Mendime
Adil Fetahu: Në 60-vjetorin e Maturës në Normalen e Prishtinës
E shtune, 29.05.2021, 09:01 PM
NË 60-VJETORIN E MATURËS NË NORMALEN E PRISHTINËS
Shkruan:
Adil FETAHU
Pararendëset
e Normales së Prishtinës
Ideja, interesimi dhe
kërkesa e parë për hapjen e shkollës normale, për të përgatitur mësues të
kualifikuar për arsimin shqip, ka rrjedhur nga rilindasit tanë të hershëm:
Pjetër Mazreku, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Jeronim de Rada, Sami Frashëri, etj.
Shtigjeve të kësaj ideje, Shkolla
e parë Normale Shqipe-Vëllëhe është hapur në Bukuresht, në vitin 1892,
me drejtor Nikolla Naçon, nga Korça,
veprimtar i dalluar i Rilindjes Kombëtare, i cili ishte edhe kryetar i
Shoqërisë “Drita”. Shoqëria “Drita” e Bukureshtit kishte siguruar mjetet dhe
konviktin për nxënësit e paktë të asaj Shkolle. Shkolla ka funksionuar afro dy
dekada, nga e cila kanë dalur më se 100
mësues, intelektualë e iluministë të njohur, si: Dervish Hima,
Mihal Grameno, Kristo Luarasi, Lasgush Poadeci, Shahin Kolonja, Jashar
Erebara, Asdreni, Dimitër Male e shumë
të tjerë.
Nëse për Normalen e
Bukureshtit dihet fare pak, për Normalen e Elbasanit, e hapur në
vitin 1909, dijnë pothuajse të gjithë mësuesit shqiptarë dhe jo vetëm ata,
prandaj unë këtu nuk do ta elaboroj rolin, rëndësinë dhe funksionimin e saj në
përgatitjen e mësuesve për shkollën shqipe. E dini edhe ju, qe keni lexuar e
dëgjuar aq shumë dhe që në vitin 2009, në 100-vjetorin e hapjes së asaj shkolle, vizituam Muzeun e
Normales, kur nga dokumentacioni dhe fotografitë e shumta dhe nga shpjegimet e
kustosit të Muzeut, Genci Trandafili, “Mësues i merituar”, u njohëm më hollësisht mbi ecurinë e
zhvillimit dhe punës së shkollës më emërmadhe shqiptare deri më sot.
Pas Normales së Elbasanit, u
hapën edhe disa shkolla normale në qytetet e tjera: Shkolla Normale
e Beratit (1913), kur drejtor i arsimit në Berat ishte Sali Gjuka
nga Peja; Shkolla Normale e Shkodrës që u hap në kohën e Luftës së Parë Botërore, në vitin
1917, kur Shkodra ishte nën pushtimin e Austrohungarisë, ndërsa ministër i
arsimit ishte Luigj Gurakuqi. Si Shkollë Normale punoi deri në vitin shkollor
1922/23, kur u shndërrua në shkollë të përbashkët e cila quhej Gjimnazi (apo
Liceu) i Shkodrës, me dy drejtime: drejtimi i gjimnazit (liceut) të
përgjithshëm, klasik, dhe drejtimi i
Normales për përgatitjën e mësuesve aq të nevojshëm për shkollën shqipe. Në
vitin 1931, në Tiranë ishte hapur Shkolla Normale Femërore (“Naim Frashëri”,
më vonë u quajt Shkolla Normale “Nëna
Mbretëreshë”).
