e Kosovës përzgjodhi institucionin tonë - Qendrën për Edukim dhe
Përparim - për hartimin e Fjalorit të madh të shqipes, jo vetëm si format
libri, por edhe si softuer, përkatësisht në formë digjitale për të gjitha
pajisjet me të cilat shkruhet fjala shqipe.
Sërish i
kontaktuam zyrtarët e Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe ata të
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke i njoftuar për projektin e Qeverisë
së Kosovës për Fjalorin e madh të shqipes. Iu drejtuam me ofertë konkrete
bashkëpunimi, por përsëri këta zotërinj refuzuan të bashkëpunojnë, njësoj siç
refuzuan 20 vjet më parë.
Oferta jonë sot
...
Ejani ta bëjmë
fjalorin e madh të shqipes me 200000 zëra (pa pagesë) për çdo shqiptar!
Ejani ta bëjmë
bashkë fjalorin e madh të shqipes me 200000 zëra, e jo dy fjalorë, njëri me
90000 zëra, siç synoni ju deri në vitin 2023, dhe tjetri me 100000 zëra, siç po
përgatitet tashmë nga QEP-i dhe pritet të realizohet deri në fund të vitit
2022.
Le të dihet
njëherë e mirë, Qendra për Edukim nga Prishtina nuk e refuzon bashkëpunimin me
institucionet e Republikës së Shqipërisë, që për detyrë kanë përparimin e
gjuhës shqipe, ani pse kemi shqetësimet tona për sinqeritetin e tyre për t’i
trajtuar problemet e gjuhës shqipe në dobi të kombit.
Ndryshe si
shpjegohet këmbëngulja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që një komb i
vogël me dy shtete të dalë me dy fjalorë thua se kemi dy gjuhë.
Pse duhet të bëjmë
shpenzime të dyfishta për të njëjtën punë e të mos e bëjmë bashkë Fjalorin e
madh të shqipes, madje me 200000 zëra?!
Pse të mos jetë në
versionin digjital dhe pse jo falas për të gjithë shqiptarët?!
Pra, të mos
dënohet qytetari i Shqipërisë, por të përfitojë edhe ai qasje të pakufizuar e
kundrejt asnjë detyrimi financiar, njësoj siç përfiton secili qytetar i
Kosovës.
Përfaqësues të
projektit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dolën edhe nëpër televizione
me deklarata për ta mbrojtur tregun e Shqipërisë nga Fjalori i madh i shqipes
që po hartohet në Kosovë. Këto janë politika të kundërligjshme dhe të
papranueshme në kohën e sotme. Ejani t’i bashkojmë forcat që të mos vihet gjuha
shqipe në pazar, por të ketë vetëm qytetarë përfitues të fjalorit digjital
falas për të gjithë shqiptarët kudo veprojnë.
Kryeministri i
Shqipërisë Edi Rama mundohet ta mashtrojë Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti
I bëjmë thirrje
Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që t’i ndërpresë përpjekjet dashakeqe të
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për përçarje kombëtare e të pranojë
ofertën tonë për Fjalorin e madh të shqipes me 200000 zëra, të udhëhequr dhe të
financuar nga ne, që do të dalë në trajtë libri fizik dhe në formë elektronike
falas për banorët e Shqipërisë, të Kosovës e të Maqedonisë.
Nën ndikimin e
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,
aktualisht po mundohet ta mashtrojë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti,
përmes një marrëveshjeje të përbashkët për projektin e Fjalorit të madh të
shqipes të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kjo marrëveshje kërkohet me
mashtrim juridik për takimin e radhës ndërmjet dy qeverive, duke e përfshirë në
mënyrë të kundërligjshme financiarisht dhe më shumë se kaq Qeverinë e Kosovës.
Kësisoj udhëheqjes kosovare po i imponohet projekti i Tiranës, ani pse Qeveria
e Kosovës tashmë është duke e hartuar Fjalorin e madh të gjuhës shqipe me
100000 zëra dhe ka paguar tashmë QEP-in që, në bashkëpunim me Ministrinë e
Arsimit të Kosovës dhe gjuhëtarët më të mirë nga Tirana dhe Prishtina, ta
hartojë Fjalorin e madh të shqipes, produkt ky që do të jetë falas për të
gjithë banorët e Kosovës. Pra, një përpjekje dinake për ta lënë anash Fjalorin
e madh të shqipes që po e përgatit Ministria e Arsimit e Kosovës në bashkëpunim
me QEP-in dhe institucionet tjera të përfshira. Këtë synim përçarës, zyrtarët e
Qeverisë së Shqipërisë po mundohen ta arrijnë në mënyrë formale dhe joformale,
e që rrjedhimisht, me angazhimin tonë, tani janë në bankën e të akuzuarve dhe
ndaj tyre po zhvillohet proces penal në Gjykatën e Tiranës për shkelje të
ligjeve të Shqipërisë.
Nuk duam të
besojmë që sot në Shqipëri mungojnë njerëz si akademiku i ndjerë Jorgo Bulo,
ish-drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë, apo i ndjeri
Gudar Beqiraj, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të cilët sa
ishin gjallë i ndalonin veprimtaritë e tilla përçarëse. Emri dhe kontributi i
tyre janë pjesë e të gjitha veprave tona intelektuale në fushën e gjuhësisë.
Refuzimi i
bashkëpunimit me projektin tonë sjell përçarje në fushën e shkencës dhe
shkapërderdhje financiare përmes shpenzimeve të dyfishta nga buxheti i varfër i
Qeverisë së Kosovës dhe i Qeverisë së Shqipërisë për dobi të dy-tre përfituesve
të pangopur.
Pra, ejani ta
bëjmë fjalorin e madh të shqipes me 200000 zëra, jo me 90000 siç po synohet me
keqdashje dhe në shkelje të hapur të ligjeve të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Më vjen keq që
zëri i gjuhëtarëve dhe intelektualëve tjerë të mëdhenj që ka Shqipëria nuk
guxon të dëgjohet në dobi të bashkëpunimit shkencor dhe kundër rolit djallëzor
të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kundrejt Republikës së Kosovës e në
veçanti kundër gjuhës shqipe si pasuri e përbashkët kombëtare.
Gjuhën shqipe nuk
e morëm me qira nga Shqipëria!
Duhet të kuptohet
njëherë e përgjithmonë se gjuha shqipe është pasuri e kombit shqiptar, autokton
në tokat e veta. Në Kosovë gjuhën shqipe e trashëguam nga paraardhësit tanë
shqiptarë, zotër të tokës së Kosovës ku dhe sot jetojmë dhe nuk e morëm
me qira nga shqiptarët e tokës së Shqipërisë. Shqipëria duhet të bashkohet me
ne në përparimin e digjitalizimin e shqipes dhe trajtimin e saj si pasuri
mbarëshqiptare, e jo, e frikësuar e dytësore të refuzojë. Qendra për Edukim dhe
Përparim ka 20 vjet që lut e përgjëron për këtë bashkëpunim mbarëkombëtar, në
emër të atyre që ne i përfaqësojmë - dy milionë përdoruesve të softuerëve për
gjuhën shqipe.
Vetëm gjuha shqipe
e përbashkët është garanci për bashkim kombëtar!
Gjuha është tipari
më i rëndësishëm i identitetit kombëtar. Një komb, një gjuhë, një standard, një
fjalor i madh i shqipes me 200000 zëra, një program kompjuterik për drejtshkrim
në MS Office, një program për sintaksën në MS Office e një për morfologjinë
janë synim yni. Institucioni që i garanton këto në mënyrë digjitale, në
bashkëpunim me institucionet gjuhësore nga të dyja shtetet e më gjerë, duhet të
jetë QEP-i, një qendër me përvojë mbi 25-vjeçare në digjitalizim, një bashkues
i qeverive shqiptare. Puna e dëshmuar dhe përvoja e gjatë e këtij institucioni
do të jetë siguri për bashkim kombëtar kurdo në të ardhmen, ndonëse elementë të
ndryshëm tani këtë e konsiderojnë moment jo të duhur apo edhe nuk e dëshirojnë
fare. Megjithatë, refuzimi për t’u bashkuar fort rreth digjitalizimit të gjuhës
shqipe është i pashpjegueshëm, i pafalshëm dhe i dënueshëm.
Ne kemi vetëm një
kusht për bashkëpunim!
Çdo shtetas i
Shqipërisë t’i ketë pa pagesë dhe në versionin digjital (softuerik) të gjitha
rezultatet e punës së përbashkët, e sidomos t’i ketë falas ato vepra shkencore
që paguhen njëherë nga tatimpaguesit e Shqipërisë, ashtu siç i kanë falas të
gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës sipas marrëveshjes që kemi me Qeverinë
e Kosovës.
Ne jemi të hapur
për bashkëpunim me përfaqësuesit e çdo institucioni në Shqipëri, pavarësisht
kundërshtimit të tyre, duke u ndierë mjaftueshëm të mbrojtur dhe të mbështetur
nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të garantuar përparimin dhe
digjitalizimin e tërësishëm të gjuhës shqipe, përherë në bashkëpunim me
gjuhëtarët më të mirë e atdhetarë që kemi, në Tiranë e në Prishtinë.
Prishtinë, 4.11.2021
Lulëzim Shishani, drejtor
Qendra për Edukim dhe Përparim