E shtune, 05.10.2024, 10:41 PM (GMT+1)

Përjetësi » Lushaj

Adil Fetahu: Ndërroi jetë Poeti, Shkrimtari e Publicisti Zeqir Lushaj

E merkure, 10.11.2021, 09:29 PM


NDËRROI JETË POETI, SHKRIMTARI E PUBLICISTI ZEQIR  LUSHAJ

Nga Adil FETAHU

Si rrufeja  nga qielli i kthjelltë goditi zemrat e familjarëve, shokeve, miqëve e lexuesve të shumtë, lajmi se sot (më 10 nëntor 2021) pushoi zemra e gazetarit, poetit, shkrimtarit e publicistit Zeqir Lushaj, nga Shëngjini.

Zeqiri u lind në fshatin Gri të Tropojës, më 8 mars 1949. Shkollën fillore (katërvjeçare) e kreu në vendlindje, ndësa 7-vjeçaren e përfundoi në Geg-Hysen. Në vitin 1967 kreu Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër. Qysh sa ishte maturant Zeqiri nisi të botojë shkrime, së pari në "Zëri i Rinisë”, e më vonë në shtypin qendror shqiptar. Pas mbarimit të maturës, punoi tri vjet mësues në Geg-Hysen. Në vitin shkollor 1970-73 kreu studimet e larta me rezultat të shkëlqyeshëm në Akademinë Sportive “Vojo Kushi” në Tiranë.

Nga viti 1974 – 1977 punoi si gazetar dhe redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë”,  prej nga kalon në detyrën e instruktorit në apartatin e Komitetit  Qëndror të Rinisë, dhe pas 7 vjetësh instruktor në Këshillin e Përgjithshëm të FDSh, ndërsa në periudhën 1991-1993 zgjidhet sekretar i përgjithshëm në atë institucion.

Në përpjekjet për të realizuar transformime demokratike, Zeqiri bashkë me një grup intelektualësh të pavarur: Aleks Luarasi, Mehmet Myftiu, Agim Cerga, Haxhi Aliko,Teodor Laço, Tamara Malaj, Hajredin Rudi, Bujar Muharremi, Mirdash Brace, Hasan Lekaj, Vehbi Furrxhiu etj, krijojnë  Shoqatën “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”, e cila pas një viti merr emrin “Lëvizja Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe”, e cila u pranua në Këshillin Botëror për Paqe. Zeqiri kreu detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës dhe të bashkëbotuesit të gazetës “Paqa”. Krahas angazhimeve në këto detyra, Zeqiri  ishte gazetar-bashkëpunëtor produktiv dhe cilësor në shtypin e kohës.

Prej vitit 1998 deri më 2014, me familje ka jetuar dhe punuar në Amerikë (Nju Xhersi), prej nga është këthyer dhe vendosur në shtëpinë e tij të bukur  në Shpat-malin mbi Portin e Shëngjinit.  Shtëpia e Zeqirit rrallëherë mund të ishte pa mysafirë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, të Kosovës dhe më gjërë.  Tradita e trashëguar dhe e kultivuar e bujarisë së mikrpritjes, të cilën e praktikonin Zeqiri dhe bashkëshortja e tij, e ndjera Sabrije Lushaj, ishin karakteristike dhe të veçanta. Atë mund ta dijnë vetëm kush ka qenë mysafir i tyre.

Veprat e botuara

Në 60-vjetorin e lindjes  së tij, Zeqiri botoi 6 vepra: 1.”Hija e vendlindjes” (vjershta); 2) “Lisi i shkruar” (vjersha); 3) “Vdekja e varreve” (vjersha); 4) “Dyqani i mendjes” (shkrime publicistike);  5) “Pengjet” (vjershërime);  6)  “Fjala mbi tel” (tekste këngësh popullore).

