E shtune, 12.10.2024, 01:33 PM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Mjerimi i intelektualëve krijues!

E premte, 21.05.2021, 08:45 PM


Mjerimi i intelektualëve krijues!

Shkruan: Florim Zeqa

Dukuria e vrapimit pas pushtetarëve nuk është dukuri e re, ajo është e vjetër sa vet shqiptarët. Kjo është pasojë e pushtimeve të gjata, të cilat kanë prodhuar servil dhe puthador të pushteteve.

Për fat të keq, praktika e servilizmit ndaj pushtetarëve ka vazhduar edhe përgjatë pushteteve të ashtuquajtura "popullore" në periudhën e komunizmit dhe po vazhdon edhe sot në sistemin demokratik, ku shprehja e (fuqia) e fjalës së lirë duhet të ngadhjejë mbi çdo lloj pushteti autokratik.

Nuk janë të paktë krijuesit apo njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës, gjegjësisht pushtetarëve të pasluftës në Kosovë. Disa prej tyre këtë e bëjnë të prirë nga bindjet e veta politike, disa për sigurimin e përfitimeve personale nga pushtetarët, disa nga frika për t'i ruajtur privilegjet nga pushtetet e kaluara dhe për t’iu shmangur ndëshkimit nga pushtetarët e rinjë, kurse disa të tjerë e bëjnë vetëm për shkak të natyrës së tyre servile, kurse të paktë janë krijuesit që nuk nënshtrohen dhe servilizohen, por që e thonë të vërtetën lakuriqe ashtu siq është dhe si duhet të jetë.

Në atë vend ku shkrihet penda e krijuesit për pushtetarët, nuk bëhet fjalë për ndryshim, por vetëm për nënshtrim dhe servilizëm të skajshëm.

Krijuesit duhet të jenë në shërbim të popullit e jo të pushtetarëve

Futja e shpirtit të një krijuesi apo intelektuali nën grilat e pushtetarëve, apo hyrja nën kthetrat partiake është pak më tepër se vetëvrasje, është mjerim dhe ngulfatje e shpirtit për së gjalli.

Shoqëria civile bashkë me krijuesit dhe intelektualët e pavarur duhet të jenë korrektorët e përhershëm të pushtetarëve!

Intelektualët krijues duhet të bëhen forcë kreativiteti dhe zë i fuqishëm i ndryshimeve të pëgjithshme shoqërore, e jo të bëhen zë i pushtetarëve, por të shndërrohen në zë plural dhe i respektuar nga qytetarët e vendit.

Në anën tjetër, qytetari i Kosovës duhet të shndërrohet në një qenje aktive politike, për t'i shprehë lirshëm opinionet e veta, e jo të mbetët shikues apo monitorues i gënjeshtrave dhe mashtrimeve, e aq më pak të bie pre e lavdatave glorifikuese të krijuesve të nënshtruar para kohe përballë pushtetarëve!

Vetëm pseudointelektualët i nënshtrohen tutelës së pushtetit

Intelektualët e mirëfilltë edhe përkundër këmbimit të ideve dhe mospajtimeve për tema të caktuara, asnjëherë nuk thyhen mes tyre, përkundrazi prodhojnë një gamë të gjërë mendimesh dhe ideshë në funksion të shtetit dhe të mirës së qytetarëve.

Intelektualët e shkëputur nga interesat e popullit punojnë vetëm për interesat e pushtetarëve, e më së paku ose hiq për interesat e qytetarëve. Intelektualët në shërbim të pushtetarëve të gjitha energjitë e tyre i shpenzojnë për revanshizëm ndaj intelektualëve aktiv dhe të pavarur duke i mbajtur në thumb të kritikës, si "përçarës dhe rrënues të sistemit".

Përderisa të gjithë intelektualët e shteteve të Ballkanit dinë të bashkohen dhe pajtohen në kohë krizash nacionale, duke lënë mënjanë mospajtimet dhe zënkat personale.

Për fat të keq tek ne akoma zhvillohet një revanshizëm primitiv i përcjellur me urrejtje patologjike, me tendencë shkatërrimtare për shtetin e Kosovës, i cili po kalon orët më të liga që nga përfundimi i luftës e këndej.

Intelektualët e vërtetë nuk guxojnë të heshtin përballë sfidave të kohës nëpër të cilën po kalojmë, por duhet gjetur rrugë dhe mënyra të reja të organizimit jashtë koncepteve dhe ideologjive partiake, për të krijuar një organizim të mirëfillt të shoqërisë sonë konformë rrethanave të reja kohore në funksion të unifikimit dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një front të përbashkët, për të mbrojtur Republikën e Kosovës nga ndarja si dhe mbrojtjen e shoqërisë nga degjenerimi i antivlerave dhe kulturave të huaja të instaluara në hapësirat ku jetojnë shqiptarët.

Këtë shkrim dëshirojë ta përfundoj me një thënje të vjetër origjinale; "Duhet ndërru truni këtij populli. Mendimi im është që pa iu ndërru truni këtij populli-e truni ndërrohet në shkolla kryesisht-dhe pa u formu një çetë intelektualësh me pikëpamje perëndimore, ne nuk kemi kurrsesi si menojmë me hy në Europë" (At Zef Pllumi).



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora