E marte, 10.12.2024, 05:30 AM (GMT)

Kulturë

Ahmet Selmani: Komunikimi i natyrshëm i poezisë

E diele, 21.03.2021, 11:20 AM


KOMUNKIMI I NATYRSHËM I POEZISË

Thomaidha Tanuçi: “Sonata e shiut” (poezi)

NGA AHMET SELMANI

a) Semantika e dyzuar

Nganjëherë gati na mbushet mendja se poezia nuk i mjafton vetvetes, prandaj përpiqet që herë pas here të identifikohet edhe me gjëra të tjera për t’u transformuar në pikëpamje ontologjike ose së paku për t’u perceptuar si e tillë. Mbase kështu duket edhe poezia e Thomaidha Tanuçit në vëllimin “Sonata e shiut”, për arsye se vetë titulli i emërtuar me një term të muzikës sikur mëton të identifikojë poezinë me muzikën, si një strukturë e dyzuar sematike e artistike, që e plotësojnë njëra-tjetrën në vizionin dhe perceptimin e lexuesit.

Si mund të ndodhë kjo? Në njërën anë është fjala ajo që e bart kuptimin e gjërave, kurse në anën tjetër është tingulli ai që del nga shpirti dhe bëhet shllim poetik. Dhe kështu mund të thuhet se kjo poezi njëherësh është edhe një lloj simfonie metaforike. Lexuesi mund të zgjedhë në mes njërës dhe tjetrës, por gjithnjë duke ndjekur figurën e shiut si epiqendër poetike, prej nga shpërndahet e gjithë forca krijuese e autores, semantika e veçantë, figura themelore brenda së cilës kryqëzohet ndjenja dhe mendimi artistik.

b) Tipologjia e poezisë

Ajo që duhet të theksohet më tej është fakti se Thomaidha Tanuçi që në fillim të librit “Sonata e shiut” e përcakton tipologjinë apo karakterin e poezisë së saj, të paktën në aspektin strukturor. Në të vërtetë, ajo është e prerë për sa i përkat kësaj, duke thënë fare thjesht:

Poezia ime,

zgjohet,

hap dritaren,

merr frymë thellë

dhe shikon nga qielli.

Kështu në mënyrë abstraguese na e bën me dije se poezia e saj lind krejt spontanisht, si një qenie e gjallë, duke u personifikuar me njeriun (krijuesin). Dhe, me sa duket, kjo është e mjaftueshme për ta përcaktuar tipologjinë e poezisë e cila shfaqet kudo në suaza të jetës dhe të ekzistencës.

Në këtë pikëpamje autorja ngjan si një udhëtare e pandalur drejt cakut të padeterminuar, por vazhdimisht të ëndërruar. Në fakt, sipas kësaj logjike ajo nuk e zbulon poezinë, por është poezia që e zbulon atë. Kontakti me realitetin objektiv zbulon edhe realitetin subjektiv. Pra, autorja është kapësja e momenteve të holla e të thella, përjetimeve të bukura e të trishta, dithërimave të lehta dhe tronditëse, përmallimeve shkëndijuese dhe përvëluese, dashurive të trazuara dhe të dhembshura, çasteve të frikshme e të gëzuara etj.

Të gjitha këto paraqesin zigzage të shpeshta që shfaqen e rishfaqen me ritme të pandërprera, duke zbuluar shpirtin e dëlirë të autores e cila identifikohet thellësisht me to. Prandaj si e tillë kjo poezi merr karakter thellësisht subjektiv, duke ruajtur gjithnjë qenien e brendshme si një mister intrigues, grishës, ngacmues, drithërues. Thjesht kjo është tipologjia lirike e saj, e cila shpërfaqet si një strukturë e ngjeshur artistike dhe si një perceptim vertikal për t’iu qasur në brendësi, aty ku fshihet shpirti i brishtë i autores, por edhe i përflakur vazhdimisht.

c) Klithmat e vetmisë

Duke u identifikuar me çdo situatë të mundshme jetësore e njerëzore, autorja arrin të krijojë subjektivitetin e vet lirik me të cilin na shpie drejt një portretimi metaforik ose drejt një përkufizimi vetanak si emërues për të gjitha qeniet njerëzore që i njeh ose që i kujton në formë reminishenciale. E gjithë kjo realizohet në një kontekst sa pohues aq edhe refuzues njëkohësisht, duke zbuluar rrafshin e vetë kuptueshëm poetik:

Bie shi në Tiranë

dhe unë nuk jam as Anë,

as Adrianë

por bija e shiut,

që fle në jastëkë të lagur

dhe zgjohet mëngjeseve

me vesën mbi lëkurë.