Në Prishtinë për herë të
parë ështe hapur shkollë e mesme në
gjuhën shqipe Shkolla Normale “Sami Frashëri”, e
themeluar me vendim të ministrit të
arsimit, Ernest Koliqi, dt. 12 nëntor 1941, ndërsa punën e filloi më 17 dhjetor 1941, në kohën kur vendi ishe
nën pushtimin e Italisë. Përveç Normales në Prishtinë, me të njëjtin Dekret të
ministrit Koliqi u hapën edhe 13 shkolla tjera të mesme profesionale nëpër qytetet e viseve të
“Çliruara” shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi (prej Ulqini deri në Dibër e
Gostivar). Shkolla Nomale e Prishtinës,
ishte e përbashkët me gjimnazin, drejtimi liceal. Drejtor i parë i Shkollës
ishte Dr Rexhep Krasniqi, ndërsa në
vitin shkollor 1943/44, që ishte edhe viti i fundit të funksionimit të asaj
shkolle, drejtor ishte Ahmet Gashi. Asokohe Shkolla kishte kuadrin më të
kualifikuar profesional, disa doktorë shkencash
dhe shumica me titull profesor, nga shkollat e larta dhe universitetet e
kryera jashtë vendit. Në vitin e fundit shkollor (1943/44, kishte këta
profesorë: Ahmet Gashi (drejtor), Rauf Zajmi, Ibrahim Kelmendi, Zeqir Bajrami,
Rashit Kashari, Ymer Berisha, Luigj Franjo, Idriz Ajeti, Zef Shpani, Kolë
Parubi, Farudin Beli, Xhevdet Harbuli, Pjeter Elezi, Vasil Toli, Eftim Deri, Xhavit Saraçi, Feti
Dizdari, Liko Tode, Xhemil Et-hemi, Adem Gllavica, Luan Gashi dhe Zef Kakariqi.
Shkolla Normale “Sami Frashëri” e Prishtinës, si dhe shkollat e tjera në gjuhën shqipe u mbyllën
në nëntor të vitit 1944, për shkak të shpërthimit të luftës së shtuquajtur “Nacional-çlirimtare”.
Pas përfundimit të Luftës së
Dytë Botërore gjithçka mungonte, ndersa një prej mungesave ma të mëdha ishte
mungesa e mësuesve për shkollën shqipe. Këshilli Popullor i Provincës Autonome
të Kosovë-Metohisë, në seancën e legjislaturës së parë, të mbajtur në Prizren
më 16-17 qershor 1946 (asokohe Prizreni ishte kryeqyteti i Kosovës), mori
vendim për hapjën e Shkollës Normale
në Gjakovë. Shkolla e emërtuar Shkolla Normale “Gjon
Nikollë Kazazi” filloi punën më 26 nëntor 1946, me 50 nxënës. Drejtor i
Shkollës ishte emëruar Beqir Kastrati, i cili mbante edhe orë mësimi, ndërsa
mësimdhënësit e parë të tjerë ishin:
Hasan Vokshi, Nevruz Nura, Dhimitër Fullani, Apostol Tanefi. Më vonë, në
atë shkollë kishin ardhur Lirije Tanefi, Margarita Gjurashkoviq (ruse
nga Moska), Tajar e Muzafere
Hatipi, Dhimitër Markaj, Et-hem
Stublla, Rexhep Shpendi, Nikolla Dragiçeviq, Jusuf Nimani, Shaip Ademi, Vaso
Bullatoviq. Disa prej tyre ishin me honorar. Mësimi zhvillohej nga 19 lëndë
mësimore: Gjuhë shqipe, gjuhë serbokroate, gjuhë ruse, histori, gjeografi,
bujqësi, psikologji, pedagogji, ligjikë, metodikë, matematikë, fizikë, kimi,
bujqësi, njohuni natyre, muzikë, punëdore dhe gjimnastikë. Shkolla ishte
katërvjeçare, por punoi me program të
shkurtuar, dyjveçar, ashtu që maturantët e parë dolën në vitin 1948. Nga 35
kandidatë që hyjnë në provimin e maturës, 26 kaluan me sukses.
Në vitin e fundit shkollor,
1952/53, Normalja e Gjakovës kishte 278 nxënës në të katër klasët, me të cilët
mbanin mësim 12 mësimdhënës: Bqir Kastrati (drejtor), Abdullah Zajmi, Ibrahim
Zherka, Halil Dobroshi, Ismet Canamusa, Xhavit Limani, Durmish Rizvanolli, Esat
Kryeziu, Naim Polloshka, Mustafa Hima, Mihajllo Stoshiq dhe Bllagoje Stojanoviq. Atë vit shkollor në
Normalen e Gjakovës punoi edhe Kursi Pedagogjik, të cilin e ndoqën 35 kursistë.
Shkolla
Normale Shqipe e Prishtinës
Pas shtatë vjet pune në
Gjakovë, me vendim të Këshillit Krahinor
për Arsim, Shkolla Normale u transferua prej Gjakove në Prishtinë. Arsyet që
përmendën në vendimin mbi transferimin janë të shumta: se Prishtina është
kryeqendër administrative, politike e kulturore, ku janë të koncentruara
institucione të shumta kulturore: teatër, kinema, muze, bibliotkë etj;, se është në qendër të Kosovës ku mund të
gravitojnë më shumë nxënës; se ka më shumë kuadra profesionale të përgatitura
për mësimdhënës; se ka objekt të ri e të
përshtatshëm për zhvillimin e mësimit dhe për konvikt, etj. Natyrisht, mes
këtyre shkaqeve, ka pasur edhe shkaqe tjera (politike), për t’iu shmangur
ndikimit të frymës politike që mund të depërtonte nga Shqipëria në shkollën që
ishte afër kufirit.
Ishte shpallur konkursi për
regjistrimin e 120 nxënësve në klasën e parë në Normalen e Prishtinës, për vitin shkollor 1953/54, kushtet e
konkursit dhe sigurimi i bursave për të gjithë kandidatët e pranuar, si dhe mundësia
e vendosjës në konvikt. Megjithë kushtet e favorshme, në afatin e konkursit
ishin paraqitur gjithsejt 47 kandidatë, prandaj është dashur një angazhim i
strukturave politiko-shoqërore për ta përmbushur numrin e kërkuar me
konkurs. Kishin ardhur kandidatë nga të
gjitha trevat e Kosovës si dhe 15 kandidatë nga trevat shqiptare jashtë
Kosovës. Për të vazhduar mësimet në klasët e II, III dhe IV-ta, kishin ardhur
nxënësit e Normales së Gjakovës. Përpos nxënësve të rregullt, në këtë Shkollë
ishte hapur edhe kursi i lartë për kualifikimin e mësuesve, me 52 kandidatë, të
ndarë në dy paralele.
Ndërtesa e Shkollës Normale
të Prishtinës
Normalja e Prishtinës e
filloi punën më 10 shtator 1953. Drejtor ishte emëruar Kemal Deva, nga
Mitrovica, një personalitet autoritativ, i rreptë por shumë i përkushtuar për
mbarëvajtjën e punës në Shkollë dhe në
Konvikt.
Shkolla filloi punën me këta
mësimdhënës: Kemal Deva (drejtor), Abadullah Zajmi (gjuhë shqipe), Jak Mita
(gjuhë shqipe), Zekeria Rexha (gjuhë frenge), Zhivojin Llazareviq (gjuhë
serbokroate), Ibrahim Zherka (histori), Halil Dobroshi (gjeografi), Shyqëri Jakpi (pedagogji), Zija Këpuska
(fizikë-kimi), Ahmet Mumxhiu (matematikë), Feti Zhubi (vizatim), Shefqet Veliu (biologji), Tajar Hatipi
(metodikë), Engjëll Berisha (muzikë),
Xhavit Spahiu (fiskulturë), Jusuf Shushka (filozofi dhe pedagogji), Spasoje
Bogdanoviq (parasushtarak).
Me qenë se asokohe ishte në
fuqi “centralizmi demokratik”, edhe sistemi shkollor dhe planet mësimore ishin
të njëjta (unike) në tërë Jugosllavinë. Kështu ishte edhe për shkollat
normale. por në Normalen e Prishtinës
në njëfar mënyre u ruajt fryma dhe tradita e Normales së Elbasanit, falë disa
mësimdhënësve të cilët kanë qenë nxënës të asaj Shkolle.
Në Normalen e Prishtinës
mbretëronte rend e rregull, disiplinë e pastërti. Poashtu edhe në Konviktin e
Shkollës. Normalja ishte institucioni më i rëndësishëm arsimor, ishte
shkollë elitare, ishte shkollë kombëtare për shqiptarët në Jugosllavi dhe ishte pasqyrë e shkollave tjera të mesme në Kosovë. Në ndërkohë u bë shkollë
e madhe përkah numri i nxënësve dhe numri i mësimdhënësve më të përgatitur
profesionalisht dhe autoritaivë. Për
misionin dhe rëndësinë që kishte, për përgatitjen e mësuesve,
edukatorëve, intelektualëve për shkollën
shqipe, Normalja shikohej, vlerësohej
dhe trajtohej më ndryshe prej shkollave tjera të mesme, si prej atyre
(organeve) që e kishin themeluar,
poashtu edhe prej popullit, prej mësimdhënësve dhe prej nxënësve të saj.
Sepse, ishte fidanishte e madhe, në të cilën mbilleshin dhe rriteshin fidane të
shëndosha për arsimin, edukimin dhe
kulturën shqiptare. Jo pa të keq, propaganda e politikës shoviniste serbe
Normalen e quante “Universiteti shqiptar”. Ishte nderë të ishe normalist, sa që edhe sot e kësaj dite ish-normalistët këtë
emër e mbajnë për nderë. Këtu vinte në shprehje ajo thënia, të cilën iluministi ynë Sami Frashëri
e përdorte shpesh: “Nëse do të korrësh për një vit, mbill misër e grurë, po
nëse do të korrësh për 100 vjet, mbill
arsim e kulturë”. Shumë nga ish-nxënësit e Normales së Prishtinës u bënë
emra të njohur të arsimit, shkencës dhe kulturës: profesorë universiteti,
shkencëtarë institutesh, poetë, shkrimtarë, mjekë, juristë, ekonomistë,
sportistë dhe pofile tjera.
Gjenerata
jonë (1956 – 1961)
Me gjeneratën tonë filluan
dhe vazhduan disa reforma në Normalen e Prishtinës. Për herë të parë, gjenerata
jonë u pranua në Normale me provim pranues. Prej Gjeneratës sonë Normalja u bë
me kohëzgjatje 5-vjeçare. Në vitin e dytë të Gjeneratës sonë (1957/58),
Normales që deri atëherë ishte vetëm shqipe, iu shtuan edhe dy paralele me
mësim në gjuhën serbokroate. Gjatë shkollimit të Gjeneratës sonë erdhën një
numër i konsideruar i mësimdhënësve, të cilët kishin kryer fakultete. Gjatë 20
vjetëve të punës së Normales në Prishtinë, në periudha të ndryshme kanë qenë
190 mësimdhënës, ndërsa në periudhën e shkollimit të gjeneratës sonë kanë qenë
këta mësimdhënës: Kemal Deva
(drejtor), Abdylhamit Adili (kimi,fizikë)).
Abdullah Zajmi (gjuhë shqipe), Ahmet
Mumxhiu (matematikë), Abdullah Gërguri (vizatim), Arsim Fehmiu
(ed.fizike), Ali Hadri (histori), Beqir
Kastrati (lëndë pedagogjike), Brkiq Liljana (gjuhë frenge), Bogdanoviq Spasoje
(paraushtarak), Burhan Begolli (ed.muzikore),
Çurçiq Mara (filozofi, psikologji), Demush Shala (gjuhë shqipe), Dervish Rozhaja (biologji), Drita Dobroshi
(histori), Engjëll Berisha (art figurativ),
Enver Gjerqeku (gjuhë shqipe), Fehmi Agani (sociologji), Gjorgjeviq Rada
(punë dore), Halil Dobroshi (gjeografi),
Halil Jupa (biologji), Hasan Mekuli (letërsi botërore dhe jugosllave), Hazir
Shala (gjuhë shqipe), Ismail Hoxha (muzikë), Jak Mita (gjuhë shqipe), Jashar
Rexhepagiq (pedagogji), Jusuf Shushka
(pedagogji, metodikë), Jozefina Bala (ed.muzikore), Janjiq Jellena (gjuhë
serbokroate), Kojçinoviq Rada (gjuhë serbokroate), Kostiq Svetozar (bujqësi),
Llazoviq Liljana (gjuhë serbokroate), Manitasheviq Vera (muzikë instrumentale),
Markoviq Marko (muzikë instrumentale), Murteza Luzha (filozofi), Mubera Rexhepagiq (kimi), Ollga Sharku (ed.fizike), Pajazit Nushi (psikologji),
Pejçinoviq Jovan (biologji), Radmilla Shiroka (gjuhë serbokroate), Radanoviq
Ivo (ed.fizike), Rexhep Hoxha (gjuhë shqipe), Rusinoviq Milleva (gjuhë
serbokroate), Sali Nushi (drejtor; lëndë
pedagogjike), Salih Qylergjiu (gjuhë shqipe), Sejfullah Rrmoku (vizatim),
Sekulloviq Vojisllav (gjeografi),
Skender Oroshi (ed.muzkore), Shefqet Veliu (biologji), Shefqet Pllana
(muzikë instrumentale), Tajar Hatipi (lëndë pedagogjike), Vahide Hoxha
(histori), Zekije Pallaska (gjuhë shqipe),
Zeqir Bajrami (gjeografi), Xhavit Spahiu (ed.fizike), Zhivojin
Llazareviq (gjuhë serbokroate). Shumica e arsimarëve serbë kanë ardhur pasi
janë hapur paralelet për mësim në gjuhën serbe, për të mbajtur mësimin në ato
paralale, por disa kanë qenë më heret dhe kanë mbajtur mësim në paralelet
shqiptare, që ligjëronin dhe pyetnin në gjuhën serbokroate, gjëqë ishte pengesë
e madhe për shumicën e nxënësve të cilët nuk e njihnin atë gjuhë.
