Faleminderit
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Uran Kostreci, i fundmi autor i sonetit, u nda nga jeta
E hene, 12.07.2021, 06:10 PM
Uran Kostreci, i fundmi autor i sonetit, u nda nga jeta
Lamtumirë,
poet i sonetit brilant, mësues dhe atdhetar i shquar !
Të
të ndrijë shpirti dhe të qoftë e lehtë balta, o nacionalist që u shkrive për
shqiptarizmin!Uran Kostreci
Nga
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Sapo mësova me dhembje se miku ynë i mirë, bashkëvuajtës i gjysmës së shqiptarëve, nga regjimi
diktatorial I E.Hoxhës, atdhetari dhe
poeti sarkastik, sot pasdite u nda nga
jeta e tij plot vuatjtje.
Cili ishte Uran Kostreci?
Uran Kostreci lindi më 29 janar 1938, në
qytetin e Korçës. Më 1946, kur i arrestuan babanë, të cilin e dënuan me 10 vjet
burgim si kundërshtar i regjimit, ai ishte vetëm 8 vjeç. Urani arsimin fillor e
mori në Korçë. Më 1957 mori diplomën e mësuesisë në shkollën Normale, Elbasan.
U emërua mësues në fshatin Armen të Vlorës, ku punoi 2 vjet. E transferuan në
Gramsh ku punoi dhe 2 vjet të tjera. Urani më 1961 arrestohet për motive
politike, pasi tentoi të arratisej nëpërmjet liqenit të Ohrit, por përfundoi në
pranga dhe u dënua me 15 vjet burgim. Gjatë vuajtjes së dënimit në kampin
nr.303 Elbasan, më 9.5.1965, u qëllua për t’u vrarë nga tre vendroje.
Më 13.6.1973, pasi refuzoi
ushqimin, u denoncua nga komandanti i burgut të Burrelit, Hajri Leskaj, se kishte parë “shtrembër” fotografinë e diktatorit.
Në vendimin e gjykatës që e ridënoi me 8 vjet të tjera burgim, ndër të tjera
thuhet:
“Vërtetohet se në këtë moment i pandehuri
kishte drejtuar nga fotografia e shokut Enver, shikim që i kishte bërë përshtypje
të dëmtuarit Hajri dhe iu drejtua me pyetje të pandehurit që pse e shikonte me
vërejtje apo nuk i pëlqente”. Si pasojë e refuzimit të ushqimit dhe
shikimit drejtuar mbi portretin e diktatorit, u ridënua edhe 8 vjet të tjera.
Uran Kostreci u lirua nga burgu i Burrelit më 13.6.1981, pasi vuajti gati 20
vjet heqje lirie (burgim). Punoi si punëtorë krahu për 1 vit e gjysmë. Prej aty
internohet 5 vjet në fshatin Kurtaj të Peqinit. Në vitin 1991 themeloi gazetën
“Liria”( organ mediatik i ish të
përmdjekurve politikë për gjithë vendin). Urani ishte kr/redaktor i parë i saj
dhe ndërkohë ishte përfshirë në lëvizjen demokratike, qysh në dhjetor 1990. U zgjodh 2 herë kryetar i P.D për Elbasanin.
Në vitin 1993 punoi si mësues i gjuhës italiane në shkollën e mesme Elbasan. Më
1997 emigroi në ShBA, ku qëndroi deri në vitin 2007, u kthye në Atdhe dhe nuk u
largua më.
Kostreci është nga të paktët që jetoi, prej atyre që e shkuan rininë nëpër
burgjet e llahtarshme komuniste, ku ua vranë shpresat dhe ua shuan ëndrrat në
qelitë më të ngushta se varret dhe më të ftohta se vdekja.
Demoni ulur në lozhat luksoze, duke
duartrokitur Hamletin, me penën e ngjyer në gjak të pastër e fisnik shqiptari,
firmoste vrasjet pa gjyq, burgosjet dhe internimet e gjysmës së shqiptarëve të
pafajshëm. Tek fisnikët apo intlektualët e arsimuar në perëndim ai shihte
rrezikun e rënies së pushtetit të tij të pathemeltë. Nga frika që e tmerronte,
apo mitomania, e shndërroi Shqipërinë tonë të bukur në një vendburg, ku kishte
vetëm rojëtarë dhe të burgosur. Vendi ynë i pasur si nën tokë e mbi tokë, u
shndërrua në një varrezë gjigande, mbushur me varre pa emër, të cilët u bënë
shtretër për gjarpërinjë e mushkonja.
Kurse
Uran Kostreci mbijetoi si zotni për të treguar se sa shumë ka vuajtur ky popull
që e do lirinë më shumë se sa jetën. Përherë e gjeje te “Postiqja” me filxhanin
e kafesë dhe me letrat e hapura mbi tavolinë, ku ai shkruante apo meditonte… E
veçanta e këtij intelektuali të mirëfilltë, me horizont dhe vizion të gjerë për
një Shqipëri demokratike të tipit perëndimor, ishte i palëkundur në bindjet e
tij. Mjaft i këndshëm në biseda, me shumë humor, me bashkëbiseduesin merre
pjesë në polemika rreth politikës apo gjendjes së nderë të vendit të tij. I
dhembsej shpërbërja e kombit, ku çdo ditë nga trojet etnike shqiptare emigronin
me mijëra të rinjë, duke lënë në vend vetëm moshat e treta.
Çfarë e bënte të fortë dhe rezistentë këtë zotëri?
Me miqtë e tij Z.Uran shprehej: “Jeta na
ka shumë borxhe. Ne do të jetojmë sa të marrim të gjitha shpërblimet e vuajteve
të paimagjinuara për ata që nuk e kanë provuar Luftën e Klasave.” Unë
mendoj se Uran Kostreci ka lëvruar këngën e një jete të mohuar përmes sonetit, duke
i dhënë kuptim jetës së tij vetmitare.
Kostreci ka botuar:
Lundërtari dhe deti-1993;
Epopeja e karakalecave(poemë satirike)-1995;
Agonia e karakalecave, Pjesa II,1996;
Sonete-2006;
Pabesia ,-2009;
Epopeja e karkalecave (të dy pjesët)-2011;
Le të shohim se ç’është soneti i
harruar si gjini letrare që i ka dhënë jetë Uran Kostrecit?
Soneti
që është tingëllima muzikale e notave të shpirtit të lënguar e të drobitur,
bëri që poeti t’u mbijetojë torturave çnjerëzore, duke u ngritur mbi vdekjen
dhe u shqua si një nga qëndrestarët e rrallë të burgjeve komuniste për 20 vite
rresht. Çfarë vlere letrare apo shpirtërore paska vallë soneti që bëri Uran
Kostrecin t’i mbijetojë një regjimi antinatyral dhe antinjerëzor, ky poet dhe
mësues atdhetar, ky publicist nacionalist, si dhe ky demokrat i tipit
perëndimor? Soneti kishte kohë që nuk lëvrohej. Ai që e ringjalli, duke mos e
lënë të shfarosej soneti, është poeti Uran Kostreci. Bashkë me Rilindjen e tij fizike e shpirtërore, u rilind edhe soneti
shqiptar i harruar nëpër raftet e pluhurosura të bibliotekave dhe librarive.
Ajo që e karakterizon sonetin e tij është vargu 13 rroksh, i cili i qëndron
besnik kësaj lloj poezie.
E ky ngashërim shpirti për të
shprehur njëherësh shumë antagonizma, gjeti strehë në mendimin gjenial të poetit dhe shqiptarit të madh, Uran Kostreci, i
cili meriton të quhet poet disident.
Poezia e Uran Kostrecit është
një vjershërim, ku analiza psikologjike e gjendjeve shpirtërore të autorit zë
një vend qendror. Si formë për të paraqitur vuajtjen morale, fizike e
shpirtërore të tij dhe të një populli, më të,vjetrin në botë, ai ka përdorur
sonetin. Parathënien e librit “Sonete”, e ka shkruar mjeshtërisht, Mjeshtri i
mendimit dhe fjalës, arkeologu i shquar, përkthyesi, Petro Zheji, i cili
shprehet:” Uran Kostreci me fabulën tij të mrekullueshme, sepse ai është
fabulist , të cilën e krahasoj me fabulën e La Fotenin”.Më tej vazhdon:
“ Poezia e Uran Kostrecit, është një
poezi ku mbizotëron psikologjia e gjendjeve shpirtërore ë autorit. Forma e
zgjedhur për ta paraqitur poezinë është Soneti, që zë një vend të rëndësishëm
dhe luan rolin e një boshti koordinativ për tërë poetikën e tij. Brenda
pentagramit të të cilit ai luan me virtuozizëm të gjitha variacionet e mundura
rreth temës qëndrore të një përjetimi jo të zakonshëm të realitetit, atë të një
njeriu me ndjeshmëri të hollë e me shpirt fisnik. Soneti, një vjershërim
muzikor, ku gjuha shqipe rrjedh kaq lirshëm, kaq e lehtë dhe e ëmbël, sa të
magjeps.”
Janë këto ndjesi e veçori të Sonetit të Uran Kostrecit që lexuesi pasi i ka
mbaruar, u rikthehet përsëri me ëndje…Sonetet e Kostrecit e nxisin lexuesin, e
edukojnë me ndjenja të holla dhe e detyrojnë të mendojë më thellë. Sonetet e
Uranit bëjnë që lexuesi ta shohë botën me një sy tjetër, pa mendësi
paragjykimesh mesjetare. Por gjithçka as harrohet dhe as gëlltitet, edhe pse
autori përpiqet t’i japë ngjyra realitetit, ta zbukurojë përmes filozofisë në
poezinë e tij, prapë mbetet si një njollë e zezë, e pashlyshme atje në vargun e
tij, ngjizur në shpirtin e tij të lënduar. Këtë gjë ai e arrin përmes
filozofisë, e shprehur mjeshtërisht nga autori për mes fabulës. Nga soneti “Penda”,shkëpusim
një strofë mjaft domethënëse:
“Kur dielli u err n’agim të avenirit,
E jeta varej mu në fije të perit
Prej ftohmës,/ prej urisë, prej zinxhirit,
Nën ankthin e pranisë së kapterit…”U.K
Petro Zheji thotë se një poezi filozofike si ajo e Uran Kostrecit
nuk bën pa simbolin për të shprehur të
pashprehshmen, si Aristoteli, apo Dante Alighieri. Në sonetet e tij, vëmë
re të kundërtat, si dashuria dhe vdekja, të cilat janë aq pranë njëra- tjetrës,
sa duket sikur ecin paralel dhe shndërrohen në një të vetme. Ai sheh
vazhdimësi, kur të tjerët shohin ndërprerje. Ai sheh unitet, kur të tjerët
shohin ndarje. Madje Kostreci sipas
Zhejit, ka shumë të përbashkëta me Naim Frashërin. Ai e krahason me Naimin
lidhur me vizionin mistik të realitetit, ku ai shprehet Dashuria, si Perëndia,
pra të dyja janë kudo dhe kurdo të pranishme. Sonetet e Uran Kostrecit kanë
vlera të veçanta artistike, filozofike, ideologjike dhe shpirtërore, që e bëjnë
lexuesin të mendohet. Duke njohur sonetet e Kostrecit, Kritikës profesionale i del si detyrë t’i kushtojë një studim dhe
analizë të thellë e të mirëfilltë veprës së tij të veçantë. Atë që nuk e bënë
me gjallje, le ta bëjnë tani pas
vdekjes.
Lamtumirë, miku ynë i mirë! U gjendemi
pranë familjarëve të tij. U shprehim ngushëllimet tona të sinqerta ,
veçanërisht mbesës të të ndjerit, Uran, znj. Keida Kostreci!
Me kosideratë të lartë!]
Vilhelme
dhe Fitim Haxhiraj
Vlorë, më 12.7.2021