Në vitin 2016, botoi edhe  6 libra tjerë:  1)“Si n’kurbet, bre vëlla” (vjersha);  2) “Zbehje e heroizmit” (shkrime publicistike); 3) “Duhama e Valbonës” (vjersha);  4) “Piedestali” (vjersha),  5) “Rrokada” (vjershërime politike);  dhe 6) “Sportit i mbeta borxh” (reportazhe, portrete, kujtime).

Këto ditë priste të dalin nga shtypi edhe disa vepra  tjera të reja.

Zeqiri ishte redaktor i përgjithshëm i revistës-portalit “Zemra Shqiptare”,  portal më i lexuar në shqip, me bashkëpuntorë  dhe korrespodentë të njohur.

Si e njoha  Zeqir Lushajn

Zeqirin e kam njohur fillimisht përmes shkrimeve që botonte në “Zemra Shqiptare”. Shkrimet e tij më bënin përshtypje për stilin e veçantë, qartësinë e shprehjes, gjuhën e pastër, fjalë të urta që fuste nëpër shkrime ishin margaritar i posaçëm.  Pasi unë kaloja disa dite të pushimeve verore në Shëngjin, i shkrova një e-mail  ku shpreha dëshirën të takohemi  për një kafe dhe të njihemi  realisht. Përgjegja  nga Zeqiri s’mund t’ishte ndryshe, vetëm pozitive, siç e kishte falë Zoti aq bujar e mikpritës. Dhe u takuam, biseduam  gjërë e gjatë dhe konstatuam se na përputhen karakteret e  kjo  ishte bazë për të vazhduar miqësinë. Dhe e vazhduam. U takaum përsëri, e përsëri. Herën tjetër, kur shkova në Shëngjin dhe iu lajmërova, Zeqa ma ktheu përgjigjen  me dy fjali: “Mirëse ke ardhur në Shëngjin, por mikut që ia di shtëpinë, nuk ke pse i lajmërohesh prej së largu,  veçse t’i vijsh në shtëpi”. Dhe kështu u bëmë miq të shtëpisë. Dhe, fati e deshti që në shtëpinë e  Zeqirit u bemë miq edhe me çiftin  Dr. Domenika Gjekmarkaj-Kapllaj dhe bashkëshortin e saj z. Arben Kapllaj, nga Lezha, të cilët ishin miqë të ngushtë të Zeqirit dhe u bëmë miqë të ngushtë e shumë të dashur edhe bashkë. Të gjitha takimet me  Zeqirin dhe me çfitin Kapllaj, i kam shumë për zemër dhe mbaj kujtime  mbresëlënëse.  Pushimet në Shëngjin i bëja kryesisht për hir të takimit me  çiftin Lushaj dhe me çiftin Kapllaj.

Kushdo që ka pasur një takim rasti me Zeqirin, do ta mbajë mend për një burrë të veçantë, modest, i ditur dhe  i mençur, një intelektual të nivelit të lartë, me një përvojë të gjatë në kohë, në vende e në situata të ndryshme.

Ikja e Zeqirit prej kësaj bote, e ka varfëruar  Familjen, vendlindjen, vendbanimin, shoqërinë, letërsinë, kulturën, burrërinë, bujarinë shqiptare.  Por, Zeqiri do të na mungojë vetëm fizikisht, sepse  me veprat, me sjelljen njerëore, kulturën, bujarinë, mikritjen, atdhetarizmin që ka lënë pas vete, do të jetë përherë në kujtimet ma të mira të të gjithë atyre që e njohën përsëafërmi.

Dhe për fund  të këtyre rreshtave, ju shpreh ngushellime të thella  trashëgimtarëve të Zeqirit, motrave e vëllezërve , farefisit, shokëve e miqëve të shumtë të Zeqirit  Shpirti i tij pushoftë  në paqe të amshueshme!

_________

Zeqir Lushaj: Intervistë ekskluzive me juristin, publicistin, studiuesin dhe aktivistin Adil Fetahu



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora