Kulturë
Resmi Osmani: Tregimi, ky krijim i vogël letrar
E shtune, 20.03.2021, 11:17 AM
TREGIMI
KY
KRIJIM I VOGËL LETRAR
Sprovë
Nga Prof. Dr. Resmi Osmani
Në dhjetë
vjet, kam shkruar njëqind e njëzet tregime. Pas kësaj përvoje, besoj më lejohet
të jap disa konsiderata.
Sipas
klasifikimeve të pranuara, gjinitë letrare ndahen në epike, lirike dhe
dramatike. Brenda tyre janë nënllojet. Në epiken, si lloje letrare përfshihen:
romani, novela, tregimi, skica, poema epike etj. Krijuesit e veprave epike në prozë quhen prozatorë.
Tregimi, ka
historine e vet. Thuhet se krijuesi i tregimit ne letërsinë moderne është E.A.Poe. Thuajse nuk ka krijues letrar
të prozës që të mos e ketë lëvruar këtë gjini. Tregime kanë shkruar shkrimtarë
të njohur si: Mark Tueni, Mopasani, Floberi, Balzaku, Merime, Stendali,
Çehovi,Gorki e Tolstoi, Paustovski, Xhek Londoni, Kafka dhe Xhojsi, më vonë
Heminguei, Folkneri, Buxati, Moravia, Elin Pelin, Azis Nesini, dhe do të dilte një listë e gjatë. Letërsia e
çdo vendi, pa përjashtim ka tregimtarët e saj, shumë prej të cilëve kanë njohje
të gjerë ndërkombëtare. Ndër ta kanadezja Alice Munro, qe ka lëvruar vetëm
gjininë e tregimit, më 2013, u nderua me çmimin Nobel.
Edhe në
letërsinë tonë, tregimi ka traditën e vet. Janë të shumtë autorët që e kanë
lëvruar me art tregimin: duhen përmendur Mitrush Kuteli, Migjeni, Koliqi,
Dhimitër Shuteriqi, Jakov Xoxa, Petro Marko, Dhimitër Xhuvani, Zija Çela,
I.Kadareja, Bilal Xhaferri, Nasi Lera, Faik Ballanca, Teodor Laço, Anastas
Kondo,Vath Koreshi, Moikom Zeqo, etj. Pas viteve 90-të janë evidentuar Enver
Kushi, Mark Simoni, Lazër Stani, Ramiz Gjini,Faruk Myrtaj,Bashkim Shehu, Thani
Naqo etj. Këto vite, me tregimin kanë
punuar e publikuar një brez i ri tregimtarësh(jo nga mosha): Fatmir terziu,
Kristaq Turtulli, Istref Haxhillari, Vasil Vasili, Myslym Maska, Përparim Hysi,
Sotir Athanasiu, Hekuran Halili,Odise Kote, Resmi Osmani, Shefki Hysa, Noke
Abilekaj, Kozma Gjergji, Murat Aliaj, Vladimir Muça, Hamit Taka, Eduart
Sulollari, Andon Andoni dhe disa krijuese femra: Esmeralda Shpata, Nimfa
Hakani, Vjollca Tiku-Pasku, Rudina
Beja etj. Ndjesë për ata që s’më
kujtohen. Shumë prej tyre i kanë botuar
si vëllime më vete ose ne portalet elektronike.
Por përse
gjithë ky interesim për tregimin?
Ka disa
arsye. Për fillestarët qe provojne veten ne fushen e letersisë, është mundësia
e parë e provës për të shfaqur prirjet dhe talentin e tyre , në sendërtimin e
kësaj gjinie të vogël letrare, si të thuash pagëzimi i zjarrit, dhe ne rast
pëlqimi nga lexuesi, vijimësia për më tej, në të kundërt, për vullnetdobëtit
edhe heqje dore.
