Mendime
Florim Zeqa: Orët e gjata të pritjes!
E hene, 24.05.2021, 06:46 PM
Orët e gjata të pritjes!
Shkruan:
Florim Zeqa
Pas
vendimit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika
Gërvalla për shkarkimin e ambasadorëve,
siq i quan ajo të emëruar politikisht duke u thirrur në emrin e reformave të
shërbimit diplomatik.
Miratimi
i menjëhershëm i këtij vendimi nga ana e presidentes Vjosa Osmani për lirimin
nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikisht është bërë temë
diskutimi në opinionin publik dhe ka shkaktuar reagime të shumta në mesin e
partive opozitare e sidomos nga të shkarkuarit në misionet diplomatike.
I
fundit që reagoi pas vendimit të ministres Gërvalla ishte kryeministri Albin
Kurti, i cili u shprehë me optimizëm; “ky është hapi i parë në reformën e
domosdoshme në shërbimin e jashtëm dhe MPJ, duke shtuar se shumë shpejtë do të
bëhet dekretimi i i diplomatëve të rinjë”.
E
përbashkëta e deklarimeve të tre zyrtarëve të lartë shtetërorë (Gërvalla,
Osmani dhe Kurti) ishte “falenderimi” për ambasadorët e shkarkuar për
kontributin e dhënë për vendin!
Në
javët apo ditët në vijim kur pritet të bëhet përzgjedhja e ambasadorëve të
rinjë, dihen emrat e diplomatëve të shkarkuar 1. Beqë Cufaj – Gjermani, 2. Nait
Hasani – Shqipëri, 3. Arbër Vllahiu – Çeki, 4. Lirim Grejqevci – Holandë, 5.
Shpend Kallaba – Hungari, 6. Gezim Kasapolli – Kroaci, 7. Avni Kastrati –
Slloveni, 8. Gjergj Dedaj – Maqedonia e Veriut, 9. Hajdin Abazi – Australi, 10.
Ylber Hysa – Mali i Zi, 11. Avni Arifi – Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 12.
Amir Ahmeti – Katar.
Dilema
e hapur mbetët se cilët do të jenë pasuesit e tyre apo emrat diplomatëve të
preferuar të pushtetarëve të rinjë!
Në
mesin emrave më të përfolur janë edhe të disa intelektualëve krijues në Kosovë
dhe Diasporë të cilët i shkrinë pendat e tyre duke ju thurur lavde pushtetarëve
të rinjë!
Deri
atëherë, lobuesit e pushtetarëve të rinjë do të i përjetojnë orët e gjata të
shpresës dhe ankthit, ngase jo të gjithë do ta kenë privilegjin e përfshirjes
në stafin diplomatik, përkatësisht të zgjedhjes në postet vakante të
ambasadorëve në shtetet respektive ku janë Ambasadat e Republikës së Kosovës.
Pas
orëve të të gjata të pritjes, do të pasojnë orët e gëzimit të papërshkruar dhe
të zhgënjimit të thellë të intelektualëve krijues dhe disa veprimtarëve që u
rreshtuan përkrahë pushtetarëve të rinjë!
E
vërteta dhe e përbashkëta e këtij rrotacion politik është e njëjtë, sikurse
emërimi i ambasadorëve (diplomatëve) praraprakë që ishte politik, edhe
shkarkimi i tyre është politik.
E
vërteta është se vendimi politik për shkarkimin e ambasadorëve nuk ka të bëjë
fare me përformancën e tyre në shërbimin diplomatik, por si kriter i shkarkimit
u përdor përkatësia apo afërsia partiake, pasi të gjithë diplomatët e shkarkuar
ishin të përzgjedhur nga ish partitë në pushtet, po ashtu pa përfillur kritere
dhe kualitetete profesionale.
Do
të ishte e logjikshme, nëse ndonjëri prej ambasadorëve nuk e ka kryer punën
mirë, të shkarkohej me procedura të rregullta ligjore dhe të bëheshin
transparente mangësitë e punës së tyre, por jo të shkakrkohen në “bllok” duke i
“falenderuar” për punën e mirë në shërbim të vendit.
Falenderimi
dhe shkarkimi nuk shkojnë në të njëjtit binarë!
Falenderimi
për ambasadorët e deritanishëm do të kishte kuptim në fund të mandatit të tyre
politik, por assesi pas shkarkimit pa asnjë justifikim bindës për qytetarët e
vendit dhe bashkatdhetarët.
Kjo
përveq papjekurisë politike, e dëshmon vazhdimin e diskursit të hakmarrjes
politike nga ana e pushtetarëve të rinjë, për të sjellur në vend të diplomatëve
paraprakë militant partiak dhe servil të rinjë që lobuan gjatë fushatës
zgjedhore për ardhjen në pushtet të një klase më pak të re, por më shumë të
vjetër dhe të ricikluar politike.
Pas
përfundimit të procesit të emërimit të ambasadorëve të rinjë do të jemi
dëshmitarë të reagimeve të shumta dhe interesante të lobuesve që nuk do të jenë
pjesë e përzgjedhjes së pushtetarëve të rinjë.