E merkure, 16.06.2021, 03:17 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ibrahim Kabili: Për mësuesin, studiuesin dhe intelektualin e mirnjohur, Fran Cara

E merkure, 02.06.2021, 07:47 PM


Për mësuesin, studiuesin dhe intelektualin e mirnjohur, Fran Cara

Nga Ibrahim Kabili

Për të shkruar disa radhë për mësuesin, kolegun, publicistin dhe poetin Cara më kishin ngacmuar disa artikuj letrar, shkencor, pedagogjikë dhe shkrime të tjera të botuara gjatë viteve kur ai punonte në arsim dhe në pozicione të tjera pune. Ajo që më forcoi bindjen, më motivoi më shumë, dhe më obligoi të bëj diçka qe vetë Frani. Qe kontakti i parë me të në shkollën tonë, dhe puna plot përkushtim e profesionalizëm e tij në lëndën e gjuhë-letërsisë. Mbresat e përshtypjet për të lanë gjurmë tek kolegët, nxënësit dhe komuniteti, pavarësisht, kohës së shkurtër te ne. Lanë gjurmë dhe tek unë. Kjo më "detyroi" të ritakohem me të në lokalinë e tij në "Misto Mame", lokal që administrohet nga Viktori, më, 17.05.2021 dhe të bëj një bisedë të gjatë e shumë miqësore... Herë pas here biseda ndërpritej nga ecejaket e ndërhyrjet e disa kolegëve e dashamirësve të tij me të cilët ka punuar apo patur kontakte me to, në vite. Kjo e bënte më interesante dhe e plotësonte edhe më shumë veprimtarinë e tij.

Fran Zef Cara lindi në Dom të Pukës më, 17.06.1951 në një familje të madhe, mjaft të njohur, dhe me tradita patriotike dhe atdhetare. Babai i tij u kujdes për arsimimin e fëmijëve. Frani që në fëmijëri kishte prirje për shkollë, dije dhe arsimim, e fatmirësisht kjo nuk po i ndahet dhe kësaj dite kur ai është në pension... Arsimin 7-vjeçar Frani e mbaroi në vitin 1965 ,në vendlindje me nota shumë të mira dhe fletë nderi. Ai kujton ne nostalgji e respekt maksimal mësuesin e klasës së parë Ndue Kol Zefi, mësues i përkushtuar dhe "zanatçi" i një klasi të lartë, mësuesin Dedë Shkurti dhe drejtorin e spikatur në Pukë ,Mark Zef Jaku.

Shkollën e mesme e filloi në vitin 1967 në gjimnazin "Migjeni" në Pukë, dhe e përfundon në në vitin 1971 me nota shumë të mira. Duke u kthyer në kohë, ai shton: -Gjimnazi "Migjeni" qe një shkollë e konsoliduar me një staf pedagogjik shumë të përgatitur dhe tepër të përkushtuar. Kam mbresa që nuk fshihen nga memoria ime për gjithë stafin e shkollës. Mësues, si: Ismet Bala, autor i disa librave dhe botimeve; Zyhdi Heqimi, Qemal Pema, Fatmir Mborja, Dhimitër Pasko etj. kanë lënë gjurmë dhe i bëjnë nder kësaj shkolle.

Arsimin e lartë e fillon në vitin 1971 në UT, në Fakultetin e Histori-Filologjisë në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe e mbaron në vitin 1975.

-"Ne që vinim nga gjimnazi e kishim më të lehtë shkollimin pasi kishim një bazë të fuqishme, dijet e marra atje. Shtuar këtu edhe stafin e pedagogëve e arritjet e tyre, ne arritëm të mirarsimoheshim e të përgatiteshim bukur, për të dalë në jetë e kontribuar më tej në arsimimin e brezave. Kujtoj me respekt stafin e pedagogëve; Ali Xhiku, Mënyr Reso, Zihni Sako, Anastas Dodi, Jorgji Dokcani, Drita Siliqi, Dhurata Xoxe, etj. Rezultate, arritje, nostalgji dhe kujtimet më të bukura në fakultet e për të, përfundon Frani.

