Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Koncert
E marte, 10.08.2021, 08:54 PM
Koncert
Nga
Edison Ypi
Rruga
e Arbërit nis te Kanioni i Dajtit.
Sapo
hyn në atë Kanion, provon ca mornica në lëkurë, fërgëllim të trupit, rrënqethje
të shpinës, ndjehesh si në korridorin hyrës të Teatrit ku po shkon me pa një
çfaqje të rrallë me skena mahnitëse dhe aktorë virtuozë që e ke pritur gjatë,
dhe më së fundi, rasti fatlum erdhi.
Pas
Kanionit të Dajtit, pra pas korridorit të Teatrit, vjen Holli i Teatrit.
Hapësira kilometrike ku, përveç rrugës së gjërë të asfaltuar, mund të shohësh
majtas e djathtas dhe rrethepërqark gjithçka që Krjuesi ka gdhendur me dorën e
vet mes Tokës e Qiellit: Lugina marramendëse, pyje, male të vrazhdë, përrenj,
shkëmbinj, korie, zabele.
Në
Zall Bastar, ngjitja për te Qafa e Murrizit është një gjarpërim i butë dhe fort
i këndshëm në faqen e malit. Gjatë atij gjarpërimi, për pak minuta të kalojnë
para syve, nga shkurret mesdhetare te pishat alpine. Është nga të rrallat
ngjitje ku menu të syve nga mbrapa ke gjysmën e Shqipërisë: Dajti, Bovilla,
Qafmolla, Fekeni, Malësia e Krujës, Qaf Shtama, deti, janë të tuat, të gjitha
gratis, pa asnjë çmim. Veç mos kthe kokën prapa se gjen belanë. Bie në ndonjë
humnerë prejku s'të nxjerr dot as helikoteri, mbetesh në errësirë, vjen të çan
ujku.
Duke
u ngjitur, një gjinkallë këtu, një cinxërr atje, një dallandyshe pak më tutje,
duket si muzikë. Por jo e plotë. Kakofoni e pranueshme. Diçka e ngjajshme me
ato pak minuta para çfaqjes kur istrumentistat akordojnë veglat.
Qafa
e Murrizit lart në mal, është Lozha prejnga publiku i ardhun nga an' e anës
kqyr Koncertin.
Pas
Qafës së Murrizit, s'ka më para e prapa. Ka vetëm teposhtë.
Mes
luginës, që mund të jetë më e magjishmja në botë, kalon Rruga e Arbërit.
Para
syve Mati, Klosi, Mali i Allamanit, katundet.
Dilemë
autostradale.
S'mund
të kqyret rruga nga rruga.
As
katundi nga katundi.
Si
i bëhet ?
Kqyr
njërën nga të dyja;
Katundet
nga rruga, nëse preferon të kalosh përgjatë rrugës.
Ose
rrugën nga katundet, nëse ke zgjedhur të zbresësh teposhtë përmes katundeve.
Katundet
aty janë dhe aty do jenë me shekuj, i sheh një herë tjetër.
Këtë
herë bjeri nga katundet për me pa rrugën.
Sapo
futesh nëpër shtigjet e vjetra për me pa rrugën e re në anën tjetër të luginës,
akordimi i instrumentave që nisi gjatë ngjitjes, mbaron. Koncerti ka filluar.
Ja
Atdheu im, ja përmes kaltërsish, Shqipëria ime... buçet zëri i Voce Zelës.
Vocja nuk duket gjëkundi. Vetëm zëri i Saj shpërthen kahmos, nga guvat,
shpellat, shkrepat, toka, qielli.
Mbi
një shkëmb, me shkopin e dirigjentit në dorë, sytë e mbyllur, cullufet që i
hidhen mbi ballë, Herbert Von Karajan po dirigjon Simfoninë numur 5 nga Ludvig
Van Beethoven. Orkestra që po tund malet me 3 mijë violina ndodhet e tëra në
anën tjetër të luginës, përballë në fshatin Xibër.
