Përjetësi » Lushaj
Zeqir Lushaj: Burri i madh i paqes - Anton Çeta
E diele, 03.11.2019, 08:48 PM
BURRI I MADH I PAQËS: -ANTON ÇETA
–
Kujtime –
Nga
Zeqir Lushaj
1.
Në
këtë fillim shkrimi për profesorin e nderuar Anton Çeta, nuk kam deshirë të
përdor fjalën -vdekje. Anton Çeta është në mes nesh. Njerëz si profesori i
shquar i Kosovës,njerëz, si burri i madh i Paqes, Anton Çeta, zor se
vdesin.Poeti ynë, i mirënjohur nga të gjithë, Dritëro Agolli, në një vjershë të
tij për vdekjen, shkruan (në esencë) se: -kur të vdes, mos u thoni njerëzve që
vijnë në shtëpi që, ka vdekur Dritëroi. Thojuni atyre se, -Ai, ka ikur me
shërbim dhe do të kthehet prap… Kjo është, (me fjalet e mia), përmbajtja e
vjershës së Dritëroit. Dhe m’u kujtua pikërisht tani, që shkruaj për
profesorin, për mikun tim dhe të shumë e shumë shqiptarëve, në të dy anët e
kufirit shqiptar-shqiptar, kur shkruaj, për Antonin e dashur. Sepse, me të
vërtetë, Anton Çeta nuk ka vdekur... -Ka ikur me sherbim, -siç thotë Agolli…!
Për
profesor Antonin është folur e, do të flitet edhe më shumë në të ardhmen. Si
profesor, si folklorist, si burrë i njohur i odave shqiptare, si veprimtar i
palodhur shoqëror, veçanërisht në Aksioni e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, ...
ai mbetet shembull për të gjithë ata që duan të mësojnë diçka nga e mira, diçka
nga ajo që, është dashur e, duhet të bëhet për këtë komb, për këtë vend.
Kam
patur fatin dhe nderin të njihem nga afër e të rri me nge’ me profesor Antonin.
Në bllokun tim të shënimeve kam disa faqe me mbresa e shënime nga Antoni i
nderuar. Koha, do t’i shpalosi ato, në shenjë nderimi për këtë burrë të rrallë.
2.
Ishte,
vjeshtë e vitit 1992. Me një grup intelektualësh të Tiranës e të rretheve, po
punonim për krijimin e Lëvizjes Shqiptare për Mirëkuptim e Paqe. E mendonim të
nevojshem këtë subjekt shoqror, bile të domosdoshëm, në jetën e re pluraliste
shqiptare. Projektet e dokumenteve që përgatitëm, ua dërguam të gjithë partive
shqiptare, shumë intelektualëve,(te varur e te pavarur), për t’u konsultuar,
për të na dhënë mendime. Një kopje ia dërguam edhe profesor Antonit në
Prishtinë.
Morëm
mendime të ndryshme dhe përfundimisht, do të shkonim në aktivin themelues të
Lëvizjes Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe, që u mbajt në Durrës.Disa ditë,para
Aktivit, u lidha në telefon me profesor Antonin në Prishtinë. Me atë zërin e
tij të butë, të dashur,shumë prindëror, mund ta quaj, Ai, më dha një përkrahje
shumë të madhe në punën që kishim nisur. Përfundimisht më tha:
-
Ju falenderoj për punën shumë të mirë që keni bërë. Ju përgëzoj nga shpirti për
qëllimet fisnike që i keni vënë vetes.Ju lutëm, që sot, më regjistroni një
anëtar të thjeshtë të Lëvizjes
Shqiptare
për Mirëkuptim dhe Paqe.Ua thash këtë bisedë, besnikrisht, siç e bëra dhe siç
po e shkruaj ketu, shokëve me të cilët mblidheshim rregullisht për të punuar në
prag të aktivit kombëtar. Fjalët e profesor Antonit ishin një inkurajim për të
gjithë ne. Duke u konsultuar me njëri-tjetrin edhe për disa kandidatura të
mundshme për Komitetin Drejtues, doli mendimi që profesor Anton Çetën ta
propozojnë për President Nderi të Lëvizjes sonë. Më ngarkuan mua që të lidhem
prap me telefon, dhe, t’i marr mendimin për aprovim, profesorit.
Disa
herë fola ato ditë në telefon me Prishtinën.Përfundimisht Ai pranoi të ishte
kandidaturë për President Nderi, ashtu edhe siç u zgjodh njëzëri, me
duartrokitje e me dashuri nga të gjithë delegatët. Autoriteti i tij por dhe
veprimtaria e tij e papërtuar, në Prishtinë e në Tiranë, në të mirë të Lëvizjes
Shqiptare për Paqe, kurrë nuk do të harrohen…Me gjithe përpjekjet, (deri
dashakeqe), Anton Çetën, nuk mund ta manipulonte kush…sidomos, politikanët e
karrigeve “të marra hua, nga monizmi punist”!!
3.
Ishte
gushti i vitit 1993. Kisha nderin që profesor Antonin ta kisha mik në shtëpine
time, në Breg të Lanës, në Tiranë.Një natë e paharruar, ku dëshira për të
dëgjuar e për të dialoguar me atë njeri të Urtisë Popullore të bën të harrosh
se është mbaruar shishja e rakisë dhe se jemi në të gdhirë.
Të
nesërmen kishim mbledhjen e Komitetit, të cilën e drejtoi profesor Antoni.
Eshtë shkruar për ato që u thanë në atë mbledhje por, dua të kujtoj vetëm diçka
intime: Mbasi mbaroi mbledhja,profesori pyeti:- “A kemi këtu në komitet ndonjë
njeri nga Berati?” …Zotria nga Berati (Llambi Shella), u ngrit nga vendi dhe
erdhi në presidium, e takoi, i dha dorën zotri Antonit. Duke i shtërnguar
dorën, profesori i tha atij:- “Kam respekt për Beratin.E kam patur një shok të
ngusht të shkollës së mesme nga Berati, -Kristaq Tutulanin… dhe, iu mbushën
sytë me lot... ”.
Gjatë
një shëtitje mbas mbledhjes, në bulevardin e madh të Tiranës, i them
profesorit:
-
Si tu duk Komiteti i Paqës, zotni Anton ?
Profesori,e
ngadalësoi më tej hapin, u kthye nga unë, më zuri për krahu e më tha:
-”Komitetin e kemi shumë të mirë. Kemi njerëz të nderuar e të ditur në Komitet.
Kemi shumë të mirë edhe nga rrethet. Ka rëndësi që në masë, kemi intelektualë.
Pashë, që të gjithë janë të shqetësuar për shumë probleme të Lëvizjes por edhe
në përgjithësi për jetën politike në Shqipëri...
-
Mos u mërzitni. Shoh që jeni disi të mërzitur, Zeqir!-Kështu e kanë këto punë.
Nuk ndreqen për një ditë. Ka rëndësi që, keni një qëllim shumë të mirë dhe, kam
besim që, edhe qeveria do të na ndihmojë...A e ke vënë re Ti,që, njeriu shpesh
është i sëmurë dhe nuk e din se çfarë ka. Për besë po, nuk e din se ku i dhemb.
Ja, unë megjithë moshën, e ndjej veten mirë me shëndet, por, këto ditë, në
Durrës, bana një kontroll, se, atje e kam dhe një vëlla timin, mjek. Ma shumë
për merak më bani vëllai një kontroll të përgjithshëm.Dhe, e di ç’farë më tha? Më
tha se, nuk je mirë me stomakun...!
Kështu
e kanë këto punë... Punoni, punoni, përditë nga pak, përditë e të gjithë dhe,
bëhet boll, - foli me urtinë e tij karakteristike, Antoni i paharruar.
4.
Për
figurën e gjerë të Anton Çetës, mund të flitet në shumë plane. Veçse, nëse ka
një pikë, që shumëfishon vlerat e tij të gjithanshme, do të thoja se, ajo është
thjeshtësia dhe modestia e këtij njeriu fisnik. Me trup të gjatë e të drejtë,
me ato flokë të bardha- borë, me atë ecje, e cila sikur ishte sinkronizuar me
urtinë e fjalën e tij me peshë, Antoni, ishte i barabartë në mes të
barabartëve. Fliste me të njëjtin përkushtim e kujdes me një intelektual, me
një fshatar nga Jugu a Veriu, me një fëmij shkolle,me cilindo. Edhe kur pyetjet
e bashkëbiseduesit e detyronin të thoshte diçka për vete, Ai, me kulturën dhe
dinjitetin e njeriut modest kurrë, nuk dinte të thoshte: -Unë!