Për
shkrimtarët me përvojë që lëvrojnë gjinitë
e gjata, romanin apo novelën, me shumë ngjarje e linja, që kërkojnë kohë për
shkrim, shkrimi i tregimeve mbush hapësirën e ndërprerjeve, si një intermexo,
një far çlodhjeje që sjell freski dhe mbush kohën që ajo të mos jetë pa
produkt. Kaq i pëlqyer ka qënë tregimi,
sa ka shkrimtarë që gjith jetën krijuese e kanë bërë objekt të vetëm
krijimtarie. Çehovi, gjatë njëzet e pesë vjetëve, shkroi pesëqind tregime e
novela! Të tjerë shkrimtarë, vlerësohen kryesisht për tregimet si Paustovski,
Elin Pelin, Mitrush Kuteli, Dhimitër Shuteriqi, Sotir Andoni, Anastas Kondo,
Lazër Stani etj.
Është një
sfidë që duhet ta kalojë çdo autor.
Për lexuesin
serioz, që e ka pjesë të edukatës së tij leximin, tregimi, si të thuash është
buka e tij e përditshme e tyrezës letrare, që nuk e lodh, i jep kënaqësi, i
nxit fantazinë, merr një mesazh dhe përfytyrim ndryshe të një subjekti të cilin
nuk e kishte menduar, por edhe stile, kompozicione, teknika shkrimi dhe
tipologji që kjo gjini është e aftë të trasmetojë.
Tregimi, sido
që gjini e vogël letrare, dallohet për disa veçori të përgjithshme të cilat nga
krijuesit duhen mbajtur parasysh:
Gjatësia. Për
nga gjatësia, tregimi qëndron midis novelës dhe skicës letrare. Natyrisht, ajo
është në varësi të subjektit, nga mundësia e shtjellimit të tij nga autori në
kufijtë e disa faqeve e një numri të caktuar fjalësh ku të dalë plotësia e
ngjarjes dhe mesazhi i nënkuptuar. Në letërsi, janë të shumtë shëmbujt.
Mopasani dhe Floberi e Stendali, kanë pëlqyer tregimin e gjatë,Çehovi, atë të
shkurtër. Po kështu edhe Heminguej, gjatësinë e tregimit ia vë në varësi
subjektit. Hasen te ai tregimi i shkurtër por edhe i gjatë. Mitrush Kuteli, Dhimitër Shuteriqi, pëlqejnë
tregimin e gjatë, që për nga rrëfimi, personazhet dhe ndërlikimi i ngjarjeve,
mund të konsiderohen si novela. Si model i tregimit të shkurtër, veç të
tjerëve, duhet marrë Migjeni dhe shumë tregime të Moikom Zeqos.
Vihet re që
nga shtypi letrar, kërkohet tregimi i shkurtër. Botuesi Mark Simoni, për
botimet në “Mapo letrare”(përveç cilsisë) ka vënë kufirin 1200-1700 fjalë,
kështu pothuajse edhe gazeta Nacional, Exlibris etj. Në praktikën time
shkrimore, ngjarjet e tregimeve, në varësi nga intensiteti i tyre, shtjellohen
në kufirin e 2000-5000 fjalëve.Për të disiplinuar veten, më ka ndodhur, që pas
nisjes së shkrimit të tregimit,të shkruaj mbylljen,në fund të numrit të faqeve,
që është ajo hapsira e lejuar midis fillimit dhe fundit!
Nuk duhet të
luajmë me durimin e lexuesit.
Nën këtë
trysni, është shfaqur shkrimi i tregimeve të shkurtëra, që më së shumti për nga
subjekti dhe kompozicioni nuk plotësojnë kushtet për t’u quajtur tregime, pasi
u mungon subjekti, u mungon veprimi, mungojnë personazhet, u afrohen skicave,
që kanë si personazh unin, në vetë të parë apo të tretë, pa aksion, mbizotëron
një soditje e brendshme, që parashtron përsiatje dhe sentenca psiko-filozofike
të një gjendjeje të përcaktuar e
spontane, emocionale, disi hermetike simbolike, metaforike e paradoksale
të një shpirti të trazuar dhe artit për art. Të vështira për tu kuptuar dhe
interpretuar, që duhen lexuar disa herë, që të japin edhe dhimbje koke!
Pavarësisht nga kjo, të gjitha kanë të drejtën e “qytetarisë”, pasi janë
shprehje e individualiteteve krijuese të akcilit shkrimtar dhe kanë lexues e
pëlqyes të tyre.
Edhe pse
gjini e shkurtër, tregimi flet shumë. Një tregim , thotë diku Lazër Stani,mund
të vlejë sa një roman! E vërtetë. Shpesh në shtratin e një tregimi fle një
roman. Është i njohur fakti se ” Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u nis si
tregim. Edhe disa romane të Hemingueit, janë nisur si tregime, fjala vjen “Të
kesh e të mos kesh” apo “Fiesta”, Çehovi
me tregimin “Zonja me kone” ka arritur , në sintezë, dhe po aq me art, por me
një këndvështrim tjetër e të kursyer, të japë atë që Tolstoi dhe Floberi të
shpërfaqin në romanet e tyre” Ana Karenina” dhe “Zonja Bovari”. Kjo më ka
ndodhur edhe mua. Tregimin “Banja e përgjakur”, më pas e zhvillova dhe
pasurova, e ktheva në romanin “Pas Trojës”, Tregimin per Seremben ”Kangjela e
maliit të parë” e zhvillova më pas në novelën ”Kur dashuronte poeti”.Besoj se
kjo u ndodh edhe krijuesve të tjerë. Shpesh subjekti fillestar, në procesin
krijues, rrokulliset si orteku i borës që sa vjen e zmadhohet.
Tregimi lejon
të shkruhet në çdo metodë dhe rrymë
letrare, sipas prirjeve dhe pëlqimeve të
autorëve: realiste, romantike, të absurdit dhe hermetizmit, të surealizmit,
realizmit magjik, fantashkencës dhe horrorit.Te e shumta e tregimtareve
mbizotëron rryma realiste, por nuk mungojnë dhe rrymat e tjera. Shume autorë latino-amerikanë
shkruajnë tregime me metodën e realizmit magjik, të tjerë si Dino Buxati,
surealiste dhe fantaziste, Anton Pashku tregime hermetike dhe të absurdit,
Enver Kushi një gërshetim të realizmit me surealizmin,Sotir Athanasiu,
paramnezinë që është një gërshetim i trillit me realitetin, dhe pa sjellë
shëmbuj të tjerë, konkludojmë se
tregimi, si gjini ngërthen gjithë rrymat ,shkollat dhe risitë letrare.
Larmia e
subjekteve dhe tipologjisë. Në gjininë e tregimit, mund të shtjellohen tema dhe
subjekte nga më të ndryshmet. Me burime nga përditshmëria, kryesisht temat e
larmishme sociale, përvojat vetjake të autrit, nga historia, mitet dhe
legjendat, folklori, baladat bile edhe
përrallat. Në varësi nga prirjet dhe parapëlqimi i autorëve. Si shembull i përdorimit
të tipologjive tregimtare mund të Sillet Moikom Zeqo me librin e tij ”Emrat e
Zotit” ku siç vëren akademik Ali Aliu”….Subjekti narrativ i këtij autori
shtrihet dhe është tërë ajo që ekziston, tërë ajo që përbën thelbin e universit
njeri, në kohë dhe hapësirë.”Është i njohur një fakt interesant: Xhek Londoni,
kur ishte në krizë për subjekte,(kur siç thoshte Heminguei pusi shterrohet) i
blente ato nga gazetarë apo letrarë fillestarë dhe i kthente në tregime!
Proza e
tregimeve, u jep liri të plotë autorëve dhe stilit të tyre. Mund të jetë
romantike, tregimet e para të Gorkit, lirike te Paustovski, dhe Elin Pelin, në
prozë poetike te Mitrush Kuteli, shpotitëse dhe me humor të Azis Nesinit, por
edhe dramatike, e tragjike, me efekte tronditëse, si shëmbull do të sillja
tregimin e Vath Koreshit”Elegji për udhët e karvanit të kredhur në muzg”ku në
pak faqe pluskon një dramacitet tronditës e rrënqethës, që mbetet gjatë në
kujtesë.
Kompozicioni teknika dhe lehtësia e të shkruarit. Tregimi është gjini sqimatare,në
kompozicion dhe zhvillim, nuk pranon teprime që për të janë si mish i huaj.
Thuajse hyrja është mungesore, zhvillohet tema mbi bazën e trillimit dhe vjen
mbyllja logjike që mund të jetë: tragjike, tragji-komike, me fund të lumtur apo
asnjerën prej tyre, duke e lënë të hapur, për t’ia lënë lexuesit zgjidhjen. Në
teknikat e shkrimit të narracionit(në mund t’i quajmë kështu) shkrimtarët
përdorin në të shumtat e herës rrëfimin në vetën e tretë. Të tjerë atë të vetës
së parë, ku autori e rrëfen subjektin si një ngjarje të jetuar apo dëshmuar
prej tij, është një mënyrë vetiake, ku autori është edhe personazh, e të tjerë
në vetë të dytë. Përparim Hysi, spontan dhe i lirshëm, thuajse rrëfen vetëm në
vetë të parë, Thani Naqo në vetë të parë e të tretë, Faruk Myrtaj kryesisht në
vetë të tretë.Resmi Osmani, rrall në vetë të parë, kryesisht në vetë të tretë,
dhe në një rast të vetëm në vetë të dytë,(tregimi Yllbardha), rrëfimin në vetë
të dytë e gjejmë edhe te Kortasari. Sotir Athanasiu në vetë të parë e të tretë
,Agim Vinca, të shumtat e tregimeve të vëllimit “Konkubina” i ka shkruar në
vetë të parë.
Në teknikën e
të shkruarit të tregimit, për mendimin tim, autori duhet të jetë disi pavetor,
që rri pak mënjanë, flet pak ose aspak, vëzhgon, ndërmjeteson, por nuk komenton,
ndërhyrja është gati e padukshme, i le personazhet të veprojnë natyrshëm sipas
rrethanave, ashtu si ata vetë dijnë të gjykojnë( në varësi të formimit,
karakterit, përkatësisë sociale) pa u vënë në gojë deklarata të fryra, fjalë që
ata nuk duhet të përdorin, apo retorikë që s’është as në natyrën e tyre apo
formimit kulturor, çka do t’i bënte ata të fryrë, mburravecë, të çuditshëm e të
pabesueshëm për lexuesin. Nuk duhet marrë si këshillë(askush nuk ka të drejtë
të jape këshilla se si duhet shkruar)por si opinion vetjak, që autori duhet të
jetë shumë i kursyer. Vetë ai bën mirë të mos flasë, veç kur është e
domosdoshme, të mos filozofojë e të bëjë psikanalizë. Këtë le t’ua lerë
personazheve. Nga ana tjetër nuk duhet hequr dorë nga detajet, në tipizimin e
personazheve, gjithënjë të kursyera, pasi ato e bëjnë ngjarjen më të besueshme,
të vërtetë e të natyrshme.
Lehtësia në
shkrimin e tregimeve, kuptohet është në varësi të talentit, vullnetit dhe
metodës së punës krijuese. Diku, në një intervistë, Heminguei, deklaron se ka
shkruar tri tregime në një ditë! Dino buxati, vëren se tregimi para se të
shkruhet, lind vetëm nga një mendim dhe para se të shkruhet, ka përfunduar në
mëndjen e autorit. Kurse nobelistja Alice Munro, që lëvron kryesisht gjininë e
tregimit, vëren se: tregimi është një gjendje torturuese për shkrimtarin! Besoj
ka parasysh se tregimi, kërkon përgjegjësinë dhe mjeshtërinë e argjendarit në
gdhendjen e diamantit. Ndodh që tregimi të hidhet shpejt e shpejt në letër, por
procesi i krijimit të tij mund të zgjasë me dit, javë por edhe muaj, për shkak
të zhvillimeve që marrin ngjarjet, shpesh ndryshe nga sa janë menduar
fillimisht, që duhen shikuar e rishikuar në vijimësi.
I vogël
tregimi, por i madh mundimi!
Është arti ai
që i jep jetë bukuri dhe emocione tregimit. Që tregimi me befasinë e
përmbajtjes së tij, me atë që shpërfaq, të depërtojë në psiqikën, apo të lerë gjurmë te lexuesi,
duhet të jetë një vepër e mirfilltë arti. Dhe siç vëren Pasternaku:”….Arti është
thelbi jetëdhënës i veprës artistike dhe se arti është e fshehta e madhërishme
që i jep jetë brendisë” Të tillë e bëjnë tërësia e përbërësve të tij: subjekti,
arkitektura e thurjes (kompozicioni) individualizimi i personazheve, befasitë
dhe të papriturat, në veçanti gjuha,duke zgjedhur për çdo fjalë sinonimin apo
antonimin, atë më të mirin e tingëllues, figurat, metaforat dhe krahasimet,
dialogu i shkathët e i mençur, nënteksti që duhet lexuar midis rreshtave, asgjë
e tepërt që ta rëndojë, dhe mesazhi, kuptohet pa rënë në didaktizëm. Dhe tërësia
e gjithë këtyre elementëve përbëjnë
stilin e tregimtarit.Nga mënyra se si i trajtojnë këtë tërësi strukturore në
endjen e tregimit, dallohen edhe autorët që kanë krijuar individualitetin e tyre krijues. Duke qenë lexues i
vëmendshëm, mund të them se disa tregimtarë kanë krijuar individualitetin e
tyre, aq sado t’i njihja edhe po të mos vinin emrin e tyre. Thani Naqo, me
humorin dhe shpotitë e holla e të hareshme, Përparim Hysi me mënyrën e rrëfimit
të lirshëm , spontan e ngjyresat gjuhësore lokale të trevës së Myzeqesë, Sotir
Athanasiu me paramnezitë e tij dhe atë “Trinseçion” si një befasi që vepron në
intrigimin e ngjarjes, Vasil Vasili me elegancën e shkrimit, ekonominë e fjalës
dhe nëntekstin midis rreshtave, Fatmir
Terziu me mënyrat e rrëfimit disi enigmatike që e vë lexuesin në mendime,
Esmeralda Shpatën me skicat e shkurtëra psiko-filozofike (Ajo i kondideron
tregime) që kërkojnë interpretim. Mund të shtoja këtu edhe Istref Haxhillarin e
Kristaq Turtullin etj. Gjithë këta dhe autorë të tjerë e kanë pasuruar
cilësisht dhe zgjeruar gamën e tregimit bashkëkohor, duke u shkëputur nga
stereotipizmi.
Dy fjalë për
tregimin me subjekte historike. Historia
është burim i pasur, në të cilën ngjyejnë penën shumë autorë, ku e përfshij
edhe veten.Historia është shkencë. Rrëfen sesi janë zhvilluar ngjarjet
mbështetur mbi faktet. Ndërsa letërsia si art, mbi bazën e fiksionit dhe
faktografisë, i shndërron faktet historike në art, thuhen edhe gjëra për të
cilat nuk flet historia. Kësisoj, historia shndrrohet në letërsi, kurse
personaliteti real historik bëhet personazh letrar.
Ka autorë, që
figurat historike dhe legjendare, u afrohen kryesisht me prirjen për
dekonstruktim dhe çmitifikim. Kam tjetër mendim, mitet nuk duhen rrënuar, por
duhen selitur.Personazhet historikë, i kam paraqitur si njerëz të gjallë, me
vese e vyrtyte, por jo të thjeshtëzuar e skematikë, duke evidentuar
artistikisht atë që është tipari i tyre themelor që, i sjell ata si arketipe në ndergjegjen kolektive
të shqiptarëve.
Në përfundim,
them se do të ishte me interes për lexuesit, që instancat përkatëse, Shtëpia e
Librit, të merrnin nismën e publikimit për çdo vit në një antologji, tregimet e
zgjedhura të vitit të autorëve
bashkëkohorë, si pjesë e kapitullit të letërsisë të pas viteve 90-të.
Tiranë, 15.3.
2021