Udhëpërshkrim
Gjokë Dabaj: Udhëtim nëpër një pjesë të Arbërisë së dikurshme
E enjte, 01.07.2021, 07:33 PM
UDHËTIM NËPËR NJË PJESË TË ARBËRISË SË DIKURSHME
Nga
Gjokë Dabaj
Miku
im Mark Palnikaj kish dëshirë që ta shoqëroja për një vizitë në vendin që dikur
quhej "Albania Veneta" (Arbëria e Venedikut).
Marku
dhe bashkëshortja e tij, zonja Prenë Palnikaj, janë adhurues të atdheut tonë,
të hershëm edhe të sotëm, dhe nuk lënë rast pa shkuar, herë në një krahinë,
herë në tjetrën, sepse dihet që, kur i shikon me sy bukuritë e vendit të vet,
njeriu e do atë vend shumëfish më tepër se kur e njeh vetëm përmes librash.
Zonja
Prenë është profesoreshë shumëvjeçare e gjuhës dhe kutrurës angleze, ndërsa
Marku ka vite që merret me historinë tonë të Mesjetësa, duke studiuar kryesisht
dëshmi arkivore të Romës, Napolit dhe Venecias. Ka botuar deri tash një tufë
librash me dokumente të shumtë, në original dhe të përkthyer, të cilët i
plotësosjnë pazëvendësueshëm shumë boshllëqe që ka historiografia jonë për atë
periudhë.
Sa
dolëm nga territori i Shqipërisë së sotme, po dua të them, sa kaluam Tivarin, i
cili gjithashtu po tjetërsohet dhimbshëm, hymë në të quajturën "Albania
Veneta", ku bëjnë pjesë Petrovaci i sotëm, Budva, Kotorri, Perasti,
Risani, Tivati dhe të gjithë vendet që gjenden në fjordin e vetëm që ka Mesdheu
dhe që në shqip i thonë Grykat e Kotorrit, sllavisht Boka Kotorska, ndërsa
italisht Golf di Kataro (Golf di Cataro).
Nuk
ka askund asnjë tregues që këto hapësira deri vonë (madje s’e dimë as vetë deri
në ç’shekull), kanë qenë thjeshtë arbërore. Dimë që, gjatë gjithë sundimit
venediaks, kjo trevë është quajtur "Albania Veneta" dhe kjo, pa
dyshim nuk ka ndodhur pa një arsye historiko-etnike. Këto hapësira kanë qenë
pjesë e Arbërisë, prandaj dhe janë quajtur Albani.
Tjetërsimi
i parë etno-gjuhësor i kësaj Albanie ka qenë kroatizimi nëpërmjet Kishës
Katolike Kroate. Në ç’gjuhë t’ua thuash meshën besimtarëvet, atë gjuhë do të
përvetësojnë besimtarët. Fillimisht do të mësojnë lutjet në atë gjuhë, pastaj
do t’u duhet të kuptojnë predikimet dhe, më në fund, mbas tre ose katër
brezash, ai popull nuk do të flasë më në gjuhën e të parëvet të vet.
Në
këtë pikë është shumë e rëndësishme të kuptojmë që, i pari faktor, i cili ia
ndryshon gjuhën dhe që e tjetërson një popull, është gjuha në të cilën
shërbehet dhe predikohet feja. Mbas kësaj vjen administrata shtetërore e madje
mund të ndodhë që një administratë shtetërore nuk arrin t’i ndryshojë gjuhën
dhe kulturën e një kombi për qindra vjet, ndërsa një shërbesë fetare është në
gjendje ta tjetërsojë një komb në fare pak breza.
Kështu
ka ndodhur edhe në këto pjesë të Arbërisë: Pushtetin laik e kishte Venecia
italiane, ndërsa pushtetin fetar e kishte Kisha Katolike Kroate dhe populli
bëri të vetën gjuhën e kishës, ndërsa gjuhën e shtetit e përdori atje ku i
duhej dhe atëherë kur i duhej.
Por
edhe sundimit shpirtëror kroat në këto anë do t’i vinte fundi një ditë. Në
prapashpinën e Grykavet të Kotorrit, gjithkështu në një trevë arbërore, do të
zinte fill dhe do të fuqizohej Kisha Pravosllave Sërbe.
Këtë
Kishë Pravosllave Sërbe e kish përkrahur e përdorur, për të siguruar pushtetin
e vet, familja princore arbërore e Zezëvet, e cila, për t’i dhënë shembull
popullit të vet se si mund të ndërrohet lëkura sipas stinëvet, u vetëquajt
Cërrnojeviq.
Cërrnojeviqtë
ikën e shkuan, por Kisha Pravosllave Sërbe, me vlladikatin e vet në Cetinjë,
mbeti dhe u krijua ashtu kombi malazias, iliro-arbëror nga gjaku, ndërsa
sllavo-ortodoks nga besimi e gjuha.
Në
shekullin XIX ai komb, tashmë malazez, me liturgji pravosllave e me gjuhë
sllave, iu mirëgjend Rusisë Cariste për të bërë këtu një shtet sado të vogël
prorus, që ta përdorte si udhëkalim për të dalë në Mesdhe.
Mirëpo,
Mali i Zi i Moçmi (Stara Crna Goira), s’kish dalje në det. Duhej sajuar, duhej
bërë çmos që ai shtet, i sllavizuar falë shkurtpamësisë së princërvet arbër, të
kish edhe dalje në det.
Iu
dha fillimisht një và, një gji fare i
vogël, sa për të ankoruar aty ndodnjë anije. Pastaj Austria, duke dashur të
mbajë Hercegovinën për vete, ia fali Malit të Zi Tivarin, pastaj, me
rrukullisjen e rrethanavet, iu dha po këtij shteti edhe e dikurshmja
"Albania Veneta", bregdeti që fillonte në perendim të Shën-Mërisë së
Ratëzit (Rotacit) dhe arrinte deri përtej qytetit të Hercegnovit.
Kjo
Albania Veneta (Arbëri Venedikase), që ne e vizituam, s’kish tashmë asnjë
shenjë të dukshme Albanie e, madje, na u duk se kishin mbetur nën hije edhe
tiparet kroato-dalmatë, që Kisha Katolike i kish kultivuar me aq zell në ato
hapësira.
Kaluam
nëpër Kotorr, soditëm aty, nga poshtë, muret e një kështjelle ilire, unikale në
botë dhe nga më të çuditshmet që mund të jenë ndërtuar ndonjëherë për qëllime mbrojtjeje. Vazhduam
rrugën nëpër Perast dhe, në Risan (Rizoni i dikurshëm), vizituam, me ngè,
mozaikët e famshëm të një Ilirie prej kohësh të perenduar. Midis tyre shijuam
edhe pamjen e vetë mbretëreshës Teutë, pranë së cilës u fotografuam nga disa
herë. Kështu thuhet, por ne s’e dimë: A vërtet ai mozaik paraqet Teutën?
Prena
e Marku nuk e di si e ndien veten, por unë gjithë kohën pata përshtypjen se po
“ushqehesha” me lugë të zbrazët. Po ma shtrëngonte shpirtin një revoltë e
brendshme. Jo ndaj kroatëvet! As ndaj malazezëvet (sa i përket këtij aspekti)!
Ndaj tyre, për këto që kanë ndodhur në Grykat e Kotorrit, s’kam pse të kem
asnjë ndjenjë të keqe. Por ndaj mbretërvet tanë, ndaj të parëvet tanë, të cilët
e kishin mundësisnë për të bërë histori të madhe e u shuan secili më i
palavdishëm se tjetri.
Ma
mbërtheu shpirtin një trishtim i papërshkrueshëm: Mos edhe këta sundimtarët
tanë të sotëm po shkojnë po asaj udhe të mbrapshtë?! Ashtu si sot nuk është më
tokë arbërore "Albania Veneta" e dikursdhme, mos, pas 50 apo 100
vjetësh, nuk do të jenë më tokë arbërore as Ulqini, as Shkodra, as Vlora, as
Saranda, as Shkupi, as Presheva, as Mitrovica, as Peja, as Prizreni?!
Sllavët
hynë në etninë dhe në kombin tonë me anë të institucionevet të ndërgjegjes. Ne
as sot nuk e kemi një institucion kombëtar të ndërgjegjes. Ne jemi budallenj
përjetësisht të pandreqshëm, filluar prej kryeministaravet e kryeakademikëvet,
deri te shqiptari më i zakonshëm, i cili nuk gjen dot mjete jetese në atdheun e
vet, por shkon e gjen mjete jetese mu në Alaskë! Atje është mirë për 'të, këtu
le të vijë kush të dojë dhe le të derdhë ujët mbi varret e të parëvet të tij!
