Editorial
Zemra Shqiptare: Si nuk duhet të jetë turizmi në Kosovë
E merkure, 03.11.2021, 10:30 PM
Si nuk duhet të jetë
turizmi në Kosovë
Nga
Zemra Shqiptare
Me
siguri shumëkush mund të ketë dëgjuar për bukuritë e rralla, trashëgiminë e
vyer arkeologjike dhe natyrën e mahnitshme që lulëzon përreth kështjellës
mesjetare të Novobërdës, perlën e mirëfilltë të turizmit kulturor-historik në
Kosovë.
Duke
mos dashur aspak të biem në kundërshtim me këtë përshkrim kaq të saktë të kësaj
treve dhe kësaj kështjelle që askund tjetër nuk mund të haset në Ballkan e jo
vetëm, ndërkaq e mendojmë të nevojshme të tregojmë edhe “anën tjetër të
medaljes”, duke hedhur dritë mbi mangësitë e papranueshme që gjithashtu
fatkeqësisht turistët apo të apasionuarit e historisë së moçme të Kosovës, do
të gjejnë si pengesa gjatë vizitës së tyre në viset rreth e përqark kësaj
fortese malore.
Së
pari do theksuar se Novobërda vijon të mbetet e izoluar dhe thuajse jashtë tërë
itinerareve të udhëtimeve apo vizitave të organizuara turistike.
Kjo
domethënë se për të shkuar, për t’u ngjitur deri në lartësitë e Novobërdës, aq
më tepër për të qëndruar ndonjë natë dhe mbase për të bujtur në afërsi të kësaj
kështjelle madhështore, nevojiten patjetër njohuri lidhur me historinë dhe
rëndësinë e këtij qyteti mesjetar, të cilat mund ta nxisin turistin të
ndërmarrë një udhëtim të tillë, ndonëse do pranuar se jo gjithkush mund të ketë
dijeni kaq të hollësishme të kësaj fushe, siç mund të kuptohet vetvetiu.
Novobërda
sakaq, nuk mjafton që promovohet shumë pak (ose aspak), por edhe turistin më
sypatrembur, guximtar dhe të etur për të zbuluar veçoritë unike të këtij
ngulimi historik mesjetar, gjatë udhëtimit, qëndrimit dhe tërë përvojës së tij
në këtë vend, e shoqërojnë shpesh një mori peripecish aspak të këndshme.
E
tepërt të thuhet që në këtë mal klimaterik, me natyrë të virgjër, gjelbërim dhe
pemë frutore pafund, përveç rrënojave, mureve të lashtë, kishave të vjetra,
kështjellës që ngrihet hijerëndë mbi shkëmbinj dhe trashëgimisë mijëravjeçare
në minierat e shumta të shfrytëzuara qysh në kohërat e romakëve, ndërkaq
mundësitë për të bujtur diku rrëzë kështjellës, janë thuajse të barabarta me
zero.
Edhe
nëse gjen ndonjë vend ku ta futësh kokën (përkufizimi i duhur për këtë lloj
akomodimi aspak normal turistik), do të përballesh me kushte gjysmake dhe
shërbim tejet të mangët.
Ndriçimi
në vendbanimin poshtë kështjellës, është praktikisht tërësisht i munguar, dhe
për të dalë në terrin e natës, duhet të marrësh parasysh ose gremisjen teposhtë
kodrës, ose përplasjen e beftë me ndonjë lopë ripërtypëse (përveç rastit kur
lopa tund këmborët, dhe paralajmëron praninë e saj barngrënëse), ose ndoshta ke
për të humbur në errësirë, e mbas disa ditësh do të të gjejnë të sfilitur diku
në Gjilan, Badovc apo në ndonjë minierë të braktisur.
Gjithashtu
ndihet së tepërmi mungesa e tabelave udhëzuese për turistët, ku veçanërisht të
tregohet hollësisht historia e qytetit mesjetar dhe kështjellës së Novobërdës,
ku të flitet për banorët e saj, për zhvillimin e këtij qyteti, për minierat dhe
nxjerrjen e argjendit dhe arit në viset përreth, për kontaktet tregtare me
gjithë Europën anembanë, për historinë e kishave dhe katedraleve që gjenden
kudo përqark, e gjithçka tjetër që ngjall kureshjen e turistëve shqiptarë e
sidomos të huaj, pa dyshim duke qenë nevoja që këto të dhëna të shkruhen në
disa gjuhë.
Një
tjetër aspekt që meriton vëmendje dhe veprim të menjëhershëm, është pikërisht
gjendja në të cilën dergjet vetë Kështjella e Novobërdës, muret e së cilës, pas
rikonstruktimit diletant të bërë nga një firmë serbe, janë në pikë të hallit,
dhe po të kishin zë, do të përgjëroheshin për ndihmë nga organet përkatëse.
Si
të mos mjaftonte kjo, shumëkush e gjen të udhës, që me automjete të rënda 4x4,
të ngjitet deri pranë mureve mbi shkëmbinj, për të improvizuar gara Rally të
çmendura, që ndonjë ditë largqoftë do të shkaktojnë dëme të pariparueshme në
kështjellën e ngratë, e cila pasi u ka bërë ballë dy rrethimeve nga osmanët,
duke i qëndruar pastaj kryelartë edhe shekujve dhe kohës, sot rrezikohet më
tepër nga shpërfillja dhe keqtrajtimi njerëzor, sesa nga gjylet e topave dhe
mësymjet e ushtarëve të armatosur gjer në dhëmbë dikur.
Duket
ndërkaq se përdorimi i parapëlqyer i kështjellës në fjalë, është kryesisht
fotografimi i nuseve dhe dysheve martesore pas dasmave të shumta verore, teksa
me gjasë shumë pak prej atyre që ngjiten në lartësinë e mureve dhe rrënojave të
saj, e kanë mirëfilli idenë në çfarë monumenti të çmuar të mesjetës arbërore
ndodhen, ndërsa zgërdhihen harbueshëm mes një selfie dhe tjetrës.
Për
ta shtuar edhe më shumë antireklamën e përditshme ndaj këtij qyteti të
ndritshëm mesjetar, ndërkohë çmimet e ushqimit dhe bujtjes në afërsi të
kështjellës, nuk mungojnë të bëhen stratosferike, deri në masën që nëse një
porcion fli, poshtë në rrugën Prishtinë-Gjilan kushton 45 cent, lart në
Novobërdë, çmimi dhjetëfishohet duke arritur në plot katër euro e gjysmë, diçka
që të shtyn të mendosh se mbase ky lloj tarifimi i detyrohet secilit kilometër
të përshkuar nga Llabjani deri në mal (distancë pikërisht rreth 10 kilometra).
Sakaq
turistit (veçanërisht nëse jo vendas, domethënë kuptueshëm më i hutuar),
rrengjet nuk i reshtin me kaq, dhe uji i mbushur kuturu në ndonjë burim të
ndotur, i shitet sikur të ishte ujë i paketuar në shishe nga ndonjë firmë e
njohur, me çmim sigurisht të shtrenjtë (sa Frëngu pulën, i thonë toskët), kurse
po ta marrësh veten në qafë dhe të kalosh natën, ose disa net atypari, uji i
dushit do të të ofrohet “bujarisht” drejtpërdrejt nga pusi, i mbushur me
papastërti dhe minerale tepër të dëmshme për lëkurën dhe shëndetin tënd (ujë me
të cilin bujtinari nuk guxon as të spërkasë bimët e lulet në kopshtin e vet).
Për
arsye të mistershme, dikush u ka mbushur mendjen “operatorëve turistikë” vendas
(eufemizëm ky, kur kihen parasysh kushtet inekzistente të organizimit të
turizmit në këtë trevë me kaq shumë trashëgimi historike), se po t’i bombardosh
turistët me speca (edhe djegës) tre herë në ditë, atëherë u paske shërbyer si
në hotel me pesë yje (njëfarë deformimi profesional ky ndoshta, ngaqë akoma
vendasit kujtojnë me përmallim të përlotur, kohën kur gjatë punimeve
shkatërruese të firmës serbe për rinkonstruktimin e mureve të kështjellës,
punëtorët ishin ushqyer me dietë të rreptë specash kundrejt pagesës, duke
majmur banorët vendas).
Si
përfundim, çmimet e kripura në ditët çmendurisht të nxehta si të kësaj vere,
përfshijnë gjithashtu edhe dhomat pa asnjë lloj klimatizimi, ku të djersitësh
shtatë palë djersë nuk është thjesht shprehje frazeologjike, por realitet i
dhimbshëm.
Kjo
metodë zhvatëse ndaj të apasionuarve pas historisë, malit, natyrës,
trashëgimisë mesjetare, mbyllet denjësisht me faktin që nëqoftëse nuk vjen me
makinën tënde, atëherë është krejtësisht e pamundur të ngjitesh nga Llabjani
gjer në Novobërdë, dhe si rrjedhojë, të takon edhe të paguash “taksën” e majme
prej 20 eurosh, që i shkojnë dikujt që shtyn kohën përtueshëm anash rrugës
Gjilan-Prishtinë, dhe shfrytëzon rastin për të ndukur ca të holla të mira nga
turistët e pafat.
E
fundit, ndonëse jo për nga rëndësia, kur gjendesh lart në mal, poshtë
kështjellës së mrekullueshme, interneti shndërrohet në “mollë të ndalueme”
migjeniane, meqenëse operatori serb që e ofron, shpesh pëson avari rreth
pesëmbëdhjetë orëshe, për të cilat askush nuk merr përgjegjësi, megjithëse
turisti, në faturën e kripur që i paraqitet pas qëndrimit disa ditor, e ka të
përfshirë edhe Wi-Fi falas.
Të
krijohet përshtypja sikur për dikë nga vendasit, kujtimet e “arta” të zadrugave
jugosllave, druzhe Titos dhe kohëve të bashkim-vëllazërimit, kanë shumë më
tepër rëndësi sesa zhvillimi i mirëfilltë i turizmit në këtë trevë me rëndësi
jetike për trashëgiminë kulturore dhe turistike të Kosovës.
Katedralet,
kishat, rrënojat që gjenden anekënd Novobërdës, deri disa kilometra tutje,
artefaktet e moçme, zbulimet arkeologjike, mirëmbajtja e kështjellës, e cila po
rrënohet dita-ditës, prania në Mesjetë e arbërorëve, raguzanëve dalmatë,
minatorëve saksonë, e tregtarëve venedikas, hebrenjve e plot të tjerëve, lavdia
e këtij qyteti të mahnitshëm, rezulton të vlejnë shumë më pak se
dritëshkurtësia dhe synimi për të nxjerrë fitime të padrejta dhe të pamerituara
maksimale në kurriz të vizitorëve dashamirës.
Të
vjen keq ta shohësh Novobërdën në këtë gjendje, për shkak të vlerave të
paçmuara që ajo ngërthen për të shkuarën dhe të tashmen e Kosovës, dhe sidomos
të potencialeve të pallogaritshme të kësaj kështjelle, rrënojave përreth saj,
këtij muzeu të vërtetë në qiell të hapur, që rrethohet nga një natyrë e
harlisur, ku mushkritë të mbushen me ajër të pastër dhe syri nuk ngopet me
pamjen e mahnitshme që hapet përtej horizontit nga të gjitha anët.
Do
të mjaftonte që kështjella të mirëmbahej, të hulumtohej në mënyrë profesionale,
të ruhej me kujdes të veçantë, të shndërrohej në destinacion të preferuar
turistik (pse jo edhe elitar), ku të ndërthurej turizmi kulturor dhe
arkeologjik, me turizmin malor, por edhe me turizmin rural, ku synohen shijet,
gatimet dhe prodhimet bio të fshatit.
Novobërda
është mirëfilli guri i çmuar i trashëgimisë kulturore dhe i turizmit të
Kosovës, por si çdo gjë me rëndësi kaq të veçantë, nevojitet përkushtim dhe
punë serioze që kjo kështjellë, ky ngulim, kjo natyrë dhe këto rrënoja të vjetra,
pikësëpari të ruhen nga dëmtimet dhe të vihen në pah për kureshtjen e turistëve
(duke u kryer njëherësh edhe studimet dhe kërkimet e duhura shkencore për të
nxjerrë në dritë mesjetën arbërore në këtë qytet).
Natyra
bujare dhe paraardhësit tanë mesjetarë, i kanë falur Novobërdës një trashëgimi
të jashtëzakonshme që do ta kishte zili jo vetëm çdo vend tjetër i Ballkanit,
por sigurisht edhe gjithë Europa, me kusht që ky potencial kaq i madh turistik
dhe historik, të dihet të shfrytëzohet në mënyrë të baraspeshuar, të padëmshme
për mjedisin, rrënojat arkelogjike dhe gjithashtu vizitorët, duke gjetur
ekuilibrin e nevojshëm midis zhvillimit të sektorit turistik, dhe mirëqenies së
kështjellës e ambientit përreth.
Novobërda
është një monument i gjallë i madhështisë së mesjetës arbërore në Kosovë, që
tregon çfarë përparimi të pashoq ka pasur kjo trevë (e sigurisht edhe më gjerë)
në shekujt kur ky qytet printe në zhvillimin ekonomik dhe kulturor në krejt
Ballkanin, dhe pikërisht për këtë arsye nëpërkëmbja e kësaj trashëgimie është
diçka tepër e papranueshme që nuk mund të lejohet të ndodhë kurrsesi.
Babëzia
për të synuar fitimin e çastit në dëm të mirëqenies afatgjatë, është një dukuri
që mjaftueshëm ka sjellë pasoja vështirësisht të ndreqshme në Shqipëri e në
vendet e tjera fqinje me Kosovën, ku gjatë tranzicionit përvoja të tilla kanë
qenë jo të pakta.
Është
mirë që së paku në të ardhmen (dashtë Zoti të afërt), Novobërdës t’i kursehen
dëme të tilla të mëtejshme.