Kulturë
Liri Pone Bele: Thellësia e dhembjes
E enjte, 15.10.2020, 08:33 PM
THELLËSIA E DHEMBJES
Nga
Liri Pone Bele
Sefreti,
më 6 shtatorin e vitit 2015, përvjetorin e 65-të të datëlindjes po e kremtonte
si një ditë të shënuar. Rastësisht ajo korrespondonte me ditën e parë të
fillimit të punës si mësues mbas mbarimit të Fakultetit për Histori-Filologji.
Njëherazi, do të ishte dita e parë kur ai nuk do të shihte para vetes fytyrat e
dashura të nxënësve, ulur në rreshtat e bankave përballë. Ishin plotësuar vitet
e punës, të cilën nuk mbante mend ta kishte lënë pa e kryer me ndërgjegje,
qoftë edhe një ditë të vetme dhe tashmë, si mijëra të tjerë, do ta njihnin si
pensionist.
Një
arsye e veçantë, e para në jetën e tij e cila meritonte të festohej, ishte
përmirësimi i gjendjes tepër të rëndë shëndetësore, pothuajse prag fundjete,
ndodhur tre muaj më parë; shqetësime të herëpashershme, si përpëlitje të
papritura në kraharor, çaste të shkurtra vështirësie të lehtë në frymëmarrje,
një ndjesi lodhjeje kur i duhej të bënte një aktivitet fizik të sforcuar, ishin
shfaqur dy vitet e fundit…
Mendoi
të ringjitej një ditë në sektorët malorë të fshatit, për të shijuar pamjet
manitëse të fushave të punuara dhe kodrave të gjelbëruara me bukuri të
natyrshme, sikurse shumë vite më parë, dhe me keqardhje pranoi se jo vetëm nuk
e paraprinte grupin e shokëve si dikur, por, në pamundësi të ndodhej në mes
tyre apo i fundit në radhë, iu desh të ndalej çaste të përsëritura, për të
rimarrë veten që të vazhdonte rrugën, megjithate nuk arriti në destinacionin e
ëndërruar.
Me
një qëndrim të padrejtë ndaj vetes, nuk i vlerësoi këto shenja, duke i
konsideruar thjesht si emocionale, ndonëse një ankesë e re, e paprovuar më parë
tek askush shtron detyrën që ai të takojë specialistin përkatës në fushën
mjekësore dhe, pasi t’i tregonte gjithçka kishte përjetuar ndryshe krahasuar me
kohën e mëparshme, pa asnjë dyshim duhej të qëndronte në pritje të gjykimit të
mjekut, pasi të kishte ndjekur edhe zbatimin e hapave të mëtejshëm të
rekomanduar prej tij. Pikërisht këto simptoma kishte nënvlerësuar Sefreti dhe
për këtë gjë u bind në takimet e mëvonshme me mjekët.
Në
mirëkuptim me bashkëshorten Hurma, menduan të organizonin një darkë të ngrohtë
familjare, ku të shkriheshin në një të vetme tri kremtime: datëlindja e tij,
respekti për ditën e parë të fillimit të punës si mësues dhe kapërcimin me
sukses të situatës ekstreme të sëmundjes së zemrës, shfaqur e avancuar tre muaj
më parë, çka Sefreti e njohu me vonesë. Fatmirësisht pësoi jo dëmtime të shumta
në fillimet e saj, por shenjat e para i kishte nënvlerësuar nga mungesa e
informacionit, bazuar në konstruktin normal dhe duke vlerësuar faktin se
asnjëherë përgjatë gjithë jetës nuk e kishte përjetuar gjendjen shëndetësore të
një pacienti.
Të
ftuarit, gjithsej 40 vetë, ishin të afërm të familjes, miq dhe kolegë prej
vitesh në mësimdhënie, të cilët kishin njohje të largët me njëri-tjetrin,
ndërsa çifti i të moshuarve në krahë të Sefretit, ulur në krye të tavolinës,
për shumicën e të pranishmëve ishte i panjohur, me përjashtim të disave, që e
patën takuar në dhomën e spitalit, ku ai qëndroi gjatë, por asnjëri nuk e
tejkaloi sjelljen normale, duke u treguar kureshtar për të mësuar lidhjet me
Sefretin, sikurse rastis. E veçanta e personit mashkull ishin syzet me të mëdha
se të zakonshmet me ngjyrë të errët të thekshme, të cilat formonin një kontrast
të dukshëm me tiparet e thinjura të fytyrës së tij. Njëherazi, fakti i fillimit
të një lëvizjeje sado të vogël në ndryshim nga qëndrimi ulur pranë tavolinës
për të hedhur disa hapa në mjedis, detyrimisht kërkonte ta drejtonte moshatarja
në krahë të tij duke mbajtur në duart e saj dorën e tij të djathtë. Shoqëruesja
po tregonte një përkujdesje të veçantë. Qartazi kuptohej se ai e vuante
plotësisht mungesën e pamjes dhe sigurisht kishin vendosur midis tyre një kod
mirëkuptimi të pazëshëm funksionimi perfekt, çka të ngjallte respekt.
Sapo
të ftuarit u sistemuan të ulur në karriget pranë një tavoline të stërzgjatur
vendosur mespërmes një holli të zbukuruar me shije, Sefreti, i emocionuar dhe i
çelur si rrallëherë, dukej që shprehte qartazi gëzimin e brendshëm shpirtëror,
i cili përhapej jashtë tij gati në po ato përmasa, sikurse dilte nga vetë
burimi apo zemra, realisht të rifituar tashmë, të mirëkontrolluar pas goditjes
së saj tre muaj më parë. Ai u ngrit në këmbë, shtrëngoi me dorën e djathtë
gotën e verës, të cilën e vendosi në nivelin e gjoksit në anën e majtë, fare
pranë sektorit ku dihet se pas tij është zemra, mori frymë thellë dhe iu
drejtua miqve:
-
Ja gëzuar të gjithëve! Ju falënderoj me shpirt për praninë tuaj në këtë ngjarje
me vlera të shumëfishta, në krye të së cilës qëndron vendosja dhe funksionimi
normal i një aparati të qëndrueshëm brenda
zemrës sime, pas një infarkti që kalova dy muaj më parë, tani ndihem
krejtësisht i qetë, me një gjendje shëndetësore normale. Dita e sotme për mua
konsiderohet e para për fillimin e një rruge të re brenda moshës së tretë, do
të kem emertesën “pensionisti” dhe njëherazi më frymëzon dëshira e gërshetuar
me detyrimin tim shpirtëror për të mundësuar njohjen tuaj me mikun tim më të
ri, të ngritur në lartesi të pamatshme… Ende prej atje po më përshëndet… E kam
të vështirë ta përshkruaj me fjalë, realisht janë të pamjaftueshme. Më duhet të
sqaroj se në lartësi qiellore ngrihet karakteri i tij njerëzor, prandaj gjej rastin të mundësoj njohjen tuaj me
Vasilin, krahë meje, njeri në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale…
Intonacioni
i zërit sa vinte e ulej. Brenda tij gërshtohej dhembja, emocione të thella dhe
një falënderim i nënkuptueshëm, të cilin me vështirësi e lejonin psherëtimat.
Të pranishmit u shtangën, për më tepër kur sytë e Sefretit u mbuluan nga nje
tis i hollë, i bardhë, si të përpiqej të mbulonte lotët pas tyre. Heshtjen e
tij e pasuan sërish psherëtimat, u dëgjuan zërat e të pranishmëve që po e
lutnin të qetësohej, duke treguar që së bashku do të qëndronin me të dhe
prisnin ta dëgjonin çastet e mëvonshme.
-
Të më falni, - mori fjalën përsëri ngritur në këmbë Sefreti, - por nuk mund të
ndihem mirë pa ju treguar njërën nga ngjarjet më të veçanta të jetës sime, më e
çmuara dhe që lidhet me njohjen time të rastësishme me Vasilin. Dëshiroj ta
prezantoj dhe ta njihni ju miqtë e mi këtë njeri, të mësoni se çfarë bëri për
mua. Pikërisht qëndrimi i tij në kufijtë e të pabesueshmes mundësoi që ne ta
gëzojmë së bashku këtë takim…
Papritur
pasoi një heshtje tepër e shkurtër, së cilës me siguri shumë prej tyre nuk ia
njhnin brendinë; ka mjaft raste kur instikti njerëzor peërshtatet brenda
kufijve, edhe pse nuk dihet se për çfarë është fjala, gjë që e vërtetoi
qëndrimi i tyre me maturi, asnjë pyetje Sefretit dhe Hurmasë, e cila saktësisht
ishte shëmbëlltyra e të shoqit në sferën emocionale duke u munduar të përmbante
lotët, si të plotësonte emocionet e tij, shprehur në ato çaste të rralla.