Buzë
një përroi, në prezencën e një publiku të zgjedhur që ka ardhur enkas nga
Tirana, Shkodra, Diaspora, Ibrahim Tukiçi rënë në delir të thellë po
interpreton një këngë të vjetër shkodrane aq të bukur sa ta lëviz kapakun e
kokës.
Mbi
luginë, te një rrafshnaltë e blertë majë malit, Louis Armstrong me saksofonin
drejt qiellit, zërin e karakteristik dhe një shami qurrash në dorë për fshirjen
e djersës, po luan hatashëm "Kiss of Fire".
Nga
brenda një shpelle ku thuhet se ka kaluar jetën një virgjëreshë shenjtore
lokale që ka bërë çudira me shterpësinë e qoseve, kockat e rakitikëve, sytë e
qorrave dhe veshët e shurdhave, Tom Waits i bërë tapë me raki rrushi, po këndon
"Temptation". Më tepër se gjysma e katundit Guri i Bardhë që ndodhet
aty afër, kanë ardhur me aeroplan të posaçëm nga Aeroporti i Kukësit për të
ndjekur vibracionet e muzikës së Waits, gjuhën e të cilit, Anglishten, e kanë
mësuar hezber në Londër dhe Birmingham ku kanë vajtur për kurbet.
Një
grup të rinjsh ulur rreth një zjarri, si Fakirët indianë që me fërshëllima
nxjerrin gjarpërin nga qypi, me anë të disa pëshpërimave mistike, kanë nxjerrë
nga fundi i oqeanit të muzikës shkodrane perlën llaftarisëse "Serenatë
Nuses".
Te
një përrua, adhurues të çmendur ardhur enkas nga Mati dhe Dibra, po ndjekin të
nemitur virtuozin Gene Krupa. Krupa, me grupin e vet që përbëhet nga bateri,
piano, saksofon, po i qan me lot "Dark Eyes", apo "Syt e
Zinj" si thuhet në gjuhën arbërore.
Django
Reinhard ulur në karrike buzë një përroi, me kitarë dhe cigare të ndezur në
dorë, publikun e ulur këmbëkryq në bar po e mahnit me "Minor Swing".
Te
ura surreale nga shkëmbi në shkëmb dhe nga tuneli në tunel, i mahnitur nga
përmasat dhe proporcionet, eleganca konstruktive e urës që më tepër se vepër
inginierike është kryevepër Arti, Leonardo dora vetë, duke mërmëritur vargjet,
S'i'
fosse foco, arderei 'l mondo
S'i'
fosse vento, lo tempesterei
S'i'
fosse acqua, ì' l'annegherei
S'i'
fosse Dio, mandereil 'en profondo
nga
S'i' fose foco e Cecco Angiolieri,
dhe
i përthithur në kalkulime, po pyet inginierin projektues dhe realizues që e
shoqëron, për materialet e përdorura, vinçat dhe makineritë e tjera që e
mundësuan ndërtimin e asaj marramendjeje fantastiko-shkencore.
"La
Leyenda del Beso" nga disa interpretues njëri më mahnitës se tjetri, i
bëjnë malet të kjajnë.
Shopen
me pika gjaku mbi piano, Mozart, Çajkovski, Shostakovich dhe të tjerë, njëri
mbi ndonjë ledh, tjetri mbi ndonjë shkrep, nuk mund të mungonin në këtë
mahnitje audio-video.
Nuk
mungoi gjithashtu as Rolando Villazon me "Je crois entendre encore"
nga Peshkatarët e Perlave, që, përveç shkurreve, bëri të kjajnë edhe drurët,
edhe shkëmbinjtë me lotë të bardhë si qumësht nëne.
André
Rieu ekzekutoi "Besame Mucho" në kupë të Qiellit. Krejt lugina e
duartrokiti. Edhe çakajt edhe skilet edhe ujqit që dolën nga shpellat. Edhe
lepujt dhe gjarpërinjtë që dolën nga ferrat.
Moj
e bukura More nga një grup arbëresh i përloti deri në dënesje me gulçe krejt të
pranishmit në të dy anët e luginës deri në majat e maleve.
Nga
Tirana në Dibër, Rruga e Arbërit është e tëra Koncert.