Me vendim të Këshillit
Krahinor për Arsim, viti i pestë i gjeneratës sonë u shkurtua për një semestër,
ashtu që pas mbarimit të gjysëmvjetorit të parë dhe provimit të maturës, 120
nxënës të kësaj Gjenerate dolën në detyrën e mësuesit, në vendet në të cilat i
caktonte organi kompetent i arsimit.
Filimet e
kësaj Gjenerate
Pas seleksionimit të rreptë
nga një numër i konsiderueshëm i kandidatëve të paraqitur sipas konkursit, provimin pranues e kaluan dhe në gjeneratën
tonë, të vitit shkollor 1956/57, u regjistruan 60 nxënës, të cilët si adoleshentë vinin nga të gjitha
trojet shqiptare të Jugosllavisë madje edhe nga Shqipëria. Në vitin e parë
shkollor ishim dy paralele. Për shkak të ngeljes së disa nxënësve nga viti i
mëparshëm, dhe ardhjes së disa nxënësve nga shkollat e tjera të Kosovës, kësaj
Gjenerate iu shtua numri, ashtu që në
vitin e dytë kishte 94 nxënës të ndarë në tri paralele; vitin e tretë poashtu
tri paralele me 85 nxënës; vitin e katërt me 126 nxënës dhe vitin e pestë 4
paralele me 120 nxënës, prej tyre 25 ishin vajza, që ishte numri më i madh i
vajzave të një gjenerate në shkollim të mesëm deri atëherë, madje edhe për disa
vjet më vonë.
Një numër i konsideerueshëm
i nxënësve dhe disa mësimdhënës banonin dhe ushqeheshin në Konviktin e
Shkollës, që ishte shtëpia e përbashkët e tyre. Ata ishin në pozitë shumë ma të
favorshme se të tjerët që banonin në kushte të papërshtatëshme në banesa
private në qytet, apo ata që udhëtonin çdo ditë për të ndjekur mësimet. Në
konvikt kultivohej shoqërimi dhe afrimi mes vete, disiplina, shprehitë për
rregull e pastërti. Në sallën e Konviktit mbahej studimi i obligueshëm mësimor,
zhvilloheshin aktivitete kulturore jashtëmësimore, në fushat e sportit
zhvilloheshin aktivitete sportive: futboll, hendbol, volejboll.
2
Në vitin e pestë dhe në
provimet e maturës, që u mbajtën prej 25 janar deri më 5 shkurt 1961, arritën
këta nxënës të gjeneratës sonë: klasa V/1: Abit Maxhuni, Alush Ferati,
Bajram Uka, Çerkin Mustafa, Qerim Hysenaj, Isa Bajçinca, Kadri Qehaja, Mehdi
Kryeziu, Musa Shala, Musa Zabëxha,
Murteza Duraku, Osman Rama, Perihane Kelmendi, Rexhep Gashi, Sadije Murturi,
Rrustem Rama, Sali Maxheraj, Sinavere Roka, Sami Haxhimusa, Selvije Halili,
Saim Qyqalla, Shaip Ismajli, Shaip
Fazliu, Shrfif Bojniku, Halil Sadiku, Salih Maqedonci, Metë Gashi, Zejnepe
Hyseni, Resmije Musa, Kimete Canhasi, Hasan Hasanramaj; klasa V/2: Azem
Shkreli, Dizare Dedaj, Emire Salihu, Esat Berisha, Eshref Ymeri, Fadil Berisha,
Xhyke Shala, Hidajet Lutfiu, Hafiz Maliqi,
Hysen Krapi (Shala), Ismail Gashi, Idriz Ahmeti (as.Mehmeti), Kadrije
Ramadani, Mediha Doda, Muharrem Sopi, Muharrem Berisha, Mustafa Haxha,
Nexhmedin Galica, Nexhmedin Canhasi, Rabije Bajrami, Rasim Hoxha, Ramadan
Paçarada, Sefer Seferaj, Shyhrete Çika, Shaip Konjusha, Shefqet Preteni, Tafil
Vidishiqi, Vezire Sheqiri, Xhafer Kelmendi, Exhlale Bërlaolli; klasa V/3 :
Ali Mehmeti, Adem Ibrahimi, Bahrije Murati, Sabrije Zeqiri, Faik Sylejmani,
Gani Haxhiu, Hysen Latifi, Halil