Pas mbarimit të arsimit të lartë Frani emërohet mësues gjuhë -letërsie në shkollën 8- vjeçare, në fshatin e tij të lindjes, Gjegjan. Emërimi në punë në vendlindje qe një ngjarje e shënuar për Franin. Duke kujtuar këtë periudhë ai thotë: -"U emërova në fshatin tim të lindjes. Erdha me energji dhe forca të reja. Ndjeja një kënaqësi të madhe kur jepja mësim në shkollën kur dikur isha nxënës. Më pritën shumë mirë kolektivi mësues-nxënës dhe komuniteti. Brenda muajit shtator të këtij viti aty u hap edhe shkolla e mesme e mbrëmjes në degën agronomi, ku unë dhashë lëndën time të gjuhë-letërsisë. Në këtë shkollë kujtoj punën plot pasion dhe shumë kompetente të drejtorëve të afirmuar Pavli Zëri, Aleksandra Pasko, Pashk Ceka, dhe të mësuesve të përkushtuar Ndue Gjini, Lizë Përmarkaj, Emil Papadhopulli, Ndue Papa, Ndukë Frrok Prendi, Pjetër Frrok Zefi, Kolë Mark Kola, Pashk Kola" etj. Një plejadë mësuesish e drejtuesish që bënë shumë për arsimin, dhe i dhanë gjithçka atij. E padyshim në mesin e tyre, qe edhe Frani. Për punën e tij plot profesionalizëm e përkushtim, ish-përgjegjësi i  Seksionit të Arsimit të rrethit Pukë zoti Pashk Leka do shprehej: "Gjatë këtyre viteve e shohim si mësues mes nxënësve në mësim, e në veprimtari kulturore dhe artistike, në grupin folklorik dhe teatror të shtëpisë së kulturës, në veprimtari sportive e spartakiada të tilla në shkallë rrethi, ku dallohej edhe si futbollist dhe pingpongist". Dhe më tej shton: -Për këto arsye, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit e emëron përgjegjës të Shtëpisë së Kulturës në Gjegjan, ku u dallua për një frymë të re civilizuese qytetare në të gjitha veprimtaritë kulturore dhe artistike duke zënë vende të para në shkallë rrethi, por njëkohësisht duke dhënë mësim si i jashtëm në Shkollën e Mesme Bujqësore. Në këto vite si mësues dhe përgjegjës i shtëpisë së kulturës me punë të palodhur, i përkushtuar dhe vullnetmadh krijoi profilin e një njeriu që meriton respektin e padiskutueshëm të nxënësve, kolegëve dhe të komunitetit, duke i hapur kështu rrugë karrierës si specialist dhe drejtues në arsim e kulturë në rrethin e Pukës".

Duke vlerësuar maksimalisht punën e tij, instancat e arsimit dhe jo vetëm e emërojnë Franin drejtor të shkollës 8-të vjeçare Qafë-Mali. Punoi me përkushtim si drejtor shkolle  në vitet 1981-1984 dhe pati shumë rezultate në punë. Duke sjellë në kujtesë ato vite Frani, shton: -" Si drejtues shkolle pata mbështetjen e kolektivit pedagogjik dhe patëm shumë arritje. Dy qenë më kryesoret; sigurimi i frekuentimit e detyrimit shkollor dhe krijimi i kushteve e rritja e cilësisë në proçesin mësimor edukativ. Shkolla falë punës së mësuesve të përkushtuar, si Musë Preçi, Davë Preçi, Ndrecë Paluka, Lumturi Leka, Riza Leka, Ndue Tota, Nikollë Preng Gjoka dhe gjithashtu edhe punës dhe përkushtimit tim si drejtues, shkolla u bë model në shkallë rrethi. Mua si drejtor më vlerësuan për punën e bërë dhe më dërguar për specializim pasuniversitar për psikologji dhe pedagogji. Specializimin pasuniversitar e bëra me pedagogët dhe akademikët e mirënjohur, si: Hamit Beqja, Bedri Dedja, Pëllumb Gaçe, Aleko Qendro, Bekim Çomo, Kolë Tahiri. Në përfundim të specializimit u vlerësova me notën maksimale. E nuk mund të ndodhte ndryshe, kur specializimin e udhëhiqnin korifejtë e arsimit e shkencës. Unë isha i motivuar dhe i vendosur që, jo thjesht të studioja e të merrja provimet, por që të formohesha si duhet si mësues e specialist e t'ia shpërbleja me punë të kualifikuar rrethit tim" - përfundon Frani.

Në udhëtimin e tij profesional, Franin e shohim mjaft të vlerësuar në Shkollën e Mesme Fushë-Arrëz. Fillon punë në këtë shkollë në profilin e tij, në vitin 1985 deri në vitin 1989.

Vlerësimet për të në këtë shkollë janë të shumta nga eprorët, kolegët, nxënësit, komuniteti dhe instancat shtetërore. Frani kujton rezultatet dhe punën e  shkëlqyer në këtë shkollë, punën e drejtuesve dhe mësuesve të shkollës së mesme. Ajo që të bën përshtypje të madhe është dokumentimi i gjithë veptimtarisë dhe ruajtja me shumë kujdes e saj nga Frani. Një dokumentacion për t'u pasur zili! Frani ka një merak, ai duke qenë modest, tepër i përgatitur, metodist shumë i mirë dhe mjaft human, kërkon me ngulm të pasqyrohet puna e kolektivit, pas tij vjen individi. Në këtë shkollë, sqaron Frani:- drejtorët Ismet Bala, Muharrem Nezir Cufaj, Tomë Curri mbeten ikona të drejtimit të arsimit. Shquheshin edhe mësuesit Gjovalin Pjetri, Bujar Metohu, Tonin Maxhuni, Tomë Meshkurti, Skënder Skendo, Donika Skendo, Ilir Burhani, Lekë Ndoci, Hazbi Tërbuni, Rrok Nikolli, Zef Ndreca, Pashke Pjetri, Ndue Binaku, Martin Ndoj etj. Ajo që i ka mbetur në kujtesë Franit, është matura e vitit 1989, të cilët dolën me notë mesatare mbi 8 në shkollën e lartë në lëndën e letërsisë. Kolegu i Franit, Tonin Maxhuni, pohon: "Shkoja te Frani për të përfituar për metodat e mësimdhënies dhe komunikimit me nxënësit. Mësues Frani e fillonte orën ndryshe nga ne mësuesit e tjerë. Çdo orë mësimi e fillonte me një detaj interesant që i motivonte nxënësit për gjithë orën, e veçanërisht për temën e re. Ai e kthente orën e mësimit në një spektakël. Gjithmonë, o do të recitonte, o do të fuste një muzikë, o do të kërcente, kështu që nxënësit përfshiheshin maksimalisht në orën e mësimit. Parësore ishte mendimi dhe debati i lirë i nxënësve, veçanërisht për autorët dhe pjesët letrare". Me konsiderata shumë të larta vlerësuese shprehet edhe ish-mësuesi dhe ish- drejtori i tij Ismet Bala, ku citon: "Unë isha mësuesi i tij në gjimnaz, e më pas Frani u bë kolegu im, por mbi të gjitha mësuesi i vajzës sime, e cila çdo ditë në shtëpi më befasonte dhe "bezdiste" duke më folur për orën e letërsisë dhe mësues Franin". Vlerësimet për mësues Franin kulmojnë me dekorimin e tij me: Urdhërin "Naim Frashëri" i klasit të tretë, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë më 1998 me këtë mitivacion: "Eshtë dalluar për punë të palodhur e arritje në proçesin mësimor-edukativ dhe për përgatitje ideopedagogjike e metodike".

Nga viti 1989 deri më 1 shtator 1991, Frani emërotet inspektor në Seksionin e Arsimit të rrethit Pukë. Detyra e re i'a shtoi edhe më shumë vlerat si specialist, metodist dhe njeri i mirëshkolluar dhe komunikues me eprorët dhe vartësit. Për këtë periudhë ai shprehet: "E mora me shumë dëshirë dhe u përkushtova në detyrën e re  e cila qe me shumë përgjegjësi. Shef i Seksionit qe Prengë Pisja, qe shumë i suksesshëm dhe më jetëgjati në detyrë, në Pukë. Pas tij erdhi Isa Islami, një drejtues korrekt dhe i përkushtuar. Kontrollet e mia më shumë qenë kontroll ndihme e bashkëpunimi se sa kontrolle pedante e penalizuese. Kjo gjë vuhet re në konkluzionet e kontrolleve, të cilat në vend të vërejtjeve, kishte rekomanfime metodike, psikopedagogjike dhe shkencore për përmirësimin e punës edukativo-mësimore.