U
kthyem prapë në Kotorr, soditëm edhe njëherë muret madhështorë të Ilirisë së
lashtë, këtë herë jo ata në brinjë malit, por këta që shtriheshin, të rëndë e
të palëvizshëm në krejt gjatësinë e rrugës, nga lëviznin pa pushim turistët,
por që nuk dëgjojnë as edhe një fjali, nga ato që kanë përdorur ndërtuesit e
atyre mureve ish ndërtuar një rrugë e re automobilash. Ishte rrugë që çonte në
Podgoricë, por jo në Cetinjë. Përse e kishin anashkaluar Cetinjën, kryeqytetin
e dikurshëm të Malit të Zi?! A mos ky anashkalim tregonte (simbolikisht dhe
praktikisht) që Cetinja tashmë s’i hynte në punë askujt?! Cetinja
historibërëse! Cetinja kombkrijuese! Cetinja, ruajtësja fanatike e Kishës
Pravosllave Sërbe, e cila tani po kërkonte me këmbëngulje për ta shuar emrin e
Cetinjës! Më erdhi keq që ndërtuesit e asaj rruge, që lidhte Podgoricën me
Adriatikun, e kishin injoruar Cetinjën aq poshtërueshëm.
Në
rrugën që bëmë, mua si gjuhëtar, më pëlqente të përsiatja toponiminë e atyre
krahinave. Emrin e Budvës, dikur Batua, unë e zbërthej në Bat dhe Va, me
kuptimin Va-ni, gjiri, ku akostohen anijet.
(Krahaso shqip Và e frëngjisht Bato (bateau), anije. Emrin e Tivatit unë
sërish e lidh me fjalën iliro-arbërishte Và, fjalë që e kemi te Vadeja,
Vashqefni, Vaqarri. Te toponimi Gërbalj (Grbalj) kemi fjalën Gur me
prapashtesat -bë dhe -ël. Emrin e Kotorrit, Dekadaroni i dikurshëm, im atë e
zbërthente në *të-katër-anët, sepse ai vend është i rrethuar nga të gjitha anët
me male shkëmborë aq të thepisur sa rrallëkund mund të gjenden. Emrin e
Perastit mua më shkon mendja ta zbërthej në *Mbë-Rrasë-të, sepse vërtet ai
qytet qëndron, jo mbi tokë të butë, por mbi rrasa. Ndërkaq, emri i Risanit,
Rizoni i dikurshëm, është ndërtuar poshtë një terreni shkëmbor, prej nga
vazhdimisht rrëzoheshin gurë.
Sipër
Kotorrit është mali Llovqen, te i cili njerëzit njgjiteshin nëpër një rrugë
gjithë kthesa, pra gjithë Leqe. Pranë Leqënit, mu në krah të tij, gjendet një
tjetër mal me emrin Krimal, mal kryesor, mal nga më të mirët me kullota e me
pyje. Pa mbërritur në Cetinjë, janë dy katunde, njëri Zallazi, sepse trualli i
tij është zallishtë, kurse tjetri Miras, se është vend i mirë. Vetë Fusha e
Cetinjës, Njegushi, prej së cilës ka marrë emrin gjithë krahina, shpjegohet me
fjalën arbërishte Niegull. Pra, Niegullsh,-i, sepse aty gjatë gjithë vitit ka
shumë mjegull. Nëpër këtë fushë rridhte një lumë, të cilit, në një farë vendi,
i zihej rruga dhe e detyronte të humbte midis shkëmbinjvet. Të tillë lumenj, në
gjuhën iliro-arbërore, quheshin Zantina. Nën ndikimin e italishtes veneciane,
Z-ja shqiptohej C dhe kështu është krijuar emri i Cetinjës.
Herë
mbas here ua thosha me zë Markut dhe Prenës këto përsiatje të miat
etimologjike, por ruhesha për të mos e tepruar. Etimologjitë, sa tërheqëse janë
në bisedat kur njerëzit udhëtojnë, aq edhe të bezdisshme mund të bëhen, kur
shpjeguesi, duke mos e ruajtur masën, shndërrohet në llafazan.
Gjithsesi,
mendoj se bëmë një udhëtim mjaft të dobishëm. Atdheu i tjetërsuar të dhimbet
dhe njëkohësisht të shtie dridhmat: Mos po na greqizohet e sllavizohet edhe kjo
pjesë që na ka mbetur?!