Alidemaj, Ismet Gusija, Liman Ahmeti, Myrvete Fetahu, Nazmi Bytyqi, Ramush
Ajvazi, Rasim Babatinca, Ramadan Dauti, Selatin Ahmeti, Safet Preka, Sadik
Dragusha, Sadik Rrecaj, Selvete Abrashi, Shaip Selimi, Shefqet Ajvazi, Shefki
Grabovci, Shukrije Rudi, Teki Ukmata, Tasim Brovina, Zijadin Munish, Xhafer
Hetemi, Jonuz Kolgeci; klasa V/4 : Ali Rrahmani, Ahmet Sadku, Bajram Jashari, Buhan Prishtina,
Basri Reçica, Drita Koka, Dalip Marku, Afërdita Rugova, Hilmi Dërmaku, Hajredin
Hajredini, Isak Zuka, Ibrahim Mlinaku, Ibrahim Bajgora,Ismail Halipi, Jetullah
Krasniqi, Kadrush Sylejmani, Mehmet
Gjocaj, Mehmet Sahiti, Neki Juniku,
Qazim Rexha, Rukije Malisheva, Skender Nushi, Sahit Birinxhiku, Shemsi
Gashi,Tafil Murati, Vehbi Kikaj, Xheva Bruqi, Xhelil Ramda, Xhylfidane Mumxhiu
dhe Xhemajl Prokorxha.
Nga kjo gjeneratë, sikur
edhe prej gjeneratave tjera të Normales së Prishtinës, dolën punonjës të arsimit
dhe edukimit për shkollat fillore, të mesme , të larta dhe fakultete, por këta
lan gjurmë të pashlyeshme edhe në profesione e veprimtari tjera shkencore e
kulturore, në art, letërsi, mjekësi, drejtësi, ekonomi, sport et. Secili prej
tyre meriton t’i shkruhet monografi e veçantë për jetën dhe punën në periudha
të kthesave të mëdha historike që kanë
nodhur në Kosovë prej pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot.
Por Gjenerata jonë ishte dhe
mbeti e veçantë për kultivimin e shoqërisë, kujdesit dhe respektit reciprok,
duke i mbajtur të pashkëputura
lidhjet, takimet e shoqërimin
deri në ditët e sotme. Dhe jo vetëm me shokët dhe shoqet e gjeneratës, por edhe
me profesorët tanë. Është gjenerata më e organizuar, që tradicionalisht ka mbajtur dhe mbanë takimet
e gjeneratës për çdo vit (të shtunën e fundit të muajit maj), ndërsa në grupe
më të vogla edhe shumë herë gjatë vitit, sidomos për data të shënuara siç janë
28 Nëntori, 7 Marsi, etj. Secili e kemi regjistrin me numrat e telefonit të
shokëve dhe shoqeve të gjeneratës, ashtu që kontaktojmë me telefona dhe
interesohemi për shoqi-shoin. Është kjo e vetmja gjeneratë që pas 48 vjetëve
pas maturës, organizuam një ekskursion të përbashkët njëjavor nëpër
disa qytete të Shqipërisë, me ç’rast e vizituam edhe Normalen e Elbasanit
(shtator 2009). Në grupe më të vogla shokë të gjeneratës kemi vizituar qytete
të ndryshme të Shqipërisë edhe herë tjera. Është e para gjeneratë që më 2011 ka botuar Monografinë “Kujtimi për
një gjenertë”, në të cilën janë përfshirë biografitë dhe fotoportretet e 56
shokëve e shoqeve; regjistrat e nxënësve sipas klasëve dhe paraleleve;
fotografi kolektive nga takimet vjetore, dhe shënime të tjera. Ndërsa në vitin
2019, kemi bërë librin-album me afro 400 fotoportrete dhe fotografi kolektive
nga takime e vizita e të ndryshme. Me këto publikime i kemi bërë përjetësisht
të paharruar shokët dhe shoqet e
gjeneratës dhe profesorët tanë të respektuar, shumica prej të cilëve tashmë nuk
janë në këtë jetë, por janë në publikimet dhe në kujtimet tona dhe në veprat e
tyre të vyera.