Mysafirët
kalonin shikimin sa nga Sefreti te Vasili, por nuk po mund të kuptonin fjalët e
tij gati me pëshpëritje e zë të ulët ku dukej një emocion i brendshëm. Paksa më
vonë me kokën ulur gati të prekte tavolinën po mundohej të kalonte në
shpatullën e djathtë të mikut, vetë pozicioni i përkulur dhe mungesa e pamjes
po ia vështirësonin veprimin, prandaj në
moment Sefreti e ndihmoi duke e pjerrtësuar trupin me kokën paksa anash dhe
vendosi krahun poshtë shpatullës:
-
Miku im, me sa po kuptoj, ti po më ngre me shpejtësi lart në qiell, por unë kam
frikë se mund të rrëzohem menjëherë. Tani është radha juaj të përgatiteni të më
prisni sa më parë, pa më lejuar të dëmtohem…
Buzëqeshën
lehtas dhe disa u ngritën ta përqafonin. Mehmeti, kolegu i Sefretit duke u
vendosur paksa me vështirësi midis të dyve, shtriu të dyja duart përpara, në
lartësinë e supit dhe foli:
-
Mos ki merak, unë do qëndroj këtu në gatishmëri duke të pritur ty…
Këto
çaste favorizuan Sefretin të qetësohej, më pas të tregonte:
-
E shoh, nuk munda t’ju prezantoja “enigmën”, do të kemi kohë…
Të
pranishmit ishin ngritur në këmbë. Të gjithë po shprehnin një gjendje të
fuqishme emocionale, qartazi bazuar në gëzimin e mundësisë së takimit,
udhëhequr nga arsye konkrete, ku përparësia i takonte përfundimit me sukses
problemit shëndetësor të Sefretit dhe takimi po kalonte këndshëm, për më tepër
gjithçka ishte e natyrshme.
-
Gëzuar Sefret! Të urojmë shëndet ty, Hurmasë dhe të dashurve tuaj! Takime si
sot të jenë të panumërta, sepse të gjithë kemi nevojë për to!
Trokisnin
fort gotat midis tyre dhe nuk po përmbaheshin. Disa filluan të këndonin të
afruar kokë më kokë dhe katër të tjerë morën vallen e krahinës, tundnin shamitë
dhe u bënin ftesë për vallëzim shokëve. Një prezantim prekës, rrallë i jetuar;
secili gëzohej brenda vetes dhe e rrezatonte natyrshëm përreth duke krijuar një
ambient, të cilin vargjet e sapokrijuara në imagjinatën e Sefretit nuk po mund
të renditeshin në strofa, sikurse herë të tjera. Po ndihej i tjetërsuar…
Orët
zëvendësonin njëra-tjetrën, mbasditja reflektonte diellin e përskuqur, flladi i
freskët lëvizte tufat e trëndafilave pranë dritares. Pjesa më e madhe e teë
pranishmëve ishin në moshë mbi mesataren. Ata po njihnin nga afër prezantimin e
gjendjes shpirtërore dhe shëndetësore të Sefretit, që deri atëherë nuk kishte
përmbushur asnjë respektim të kësaj natyre ndaj të afërmve, shokëve dhe
kolegëve të shumtë. Erdhi një çast i artë që siguroi thelbin e këtij qëndrimi
të veçantë, shprehur në organizimin e parë të përbashkët, gjë të cilën e kishte
penguar niveli i ulët ekonomik i familjes.
Dasma
e tij, si zanafilla e ngjarjeve të gëzueshme, u organizua në më të thjeshtën formë,
vetëm me prindërit dhe hallën me xhaxhanë, tre kolegë arsimtarë; së bashku
drekuan në kopshtin prapa shtëpisë, një takim i zakonshëm, aq sa ndonjëri e
niste dhe e përfundonte më të përzgjedhuren këngë si të ishte një solist në
opera, pa e shoqëruar atë me tinguj të fizarmonikës. Sa për vallëzimin e të
ftuarve dukej e pamundur, sepse sipërfaqja 2 metra larg tavolinës ishte e
mbjellë me zarzavate, që do të siguronin gatimin për disa vakte ushqimore në
javët e ardhshme, kështu që nuk realizohej asnjë formë argëtimi.
Prindërit
e Sefretit, punëtorë në uzinën në periferi të qytetit, gjithë vitin e kalonin
me vështirësi për faktin që organizimi i punës ditore në repartet përkatëse nuk
mund të siguronte të njëjtin turn për të dy: njërit i takonte të ishte në
sektorin përkatës paradite, tjetri duhej të punonte përgjatë mbasdites në të
dytin. Pika kulminante për ta ishte fundi i gushtit, kur duhej t’u siguronin
librat për fillimin e vitit të ri shkollor dy vëllezërve dhe tri motrave, të
gjithë më të vegjël se ai. Brenda 7 viteve të para, familja e Sefretit u shtua
me 3 fëmijë: dy djem dhe një vajzë. Vitet kalonin. Të tre fëmijët e tij u
larguan nga vendlindja dhe Sefreti nuk e përjetoi të drejtën e çdo babai që në
ceremoninë tradicionale në dasmën e dy djemve apo vajzës, i mbushur me emocione
pozitive, të trokiste gotat e verës, të përqafonte në çast krushqit në po atë
lartësi gëzimi, e cila do të fuqizohej nga valltarët në formë rrethi. Asnjëri
prej të treve nuk organizoi më të thjeshtën ceremoni martesore me prindërit dhe
njerëzit e afërm të fisit…
Sefreti
kujtonte me nostalgji se rreth një vit mbas mbarimit të fakultetit, nisi të
punonte kur u miqësua me Hurmanë, një vajzë e thjeshtë, serioze dhe e matur, të
cilën veprimet praktike, shoqëruar me zgjidhjen pozitive të tyre, e tregonin
pothuajese shumë vjet më të madhe se ai në moshë, kur realisht ishte me vite më
e vogël (ajo ishte diplomuar per ekonomi). Kishin njohje familjare dhe së
bashku e gjykuan të drejtë të ndërtonin një marrëdhënie të konsoliduar duke e
filluar me më të thjeshtën formë ceremonial, si fejesë e martesë njëkohësisht.
Pikërisht ardhja në familje e një vajze të sjellshme, punëtore në më të lartën
shkallë mirëkuptimi me nënën e tij, duke e lehtësuar në ngarkesën e punëve
shtëpiake të përditshme. Ishte një gëzim i paimagjinueshëm për gjithë familjen,
lehtësim për të gjithë.
Rezultatet
e mira në të katra vitet e kishin bërë Sefretin të ishte njëri nga tre kandidatët
e propozuar nga këshilli i fakultetit si një pedagog i ardhshëm, gjë që ai e
refuzoi pa mëdyshje. Familja me 10 anëtarë së bashku me gjyshin dhe gjyshen, e
priste të fillonte punë sa më parë. Të moshuarit, falë zgjuarsisë së tyre të
natyrshme, dhe përkushtimit të përditshëm, arritën të zëvendësonin mungesën e
çerdheve dhe kopshteve, duke i edukuar nipërit e mbesat të kishin sjellje
shembullore e duke i ndihmuar të ecnin të sigurt drejt rrugëve të jetës.
Një
tjetër arsye e refuzimit të Sefretit për të filluar jetesën në kryeqytet, ishte
edhe ndjesia e brendshme, delikate dhe individuale, që e mbante shtrënguar fort
me të afërmit e shokët, një ndjesi të cilën nuk e kishte njohur deri në çastin
kur prerazi vendosi të fillonte dhe ta vazhdonte punën si mësues në zonën e
tij. Profili i mësimdhënies lehtësonte punësimin e djaloshit Sefret të
porsadiplomuar si mësues i gjuhës në shkollën 7-vjeçare të fshatit të kufizuar
Drenije, largësia e të cilit me qytetin ku ai kishte lindur, ishte rritur,
shkolluar në gjimnaz e burrëruar më pas, ishte jo e vogël. Sefretit i duhej të
përshkonte përditë një rrugë të gjatë në këmbë për vajtje-ardhje, duke shtuar
kohën e udhëtimit me urbani nga qyteti deri në Patos të Ri, pasuar nga një
tjetër gjatësi rruge, të cilën, nëse e përshkonte me mjetet transportuese të
punëtorëve të naftës, do ta konsideronte fatmirësi të ditës, në të kundërt,
edhe ajo pjesë duhej përfunduar me ecje në këmbë. Dhe ishte jo pak:
Ruzhdije-Siqecë, rreth 30-45 minuta, për të arritur në Drenije, një zonë malore
e kufizuar në largësi afër 1 orë dhe rrugë në këmbë, që i duheshin rreth 3 orë
çdo ditë.
Dita
e pare e shkollës rastisi e hënë, më datën 5 shtator 1972. Emocione të fuqishme
dhe të paprovuara e zaptuan, të cilat nuk po mund t’i frenonte, ndonëse me
gjakftohtesi pranonte se hyrja në klasën ku zhvillohej mësim kishte qenë e
përsëritur për të. E veçanta e asaj dite qëndronte në faktin se për herë të
parë në jetë Sefreti u pozicionua përballë personave të interesuar që të
dëgjonin prej tij mendime dhe gjykime, të cilat deri ato çaste atij ia kishin
transmetuar të tjerët. Dhe ja, Sefreti, një mësues i ri në moshë, qysh në javet
e para po bindej se e donte punën si mësues, i donte nxënësit dhe leximet e librave.
U
miqësua shumë shpejt me njerëz të panjohur më parë prej tij dhe një ditë i
lindi mendimi të shkruante historikun e fshatit, por që i duhej të punonte
fort, sepse baza e atij dokumentimi kërkonte takime me gjithë të moshuarit e
zonës, njohje të reja, harxhim të kohës së lirë edhe kjo e kufizuar. Pra
kërkonte një punë të veçantë, të shoqëruar me lodhje fizike, gjë që e realizoi
me sukses brenda vitit dhe shpërblimi ishte shumë i veçantë; simpatia e shokëve
shihej në rritje.
Vitet
ndiqnin njëri-tjetrin dhe Sefreti e ktheu në mënyrë pune personale të kishte
mbërritur pranë shkollës në fshat dy javë para çeljes së vitit arsimor, duke
pranuar të jetonte me dy kolegë në njërën nga dy dhomat për mësuesit, si banor
i përkohshëm, ku ditëve të ftohta e të
lagështa, ngrohja mund të sigurohej vetëm nga soba me dru, e cila shërbente dhe
për tharjen e rrobave te lagura. Rrethanat e krijuara vitin e tretë mundësuan
të kthehej çdo ditë në shtëpi. Arsyeja e vetme ishte krijimi i familjes së re,
vetëm se nga qyteti dilte ne ora 5 e 30 minuta, për t’u ndodhur në shkollë çdo ditë përpara orës 8 e gjysmë. Po
prezantohej tepër i përgatitur çdo orë mësimi dhe dashuria për nxënësit po forcohej
nga dita në ditë. Njëherazi nuk linte pas dore dhe takimet një herë në jave me
prindërit, me të cilët bisedonte lirshëm.
Nuk
kishte pagesa shtesë për mësuesin atyre viteve, edhe pse banonte në fshat; as
për rrugën e përditshme, as për gjë tjetër, por Sefreti shpenzimet më të larta,
bazuar në mundësitë e tij financiare reale i bënte për blerje librash të
përzgjedhur të autorëve tanë dhe të huaj, çka nuk ishte e lehtë, se i botonin
në tirazh të kufizuar, sa librashitësi i qytetit, duke e njohur së afërmi, e
vlerësonte në mënyrën e vet orgjinale dhe i siguronte çdo libër.
Përherë
i rregullt, korrekt me veten, gjithashtu në marrëdhëniet me njerëzit pranë,
Sefreti përfaqësonte një mësues fshati model. Jepte gjuhë-letërsi, por nëse nuk
plotësoheshin 24-26 orë brenda javës
kishte detyrë të plotësonte shtesë orë vizatimi apo fiskulturë; për më
tepër i duhej përditë një parapërgatitje personale, që patjetër kërkonte dy orë
përqendrim në lexime specifike lidhur me temën. Njohëes të profilit të
mësimdhënies teksa e vlerësonin punën e përkushtuar, të ndërgjegjshme dhe
afërsinë shpirtërore me nxënësit e mësues Sefretit, shpreheshin të entuziazmuar
se ai çuditërisht po vërtetonte thënien e një dijetari të njohur: “Mësuesi
është i mirë kur tregohet edhe një nxënës i mirë”.
Vetë
profili i punës së mësuesit të letërsisë konsiderohet më i vështiri krahasuar
me të tjerë, sepse mësuesit i duhej të lexonte letërsi artistike, të përgatiste
materiale rreth temës, teksa nxënësi mbante shënime; libra të veçantë merrte në
bibliotekën e qytetit, por edhe atje do të gjeje lexues të shumtë, pra kërkohej
njëfarë kohe.
Mësuesin
e letërsisë e shoqëronte harxhimi i kohës për korrigjimin e hartimeve a
diktimeve të nxënësve apo dhe detyrave të shtëpisë. Brenda programit të punës javore shënohej
edhe vajtja në bibliotekën e qytetit. Punonjësja e saj e respektonte për
korrektësinë e spikatur dhe kohën tepër të shkurtër gjatë së cilës Sefreti
fillonte dhe përfundonte disa qindra faqe, sa një mbasdite e pyeti e habitur:
-
Jam kurioze të mësoj se sa orë gjumë arrin të bësh gjatë natës. Ky libër
voluminoz që ti e lexove në kohë kaq të shkurtër më bën të dyshoj që mund të
mos kesh vënë fare gjumë në sy…
Sefreti
buzëqeshi dhe e shtangu punonjësen kur u shpreh me sinqeritet:
-Është
e vërtetë se kam lexuar pothuajse gjithë autorët botërorë të letërsisë në prozë
të përkthyer në gjuhën tonë, por jam qartësuar kohët e fundit se më tepër po më
tërheq poezia, vargjet dhe, pa e kuptuar se si, kam marrë guximin të hedh në
letër disa strofa…
-
Urimet më të mira ke! Me të mbarë! - iu drejtua punonjësja Urani. - Tani me
thuaj cilin poet do të lexosh dhe sa vargje do shkruash sot?
Nje
emocion i fuqishëm e pushtoi papritur Sefretin. Biseda preku pikën më delikate
të zemrës dhe shpirtit të tij. Në pamundësi për të shqiptuar dy fjalë të vetme
u kthye me vërtik duke zbritur me shpejtësi shkallët ndërmjetëse të katit të
dyte të godinës.
Një
gëzim i skajshëm mbushi zemrat e gjithë pjesëtarëve të famijes kur në fund të
vitit të parë të martesës, Hurmaja solli në jetë djalin e parë, Mirin, mbas dy
vjetësh Gentin dhe katër vjet më vonë, motrën Linda. Jeta e përditshme kalonte
e qetë, secili i preokupuar në punët e veta. Mbi të gjitha qëndronte përkujdesi
i prindërve të Sefretit në rritjen e tre vogëlushëve. Jeta në familjen e
Sefretit ecte normal.
Ndonje
episod të pakëndshëm shkaktonte rreptësia e ekonomistes Hurma në çastin kur
shikimi i saj ngulitej në dorën e Sefretit që e shtrëngonte librin e porsablerë
si të trembej mos dikush ia rrëmbente dhe në çast e kuptonte se pikërisht
shikimi kritik i së shoqes teksa krahasonte saktë vlerën monetare të librit me
të një sendi tjetër të munguar atyre ditëve
në shtëpi ishte i papërballueshëm.
Mësimdhënia
vazhdoi për disa dekada me ndryshime të vogla në largësinë e Sefretit nga
shkolla, duke e transferuar në një fshat më afër qytetit. Nuk mund të mos
mbahet mend habia e skajshme e shefit të Drejtorisë Arsimore kur dëgjoi
mësuesin e apasionur Sefret, shembëlltyrën e punonjësit të ndërgjegjshëm, të
refuzonte detyren si mësues në njërën
shkollë të qytetit.
Dihet
se nuk ka përherë të njëjtin pozicionim vendi, fiksim në kohë për qenien
njerëzore, sikurse për sendet. Pavarësisht përmasave dhe përbërjes, Sefreti
prezantonte të veçantën lidhur me pandryshueshmërinë e vesit të duhanpirjes,
por as edhe njëherë të vetme brenda klasës. Tipike për të ishte përgatitja nga
duhani i rritur në fushë, sigurisht njohja me koston e paketave të panumërta në
vite do ta kishte lodhur trurin e Hurmasë llogaritare shumë më teper se puna e
përditshme brenda zyrës.
Më
e çuditshmja mbetej prezantimi i pamjes së Sefretit, të cilën vitet e moshës jo
vetëm nuk e ndryshuan, por as e prekën një thërrime, sa, kur dikush rastësisht
e pyeste për datëlindjen, atij i duhej ta përsëriste përgjigjigjen, mbasi
personi përballë nuk i besonte shifrës së sapodëgjuar. Tërhiqte vëmendje të
veçantë prezantimi i tij: një mashkull në gjatësi mbi mesataren, i zhdërvjellët
falë muskujve të ekstremiteteve mbuluar vetëm me shtresën e lekurës së hollë,
të zeshket ku dredhonin dukshëm enët e gjakut si të ishin duke e zbukuruar vetë
relievin e saj dhe për të treguar bindshëm se në perfeksionin e muskujve poshtë
tyre, ato ishin pjesëmarrëse krahas përpunimit me mjeshtëri prej duarve të një
skulptori; më tepër kur Sefreti mbante veshur pantallonat e shkurtra ngjyrë
kafe, kanotjeren e bardhë, të përzgjedhurat veshje për të jashte orarit të
shkollës. Tiparet e fytyrës nuk mund të ndaheshin se cila prej tyre ishte më
tërheqëse, sepse vendin e parë e merrnin sytë e ngjyrës së zezë me një shikim
të përqendruar, dashamirës e njëkohësisht njohës të mendimeve të bashkëfolësit,
i cili, edhe nëse i shmangej paksa përgjigjes pas pyetjes së bërë nga Sefreti,
ky mund të njihte në heshtje edhe pa i tingëlluar veshëve apo nëse buzët e
personit përballë të mos kishin shqiptuar të vetmen rrokje. Rrudhat e pakta mbi
ballë, po të njëjta…
Vallë
të ishte favorizuar kjo cilësi prezantimi brenda mendjes dhe zemrës së tij edhe
nga profili i mësuesit të ndërgjegjshëm në raste kur para vetes kishte një
nxënës të paaftë që s’u përgjigjej saktë pyetjeve të mësuesit? Nuk mundej ai
nxënës t’i ruante përmasat e vogla të informacionit që Sefreti sapo ia kishte
dhuruar?!
