Mendime
Florim Zeqa: Mos e ndani Albinin nga Vjosa dhe Donika!
E merkure, 19.05.2021, 06:27 PM
Mos e ndani Albinin nga Vjosa dhe Donika!
Shkruan:
Florim Zeqa
Thurja
e lavdeve të parakohshme për pushtetarët e rinjë, mbjellë iluzione tek
qytetarët dhe shkakton mendjemadhësi tek politikanët e sapozgjedhur, akoma pa u
akomoduar mirë në kolltuqet e tyre. Vlera e një politikani matet me mbajtjen e
premtimeve dhe konsistencën e qëndrimeve politike e jo në bazë të lavdatave dhe
prezencës mediatike.
Pse ne shqiptarët nuk
dimë të lavdojmë dhe as kritikojmë!?
Sepse
lavdatat kemi dëshirë t'i personalizojmë, ndërsa kritikat t'i gjeneralizojmë!
Sikurse
për një sukses të përbashkët, që meritat u takojnë të gjithëve, edhe në rast të
dështimit përgjegjësit janë të përbashkëta.
Sikurse
çdo gjë tjetër, edhe lavdatat e kanë kohën e vet.
Çdo
gjë që shkruajmë dhe themi në kohë fushate zgjedhore për një politikan (e)
është në suazat e normales, por jo edhe pas zgjedhjeve, për shkak të
kundërefektit dhe monotonisë.
Duke
i lexuar dhe dëgjuar lavdatat e disa "rugovistëve" për Vjosen dhe
Donikën si shpëtimtare të vendit pa e përmendur fare Albin Kurtin si
protagonistin dhe më meritorin për suksesin e tyre, njeriu i zakonshëm e krijon
përshtypjen se kemi të bëjmë me dy realitete të ndara të një liste të vetme
zgjedhore.
Për
aq sa është e lidhur ngusht fitorja e Albin Kurtit me Vjosa Osmanin dhe Donika
Gërvallën, po aq është e lidhur fitorja e LVV-së me LDK-në dhe anasjelltas!
Pa
votat e LDK-së, LVV-ja nuk do të fitonte kaq bindshëm në zgjedhjet e 14
shkurtit 2021 dhe as Vjosa Osmani nuk do t'i merrte më shumë se 100 mijë vota
të elektoratit të LDK-së.
Nuk
është se po e shpiki unë "ujin e nxehtë", por këtë të vërtetë e
tashmë e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Krahasime përtej
imagjinatë njerëzore
Të
anashkalohet në lavdata Albin Kurti dhe të ekzagjerohet me glorifikime për
Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën, jo vetëm që është pandershmëri, është edhe
mëkat njerëzorë.
Madje
në disa raste lavdatat glorifikuese shkojnë përtej imagjinates njerëzore, duke
i krahasuar zonjat e nderuara me të pakrahasueshmin dhe të paarritshmin Ibrahim
Rugova!
Krahasimet
e tilla përveqse banale, janë fyese për personalitetin e Ibrahim Rugovës, për
shkak se ai asnjëherë nuk iu ka vardisur një ideali tjetër politik dhe as që iu
ka nënshtruar presioneve të brendshme dhe të jashtme (ndërkombëtare) për
ndryshimin e vizionit politik në shtetformimin e Kosovës.
Përderisa
dy zonjat e nderuara, në veçanti Vjosa Osmani u zhvesh tërësisht nga ideologjia
partiake dhe filozofia politike e Ibrahim Rugovës për kënaqjen e egos personale
për t'u bërë presidente në njërën anë dhe për ruajtjen e besnikërisë ndaj Albin
Kurtit në anën tjetër, ky i fundit, edhe pse përplot me hipokrizi, për të mos
thënë ndryshe, u shndërru në vizitorin numër 1 tek varri i presidentit historik
Ibrahim Rugova, të cilin deri dje e injoronte në tërësinë e tij!
Sakrificat e dyanshme
për pushtet
Përderisa
Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla për Albin Kurtin rrezikuan të treten si
personalitete politike, Albin Kurti e rrezikoi pushtetin e tij për zgjedhjen e
Vjosa Osmanit presidente!
Pa
"zemërgjërësinë dhe gjenerozitetin" e LDK-së, sot as Vjosa Osmani nuk
do të ishte presidente dhe as Albin Kurti sot nuk do t'i ishte i
gjithëpushtetshmi në Republikën e Kosovës.
Si
rezultat i këtyre veprimeve, qytetarët e Kosovës, e në veçanti elektorati i
LDK-së nuk e kanë ende të qartë, se a është LDK-ja levë e pushtetarëve të rinjë
apo e opozitës kosovare.
Për
këtë arsye, të gjithë adhuruesit e Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës, në
momentin që e vendosin t'u thurin lavdata zonjave në fjalë, pa tjetër duhet t'i
falenderohen Albin Kurtit, më meritorit për postet që ato sot i gëzojnë, pa e
harruar asnjëherë amëzën e tyre-LDK-në.
Për
dallim nga "rugovistët", militantët e LVV-së në lavdatat e tyre për
Albin Kurtin nuk i ndajnë as Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën!
Mos e ndani as ju
"rugovist" Albinin nga Vjosa dhe Donika!
Pas
daljes së Adem Demaçit nga burgu, filluan t'i thuren këngë dhe lavde, ai kishte
reaguar në këtë mënyrë; "Është herët për t'i kënduar Adem Demaçit, nuk i
dihet jetës, sot jam i mirë, nesër mund të bëjë gabime..."
Prandaj,
është mirë ta presim fundin e mandatit politik të kësaj qeverie dhe kësaj
presidentje, pastaj t'ua këndojmë këngën që e meritojnë!