Mendime
Shefik Shkodra: Sa më shpejt të pastrohet oborri
E enjte, 26.08.2021, 05:32 PM
SA MË SHPEJT TË PASTROHET OBORRI
Ligji
i edukon ata që nuk duan mësimin nga institucionet demokratike si qytetarë të
lirë. Ligji është mburoja e qytetarëve të një vendi nga të gjitha kërcënimet
për jetë dhe veprat e dëmshme për njeriun
Nga
Shefik Shkodra
Nëpër
duart e rinisë tonë kalon ç’mos që nuk është për ta: duhani, alkooli, prostitucioni
e këto kohë edhe llojet drogave te një pjesë. Të kujt fëmijë janë këta? Fëmijët
e atyre që familjet u kanë blerë vetura të shtrenjta, u kanë siguruar para, i
kanë llastuar. Vetura e tyre e kalon 150 km në orë shpejtësinë nëpër rrugët
tona. Karasevdali, të rij. Ata i gjen çdo ditë nëpër kafiteri, restorante
luksoze, etj. me femra që i ngashënjejnë si djem pasanikësh. Askush nuk del
t’ua ndërpresë asnjë hap në gjurulltitë e tyre. Grupe të tilla edhe shkollimin
e kryejnë falso. Në mesin e tyre ka edhe të respektuar e inteligjentë. Po të
rinjtë që e duan jetën normale, sipas porosive familjare, e duan edhe shkollimin
dhe edukimin, janë në periferi nga shoqëria “moderne” shqiptare. Qytetarët janë
të pafajshëm. Një pjesë e rinisë tonë janë të frustruar nga gjendja e
përgjithshme, nga kjo gjendje që është krijuar nga një politikë e dobët prej
njerëzve tanë. Dhe kjo është pjesa më e madhe. Ata mendojnë për të ardhmen e
tyre, por shkollat specializimet i kryejnë kot këtu, në qoftë se nuk kanë një
lidhje me partitë dhe liderët, apo një biznes me të cilin mund të “furnizojnë”
fytin e atyre që po veprojnë në këtë mënyrë qe kaq vite, e shohin si të kotë në
vendin e tyre. Si mund ta tregojë energjinë me talentin e vet i riu i jonë, i
cili nuk përkrahet prej strukturave shoqërore politike dhe institucionet
përkatëse. Në vend të tij, si ekspert i ardhshëm, ulet në karrige për punë ai i
“dostit”, i dajës, i mikut, me aftësi e pa aftësi për atë vend pune, etj. Pse
të rinjtë tanë në botën e jashtme, në gjuhë të huaj, po ia arrijnë të tregohen
fenomen të kohës në studimet e tyre, në ato vende që janë të integruar. Në ato
shoqëri ku nuk janë të varur e të prekur nga xhelozia, hipokrizia e klientelizmi.
Një pakicë njerëzish
Shkatërrimin
e Kosovës e ka bërë një pakicë njerëzish oligarkë të lidhur me politikën dhe
njerëzit e pushtetit. Një grup njerëzish analfabet (që deklarohen kudo, çka më
duhet shkolla mua, unë e familja ime jemi të paprekshëm e të siguruar në çdo
pikëpamje) të prirë për vetveten që të “fitojë” sa më shumë me keqpërdorime të
pozitave publike. Ata grupe që e kanë quajtur veten “meritor” për kaq vite,
shihet se nuk kanë ndjenja njeriu, nuk dinë ç’është shteti as qeverisja e një
shoqërie. Këta e kanë shkatërruar Kosovën, sikur Serbia t’u kishte thënë,
kështu veproni! “Dhe e kemi ditur se, ‘shqiptarët nuk dinë ta qeverisin
shtetin...”, kjo është parulla e serbëve. Dhe vërtet, si qeveriset vendi me
njerëz që nuk njohin politikë, nuk e njohin popullin e vet e as fqinjët. Nuk
kanë unitet, por vetëm smirë. Nuk njohin shkencat shoqërore, po nuk njohin asgjë
as nga shkenca ekonomike e politike. Nuk e dinë tabelën e shumëzimit...ndoshta.
Partitë
në pushtetet e kaluara, e kanë degraduar çdo gjë për interesa të ngushta, prej
qendre e në komuna, në të gjitha segmentet e jetës shoqërore. Në të gjithë
resorët natyror...Hapur e me kanale të fshehta, si është kërkuar nevoja për ta.
Nuk ka siguri individuale, as kolektive. Nuk ka ligj për mbrojtje shëndetësore
të qytetarëve. Nuk ka, deri më tash, përkushtim për arsimim dhe edukim të
vërtetë duke i respektuar edhe rrethanat e kushtet tona.
Gjinia
femërore nuk është e mbrojtur, po as gjinia mashkullore nuk mbrohet. Kur ndodh
ndonjë rast, e rastet janë të shpeshta, privim të jetës së qytetarit, nuk ka
dënime adekuate për mjedisin tonë, që personi ekzekutues i jetës së tjetrit të
trajtohet e dënohet fort me ligj. Disa prej atyre politikanëve nisin të
vajtojnë, gjëja se kanë dhimbje për akëcilën viktimë, por kjo ka qenë deri më
tash vetëm një komedi e kopjuar nga njëri te tjetri. Për të mos thënë se, për
shumë raste, mund të dalin fajtorë nga ndonjë zyrtar.
Drejtësia e sotme të ne
Për
ta zhvilluar një shtet kërkohet të funksionojë administrata. Po duhet të
funksionojë e të veprojë në çdo rast drejtësia, natyrisht duke respektuar vetëm
ligjin. Pa drejtësi na duket si “gusat nëpër
mjegull”si thotë populli. Nuk jemi na popull i pari në botë që pa ligje, pa
rregulla dhe pa sanksionime, të jetojmë dhe të zhvillohemi në një bashkësi
shoqërore, me qëllime herë-herë subjektive, sipas dëshirës të secilit individ,
të koncentruar rreth grupeve mafioze, të ardhur nga fshatrat e provincat e vogla,
me mentalitete të llojllojshme, secili veç e veç. Duhet forcuar e plotësuar ligjin dhe të vihet praktikisht
në veprim, pavarësisht për kë bëhet fjalë. Ky është kulmi i krejt çështjes. Atë barrë e ka Qeveria,
përkatësisht Ministria e Drejtësisë. Shkelje ligji ke në shëndetësi, në arsim,
në tregti, në komunikacion, në çdo kënd. Janë dhënë leje vozitje me para, kush
di, me leje fals, apo prej mendjemadhësisë veprohet jashtë rregullave dhe
ligjit. Një gabim i dikujt po kushton jetë njeriu. Përgjegjës është MPB,
policia. Menjëherë pas policisë është gjykata. Në komunikacion jeta është e
rrezikuar nga tipa të veçantë, pjesa më e madhe: ku tejkalohet, sa shpejtësi
duhet lëshuar automjetin në rrugët tona, etj.
Por
drejtësia duhet të sigurojë edhe qytetarët nga banditët, nga delikuentet; nga
ata që e kanë shpinën e mbrojtur, e që ne nuk i dimë e nuk mund t’i njohim, etj.
Drejtësia duhet të funksionojë e duhet të trajtojë korrupsionin, vjedhjen,
miton. Pse, kur është vërejtur se ky, ai apo ajo janë njerëz të rrezikshëm, nuk
është marrë masa adekuate për parandalimin e tragjedisë. Fshihet lënda nga
prokurorë e gjykatës të papërgjegjshëm. Lirohet pala sa për të bërë gabimet
tjera edhe më të rënda. Edhe familja duhet të përgjigjet për veprat e fëmijës,
ashtu sikur mund t’i marrë çelësat e veturës nga prindi, apo ia jep vetë, ashtu
duhet të konsultohet ose duhet t’ia marrin ata çelësa, fjala po bien, që të mos
shkaktojë dëme të tjera. Nëse fëmija, përkatësisht i riu është zënë me
përdorimin e drogës, duhet edhe familja, por edhe institucionet tjera
shtetërore të ndërmarrin masa e të trajtohet në mënyrën e duhur.
Drejtësia
si dje, si sot. Avazi është i njëjtë. Thuhet, “të mos përzihet politika në
kompetencat e gjyqësisë...” shumë në rregull, dhe unë do të isha me këtë
propozim. Por sistemi i drejtësisë në këtë mënyrë nuk e mban këtë shtet, veç e shkatërron.
E pse nuk mundet Ministria e Drejtësisë të përzihet, kur në sirtarët e juaj ndoshta
ruhen akuzat me dhjetë vite? E pse është ajo Ministri? Këtu janë të lidhur trekëndësh:
Prokuror, Gjykatës dhe Avokatë. Të mësuar me mito dhe korrupsion ashiqare,
drejtësia për njëzet vite është bërë vetëm ngarkesë e buxhetit, por jo edhe
vendosja e rendit dhe punëve sipas ligjit e rregullave për qytetarët. Dënimet
kanë qenë për ndonjë “rajë”, por jo për ata që e kanë dëmtuar vendin me miliona,
bie fjala, ata shefat e shefave! Drejtësia nuk ka punën as për ata që,
pothuajse e kanë shitur dhe tradhtuar vendin. A ka kushtetutë vendi? – Po. –
Çka vlen ajo? – Për mbrojtje të integritetit të vendit. Për mbrojtjen e
qytetarëve. Për mbrojtjen e pasurisë së tyre. Për mirëvajtjen e punëve ditore
në administratë, për lirinë e qytetarëve në rrugë, në shtëpi, në institucione,
etj. etj.
Ministria
e Drejtësisë duhet të plotësojë ligjet dhe të ashpërsojë ndëshkimet ndaj
veprave penale deri në detaje. Të rrit shkallën e dënimit deri në maksimum.
Këtu kanë faje prej më të lartit e deri te shkalla më e ulët në drejtësi. Nuk
bëhet fjalë për gabimet e rastit në komunikacion, një prekje e me pahir e veturave.
Fjala është për vepra penale... Ne e duam demokracinë, e nëse e keqpërdorim,
duhet të mendojmë: A kemi mundësi që ta durojmë mbi kokë tipin me 136 vepra të
ndryshme (si duket – vepra penale), i cili lirohet pas 136 veprave penale, deri
sa kryen krimin makabër, si një farë monstre. Atëherë, i nderuar, pse ti mund
të jesh ende në prokurori, në gjykatë e as avokatit? Për çfarë je paguar deri
në këto kohë?
Veting pa kurrfarë të
drejte në ankesë e pështjellime tjera
Wettingu,
si thuhet për pastrime të të korruptuarve, të padijshmëve, frikacakëve duhet të
shpejtohet. Jo për qejf të dikujt, por kështu na duhet ne qytetarëve. Nëse ka
nevojë referendum gjithë popullor. Të gjithë prokurorët, kryeprokurorët,
gjykatës e kryetarë të gjykatave të deri tashëm, duhet ta lirojnë vendin. Duhet
të jenë vetë autokritikë. Drejtësia e një vendi nuk mbahet me fshehjen e
lëndëve të kriminelëve, me përkrahjen e mafiozëve, me dënime formale qesharake.
Pa gjykimin e kriminelit e për sigurinë e njerëzve, nuk themi se kemi liri
qytetare. Pa ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit, nuk mund të themi se jemi
shoqëri e civilizuar dhe duam të zhvillohemi ekonomikisht. Për kaq vite (po e
marrim vetëm prej 2008) nuk ka kurrfarë përparimi. Pse hajdutët janë ende në
pushtet apo opozitë, dhe ata e “qesin guhën një pëllëmbë”, duke i akuzuar të
tjerët për gabimet e tyre? Kush po i dëgjon ende ata tipa? Po kapjen e disave
prej tyre në flagrancë, me dokumente për korrupsion dhe krim të organizuar, që ka çuar në humbje
ekonominë e edhe financat e vendit me qindra miliona, çka kërkojnë ata ende...?
Po a i shkon mendja atyre tipave, që krejt Kosova dhe më gjerë e dinë fare
mirë, kush ishin hajnat në pushtet për kaq kohë, duke bërë gara, kush prej
cilës anë do të uzurpojnë toka, plaçkitjen nëpër tenderë, e deri në arkën e
shtetit? Pse mund të bëhet gjykim formal i njerëzve që kanë punësuar në emër të
një partie, tipat që i ka preferuar njerëz të vet dhe servilë? Apo oligarkë e
mafiozë që kanë lëkundur gur-themelin e shtetit? Pse nuk bëhet gjykimi i
njerëzve që kanë bërë krime gjatë luftës? Ata shëtitën rrugëve të Kosovës nëpër
qendrat tona. Pse nuk gjykohen personat që luajnë me fatin e njerëzve
(femrave), duke i mashtruar në mënyra të ndryshme? Rasti i Ferizajt s’është për
herë të parë as për herë të fundit, edhe pse është më i theksuari. Ç’është ajo
drejtësi, që gabimet me jetë njeriu i vendos me gjoba minimale – para!? Mjekësia
na duhet për verifikim të shëndetit, se, tipi nuk qenka mirë me shëndet, por
pse ka marrë jetë njeriu, s’ka dert.