Kështu na e ngjall ndjesinë dhe imazhin e jetës, na e shpalos vetveten dhe mjedisin, na e bën njësimin e shpirtit me realitetin, na e përcakton qenien me njohjen etj. Pra, portretimi personal është edhe portretim kolektiv, metafora personale është edhe metaforë e përgjithshme. Madje ajo shpesh krijon edhe metaforën e personit konkret siç është Jakobi, Valentina, Babai, Narcisi etj., të cilat kanë të bëjnë me situata apo përjetime të caktuara, si evokime të veçanta.

Gjatë kësaj ecurie të vazhdueshme dalin në sipërfaqe të gjitha ankthet dhe ëndërrimet, përjetimet dhe vizionet, të cilat gjejnë vend në kontekstin e ligjërimit poetik herë si një klithmë e rënkim, e herë si mburrje e krenari. Mishërimi i këtillë e krakterizon gjithë poezinë e Th. Tanuçit duke u shndërruar në diskurs të theksuar, ku gjuha bëhet kod i fuqishëm poetik, udhëzues për të hyrë në thellësi të saj me anë të një logjike dhe intuite të caktuar artistike.

Në këtë kontekst, nga sa mund të shihet prej vargjeve që na shfaqen, gjithandej mbizotëron psherëtima subjektive e cila kryesisht rrjedh nën trysninë e rrethanave të vetmisë. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një ballafaqim të tendosur shpirtëror i cili nuk mund të mbetet i strukur brenda qenies poetike, por gjithsesi shpërthen me hove të theksuara emocionale. Pra është nata ajo që nxit përfytyrime e mendime të shumta për gjërat reale, është pagjumësia që e shpie kudo për ta ndier gjer në palcë dhembjen ndaj gjërave dhe qenieve. Për këtë arsye autorja shpalos imazhe jetësore e njerëzore me kontraste dhe paradokse tronditëse, të cilat i vë në spikamë nëpërmjet një gjykimi poetik:

Pse vallë ata grinden kur mund të puthen?

Pra brenda një imazhi konfliktual ajo kërkon dashurinë. Sipas kësaj, njeriu është një paradoks i vetvetes, nuk e kërkon dashurinë, por përplasjen e cila e çon drejt shuarjes dhe zhbërjes.

Me sa duket errësira është metafora e zymtë njerëzore, brenda së cilës përpiqet ta zbulojë dritën. Kjo është dhunti dhe synim poetik, cak i domosdoshëm për ta rrumballkuar ecurinë e vet. Prandaj, së këtejmi ajo shprehet në këtë mënyrë:

Nata m’i sjell yjet,

ajo m’i mbjell ëndrrat,

ajo ma lëmon qafën,

më gjunjëzon këmbët,

më dorëzon drejt detit dinak,

duke e zbutur brenda meje,

një tigër të uritur.

Sigurisht është krejt e nënkuptueshme kjo ndjenjë skofiare që zbut një tigër të uritur; thjesht e ka emrin njeri dhe dashuri. Si rezultat i kësaj krijohet një rrafsh shumë i kapshëm perceptues ku subjekti dhe objekti bëhen njësh dhe krijojnë ndjeshmërinë e thellë poetike.

E gjithë kjo vazhdë e pareshtur nëpër mbretërinë e errësirës, është kërkim i ndërgjegjshëm, ose orientim drejt dritës njerëzore që fshihet brenda shpirtit. Ndaj poetesha nuk shmanget nga kjo përplasje në vetmi, përkundrazi, qëndron aty me tërë qenien e vet duke shqiptuar atë me plot forcë krijuese. Kjo do të thotë se mishërohet plotësisht duke ndërtuar një metaforë të parapëlqyer personale, siç është trishtili, ky zog i veçantë që këndon e të mahnit. Me anë të tij ajo bën portretin lirik të vetvetes:

Trishtil,

zog i brishtë

me sy të gjelbër;

pëllëmbën time bëra strehë,

për zërin tënd të bukur.

Mund të shihet qartë se kjo figurë paraqet edhe një strehë për autoren, duke ikur nga trishtimi i jetës dhe duke u strukur në këngën e zogut ose duke marrë atë në pëllëmbë të dorës dhe për t’u ngushëlluar e joshur me zërin e bukur. Pikërisht kjo ndjenjë kaq e hollë na bën të kuptojmë se ajo i gjen gjërat e bukura edhe në çastet e shëmtuara.

ç) Binomi i dashurisë

Megjithatë, ajo që i jep ngjyrim të vërtetë shpirtëror këtij libri, pa dyshim është ndjenja e dashurisë e cila shpërfaqet si binom poetik (subjekti poetik- i dashuri). Duke e ndjekur në këtë vijë mund të shohim fare qartë se identiteti i vërtetë i poeteshës qëndron pikërisht këtu, për arsye se arrin ta determinojë esencën e kësaj ndjenje sublime, marrëdhëniet e brendshme dhe të jashtme, shqetësimet dhe brengat, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, ndjesitë dhe përjetimet etj. Të gjitha këto e përbëjnë makthin dhe vuajtjen e bukur, ontologjinë e pastër shpirtërore e cila na çon drejt thelbit të çështjes për ta ndier atë deri në palcë.

Mishërimi tepër i ngushtë me të dashurin, është gati tronditës e shkallmues, por edhe ringjallës e madhërues, për arsye se atë di ta ngrejë në një shkallë lapidare duke u shprehur me tërë forcën e vet shkallmuese:

Tani po futem brenda teje

të ngrohem pak si të jesh zjarr,

një herë të shuhem, prapë të ndizem,

sa herë e vdekur, aq herë e gjallë.

Nga kjo mund të kuptojmë fare qartë se vetëm brenda kësaj ndjenje të thellë njerëzore mund t’i japë kuptim ekzistencës personale, si përplasje e cila e vë në lëvizje imagjinatën dhe intuitën e saj tejet aktive.

Dashuria është dhembje e dyanshme që lëviz me përmasa dramatike, por njëherazi që ushqen edhe ngritjen morale. Pra dhembja është krenari, është identifikim:

Më dhembi dhembja jote,

më shumë se e imja;

dhembja jote si ajër i ngjethur,

më dhembi fort.

Kjo lidhje kaq e ngushtë nënkupton forcën e dashurisë e cila e sfidon dhembjen dhe e bën njeriun të ndihet qenie e pastër. Si rezultat i kësaj dashuria është identifikim absolut i dy qenieve. Me anë të kësaj filozofie poetike zbërthehet fare qartë dalldisja e qenies që dashuron me tërë shpirtin e vet:

Frymë të kam

e ta puth frymën,

më pas buzët,

më pas ty,

sepse unë çel si lule

me frymën tënde

të puthur.

Pikërisht kjo formë e diskursit poetik mbetet dominante.Thjesht është diskurs bisedor dhe shpërthyes, i afërt dhe i thellë. Madje ky lloj diskursi na bën ta ndiejmë poezinë përtej të mundshmes dhe përtej të imagjinueshmes.

d) Zhvendosjet gjuhësore

Poezia e Th. Tanuçit është tejet interesante edhe në aspektin gjuhësor kur e marrim parasysh faktin se autorja vjen nga provinienca gjuhësore e toskërishtes, por që arrin ta tejkalojë këtë duke u zhvendosur tërësisht edhe në proviniencën gjuhësore të gëgënishtes. Pra ajo krijon një mozaik të natyrshëm dydialektor, herë duke qëndruar në njërën sferë e herë duke u zhvendosur në sferën tjetër, por që poezisë së saj i jep një laryshi e elegancë të mahnitshme, duke shmangur paragjykimet dhe barrierat dialektore dhe duke krijuar një tërësi reale gjuhësore. Në fakt e gjithë kjo zhvendosje vjen krejt spontanisht, si një kërkesë e natyrshme për t’i dhënë poezisë identitet të pastër gjuhësor e tipologjik.

Në këtë mënyrë Thomaidha Tanuçi nëpërmjet librit poetik “Sonata e shiut” arrin të krijojë natyrshëm një komunikativitet substancial poetik dhe gjuhësor, duke na ofruar një lirikë sqimatare, plot sharmë e ngjyrim, emocion e mendim. Poezia e saj është vizion i veçantë, pasqyrë shpirtërore që reflekton dritë dhe pastërti. Prandaj si e tillë do ta gjejë vetë rrugën e komunikimit artistik me lexuesin në përgjithësi.

Shkup, 14 shkurt 2021



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora