Kulturë
Kadri Tarelli: Bashkim Kadiu - Vlerë e qytetit tim
E enjte, 18.03.2021, 06:50 PM
Kadri Tarelli shkruan:
Detyra morale e shkrimtarit nuk është që të flasë siç i
pëlqen dikujt, por siç është e vërteta.
Braun.
BASHKIM KADIU
Vlerë e qytetit tim
Një kuvendim me intelektualë të qytetit të Durrësit,
disa kohë më parë, gusht 2018, kushtuar librit: “Vlerat e qytetit tim”, volumi i
III-të, të autorit Bashkim Kadiu. Mes duartrokitjeve, vetë Mujo Buçpapaj, drejtori i gazetës kombëtare,
letrare-artistike “Nacional”, i dorëzoi heroit tonë, Bashkim Kadiut, titullin “Publicisti i vitit". Në fjalën time, edhe unë
jo pa qëllim, përmenda një fjali: “Shpresoj se do të vazhdojë puna për volumin
e katërt”.
Nuk paskam
gabuar në parashikim, sepse pas vëllimit të katërt “Paradë vlerash”, Bashkimi më
thotë: “Sapo çova në shtypshkronjë librin e tim të pestë, me titull “”Vlerë e
Jetuar”, i cili u përurua para pak kohësh në hotelin “Adriatik” të Durrësit,
më: 10. 02. 2021. Këtë kuvend e nderoi me pjesëmarrje e tij edhe Presidenti Ilir Meta, që përbën një ngjarje të veçantë e të rrallë, për
krijuesit dhe letrarët durrsak.
Ajo që duhet
pranuar si lexues dhe njohës i letërsisë dhe historisë, është se, çdo volum ka
vlerën dhe rëndësinë e vet dhe askush nuk mund të dallojë njërin nga tjetri.
Por mua më ngacmon më së shumti volumi i parë, ku figurat apo personazhet janë
pjesë e historisë së Durrësit në ato vite të trazuara kur po bëhej Shqipëria
dhe shteti shqiptar. Emrat e tyre përmenden nëpër biseda, veprimtari apo
kuvende letrare dhe historike. Bashkimi ka të drejtë kur thotë: “Jeta nuk është ajo që u jetua, por ajo që
kujtohet për ta treguar”. Dhe këto fjalë u takojnë atyre që sakrifikuan jetën
dhe vunë mundin dhe pasurinë në shërbim të mëmëdheut dhe kombit.
Libri “Vlerat e
qytetit tim”, volumi i I-ë, më tërheq së tepërmi, pasi aty nisi udha e botimit
që nuk ka të sosur, pasi vetë jeta e qytetit dhe durrsakëve vazhdon të gjallojë
e të ndrisë në shkëlqimin e viteve. Këtu ka vend për të thënë, se i gjithë ai
material i grumbulluar në vite do të humbiste apo harrohej, nëse nuk futej në
një libër.
Jam i detyruar
të ndalem si njohës i historisë, pasi shumica e shkrimeve ishin të shpërndara
në faqet e gazetave lokale dhe qendrore. Bashkimi i mblodhi dhe i futi në
libër, që unë e quaj “Arka e kujtesës”, ku çdo durrsak apo shqiptar të mund t’i
gjejë “Heronjtë e viteve”, dhe mund të “kuvendojnë” së bashku. Bindem për
interesin e madh të qytetarisë durrsake, aq sa edhe kur po kërkoja këtë vëllim
për tu mbështetur në shkrimet e mia, nuk
e gjeta dot, ndaj ju drejtova vetë autorit, i cili pasi mësoi qëllimin, më
thotë: “Më ka mbetur vetëm një kopje dhe nuk kam tjetër, ndaj matem ta nxjerr
nga shtëpia, sepse më ka ndodhur që libri nuk më është kthyer”.
Është një libër
me volum të madh rreth 670 faqe, ku përfshihen 132 personazhe, figura të
njohura të qytetarisë durrsake, me të cilët mburremi sot, sepse ata kanë dhënë
jetën, mendjen, dijet, punën dhe djersën, për zhvillimin dhe përparimin e
qytetit të lashtë dhe të ri. Mes tyre 15 artistë të penelit dhe daltës, skenës,
fotografisë dhe krijimtarisë letrare. Me ta bashkohen edhe 7 trajnerë sporti,
sportistë të ekipeve kombëtare, notarë, futbollistë, basketbollistë,
volejbollistë, arbitra ndërkombëtar, etj. Shumatores i shtohen edhe 27 mësues
(Shumica të dekoruar me tituj), drejtues shkollash, studiues, historianë e
arkeologë, më pas edhe 37 Mjekë, 5 Inxhinierë dhe 6 - Prof. Dr. shkencash në
fushën e bujqësisë.
Libri hapet me
“Tre flamurtarët”: Sulejman Kadiu, Kasem Durrësi, Abaz Çelkupa. Jo pa qëllim
nis kështu, sepse Bashkimi i mëshon fort damarit të atdhetarizmit, si tipar i
hershëm i shqiptarëve, në veçanti edhe durrsakëve, që bënë histori duke lënë
gjurmë në histori. Më pas veprimtaria e të tjerëve qytetarë veprimtarë, si
Kristaq Rama dhe Adem H. Rama, etj, etj.
Një mirënjohje nderi i kushtohet klerikëve, si Mustafa Varroshi, Papa Erazëm Jorgo, At Vinçenc Prendushi, që shumicën e herëve do t’i shikoje së toku, në krah të njëri-tjetrit, që shëtisnin udhëve të qytetit. Autor Kadiu, e vlerëson tepër këtë veprim njerëzor, shoqëror dhe politik, sa atdhetar aq edhe të dobishëm për kohën, Durrësin dhe të ardhmen e kombit. E gjitha kjo është një vlerë e shtuar e qytetarisë durrsake, si model i harmonisë fetare në mbarë vendin. Unë i jap të drejtë autorit të gjykojë dhe t’i vlerësojë kështu klerikët e nderuar, sepse ata ishin pjellë e kohës, i dallonte kostumi apo uniforma, por shpirti ishte tërësisht shqiptar, ndaj kur ai shkruan, është futur thellë në lëkurën dhe rrethanat e atyre viteve.
Një tablo me
mjaft interes për lexuesit, i kushtohet ngjarjeve të viteve të para të pas
çlirimit në qytetin e Durrësit, ku përfshihen të rinjtë komunistë, Skënder
Çela, Mark Toçi, Petraq Laku, Drita Malile, Hysen Ballhysa, etj, të njohur si
“Grupi i të rinjve durrsak”, ose (të pa bindurit), të cilët u ndëshkuan ashpër.
Disa u dënuan, disa edhe u eliminuar fizikisht, si “armiq” të Partisë, disa i
ndoqi hija e dyshimit gjatë gjithë jetës.
Pavarësisht
kohës që ka kaluar nga ato vite dramatike e tragjike, ngjarjet mbajnë vulën e pabesisë,
mosmirënjohjes, tradhtisë dhe vrasjes së idealeve, aq sa secilit lexues i lind
e drejta të pyesë: A i meritonte rinia dhe qytetaria durrsake, veprimet dhe
dënimet pa shkak dhe pa arsye? Mos duhesh vrarë që në lindje idealizmi dhe
dëshira për demokraci e këtyre luftëtarëve të lirisë, si mësim për të tjerët? Ndoshta
kështu mund të nënshtrohej qyteti dhe të hiqte mendjen, sytë dhe shpirtin, ndaj
lirisë dhe perëndimit? Besoj se këto janë ato pyetej që e shtyjnë Bashkimin të
shfryjë dufin, duke bërtitur: “Të lindësh
për një ideal dhe të vdesësh i tradhtuar nga ideali…..??”.
Ajo që bie në sy
që në faqet e para, është nderimi dhe sinqeriteti me të cilën shkruan Bashkimi
ynë, për të gjithë personazhet e tij, duke i paraqitur pa teprime, me të gjitha
virtytet më të mira, më të qenësishme, më njerëzore e qytetare njëherazi. Njëri
më i bukur se tjetri, jo thjesht portret fotografie, por bukuri e shpirtit të
durrsakut të njerëzishëm e mikpritës, të ditur e punëtor, të ndershëm e
paqësor, që e vlerëson jetën dhe e do qytetin të begatë e të lulëzuar.
Bashkimi e ka
përkëdhelur gjatë këtë vëllim dhe për këtë meriton një mirënjohje. Kjo duket jo
vetëm në veshjen artistike të fjalës së gjetur, por njëkohësisht edhe vendosja në
krye të shkrimeve, e thënieve të mençura nga dijetarët e botës, në disa raste nuk
mungojnë edhe thënie të vetë autorit, natyrisht të përshtatura sipas tematikës
dhe përmbajtjes.
Në këtë hulli mendimi,
po përmend shkarazi disa nga mendimtarët e njohur të mendimit botëror, si
Seneka, Konfuci, Ruso, Volter, etj, etj, duke bashkëngjitur edhe disa nga
thëniet e Bashkimit. Unë e le shtegun hapur për lexues të tjerë të vullnetshëm,
që gjatë leximit, të mund të nxjerrin të tjera shprehje te bukura dhe plot
mendim të ngjeshur, të pjekur dhe filozofik:
.
Kush ecën në jetë me shtytjen e dijes, pa mëdyshje që i gëzohet frutave të saj.
.
Është historia ajo që i vendos figurat e ndritura në vendin që i takon, në lartësinë
e duhur, që sjell në vazhdimësi zhvillimin dhe respektin e një kombi. Etj,
etj.
Besoj se
shprehja e fundit i takon edhe vetë autorit, sepse do të mjaftonte vetëm ky
libër, që edhe Bashkimin, pa frikë ta vendosim në radhën e “Vlerave të qytetit tim” dhe t’i themi:
Po!
Edhe ju jeni “Vlerë e qytetit tim”!
Urime
Bashkim! Jetë dhe shëndet për të shkruar edhe të tjerë libra për Durrësin dhe
durrsakët!
Kadri
Tarelli
Durrës,
Shkurt 2021.