Faleminderit
Dorian Koçi: Humanisti Arvanitas - Mikel Maruli
E diele, 11.04.2021, 03:54 PM
Humanisti Arvanitas - Mikel Maruli
Nga
Dorian Koçi
Fillimet
e Rilindjes Europiane mendohet se janë në vitet 70’të shekullit të XII me
krijimtarinë e Petrarkës, Bokaçios dhe Dante Aligerit. Rilindja është urë që
lidh Mesjetën në Epokën e Iluminizmit dhe Historinë Moderne. Është një periudhë
në historinë evropiane që mbulon intervalin e shekujve 14 dhe 17. Kjo periudhë
u përhap shpejt në të gjithë Evropën, por gjurmët e saj të para u gjetën në
Itali.
Rilindja
u bazua kryesisht në humanizmin, që rrjedh nga Humanitas romake dhe filozofia
klasike greke. Kjo mënyrë e re e të menduarit shpejt u bë një ndikim në fusha
të ndryshme, shumë të rëndësishme si: politika, shkenca, letërsia, arkitektura
dhe kryesisht arti. Është e sigurt të thuhet se kjo periudhë filloi një
periudhë të hershme moderne duke ndikuar në jetën intelektuale evropiane.
Humanistët e Rilindjes besonin se edukimi duhet të përgatisë një njeri për të
pasur një ekzistencë dhe mësim të denjë jo vetëm për të shfaqur realitetin, por
edhe për të nxitur individët drejt njohjes dhe aplikimit të saj. Ata besonin se
një njeri mund të formohej nëpërmjet 'artit të elokuencës' dhe se njeriu duhej
të ishte në qendër të gjithësisë.
Rilindja
Europiane në Arbëri u përhap përmes modelit të qyteteve republika të krijuara
nën shëmbullin e qyteteve italiane dhe të Dalmacisë. Në brigjet e Adriatikut
lindor u krijuan qytete republika të cilat kishin një tregti të zhvilluar por
dhe statuset e tyre shumë të rëndësishëm për qeverisjen e qyteteve por dhe për
të rregulluar marrëdhëniet me jashtë dhe të shtetasve të tjerë me qytetet. Këto
statute janë të ngjashme me ato të qyteteve italiane dhe një pjesë të madhe zë
koncepti i lirisë së qytetarëve dhe administrimi kolegjial i tyre nëpërmjet një
këshilli të zgjedhur të përbërë nga qytetarët më të shquar. Po kështu familjet
fisnike ballkanase fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më
vonë si ato të Engjëllorëve p.sh një familje fisnike shqiptare nga Drishti,
origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe
legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon. Ky tipar është shumë
i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë i identitetit që këto familje fisnike
ndjejnë por dhe sepse ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të
tjera evropiane duke përforcuar kështu idenë evropiane të rajonit që zë fill
nga miti i lashtë i Evropës por që ushqehet rrugës dhe me mite të rinj.
Kështu
p.sh heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu(1405-1468) në
letrën që i dërgon princit të Tarantit i përmend origjinën e vet, atë epirote
dhe përmend një personalitet të botës antike si Pirron e Epirit. Po kështu Gjon
Muzaka në veprën e vet “Gjeonalogjia e Muzakajve”(1510) përveç burimeve të
shkruara që ati zotëron dhe citon në vepër, përmend së familja e tij vjen që
nga ajo e heroit mitologjik Herkulit. Natyrisht që kontakti kulturor që pati
Adriatiku lindor me botën perëndimore qoftë nëpërmjet shkëmbimeve kulturore në
të dyja anët e Adriatikut por dhe nëpërmjet administrimit të drejtë për së
drejtë të territorit si është rasti i Mbretërisë së Arbrit (1272) nën familjen e
njohur fisnike franceze Anzhuinët, por dhe administrimi qyteteve nga Venediku
krijuan një perceptim tjetër për idenë e Evropës dhe shtrirjen e saj, në dallim
nga provincat e tjera të Perandorisë Bizantine ku nuk shikojmë dukuri të tilla
pasi janë më thellë në gadishull dhe nuk kanë mundësinë që të marrin pjesë në
perceptime të tilla të drejtë për së drejta. Ndaj në këtë kohë, fillimet e
shekullit të XIV dhe shekullin e XV në brigjet e Adriatikut Lindor do të kemi
përjetimin e një lëvizje humaniste që do të jetë shumë afër Rilindjes
Evropiane. Kjo lëvizje do të ketë një konceptim të qartë të idesë së Evropës,
unitetin gjeografik dhe atë moral dhe kulturor ku për herë të parë do të ketë
kontakte dhe me prurjet e reja në Europë, si Polonia, Transilvania dhe deri
Anglia.
Kjo
gjë do të vërehet më shumë sidomos gjatë konfliktit traumatik me osmanët,
konflikt që largon territoret e Ballkanit për mëse tre shekuj nga ideja e
Evropës dhe projektet rreth saj. Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut
, përveçse ndikimeve gjeopolitike që pati në rajon ka meritën se solli në
vëmendje të Perëndimit , nëpërmjet thirrjeve për ndihmë krijimin e aleancave
dhe mobilizimin kulturor, moral dhe fetar ndaj osmanëve që po mundoheshin
nëpërmjet pushtimeve të ashpra të asimilonin brenda perandorisë së tyre këto
territore. Në Arbëri, ku bëhet rezistencë zbarkojnë vullnetarë dhe trupa
ushtarake napolitanë, katalanë, gjermanë dhe anglezë të gjithë të përbetuar për
të luftuar osmanët dhe për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin. Edhe pse numri
i tyre nuk është i përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit otoman, letrat
dhe kancelaritë që përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin bëjnë të mundur
që ideja e Evropës të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i
kërkojnë Papës së Romës për të udhëhequr kundër të ‘pa besëve” .