Më
ka qëlluar në mbledhje, por dhe në biseda të lira sa e sa herë, ta degjoj të
fliste për aksionin e madh te pajtimit të gjaqeve në Kosovë.
-
Pajtimin e gjaqeve e bani rinia e Kosovës dhe jo Anton Çeta, -thoshte prer ai.
Ata, rinia ishin nismëtarët, ata na morën dhe ne,intelektualëve me vete,në një
Aksion aq të madh e të paharruar.
Kur
fliste për traditat e popullit, Profesori, me të vertetë të kënaqte. E njihte
Kosovën dhe Shqipërinë, si i thonë fjalës ,në pëllëmbë të dorës. Kudo shokë e
miq, të njohur e dashamirë, të
rinisë
e të pleqrisë.
-
Populli është pasuria më e madhe, - thoshte plot bindje. Ai është i mënçuri, ai
është i zgjuari, ai e ka urtinë ashtu ,origjinale. Ne,kemi vetëm një detyrë: ta
njohim, ta mbledhim e ta botojmë këtë urti. Në fakt, - shtonte duke qeshur
shumë sinqerisht,- edhe librat që unë kam botuar nuk janë të mijat, janë të
popullit. Thonë njerëzit në biseda:- “Kështu ka thënë Anton Çeta”. -Jo more,
jo. Këtë fjalë e kam dëgjuar në filan fshat ,nga filan njeri... Unë, vetëm e
kam shkruar,- për besë!
I
dashuri, i thjeshti, i papërtuari Anton Çeta. Ai kurrë nuk dinte të thoshte jo,
ose nuk mundëm, as nuk kam kohë.Një ditë,tek po e përcillja para hotel “Dajtit”
në Tiranë, sapo bëhej gati të nisej për në Kosovë, vjen korrespondenti i “Zërit
të Amerikës”, ish kolegu i im i “Zërit të Rinisë”, (Xhevdet Shehu) dhe, më
thotë: - Të lutem Zeqir! -Po ikën Profesori?
-
Po, - i thashë unë, - ja, gati po niset.
-
Aah, ç’më ngeli pa i marrë një intervistë për Zërin e Amerikës,, - tha ai, plot
sinqeritet e shqetësim!
U
ktheva dhe i thash profesorit se, një gazetar, një Ish-kolegu im, ka nevojë për
një intervistë për “Zërin e Amerikës”. -Te lutëm, për mua, mos i thuaj -‘Jo”!
-
Po ku të bëjmë intervistë? Këtu, në rrugë? - tha Antoni,jo me hezitim, por, si
gjysëm me shaka.
-
Jo, jo në rrugë profesor, -i thash unë. - Po hyjmë tek hotel “Dajti”, po pijmë
dhe nga një kafe, para përcjelljes, e aty, jepi edhe intervistën gazetarit.
-Dakord, -miku im?
Pa
asnjë mëdyshje, u nisëm dhe, u krye edhe ajo punë e dobishme.
Atë
natë, intervista u transmetua në “Zeri i Amerikës”.
*
* *
...
Njerëz si Anton Çeta,nuk mund të vdesin. Nuk mund të vdesësh, kur emri dhe
vepra jote, janë të pranishme në çdo vatër, në mendjen, në zemrën e në kulturen
e një kombi.Kështu, edhe vet vdekja …, sfidohet!
…Heeej!
–Të dashur lexues ! -Mos harroni vjershën e Dritëroit:…- Ka shkuar me sherbim!
…Do kthehet së shpejti…!
Njerzitë
e mëdhenj, vertetë që duhet të besojmë se, do të na kthehen!
Tiranë, Dhjetor, 1995
-Nxjerrë nga libri me shkrime publicistike “Dyqani i
mendjes”,i autorit
Zeqir Lushaj,botuar nga Kristalina KH, Tiranë 2009.
ISBN:978-99956-43-08-9-