Nga 16 gushti 1991 deri më 1 tetor 1998, Frani punoi si mësues në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Pukë. Për këtë periudhë mësues Frani shprehet:-"Puna ime si mësues në këtë shkollë është pjesa më e arrirë e karrierës profesionale dhe e jetës sime. Ai kujton me tepër konsideratë ish drejtorët e shkollës Bardh Alia, Beqir Haliti dhe Xhemal Struga, si edhe mësuesit Ndokë Seferi, Mark Vata, Leze Vata, Nazmije Tafilaku, Pashkë Brozi, Sabah Djaloshi, Aleksandër Lelçaj, Bujar Mehaj, Angjelin Gjinaj etj. Shkolla pati mjaft rezultate. Matura e vitit 1995 dhe ajo e vitit 1999, është vështirë të përsëriten më në atë shkollë. Në letërsi bënim orë letrare, konkursin me titullin: "Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë", konkurse tematike" etj. Të gjitha këto mësues Frani i ka të dokumentuara me foto, vidio, përshtypje të nxënësve, të kolegëve, diskutime tetrare, punë me shkrim, që mësuesi i ruan me shumë fanatizëm edhe sot pas shumë vitesh". Një dokumentacion të tillë vështirë ta gjesh diku?! Në përfundim për këtë shkollë Frani shprehet: "Fjalët e mia nuk kanë vlerë, ju lutem, sa të keni mundësi shihni çfar ju kam vënë përpara. Ato flasin më qartë dhe më mirë se sa unë. "Dekorata", më e madhe e imja është vlerësimi që më kanë bërë nxënësit e mi". Dhe vërtet në kujtimet e nxënësve ndër të tjera për Franin, shkruhej: mësues i talentuar, kërkues dhe i rreptë ndaj vetes, logjik e dashamirës ndaj nxënësve, me energji të pashtershme...".

Në vijim Frani, largohet me banim nga Puka dhe vendoset në Tiranë... Vjen në Tiranë por nuk gjen punë në arsim... Këtu fillon dhe kalvari i gjatë i ecejakeve pranë instancave të arsimit në Tiranë, për punë...Mbeti shumë vite pa punë...plot16 vite. Zhgënjim i madh për Të... Dërgon letra në institucione, shkruan artikuj kritik në shtyp. Me konkurim arrin të emërohet si mësues provizor në Shkollën e Mesme të Bashkuar Zall-Bastar, më, 16 janar 2015. Këtu pata fatin të njihem e të  dhe të krijoj përshtypjet më të mira për Të. Ai punonte shumë me nxënësit dhe shpejt fitoi besimin e tyre. Megjithëse pak kohë qëndroi në këtë shkollë, ai shprehet: "Kam përshtypjet më të mira për nxënësit, kolegët dhe komunitetin. Qe shkollë e konsoliduar, me rregull e disiplinë, qe zonë shumë arsimdashëse dhe me njerëz të mirë". Nga shtatori 2015 deri 5 qersh 2016 punon si mësues i gjuhë-letërsisë në Shkollën e Mesme në Shëngjergj. Në përfundim të karrierës në arsim atje, Frani shton: "Largohem me përshtypjet më të mira për kolektivin, nxënësit, dhe komunitetin arsimdashës të Shëngjergjit. Ruaj komunikimin me to edhe pas pensionimit".