Vetë, udhëheqësi arbër, Skënderbeu është i ndërgjegjshëm se vepron në mbrojte të
Evropës në gjithë korrespodencën që ai ka me princat evropianë por dhe ata vetë
nuk mënojnë ta njohin kontributin e tij në këtë përpjekje fatale. Papa i Romës
e shpall atë Atlet të Krishtit, kurse i dërguari special i Papës , kalorësi
anglez John of Newport do ti shkruajë atij se e vetmja rezistencë serioze ndaj
osmanëve ishin shqiptarët dhe se po të binte kjo fortesë, atëherë shumë shpejt
ata do të ishin në Itali.
Luftëra
të pareshtura po zhvillonte dhe Perandoria tashmë e plakur Bizantine që i ishte
ngushtuar shumë territori. Madje përballë këtij rreziku të madh Perandori
Bizantin Paleologu VIII (1392-1448) vizitoi Papa Eugjeni IV dhe pranoi të
realizonte bashkimin e Kishave lindore dhe Romane. Bashkimi u ratifikua në
Koncilin e Firences më 1439 të cilin perandori e ndoqi së bashku me 700 ndjekës
duke përfshirë dhe Patriarkun e Kostandinopojës Josifi II. Për herë të parë ,
pavarësisht kundërshtimeve që gjeti në Kostandinopojë kjo marrëveshje u duk
sikur Evropa gjeti unitetin fetar dhe shpirtëror, por për fat të keq kjo
periudhë paqeje nuk zgjati shumë pasi bashkimi nuk ishte i vullnetshëm dhe se Kostandinopoja
ra pak vite më vonë më 29 maj 1453 në duar të osmanëve. Shprehja e famshme e
atij që më vonë u bë Patriarku i parë nën osmanët Genadius se “më mirë të
pranojmë çallmën turke sesa kamillafin roman mbi kokë” tregonte qartë vizionin
krejt të ndryshëm dhe ndarjen e pariparueshme të të dyja palëve.
Pushtimi
i Kostandinopojës, shuarja e rezistencës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut,
pranimet e vasalitetit nga pothuajse të gjitha mbretëritë, principatat apo dhe
qytetet sollën si rezultat pushtimin e të gjithë gadishullit Ballkanik dhe
largimin e tij nga Evropa.Mirëpo koncepti i Rilindjes Europiane do të frymonte
përmes diasporës së madhe arbëre në Itali, Dalmaci dhe More, ku shumë arbër do
të kontribuonin me veprën e tyre në kulturën e kontinentit europian. Një poet
latin i Rilindjes evropiane për të cilin është thënë se ka prejardhje
arvanitase ishte Mikel Maruli (Michele Marullo Tarchaniotes, 1453-1500), i
njohur në latinishte si Michaelis Marullus. Mendohet se ka lindur nga një
familje arvanitase me prejardhje nga Moreja pak muaj pas rënies së
Konstantinopojës. Familja e tij iku në Raguzë (Dubrovnik), ku që në vogëli,
ndjeu së pari ndikimin e qytetërimit të Rilindjes italiane. Më 1470 ai i hyri
një karriere ushtarake dhe shërbeu dhjetë vjet si ushtar energjik i fatit në
vise të ndryshme të Italisë. Më 1491-1492 ai rivalizoi me Politianin
(1454-1494) në Firence dhe më 1495 u martua me poeteshën Alesandra Skala
(Alessandra Scala, 1475-1506), ndonëse martesa nuk zgjati shumë. Neaera, së
cilës ai i drejtonte vargjet e tij katuliane të dashurisë, duket se ka qenë
personifikimi kolektiv i shumë marrëdhënieve pasionante. Maruli është autor i
katër librave me epigram latine, mjaft prej tyre të mbrujtura me një notë
melankolie, si dhe i katër librave me 'himne për natyrën', në të cilët ai, me
një stil lukrecian, ngre lart forcat mitologjike të natyrës. Ai konsiderohet si
ripërtëritësi i veprës së Lukrecit dhe i adhurimit të tij për natyrën. Maruli,
për të cilin Sandro Botiçeli (Sandro Botticelli, 1444-1510), piktori i
rëndësishëm i Rilindjes Europiane na ka lënë një portret klasik rilindës, u
mbyt aksidentalisht në lumin Cecina më 11 prill 1500. Ndikimi i tij ishte i
madh në letërsinë e viteve 1500. Pier Ronsar, autori i një soneti për
Skënderbeun i kushtoi një epigram Mikel Marulit, Epigrammata et hymni, Paris,
1561.ku e shpallte si poetin më të madh të kohës. Filozofi italian Beneddo
Crocce do i kushtonte një ese në vitin 1938, «Michele Marullo Tarcaniota: le
elegie per la patria perduta ed altri suoi carmi», Bari, 1938. Kohët e fundit
është botuar e plotë vepra e tij nga Oxford University Press dhe sigurisht që
pret studiues shqiptarë të Mesjetës për ta përkthyer dhe analizuar.
Burimet :
1- Robert Elsie (2013).
A Biographical Dictionary of Albanian History. I.B.Tauris. pp. 299
2- Carol Kidëell,
«Marullus, Soldier Poet of the Renaissance», London 1989