Kulturë
Oana Glasu: Rexhep Shahu, një aristokrat i fjalës
E hene, 14.06.2021, 08:24 PM
REXHEP SHAHU, NJË ARISTOKRAT I FJALËS
NGA
OANA GLASU
Kohët
e fundit kam lexuar më shumë prozë ??se zakonisht, rumune ose
shqipe, por nuk mund të përmbahesha t’i çlodhja sytë te poezia e Rexhepit, të
cilin e lexova të plotë dhe që tashmë e kam thënë publikisht, se është poeti i
zemrës sime.
Rexhep
Shahu i rregullon mendimet e tij në vargje pa shumë hezitim tematik, pa hezitim
estetik dhe pa ndonjë lustrim të tepërt lirik të padobishëm për t’ia dhënë
fjalës origjinale, me të cilën ndërton poezitë e tij. Padyshim i shqetësuar nga
dilemat ekzistenciale, për të cilat nuk kërkon zgjidhje, ai ushtron, në mos
pastrimin përmes poezisë, të paktën çlirimin, në këtë mënyrë, nga vetvetja e
vet, shtypëse dhe e vështirë për tu mbajtur. Unë madje do të thosha se, më
shumë se fjala, Rexhep Shahut i pëlqejnë tingujt e saj, dridhja e saj vajtuese,
ndonjëherë, ose lëkundja e lehtë si balade, herë të tjera.
Kjo
është arsyeja pse ai nuk vendoset në një lloj të caktuar të krijimit të
poezisë, por lëviz, brenda së njëjtës ndjenjë, nga një formë e paracaktuar e
shprehjes, klasike, të themi, në një moderne, dhe nga kjo në një tjetër, mbase
me origjinë popullore.
Jehonat
e titujve të vëllimeve të poetit lajmërojnë kalime nga një temë në tjetrën: nga
gjendjet soditëse te reflektimet ekzistenciale, nga ëndrrat te meditimet, nga
jeta në vdekje, nga dashuria në rrjedhën e papërshkueshme të kohës, duke mos
përfillur as atë shoqërore e as atë politike. Nuk është realja që transmetohet
përmes fjalës, por projeksioni i saj në vetëdijen e poetit, jehona herë e
shurdhër, herë më e mprehtë e një realiteti të përafërt jo të përpunuar
filozofikisht, por vetëm, në një masë të madhe, estetikisht. Dhe realja, si një
objekt lirik, shndërrohet në kohë, me të cilën ne matim kalimin tonë të shpejtë
nëpër botë, shndërrohet në moment, si interval kohor jashtëzakonisht të
shkurtër, në jetën tonë. E vërteta përmbahet në fjalë, në atë të liruar në
formën e zhurmës, e refleksit të përvojës ekzistenciale, siç nxjerrim nga shumë
poezi të Rexhepit. Në mënyrë të guximshme, poeti ka depërtuar, që nga poezitë e
tij të para, në një univers lirik si labirint të cilin, pa u lodhur, e
eksploron hap pas hapi për të gjetur rrugën për në të vërtetën. E cila nuk
është aspak e lehtë apo e pakët.
Ndërsa
fjalët e gjuhës në të cilën ai ndien poetikisht kanë mbaruar, krijon një
rrethanor, me një ngarkesë lirike unike, duke bërë një folje emër, duke
përvetësuar një ton të domosdoshëm dhe duke bashkangjitur shenjën e veçantë të
subjektivitetit. Vargu lëshohet, në favor të mesazhit, nga rripat klasike të
prozodisë, gjuha poetike e pazakontë shprehimisht ndërmjetëson transferimin e
përhershëm midis konkreteve dhe abstrakteve, midis realeve dhe jorealeve, kurse
shoqërimi befasues të termave bisedorë, abstraktë apo edhe të zhargonit, veçon
bindshëm komunikimin poetik.
Fjala,
jo rrallë, është ndërtuar rreth imazheve ndjellëse, duke e çuar mesazhin e saj
tek lexuesi në vargje të metrikave të ndryshueshme, me një ritëm të brendshëm i
nënshtruar rrjedhës së ideve, por edhe ndjenjës poetike të fortë apo pasionale.
Por, poezitë e Rexhepit vazhdojnë akoma të diversifikohen tematikisht, nga
koncepte serioze, si jeta, vdekja, koha, te fakti i ndryshëm banal i
përditshëm, por që lidhet etikisht me vetëdijen poetike të tij. Prandaj kam
vërejtur se poeti praktikon një poetikë të ankthit ekzistencial, të thyerjes
tragjike të vetvetes, të njohjes përmes dashurisë, duke vendosur në plan të
parë kontradiktën ideatike midis vetes dhe vetes, midis egos dhe alter egos,
midis meje dhe teje, midis vetëdijes dhe ekzistencës, regjistri duke u lëkundur
dhe ai, në varësi të melodisë: serioze, e gjallë dhe ironike. Dashuria si
gjendje e pasigurisë, përfaqësimi i konkretes në formë abstrakte, si dhe
abstraktizimi i konkretes, përmbysja shprehëse e natyrshmes dhe shtyrja e
paqartësisë së gjuhës poetike deri në skaj të marrëzive janë përbërësit
thelbësorë estetikë të një gjendje lirike polifonike, të një imagjinari poetik
modern. Me një gjuhë poetike lozonjare dhe ironike, të vendosur në regjistra të
ndryshëm leksikorë – gojorë, bisedorë, retorikë – me një ligjërim lirik, rrëfim
nganjëherë delikat, i ndërtuar në përgjithësi, në vetën e parë, me mjetet e
ekspresivitetit poetik të zgjedhur sipas mishërimit të idesë dhe me një prozodi
moderne, poezitë e Rexhep Shahu kanë të gjitha atributet e një krijimi të
rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare.