Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Gjergj Hasanaj, personalitet me merita në fushën e arsimit, kulturës dhe folkloristikës shqiptare
E diele, 18.04.2021, 11:27 AM
Gjergj Hasanaj, personalitet me merita në fushën e arsimit, kulturës dhe folkloristikës shqiptare
Nga
Gjekë Gjonaj
Trieshjanët
e kanë në gjen arsimin. Këtë a kanë dëshmuar disa personalitete të njohura të
arsimit dhe kulturës mbarëshqiptare nga
ky cep i Malësisë, që në fillimet e
shekullit XX , të cilët u diplomuan në universitetet më të njohura
evropiane të kohës, ku edhe fituan
titujt më të lartë shkencorë të profileve të ndryshme dhe
ushtruan detyra të larta në disa shtete të Evropës dhe Amerikës. Ata, natyrshëm , kanë qenë shembull dhe
frymëzim për brezat e rinj trieshjanë
në kërkim të dijes. Duke e njohur jetën dhe veprimtarinë e këtyre intelektualëve të mirëfilltë them se lista e trieshjanëve të arsimuar
është shumë e gjatë. Por, në atë
listë njerëzish të arsimuar
gjithsesi prijnë mësuesit, të cilët me punën e tyre me përkushtim kontribuuan në
misionin e tyre fisnik të dhënies së
dijes dhe edukimit të brezave të rinj. Paralel me këtë
mësuesit i kontribuan shoqërisë
shqiptare të Malësisë dhe trevave tjera shqiptare në Mal të Zi që të ruajnë, mësojnë, zhvillojnë dhe
kultivojnë gjuhën e bukur shqipe. Në atë listë mësuesish dhe mësimdhënësish të artë të gjysmës sëdytë të shekullit 20
vend të merituar zë edhe protagonisti i këtij shkrimi përkujtimor, Gjergj
( Marash ) Hasanaj, nga fshatiStjepoh i Trieshit. Kthimi i tij nga Prishtina në vendlindje me diplomën e mësuesit, që e mori në Shkollën
Normale ishte jo vetëm një gëzim i papërshkrueshëm për të personalisht e familjarët e tij, por kishte rëndësi të madhe
për arsimimin dhe edukimin e
bashkëvendësve të tij, nga të cilët nuk u nda që nga viti 1954 e deri në
vitin 1972, kur u detyrua të marrë rrugën
pa kthim të mërgimit, në
Detroit-SHBA.
Sot
kur e kujtoj këtë mësues model, arsimtar
të gjuhës dhe letërsisë shqipe, drejtor shkolle, mbledhës të folklorit e
bamirës, kam para sysh njeriun e
mirë e modest me vlera të veçanta,
intelektualin e pajisur me dije dhe i edukuar në frymën kombëtare,
punonjësin serioz e cilësor të arsimit,
drejtuesin e suksesshëm të
shkollës dhe të afërm me kolegët e
bashkëpunëtorë. Për mua mbetet i paharrueshëm bashkëpunimi i tij me babain tim, e kolegun e tij të shtrenjtë e të
besueshëm , Gjon Gjonaj, deri në ndarje
të rrugëve të jetës së tyre. Bashkëpunimi i tyre si kolegë në fushën e arsimit dhe fusha të
tjera me rëndësi shoqërore, kishte zgjatur plot 18 vite. Detyrat e sfidat që i
zgjidhnin bashkërisht, dhe me disa kolegë të tjerë, qenë me rëndësi të madhe. Rezultat i këtij
bashkëpunimi ishte respekti i ndërsjellë, gatishmëria për të ndihmuar
njëri-tjetrin si dhe sinqeriteti i gjithanshëm për të mbështetur njëri - tjetrin në çdo situatë sado e
vështirë apo e rrezikshme qe ajo për momentin.
Sukseset
dhe meritat e Gjergj Hasanajt në fushën
e arsimit, kulturës dhe folkloristikës
shqiptare janë të shumta dhe të
një rëndësie të veçantë, që nuk mund të
përmblidhen në një shkrim të vetëm
gazetaresk. Ato janë të mundshme të pasqyrohen
vetëm në një monografi eventuale
të tij, të cilën e meriton. Pa asnjë
mëdyshje. Megjithatë po fokusohem në disa nga
të arriturat e tij që kanë lënë
gjurmë të pashlyera në jetën arsimore
dhe kulturore jo vetëm në Triesh,
por edhe më gjerë.
Ky
njeri i rrallë, i rritur e i shkolluar
në varfëri të skajshme, në një mjedis
patriarkal, me rregulla fisnore, në një sistem komunist, kur çdo veprim
atdhetar konsiderohej si armiqësi, i tejkaloi sfidat e kohës. Me fillimin e punës në shkollë, e cila kishte statusin
katërvjeçar, i vuri vetes për detyrë që
ajo të rritej. Dhe, falë angazhimit të tij dhe përkrahjes së mësimdhënësve të
tjerë, ia doli të realizojë dëshirën dhe vullnetin e tij, por edhe ëndrrën e
trieshjanëve arsimdashës, që shkolla ekzistuese katërvjeçare të rritet në shkollë të plotë tetëvjeçare. Për meritat e tij të mëdha në
hapjen e shkollës tetëvjeçare dhe zgjidhet drejtor i parë i saj, detyrë të cilën e kreu
me sukses gati dy dekada. Përveç kësaj
me angazhimin e tij të matur, me mençurinë që kishte, por edhe me përkrahjen pa
rezervë të mësuesve përparimtarë të
shkollës arriti që ta pagëzojë shkollën
me emrin e heroit tonë kombëtar “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Ishte kjo një
vepër madhështore dhe pothuaj e pamundur për kohën, me të cilën mburren sot e
përgjithmonë trieshjanët. Në kontesktin
dhe rrethanat e kohës në të cilën
shkolla e Trieshit emërohet me emrin e
prijësit tonë legjendar mund të vlerësohet si një shembull patriotizmi, të
cilin edhe sot ia kanë lakmi disa shkolla
me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Gjergj
Hasanaj e arriti kulmin e krijimtarisë së tij , si mbledhës i folklorit burimor
shqiptar në Malësi të Madhe dhe në mesin e shqiptarëve tjerë në Mal të Zi .
Mbasi mblodhi dhe sistemoi këngët e ndryshme nga thesari ynë popullor botoi veprën “ Malësori këndon” në vitin
1971. Pas botimit të kësaj vepre të rëndësishme për folkloristikën shqiptare
nuk pati një jetë të qetë e të rehatshme nga pushteti, për ç ‘arsye u detyrua
të braktisë vendin e tij që e donte me
gjithë zemër e shpirt dhe të shpërngulet në Amerikë, ku edhe vdiq në vitin
1978 në rrethana ende të
pazbardhura. Vepra dhe personaliteti i tij duhet të nderohet dhe të respektohet për
kontributin e madh që dha në profesionin
e arsimtarit dhe në vjeljen e folklorit.