Apo
linja e profilit të psikologut, e cila nuk u prezantua tek ai… Në vitet e
fakultetit, shoku i afërt Mehmet e konsideronte këtë cilësi të Sefretit si një
zbulim të së ardhmes. Shpesh me humor i sugjeronte se fusha ku shoku do të mund
të shkelqente ishte drejtësia, konkretisht sektori i hetimit, ndërsa buzeqeshte
në përgjigjet e Sefretit:
-
Po mire, jam dakord me mendimet e tua, por në situata krejt ndryshe nga rruga
ime e mësuesisë, cili mund të jetë personi që më sheh, më njeh dhe vlerëson
realisht thellësinë e dashurisë sime për njeriun e thjeshtë, dashurinë për
leximin e librave, veçanërisht poezinë, por me kushtin e vetëm, pa harruar
vendosjen e duhanit brenda llullës…
Këto
mendime u konkretizuan në vitet e mëvonshme, kur takonte rastësisht ndonjë të
rritur, i cili po ecte i sigurt rrugëve të jetës dhe shprehte mirënjohje të
sinqertë për punën e Sefretit si mësues, pra
fakte reale prezantuese të personalitetit të tij. Përgjatë këtyre
çasteve Sefreti ndiente një ngrohtësi shpirtërore, i duhej përqendrim të mos i
lejonte lotët të dukeshin në këndet e syve, ndërsa fjalët e tradhtonin,
nuk dilnin rrjedhshëm…
Të
tre fëmijët ishin të sjellshëm, mësonin mirë, por ndryshimet e thella në jetën
shoqërore të vendit patjetër që refletonin paksa në jetën e përditshme. Miri,
djali i parë i Sefretit, mbas mbarimit të shkollës 7-vjeçare e të mesme, filloi
vitin e parë në fakultet, por nuk e përfundoi. Me dy shoke u largua jashtë kufijëve
pa miratimin e të atit, njeriut të respektuar për ndershmëri dhe zgjuarsi, të
gërshetuar me prakticitet në zgjidhjen pozitive të problemeve të vështira;
shpesh përdornin të njohurit një përcaktim të veçantë, një përshtatje të tillë:
“Sefreti është burri i mençur”, çka i biri adoleshent nuk e mori parasysh.
Me
shumë mundime, Miri filloi jetën në Belgjikë. Pas një periudhe 5-vjeçare
qëndrimi atje, krijoi familjen e vet me një shtetase vendëse. Genti siguroi një
bursë për shkollën e mesme në Bullgari, rezultatet e shkëlqyera i lejuan
shkollimin për informatikë ne SHBA dhe rritjen e preferencës për qëndrim të
përhershëm, në pritje të plotësimit të kushteve si qytetar me shtetësi
amerikane për t’u ingranuar në profilin e punës në fushën e informatikës, ku
edhe ishte vlerësuar me meritë. Sikurse dhe i vëllai, Genti u njoh me shoqen e
jetës dhe krijoi familjen e vet atje.
Linda,
me zgjuarsi të natyrshme, tepër e dhënë mbas studimeve në vitin e fundit të
fakultetit për gjuhësi angleze, formoi një lidhje të konsoliduar me Fredin,
bashkëqytetar i së njëjtës moshë. Shpejt përfunduan në martesë, ndonëse të
panjohur më parë midis tyre, sepse prej vitesh banonte në Nju Jork, saje
llotarisë amerikane.
Me
largimin e fëmijëve, natyrisht vëllezërit dhe motrat kohë më parë, pikëllimi i
Sefretit nuk njohu kufij kur prindërit ndërruan jetë brenda gjashtë muajve.
Pikërisht ajo shtëpi njëkatëshe me tri dhoma, që kishte njohur vetëm gjallërinë
gërshetuar me britma kalimtare të vogëlushëve apo këngët e tyre me zë të lartë
teksa me shokët luanin me frutat e shumta të pemëve në kopsht, mirëkuptimi i
admirueshëm brenda tre brezave si diçka e rrallë në ditët e sotme, pavarësisht
kohëzgjatjes, mbeti e papërsëritshme dhe frymezuese per krijimtarinë e
Sefretit…
Ditë
të zymta, të pakëndshme kur brenda shtëpisë lëviznin vetëm dy persona: Sefreti
dhe Hurmaja, jashtë në kopshtin e gjelbëruar dëgjoheshin zërat e zogjve
fluturues, ndihej aroma dehëse e luleve, por nuk e tërhiqte si dikur çiftin
tashmë të trishtuar, ndjenja e dhembjes shpirtërore që ata përpiqeshin t’ia
fshihnin njëri-tjetrit, ekzistonte, ishin të bindur se asgjë nuk mund ta
pakësonte…
Puna
ka kufij të caktuar, që i vërtetojnë vitet e moshës që ia ngushtojnë territoret, përmasat e gjerësisë
dhe thellësisë së saj, por çuditërisht Sefretin, një mashkull me konstrukt
fizik të fuqishëm pavarësisht dekadave hedhur mbi supet e tij të drejta, të
gjera, njeëherazi një përdorues origjinal i duhanit të kultivuar në arë,
pikeërisht puna nuk kishte mundur të ushtronte supremaci.
Tentativat
për ta ndërprerë duhanin nuk kishin arritur asnjë rezultat, e vetmja fushë ku
ai personalisht e pranonte dështimin, por gjente edhe një justifikim të veçantë
lidhur me ndihmesën direkte të duhanprirjes, në mundësinë e krijimit të poezive
të shumta, vargje të cilat nga pamundësia ekonomike nuk arritën të shihnin
dritën e botimit, disa strofa prej tyre i recitonin me emocione të thella
nxënës të klasës së gjashtë e të shtatë në festat që oranizonte shkolla. Mijëra
vargje shkruar me laps, më vone përdorej një stilolaps i veçantë, në fletët e
fletoreve të matematikës me kuadrate të vogla; ishin të shumta dhe Sefreti i
kishte vendosur në raftin e fundit të një biblioteke të vjetër prej dërrase, e
cila shtrihej sa gjithë muri ndarës i dhomës së gjumit me korridorin pranë, ku
mbi çdonjërën kishte shkruar me gërma të mëdha shtypi titullin dhe autorin. Sa
shumë fletore!
Për
Sefretin terezia e poezive prezantuar me shkrim dore dhe të grumbulluara poshtë
radhës së librave të botuara, pra krahasimi midis tyre krijonte një hidhërim të
thellë lindur nga pabarazia e padrejtë. Edhe pse nuk e dëshironte, pyetja e
përsëritur që ngulej përherë e me thellë në shpirtin e tij ishte: “A do munden
një ditë këto poezi, pasi të kenë ndier mbi vete peshën e hekurt të makinës
lëvizëse mbi faqet e radhitura të qëndrojnë në kapitujt përkatës dhe lexuesi me
kureshtje t’i kthejë ato njëra pas tjetrës, i mbushur me emocione?”.
Pengu
i jetës së tij, por i padrejtë. Më të afërtit
dhe Hurmaja e njihnin brendinë e poezive të sapokrijuara. Sefreti
recitonte disa strofa, i kredhur në emocione, aq sa ndonjë miku i tij, pasi e
përqafonte, duke buzëqeshur ë drejtohej me çiltërsi:
-
Pres të dëgjoj vjershat e shkruara së fundmi, pas tyre nisim bisedën.
Njëfarë
krenarie njihte brenda vetes, që e shoqëronte përherë, por përballë dëshirës së
zjarrtë që poezitë e veta t’i shihte një ditë në volume krenaria zbehej duke e
humbur vlerën e saj, prandaj mundohej të mos e prezantonte. Sefreti me pastërti
e kuptonte se krenaria e tij pengonte të
hapej në rrethe shoqërore apo të kërkonte të tjera rrugë të pastra që ta
siguronin “botimin e vargjeve të arta”, sikurse i kishin përcaktuar dy poetë të
njohur, njëherazi kritikë letrare. Natyrisht, bazuar në logjikën e tij të
ftohtë e kuptonte dhe e pranonte se ajo krenari e tij ishte “pjesë përbërëse e
karakterit të tij të gurtë”, njëri nga vargjet e poezisë së përzgjedhur, por e
pamundur ta tjetërsonte karakerin e tij për cilëndo arsye.
Një
problem tjetër lidhej me aromën e pakëndshme që Hurmaja
e nuhaste nga librat radhitur pranë shtratit të tyre për arsye se kishte
sëmundjen e astmës, një gjendje alergjie të shprehur sidomos ditëve të lagështa, por nuk kishte vend
tjetër për librat deri kur anëtarët e familjes u larguan njëri pas tjetrit dhe
u zgjerua hapësira, u eleminua aroma ngacmuese, por u tkurr shpirti i saj.
Pamundësia e botimit të poezive përsa po vazhdonte jetën mes njerëzve dhe fati
i më tepër se 1000 libra mbas largimit të Sefretit një ditë nga jeta, një ligj
absolut i saj, e trishtonte thellë Sefretin, po e pranonte se koha tepër e lirë, njëherazi e
padobishme për të përgjatë viteve të moshës së tretë po i trokiste në derën e
shtëpisë…
Peshkimi
me grep apo në rrjeta kur e organizonin në grup shokësh, e tërhiqte, nga ana
tjetër konsiderohej një ndihmesë ekonomike e drejtpërdrejtë në familje, që
realizohej vetëm të shtunën ose të dielën. Në ditët e para të muajit qershor
duke dashur si përherë t’i përfundonte punët në shkollë me saktësi nisi të
përjetonte një ndjesi të panjohur, të paprovuar më parë lidhur me emocionet e
forta që e pushtonin ato ditë kur pranonte pa mëdyshje se koha e mësimdhënies
përfundoi dhe mësues Sefreti nuk do të fillonte ditën e punës duke pasur para
syve fytyrat e dashura të nxënësve.
Nuk
e kishte të vështirë ta kuptonte dhe ta pranonte këtë gjë fare të thjeshtë, por
ja që nuk shkojnë gjithnjë në të njëjtën linjë mendimi me ndjenjat, të gjithë e
dimë mirë. Kur ia shprehte këto shqetësime kolegut Mehmet, ai me një buzëqeshje
ironike i pergjigjej:
-
I dashur Sefret, kthehu me këmbë në tokë; shprehur qartë, duhet ta pranosh se
ekzistojnë kufij për gjithçka. Konkretisht ti je një mësues shembullor, por jo
i përjetshëm.
Nuk
mund të zgjatej më tej biseda. Sefreti tërhiqej i pari dhe përgjatë atyre
ditëve ai diçka të pakëndshme po ndiente në pjesën e majtë të kraharorit. Në
mesnatën e ditës së enjte dhembja u bë tejet e fortë, kishte karakter
shtrëngues me kohëzgjatje mbi 20 minuta, e përsëritur, që e detyroi Sefretin të
kërkonte ndihmë mjekësore. Shumë shpejt e vendosën në kushte spitali të bazuar
në diagnozën e përcaktuar saktë: kishte pësuar një infarkt të miokardit, apo
sikurse e njohin një goditje serioze në zemër, prandaj menjëherë e vendosën në
repartin e reanimacionit nën një kujdes të rreptë, të gjithanshëm.
÷÷÷
Sipas
mjekëve, goditja në zemër ishte serioze për vetë zonën e prekur, përmasat e saj
dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me funksionin e atij sektori. Kohëqëndrimi në
spital, ecuria e dëmtimit po ndiqej me përkushtim e profesionalizëm nga gjithë
ekipi. Për Sefretin ishte hera e parë në jetë që po e shihte veten në një
shtrat spitali pranë të cilit ishte vendosur bombola e oksigjenit dhe në krahun
e shtrirë të tij kalonin tubat me solucione, pikat e të cilave i kontrollonte
me rreptësi infermierja.
Protokolli
i punës përmban disa hapa: marrjen e informacioneve nga vetë pacienti për
prezantimin e shqetësimeve aktuale dhe të mëparshme, mënyrën e jetesës, ku një
rëndësi e madhe i kushtohet duhanpirjes në kohëzgjatje (për Sefretin ishte
ekstreme, sepse fillonte qysh nga
fëmijëria, njëherazi në sasi të konsiderueshme); duhanpirja njihet si një nga
faktorët dëmtues tepër serioz i renditur pas shifrave të larta të tensionit të
gjakut, të cilin ai e kishte matur rrallë, por në parametra mbi normalen. Pra,
të dy bashkë te personi 65-vjeçar përbënin rrezikun në shkallë të lartë për
sëmundje në zemër, duke marrë në konsideratë edhe shqetësimet e kohëve të
fundit, por që ai ishte treguar mospërfillës ndaj tyre.
Në
çastet e para të shfaqjes së infarktit, situata shëndetësore e Sefretit u
vlerësua e rënduar, bazuar në të dhënat klinike, laboratorike elektrokardiografike,
ekografike, të cilat tregonin zmadhim të përmasave të zemrës dhe episode të
përsëritura rrahjesh të çrregullta, të përshpejtuara, të shoqëruara me kalime
të paparashikuara episodesh të ngadalshme, pasuar me ndalesa të përkohshme.
Mjekët
specialistë në konsultat e shumta midis tyre arritën në përfundimin se më e
sigurta mënyrë për mjekimin e kësaj gjendjeje të rrezikshme për jetën e
Sefretit ishte vendosja e një aparati në tri dhomëza të zemrës, që do të
ndihmonte së tepërmi në zvogëlimin e përmasave dhe rritjen e forcës së saj,
procedurë e njohur si terapia e resinkronizimit të zemrës apo “Cardiac
Resyncronisation Therapi-CDT-D”. Pajisja zotëron aftësinë e zbulimit dhe
mjekimit të menjëhershëm të çrregullimit fatal të ritmit të zemrës, por vlera e
pajisjes llogaritet në disa dhjetëra mijë euro. Po a e përballonte gjendja
ekonomike e Sefretit? Sigurisht që jo. Situatë e vështirë, e papritur kur ishin
tërësisht të papërgatitur.
Hurmaja
këmbënguli që të informoheshin të tre fëmijët dhe të merrnin përsipër shumën e
duhur për mbajtjen në jetë të punës së zemrës së babait të tyre, ndërsa Sefreti
ishte për të kundërtën, duke e kushtëzuar Hurmanë, e cila më mirë se kushdo
tjetër e njihte rreptësinë e tëe shoqit. Kur ai merrte vendim për diçka,
absolutisht nuk tërhiqej.
Kaluan
disa ditë dhe gjendja shëndetësore e Sefretit u përmirësua disi. Mjekët e
gjykuan të arsyeshme të vazhdonte të qëndronte në spital, jo në repartin e
reanimacionit, por në njërën nga dhomat e repartit. Ata do të vazhdonin ta
ndiqnin së afërmi, duke qenë të gatshëm në çdo çast. Fatmirësisht Sefreti po
ndihej mirë; mund të lëvizte lirshëm, duke i plotësuar nevojat vetes, edhe pse
Hurmaja me motrat nuk u larguan asnjë moment. Ai do të qëndronte në ndjekje të
ecurisë së sëmundjes, sigurisht me mjekim më të pakësuar, pa pasur pranë
bombolën e oksigjenit apo krahët të shtrirë me serume pasues të njëri-tjetrit.
Ai
ndiqte me vëmendje reagimin e mjekëve gjatë konsultës dhe i mbështetur në aftësinë e tij të veçantë e të
pashpjegueshme mundej ta kuptonte mendimin pozitiv, ende pa shprehur Dr. Agimi një fjalë të vetme për ecurinë
pozitive të gjendjes së përcaktuar aktualisht, vetëm duke parë në fytyrën e
mjekut një buzëqeshje nënkuptuese, Sefreti e zbërthente atë në rezultatin pozitiv.
÷÷÷
Mbas
qëndrimit në repartin e reanimacionit për disa ditë, Sefretin e kaluan në një
dhomë me dy shtretër brenda repartit. Atje qëndronte prej ditësh Vasili,
afërsisht i së njëjtës moshë, i cili vuante nga sëmundja e sheqerit, diabet në
stad të avancuar, e vërtetuar me përsëritjen e matjeve të përmbajtjes tejet të
lartë të sheqerit në gjakun e tij. Po gjendej para rrezikut të operacionit të këmbës
së djathtë, ku dukej një plagë e thellë dhe e infektuar, realisht ndërlikim
serioz. Nisur nga çastet e para, në ditët dhe javët pasuese të njohjes së
Sefretit me Vasilin po krijohej dukshëm një respekt i ndërsjelltë, sa duke
qeshur paksa me ironi, Sefreti iu përgjigj pyetjes së të porsanjohurit:
-
Ndofta na duhet të falënderojmë edhe duhanpirjen si pikë të parë mirëkuptuese
midis nesh, vetëm se nuk dihet sa vjet ma kalon.
