Mendime
Xhemal Ahmeti: Xhamia në Bern – një shembull i mirë!
E diele, 30.05.2021, 09:00 AM
Xhamia në Bern – një shembull i mirë!
Në
kryeqytetin zviceran, në kuadër të një metashoqatë religjioze vepron edhe një
xhami me xhemat kryesisht shqipfolës. Shoqata që menaxhon xhaminë quhet
“Shoqata myslimane” e jo si rëndom perëndimit “qendra kulturore shqiptare
islamike”. Pse është mirë dhe korrekte kjo qasje e tjerat jo?
Nga
Xhemal Ahmeti
Në
Bernë ekziston një metashoqatë me emrin “Shtëpia e Religjioneve” me prapashtesën
“Dialog i kulturave”. Brenda saj janë ngritur tempuj të religjioneve të
ndryshme; budistët, hindusët, hebrenjtë, bahait, myslimanët, alevitët, të
krishterët […] ndajnë bashkërisht pallatin e subvencionuar nga shteti,
respektivisht qyteti i Bernës. Natyrisht se herë pas here shfaqen konflikte kur
njërën anë ulurin imami e nën anën tjetër budistët duan të zhyten në
kontemplacion të thellë. Megjithatë sipas shefes së fondacionit Mykytiuk [në
një intervistë në kanal religjioz gjerman] që menaxhon këtë pallat koekzistenca
funksionon mirë.
Ajo
që na bëri përshtypje për ta regjistruar këtë biznes politiko-kulturor të
qytetit të Bernës është sjellja e xhamisë aty brenda. Ajo udhëhiqet nga imami
Mustafë Mehmeti, i cili njihet këndej si njëri nga hoxhët që nuk lejoi
asnjëherë xhaminë t’ia instrumentalizojnë radikalinskit islamikë. Madje edhe
publikisht u ka shpallur luftë të njëjtëve jo vetëm njëherë. Xhamia,
respektivisht shoqata që vepron në kuadër të pallatit “Shtëpia e Religjioneve”
quhet “Shoqata myslimane”. Pra as shqiptare e as islamike. Dhe ky qëndrim është
për tu lavdëruar, ngase është korrekt. Xhamitë janë përfaqësuese të anëtarëve,
atyre që falen aty, myslimanëve. Këta shkojnë aty si religjioz e jo si
pasaporta, jo për letërsi, jo për tu kënaqur me piktura e as për të dëgjuar
referate politike mbi kombi dhe atdheun. Nuk janë ambasada politike as të
Islamit si fe e doktrinë e as të kulturave, kombeve e popujve të pjesëtarëve që
ekzekutojnë ritualet fetare aty.
Po
tani dikush do të thotë qendra në fjalë mban edhe prapashtesën “dialog i
kulturave”. Ajo do të jetë menduar për arabët, hebrenjtë dhe ndonjë shoqëri a
komb tjetër, që identitetin total nacional e gjeneron nga feja, pra ka
religjionin si konstituentin kryesor identitar, por nuk vlen për pjesën tjetër
të botës, nuk vlen për ato kombe që religjionin e kanë njërin nga segmentet e
integruara brenda kulturës së tyre po assesi përcaktuesin. Siç është puna me
shqiptarët. Shqiptarët i kanë plotë fé, ndonjëra ka dhënë kontribut më shumë,
tjera më pak gjatë zhvillimit të shqiptarëve si komb, por që të gjitha i kanë
shërbyer e jo bërë kombin shqiptar. Kjo vlen edhe për kroatët, zviceranët,
gjermanët, amerikanët, skandinavët, pra për gjithë ato botë që nuk gjeneron
ekzistencën kulturore nga Bibla, Kurani. apo ndonjë traktat tjetër që kanë
shkruar njerëzit në fillim të historisë së tyre kulturologjike.
Po
pse e veçojmë këtë xhami si shembull të mirë? Sepse atë duhet ta marrin si
shembull xhamitë dhe shoqatat e shumta nëpër perëndim të cilat faltoret e tyre
i kanë maskuar me sloganet jokorrekte “shoqata kulturore shqiptare islamike”,
gjë që nuk shkon aspak, ngase ato hapësira s’kanë të bëjnë assesi me
identitetin, kulturën shqiptare, por janë tempuj tufash private, të cilat
shfrytëzojnë lirinë e tyre në fé dhe që bashkohen për t’iu lutur zotit të tyre,
njërit nga perënditë e shumta që kanë shqiptarët féshumë e unikomb. Janë
shoqata myslimane e jo islamike, po ashtu ngase aty nuk ka akademi për studime
islamike, as shkruhen fatwa e të llojit. Nëse janë islamiste, pra janë politike
atëherë dakord, le të deklarohen ashtu. Pra është një keqpërdorim eklatant,
mashtrim i opinionit vendor dhe vetë myslimanëve që frekuentojnë aty.
Askush
nuk ka gjë kundër pse shqiptarët i kanë religjionet e tyre dhe se pjesëtarë të
kësaj kulture organizojnë në mënyrë private kultet e tyre ku zhvillojnë
ceremonitë e devotshmërisë, por ato nuk kanë të drejtë në përfaqësimin e
kulturës, identitetit dhe qenies shqiptare, në asnjë aspekt. Diplomacitë e
shteteve shqiptare duhet të merren me këtë punë. Duhet të bisedojnë me këto
shoqata që mos keqpërdorin ato që konsiderohen të përgjithshme si “kombëtare”,
“shqiptare”, “kulturore” për interesa të ngushta grupore. A është i mundshëm ky
kompromis?
Marrë
nga https://www.gazetaexpress.com/