Gjatë karrierës së gjatë në arsim, në pozicione të ndryshme, Frani ka patur një krijimtari të pasur dhe ka shkruar e botuar artikuj të ndryshëm dhe me vlera në organe të ndryshme shtypi, si: shkrime publicistike  dhe artikuj shkencor e metodik në gazetat, si : "Zëri i popullit", "Mësuesi", "Gazetën Shqiptare", apo gazetat lokale, si: "Puka",  "Mirdita", "Përpjekja" etj. Po kështu ai ka botuar dhe mjaft shkrime metodike, kumtesa, punime shkencore psiko-pedagogjike dhe i ka botuar në revista kulturore dhe shkencore, si "Puka dhe shkolla", "Poeti i Kabashit", "Fjalë dhe shprehje" etj. Për të gjitha këto ka marrë vlerësimin e kritikës dhe të specialistëve më në zë të kohës, si Hamit Beqja etj, pasi shkrimet e tij janë trajtuar me një kulturë e profesionalizëm të lartë. Kohët e fundit si bashkëautor, kanë në dorë një botim  enciklopedik për Pukën dhe Mirditën, një projekt i madh ky dhe me  vlera të larta shkencore. Frani ka bërë një punë të madhe dhe voluminoze, si; redaktor, korektor, konsulent, recenzent në shumë libra e botime. Po kështu Frani ka të botuara shumë artikuj me tema me karakter shkencor për autorë të letërsisë shqipe . Për portrete mësuesish, studime dialektologjike, studime etnokultutore, psiko-pedagogjike etj. Siç shihet krijimtaria e tij është e gjerë dhe e larmishme,  për t'u patur zili dhe për t'u marrë si model nga gjeneratat pasardhëse. Megjithatë ka mbi 23 vjet i larguar nga vendlindja, ai mban lidhje të forta,  çdo gjë e lidh me të, dhe në shërbim të saj. Intelektualë të tillë si Frani i bëjnë nder vendlindjes dhe vendit.

...Megjithëse për pak ditë Frani mbush 70-vjetorin e lindjes, ai është shumë energjik, punon shumë dhe çliron vetëm energji pozitive... I urojmë jetë të gjatë e krijimtari të suksesshme! Për mësuesin dhe intelektualin Fran Cara, flasin faktet dhe puna.

IBRAHIM KABILI

Tiranë, më 19.05.2021



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gjekë Gjonaj: Gjon Gjonaj, misionar i arsimit shqip Gjekë Gjonlekaj: Kolë Miri Dedvukaj, simboli i besës dhe burrnisë Malësore Nue Oroshi: Kujtesë për Adem Jasharin, luftëtarin që i mësoi komandantët se si të luftohet Gani I. Mehmeti: Aziz Nishori, simbol i “Prindi & Fëmiu” Gjon Keka: Më 21 Maj të vitit 337 vdiq Perandori dardan Konstantini i Madh Hysen Kobellari: Isuf Luzaj - atdhetari i ditur, mësuesi i filozofëve të së ardhmes Gjekë Gjonaj: Rexhep Lika, imami që meriton respektin dhe nderimin më të lartë Vilhelme Vrana Haxhiraj: Nermin Vlora Falaski, “Ndriçuese e Qytetërimeve të Vdekura” Gjekë Gjonaj: Gjergj Hasanaj, personalitet me merita në fushën e arsimit, kulturës dhe folkloristikës shqiptare Rexhep Shahu: Pse bën diferencë deputeti Flamur Hoxha Dorian Koçi: Humanisti Arvanitas - Mikel Maruli Ibrahim Kabili: Arjan Sala, heroi që sakrifikoi veten, për të shpëtuar shokët Gjekë Gjonaj: Martin Gjokaj, viktima e parë shqiptare e pafajshme e ferrit komunist në Goli Otok Lirim Harka: Patrioti Xhafer Shelqi, i ndëshkuar në diktaturë, i harruar në demokraci Bushkashi & Kurti: Aqif Ymeri, nëpër dritë e mirësi Klajd Kapinova: Përkujtojmë 32-vjetorin e kalimit në amshim të bariut shpirtëror Namik Selmani: Një monument shkronjash shqip për Njeriun Monument Robert Elsie Klajd Kapinova: Sekretari i fundit i Abacisë së Mirditës Sadik Bejko: Homazh Vilson Blloshmit Viron Kona: I miri, i dituri dhe i zgjedhuri ynë, Fran Gjoka

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora