Mendime
Mustafa Nano: Koha që myslimanët ta mbajnë ezanin për vete
E marte, 24.08.2021, 07:41 PM
Koha që myslimanët ta mbajnë ezanin për vete
Nga
Mustafa Nano
Në
Tiranë ka ndodhur një ngjarje e rëndë, me të cilën nuk merret askush. Në një
Comedy Club (nuk e kam ditur që ekziston një i tillë), dikush me prirje komike
ka marrë mikrofonin e ka bërë ironi me ezanin.
Ju
e dini, ezani është ajo lutja që u bëhet myslimanëve pesë herë në ditë, e që
unë asnjëherë nuk e kam kuptuar, dhe nuk e kuptoj gjithë ditën e ditës, pse
duhet të jetë një thirrje që bëhet me altoparlantë. Unë e kuptoj pse bëhet me
altoparlantë në vendet arabike: arabët janë të gjithë myslimanë. Ndërsa në këtë
vendin tonë nuk ka vetëm myslimanë. Ka edhe të tjerë, të cilët nuk janë pak.
Dhe
për këta të fundit, të dëgjojnë ezanin nuk është ndonjë qejf i madh, nuk është
fare qejf, është në të vërtetë bezdi, ashtu siç është bezdi çdo gjë që njeriut
i futet përdhunshëm në jetën e tij. Nuk keni menduar ndonjëherë për këtë?
Mendojeni
pak. Është tamam kështu. Ne e kemi pranuar këtë gjë, por është një gjë që duhet
ta shtrojmë për diskutim, në kuadër të një diskutimi më të madh mbi
bashkëjetesën fetare në Shqipëri. E di që mund t’ju duket një ide trazuese,
kontroverse, por duhet bërë ky diskutim.
Myslimanët
janë një pjesë e shoqërisë shqiptare, dhe duhet të kenë respekt për pjesën
tjetër. Ata kërkojnë vazhdimisht respekt, kërkojnë të mos fyhen, por janë ata
të parët që duhet të kenë respekt për ne të tjerët.
Dhe
ky respekt duhet të fillojë me një tërheqje të tyren. Duhet të gjejnë mënyrën
që ezanin, e gjithçka tjetër që ka të bëjë me fenë e tyre, ta mbajnë për vete.
Edhe qeveria shqiptare duhet ta mendojë këtë gjë.
Por
përpara se të shkojë deri në këtë pikë, qeveria duhet të bëjë gjëra më të
thjeshta: Duhet të ndalojë imamët të transmetojnë për gjithë qytetin ligjëratat
e tyre fetare.
Kjo
është më shumë se bezdi. (Ndodh çdo të premte në Kavajë, meqë ra fjala.)
Kthehem
te ajo që po thosha.
Dikush
pra, ka bërë ironi me ezanin. Dhe ky dikush është gjendur më pas nën një
agresion të paparë online. E kanë sharë mbarë e mbrapsht, e kanë kërcënuar,
deri edhe me vdekje.
Nuk
kam parë asnjë gazetar të shkojë t’i vërë mikrofonin te goja këtij djalit, e të
dëgjojë prej tij se çfarë mendon për atë që bëri, pse e bëri, pse duhet bërë, a
do ta bënte sërish, e se çfarë mendon për zulmën e madhe të talebanëve që do
donin ta linçonin.
Nuk
kam parë një raportim, ku të na thuhet se kush është ky djalë, ku është tani,
është në Shqipëri apo e la për fare Shqipërinë. Kam dëgjuar që klubi është
mbyllur, sidoqoftë, prej shqetësimit se mos talebanët tanë ndërmarrin hapa të
rrezikshëm. Dhe pronarët janë larguar pa adresë. Prej frikës.
Është
situatë absurde, e pakuptueshnme, e pafalshme. Për mua, kryeministri shqiptar
duhet të bëhet i gjallë e të dalë në mbrojtje të fjalës së lirë. Jetojmë në një
botë, ku jemi të lirë të kritikojmë e ironizojmë çdo gjë, çdo person, çdo
personalitet, çdo profet, çdo ide, e nuk paskemi të drejtën të kritikojmë
Islamin.
Unë
e di që ky nuk është vetëm problemi ynë. Është problem gjithandej nëpër botë.
Komedianët,
karikaturistët e gjithkush tjetër i jep të drejtë vetes të tallet me çdo
autoritet në Tokë e në Qiell, por ka skrupuj e frikë kur vjen puna të thotë
diçka për Islamin.
Duket
sikur bota i është dorëzuar një ideologjie obskure e reaksionare. E
pabesueshme!
tpz.al