Ne
bisedat e mëtejshme, të shtruara, duke logjikuar me gjakftohtësi, e pranuan si
njërin nga gabimet e pafalshme të bëra ndër vite, pa harruar edhe përpjekjet e
shumta, por të dështuara kur kishin dashur ta flaknin tej. Vasili, përherë
mendueshëm, fliste ngadalë, si të donte t’i jepte përgjigje së pari vetvetes e
më pas edhe shokut të dhomës:
-
Fati im i keq që nuk e kisha në dorë ta ndryshoja, sepse linda i verbër dhe
mësova që prindërit e mi për aq kohë sa jetuan u stërmunduan të më ndihmonin të
ambientohesha dalëngadalë në jetën e përditshme; një tjetër fatkeqësi pasoi të
mëparshmen: nëna dhe babai im nuk arritën ta gëzojnë jetën e tyre, një aksident
i rëndë i rrëmbeu në mënyrë fatale… Ndihmë të papërshkrueshme më dha xhaxhai i
moshuar, i cili më afroi pranë vetes duke e vazhduar kujdesin e prindërve të mi
që ata fatkeqësisht e kishin lënë përgjysmë.
Teksa
rritesha në moshë po mund të njihja dhe ta ndieja thellë brenda shpirtit tim
dashurinë e kristaltë njerëzore që
dhuronin njerëzit e gjakut tim çdo
moment. Vite më vonë, pa më dhënë as më të voglin shpjegim, xhaxhai e kishte
gjykuar të drejtë të më njihte si trashëgimtar të ligjshëm të disa pronave të
trashëguara në krahinën e Vlorës krahas të birit, gjë që, kur e mësova dhe u
konkretizua, u ndjeva i prekur thellë në zemër për faktin që personalisht asnjë
hap të vetëm nuk hodha për realizimin e atyre veprimeve jo të lehta, veçse
firmës në fund të shkresës. Sigurisht, familja ime po e jeton atë lumturi të
pamatë, aq sa papritur ndryshimi i mënyrës së ngrënies luksoze është njëri nga
shkaqet e diabetit, të cilin as pranoja ta njihja, jo më të beja kontrolle
mjekësore.
Sa
per duhanpirjen, ky ves për mua mbetet ende një enigmë. Të ishte aroma e
fuqishme e duhanit të cilin xhaxhai e kultivonte vetë dhe e përgatiste duke e
grirë për ta thithur me llullën e pandarë? Pikërisht ai mundësonte dhe më
orientonte mua fëmijën e verbër ta përcaktoja saktësisht vendqëndrimin e xhaxha
Aliut ulur në kopshtin para shtëpisë dhe
të vrapoja të ulesha në prehrin e tij. Jo, nuk e bëj fajtor. Cigaren e
parë e kam shijuar në moshën 12 vjeç, në ditët mbas largimit të xhaxhait nga
jeta pas një sëmundjeje të pashërueshme që e përjetuam hidhur; të tjera duar
njerëzore më ndihmuan.
Familja
e hallës në qytetin tuaj më trajtoi si birin e saj; këtu njoha shokë moshatarë
me mua, që, edhe pse nuk mund të isha i barabartë në aktivizimet e përbashketa
në lojërat tona fëmijëore, ata sajonin më të thjeshtat që të argëtohesha
sadopak. Pra, i
dashur Sefret, në pamundësi ta shihja dashurinë njerëzore, e ndjeva atë në
përmasa më të gjera, më të thella brenda shpirtit tim…
Shumë
shpejt ne krijuam alfabetin tonë të koduar, sipas të cilit mirëkuptoheshim
lehtësisht. Fjala vjen, njëra prej tyre ishte mënyra e të fishkëllyerit në një
kohëzgjatje të paracaktuar; një tjetër ishte numri i gurëve të gjuajtur në
tjegullat e magazinës së vjetër në oborrin e shtëpisë së hallës, pa harruar
edhe aromën tipike për lule të veçanta, të cilën së largu unë e diferencoja
qartë, nëse në dorë shoku kishte tufë lulesh trëndafili apo zymbyla, mjete që
më ftonin të luaja në fushën e gjerë, jo larg shtëpisë. Fatmirësisht, një
ndihmë e paimagjinueshme ishte përkrahja për mundësi leximi mbështetur në
përdorimin e duarve.
Gjithçka
ndriçoi brenda meje kur më punësuan në ndërmarrjen ushqimore në sektorin e
paketimit të llokumeve. Ndihesha i dobishëm për aq sa mund të pritet nga një
person i verbër, gjë që më gëzonte së tepërmi. Atje u njoha me Fatmirën, shoqen
time të pandarë, e cila më plotësoi gjithçka të munguar deri atëherë krahas
punës së përditshme së bashku, organizuar në të njëjtin repart. E rritur në
jetimore, ajo ruante ende brenda shpirtit të saj fisnik cilësi njerëzore,
gërshetuar me dashuri të paster që ma dhuronte pothuajse çdo ditë dhe pika
kulminante ishte një bisedë e thjeshtë, njëherazi delikate për vetë thelbin e
saj, të cilën e kishte përpunuar gjatë: “Të lutem, Vasil, më aprovo një
kërkesë, që për ty do të jetë një surprizë. Dëshiroj të birësojmë një fëmijë,
sepse ne kemi nevojë dhe të drejtën e plotë ta rritim numrin e anëtarëve të
familjes sonë… Operacioni që kreva para disa vitesh vërtetoi që nuk mbetem
shtatzënë, e vetmja mundësi të bëjmë një mirësi me vlerë të dyfishtë për
ne...”.
Nuk
e lejova ta mbaronte fjalën. Brofa në këmbë, i zaptuar nga emocione të çastit
tepër të fuqishme, e përqafova dhe duke i shqiptuar fjalët me vështirësi një e
nga një, iu përkula lehtësisht: “E shtrenja ime, ta njoh bardhësinë e zemrës
përgjatë gjithë kohës që jetojmë së
bashku dhe jam plotësisht dakord për çdo vendim që do të marrësh. E di mirë sa
njeri i drejtë je ti, por mëso diçka tjetër: shpirti yt i kristaltë vazhdon të
prodhojë mirësi, dashuri për tjetrin, të cilat mua më shoqërojnë çdo sekondë
dhe jam plotësisht i sigurt se mundesh edhe të dhurosh, prandaj plotësoje këtë
dëshirë të përbashket tonën sa më parë”.
Gjithçka
eci shkëlqyeshëm. Besa na lumturoi pa kufi. Jemi shumë të afruar të tre, aq sa
ndonjëherë më duket se e tejkaloj në qëndrimin tim atëror ndaj saj, edhe pse
nuk më ka krijuar asnjë shqetësim. Është e rregullt si vajzë, nxënëse dhe
aktualisht një studente shembullore, pëlqen poezitë dhe më duhet të qëndroj
paksa në korridor kur e kuptoj se ndonjërën e lexon me zë të lartë. Të jem i
sinqertë, nuk i kuptoj se çfarë tregojnë vjershat. Ja, dje…
Në
çast Sefreti buzëqeshi dhe vazhdoi me një ton prekës:
-
Vasil, të jap të drejtë për gjithë sa tregon. Pikërisht pardje më tërhoqi
vëmendjen kur po të recitoja me zë një strofë poezie. Besa më dëgjoi me shumë
interes, e emocionuar dhe pastaj më pas me delikatese m’u drejtua: “Të lutem,
xhaxhi Sefret, a mund t’i përsëritesh këto vargje, sepse më pëlqyen shumë!”.
U
habita tepër, sepse është hera e parë që më kërkohet një gjë e tillë, por ti
ato çaste dole nga dhoma dhe nuk munde ta dëgjoje bisedën time me Besën. Ajo
tregoi një interes të madh të lexonte poezi nga ato të shkruara në vite,
prandaj e porosita Hurmanë të sillte bllokun me dorëshkrimet e përzgjedhura,
këtë këtu (Sefreti ngriti paksa lart mbi komodinë një bllok të trashë). Do t’ia
jap t’i lexojë në shtëpi kur të ketë kohë të lirë tani, pasi mbaroi provimet
edhe mundet.
Vasili
nuk mund te ndiqte me shikime veprimet e shokut. Lehtas e kuptonte kënaqësinë e
Sefretit nga qëndrimi i Besës dhe pa e ditur as vetë se si, i gëzohej atij
episodi.
-
Vasil, erdhi çasti të shpreh me sinqeritet gjykimin tim per Besën: një diamant
i paçmuar në jetën tuaj! Unë e vlerësoj çdo ditë më tepër, sepse po shoh dhe po
njoh një vajzë të edukuar, që qëndron në këmbë para teje duke të plotësuar çdo
kërkesë tënden, e papërtuar për të të ndihmuar kur ti lëviz dhe Fatmirën teksa
të shërben ty, me qëllim që të ndihesh ti i plotësuar, ulet një copë herë në
fund të shtratit tënd dhe largohet pasi ia ke përsëritur disa herë kërkesën.
Këtyre
ditëve më ke habitur, kur ti, vetëm duke dëgjuar ritmin e hapave që i afrohen
derës së dhomës, shprehesh para se të jetë hapur dera: “Ja, po vjen Besa” dhe
pas pak ajo hyn në dhomë. Mbetem pa fjalë, sepse e njoh psikologjinë, por e kam
të vështirë ta kuptoj si arrin deri këtu.
Edhe
Hurmaja e shihte me simpati Besën, një vajzë afër të 20-ve, me bukuri të
natyrshme, me tipare të buta të fytyrës përherë të qeshur, në të cilën e para
gjë tërheqëse ishin sytë me ngjyrë të gjelbër, por me një larmi nuancash, më e
shprehur ngjyra blu, aq sa, kur doje ta përcaktoje se cila prej të dyjave
merrte përparësi, ishte e pamundur. Nga ana tjetër, kur afrohej pranë Sefretit
për ta ndihmuar, thjesht si mbushja e gotës me ujë, Besa e realizonte këtë
veprim dhe teksa qëndronte në këmbë për ndihmesa të rastit, me një buzëqeshje
të çiltër e cila favorizonte gropëza në faqe, shprehej:
-
Ndiej kënaqësi t’i shërbej mikut të babait.
Ishin
ato momente kur qëndrimi pranë Vasilit ishte i panevojshëm, pasi ai ulej në
korridorin aty pranë. Në njërën nga bisedat e shpeshta, të cilat edhe ndihmonin
të kalonte koha disi me qetësi, pas orarit të caktuar për vizita, Vasili i tha:
-
Sefret, u shqetësova dje mbasdite në çastin kur ti, sapo përfundove telefonatën me djalin, po bisedonit me zë të
lartë. U turbullove tepër, sa për pak u rrëzove nga stoli, gjë që e tregoi
zhurma e papritur e lëvizjes së tij. Fatmirësisht qe infermierja pranë dhe të
ndihmoi nëe moment. Do të dëshiroja të mësoja arsyen, por druhesha se, po të
pyesja më gjatë, të riktheshin emocionet
e fuqishme. Nëse mund të më tregosh diçka, dëgjova një zë rinor të tingëllonte
me forcë: “E gjen dot ku po shkojmë baba?”. Në sekondë u çorientova, nuk iu
përgjigja dhe nuk mund të hyja në brendësi të asaj pyetjeje. Si mund ta dija?
Shtrëngova pranë veshit telefonin, vazhdova të ndiqja fjalët e tij, por
ndihesha në vështirësi t’i jepja përgjigje…
-
Sot e kam më të lehtë të të përgjigjem, Vasil. Pyetjen ma drejtoi djali, Genti,
që jeton prej vitesh në Amerikë, duke më treguar që Miri, djali im i madh,
kishte shkuar nga Belgjika për të pushuar disa ditë së bashku edhe me motrën
Linda dhe po festonin ditëlindjen e nipit Tomas. Dakord, - vazhdoi fjalën
Sefreti, por pa mundur të fshihte trishtimin që kuptohej qartë në zërin e tij
tashmë më të ulët, - është një lajm i gëzuar për babanë e tre fëmijëve kur
dëgjon se ata mundësojnë takime, por si të mos ndieja unë, babai, një hidhërim
sado të vogël që edhe me të ëmën e tyre të mos gjendeshim mbledhur, një familje
e plotësuar? Njihet e drejta njerëzore, njëherazi familjare që kryetari i
familjes duhet të jetë ulur në krye të tavolinës dhe i takon atij të parit të
trokasë gotën e verës me fëmijët e vet, edhe pse ata tashmë janë bërë prindër,
atëherë të jetë Sefreti, gjyshi, para gjithë të tjerëve që t’i urojë nipit të
vogël jetëgjatësi, shëndet ,lumturi dhe të shtrëngojë në kraharor… Pa më thuaj
se ku gjendet nipi dhe sa afër tij është gjysh Sefreti?
Po,
forcën e goditjes për mua e fuqizoi mungesa e pyetjes më të thjeshtë që djali
im duhet të niste bisedën në çastin e hapjes linja telefonike: “Baba, si
ndihesh tani, je përmirësuar? Nëna na tregoi për një problem shëndetësor që të
detyroi të qëndrosh në spital disa ditë”. Unë e kisha urdhëruar Hurmanë të mos u
tregonte të vërtetën, megjithatë aq pak sa dinin për shëndetin e babait, e
kishin si detyrë parësore që të paktën në pyetjen e parë të mësonin situatën
aktuale shëndetësore, vendndodhjen në spital apo në shtëpi të babait të tyre
65-vjeçar… Besoj se po më kupton, Vasil, - dhe Sefreti ndali papritur, sepse
nuk mundej te vazhdonte më tej.
Te
nesërmen situata u përkeqësua pas një debati, ndonëse të shkurtër midis tij dhe
Hurmasë, prandaj Vasili u kthye anash për t’i lejuar të ishin të lirshëm, por u
shqetësua kur dëgjoi përgjigjen e përsëritur negative të Sefretit:
-
Jo! Absolutisht, jo!
Nuk
pyeti më tej, sepse po jetonte thellësinë e gjendjes emocionale të trishtuar të
Sefretit, njëherazi ndiente një hidhërim të lehtë në zërin e motrave dhe të
vëllezërve të tij, të cilët flisnin shkurt. Kuptohej se një problem i
sapondodhur po shfaqej. Sërish midis tyre hapej biseda rreth fëmijëve të
larguar, përparësia i takonte asaj, pikërisht thelbi i mendimeve, ndjenjave të
tij.
Edhe
pse Vasili instiktivisht i shmangej asaj linje, ishte vetë Sefreti që e sillte
drejt saj kur donte t’i tregonte mikut se fëmijët e të dy djemve të martuar me
bashkëshorte jo shqiptare u kishin mësuar fëmijëve gjuhën shqipe, sigurisht
vetëm të folurën me gabime dhe pas këtyre të dhënave të pakta, Sefreti sërish
qëndronte në heshtje. Pa të keq, një ditë Vasili, nisur thjesht nga kurioziteti
e pyeti:
-
A flasin shqip dy fëmijët e vajzës sate Linda, me të atin shqiptar? - por shpejt e konsideroi të pavend atë pyetje
kur kuptoi një tronditje të pa pritur, dhembje të pafund, shprehur në zërin e
tij që foli në çast:
-
Fatkeqësisht, asnjë të vetme, as “nëna”, as “gjyshi”, as “mirëdita”… fare. Dhe
janë të dy shqiptarë! Më kupto drejt si mund ta pranoj unë këtë gjë si prindi i
Lindës. Tërë jetën kam punuar për t’u mësuar fëmijëve të shumtë vlerën e gjuhës
sonë... Sa herë e sjell ndër mend, është njëlloj si të më ngulin një thikë të
mprehtë në zemër; tani jam edhe i sëmurë…
Nga
mënyra si shprehej Sefreti, shoqëruar me intonacionin prekës të zërit, nuk
ishte e vështirë për Vasilin të bindej se një hidhërim i tillë, i pazakontë, i
ndrydhur brenda shpirtit shëmbëllente me një plagë të gjakosur e cila vazhdonte
të pikonte gjak në përmasa të frikshme sapo dikush afrohej të prekte lehtas
sipërfaqen e saj dhe në moment shpërthente si një vullkan, por duke nxjerrë
rrëke gjaku…
-
Të kërkoj ndjesë, Sefret, jam fajtor që bisedoj për tema delikate mbushur me emocione të forta. Shpresoj se
ditët e ardhshme nuk do ta përjetosh një hidhërim kaq të thellë dhe besoj se do
ta falësh vajzën për këtë qëndrim sipërfaqësor, një ditë ajo ka për ta kuptuar
vetë.
Nuk
mundi ta përfundonte mendimin Vasili. Sefreti e ndërpreu me zë të drithëruar;
ishte momenti para shpërthimit të lotëve:
- Ta fal Lindën?! Kurrën e kurrës! E kam mohuar
bijën time!
Pasoi
një heshtje e shkurtër vrastare. Të dyja zonjat ulur në këmbët e shtretërve të
burrave, Hurmaja dhe Fatmira ende po jetonin ato çaste të trishtuara ndodhur në
mënyrë të padrejtë në situata të tilla, që fatkeqësisht në kohët tona nuk janë
të rralla. Papritur Sefreti u ngrit ndenjur duke ulëritur me zë të lartë si
asnjëherë më parë, vendosi dorën në pjesën e mesme të kraharorit, e ngriti
drejt fytit si të donte të largonte një forcë shtrënguese, dëgjohej një frymëmarrje e sforcuar dhe britmat
alternoheshin me rënkime të thella. Hurmaja, në më të shpejtën kohë, së bashku
me Fatmirën dhe infermieren në shërbim e ndihmuan të shtrihej në shtrat. Në
moment mjeku Agim udhëzonte ndjekjen e procedurës përkatëse; fytyra e Sefretit,
tepër e zbehtë, krijonte një kontrast të dukshëm me ngjyrën violë të buzëve,
djersë të shumta në forme bulëzash i mbuluan ballin…
Terapia
në kohën më të shpejtë, shoqëruar me përkushtimin e ekipit të repartit, e
përmirësuan gjendjen e Sefretit dhe kur Dr. Agimi u informua së largu për
shkakun e reagimit emocional të skajshëm dhe të pazakontë të Sefretit, e
këshilloi Hurmanë të tregohej e kujdesshme në gjendjet shpirtërore të të
sëmurit dhe të mos e ngarkonin emocionalisht, pasi krijonin çrregullime të
ekuilibrit, duke favorizuar kriza të përsëritura rrahjesh të shpejta të zemrës.
Në
një çast Vasili, pasi e kishte përpunuar hollësishëm në mendjen tij thelbin e
bisedës me shokun e dhomës, teksa qëndronin në qetësi, iu drejtua Sefretit me
zë të ulët ku dallohej qartazi një kërkesë e ndershme për falje gabimi dhe
ndiente brerje të ndërgjegjes. E nesermja, dita e diel, për të dy miqtë
mundësonte të zgjoheshin me vonesë, vizitat mjekësore të përditshme nuk
bëheshin dhe u habitën kur derën e dhomës e hapi Besa, e qeshur si asnjëherë
tjetër, njëherazi më herët se ditët e tjera, ekzaktësisht në orën 8 e 30
minuta. Pasi i përshëndeti, ajo iu drejtua Sefretit:
-
Kam një surprizë të bukur për ty, xhaxhi Sefret! Ja, shihe tani, - dhe i drejtoi
dorën e djathtë në të cilën mbante gazetën “Nacional”, ia vendosi atë në dorën
e tij të shtrirë mbi shtrat.
Të
dy miqtë, sikurse dhe Hurmaja me Fatmirën po shihnin njëri-tjetrin të habitur,.
Vajza bukuroshe dhe e mbrujtur me mirësi nuk e la të zgjatej këtë çast dhe zëri
i saj melodioz shqiptoi:
-
Sot janë botuar 4 poezi të përzgjedhura prej atyre që unë lexova. Mendova se ti
xhaxhi do të gëzoheshe kur t’i shihje vargjet e tyre të botuara.
-
Të falënderoj sinqerisht, moj vajzë engjëllore! Më lumturove, se fjala “gëzim”
nuk mund të shpreh plotësisht emocionin tim. Edhe herë të tjera kur ti
kujdesesh për të dy në mënyrë të barabartë, pa e veçuar babanë tënd Vasilin,
jam prekur shpirtërisht, por kjo e sotmja është e paimagjinueshme. Dhuratë për mua
prej vajzës me tipare engjëllore!
E
pamundur të vazhdonte më tej, një atmosferë mbushur me emocione pozitive, të
cilat Sefreti përherë kishte dhuruar, dhe ne çastin e kthimit të saj, sikurse
nuk ndodh shpesh, ai ndihej i papërgatitur ta përballonte. U deshën disa minuta
të qetësoheshin dhe e mirëpriten urimin e sinqertë buruar nga thellësia e
shpirtit të pastër të Sefretit:
-
Urimet e mia për ty janë të panumërta, por dua të vecoj atë të veçantin, që
rastësisht na lidhi me forcë të celiktë. Brenda poezive të thurura prej teje
jam i sigurt se pasqyrohet bardhësia e kristaltë e shpirtit tënd engjëllor,
shoqëruar me zemërmadhësinë e pamatshme, e drejtuar nga aftësia krijuese,
talenti dhe e gërshetuar me këmbënguljen.
Pas
këtyre urimeve dhe vlerësimeve, ishte radha e Vasilit të përlotej.
-
Edhe diçka tjetër, e dashur Besa. Mbas daljes nga spitali, dua të lexoj
dorëshkrimet e tua.
-
Të lutem, më fal, Sefret! Përsëri e vuaj tejkalimin tim dje në bisedën me ty.
Të preka në plagën më delikate të shpirtit tënd. U tregova i cekët, e pranoj,
por pa dashje. Edhe unë u ligështova kur përjetoja gjendjen emocionale tënden
në çastin e… Jo, nuk do ta përsëris sot, por ende nuk mundem ta kuptoj as tani
përse të ishte ajo situatë?
-
Është momenti të shprehem hapur, ti e meriton respektin tim! I dashur mik,
pyetjes sate dhe shpjegimin e ndodhisë së djeshme unë e njoh së largu nga sa
kam lexuar, por kam ruajtur pak dijeni rreth diagnozës së infarktit, thënë
ndryshe goditjen e zemrës prej tij, pra, bazamenti i dhembjes së fortë shkaktohet
nga bllokimi i njërës apo disa arterieve të saj, që kanë për detyrë të
furnizojnë me gjak sektorin përkates; pamundësia e plotësimit të kërkesave
shkakton vuajtje, e cila, midis tjerash, shprehet me shfaqjen e dhembjeve të
forta në gjoks.
Pikërisht
kjo është arsyeja e lartësimit të shkallës së vuajtjes brenda meje, që buron
nga një thellësi e pamatshme brenda një zemre tashmë të diagnostikuar me
infarkt… Ripërtëritja e kësaj plage shpirtërore është e papërballueshme.
Vasili,
tejet i përqendruar për sa dëgjonte pikëllimin e fjalëve të mikut, dukej se po
vuante në të njëjtën madhësi, duke pohuar me kokë.
-
Sefret, e pranoj me ndërgjegje përgjegjësinë time në këtë situatë të pakëndshme
emocionale dhe premtoj se do të tregohem më i kujdesshëm këtej e tutje! Kështu
është mirë, ta lëmë së bashku?
Sërish
Sefretit dukej që “plaga të vazhdonte të kullonte gjak”. Çuditërisht, kësaj
radhe po dukej i qetë teksa tregonte episodin:
-
Linda, vajza, ka tre fëmijë. Pa dashje e përsëris me pikëllim mosfoljen prej
tyre të asnjë fjale të vetme në gjuhën amtare, por nuk e harroj një episod të
shkurtër që më ndodhi ditën e tretë të qëndrimit kur unë isha te fëmijët e mi.
Djali i parë i Lindës, Xheku - emër amerikan; po kështu edhe i vëllai, edhe e
motra. (Vasili nuk mund të mos dallonte në zërin e Sefretit një ironi therëse,
por po qëndronte në pritje).
-
Atë pasdite, -vijoi Sefreti, - vogëlushi po shihte një emision për fëmijë në
televizor. Duket se një personazh po tregohej i vrazhdë në sjelljen e tij gjatë
interpretimit, çaste qe korresponduan me një debat të ashpër midis meje dhe
vajzës sime. E merr me mend ti se çfarë brendie mund të kishte ai debat dhe në
moment Xheku i vogël, tepër i habitur, iu drejtua Lindës në anglisht, sikurse
ma përktheu ajo, nëse isha pikërisht unë personazhi i egër i atij emisioni për
fëmijë. Ajo, e e prekur thellë, i kundërshtoi me forcë të birit, po ku bindej
vocërraku!
Pasi
më qesëndisi në çast me gjuhën jashtë, doli nga dhoma duke pëshpëritur fjalë të
panjohura për mua, gjyshin, por duhet të kishin pasur kuptim të pakëndshëm,
përderisa sytë e Lindës u përlotën…
E
vetmja zgjidhje do të ishte të flisnim drejtpërdrejt në një gjuhë të njohur për të dyja palët, sepse, a kam
pasur kohë të lirë apo të tjera mundësi që unë të mësoja gjuhën angleze? Jo, në
mënyrë absolute. Të vetmen gjuhë të huaj ne nxënësit e atyre viteve kishim
rusishten, të cilën e përvetësova në shkrim e lexim, por jo në të folur. Linda
dhe i shoqi brenda jetës në shtëpi duhej të komunikonin shqip dhe të realizonin
një detyrë parësore që t’i mësonin fëmijet ta kuptonin shqipen e folur dhe unë
të dëgjoja i lumtur: “Më ka marrë malli për ju, gjysh! Do të ulem në tavolinë
midis teje dhe nënës. Kur do të shihemi përsëri?” apo dhe të tjera fjalë të
pastra dalë nga zemra e kristaltë dhe e formuluar nga buzët e kuqe të
pasardhësve tanë. Ja pse në mënyrë absolute nuk pranoj që fëmija i fëmijës tim
të më ngatërrojë me një personazh komik në filmat vizatimorë, gabim sigurisht i
paqëllimtë i vogëlushëve, por përbën një shkelmim, pasuar me thërrmim të
shpirtit tim. E gjitha kjo shmanget vetem nëse nipërit e mi të shtrenjtë njohin
të pazëvendësueshmen gjuhë për mua, shqipen, e cila më bëri njeri dhe mundësoi
mirëkuptimin tim me fëmijë të tjerë, duke jetuar e punuar pranë tyre përgjatë
disa dekadave…
Ditëve
në vazhdim, të dy po afroheshin natyrshëm. Njëra prej arsyeve ishte edhe bindja
se duhani duhej ndërprerë detyrimisht
dhe nuk duhej qëndruar më në pritje të dëmtimeve të tjera në organizëm.
Pikërisht kur Vasili mësoi se sëmundja e sheqerit kishte arritur stade të larta
dhe simptomat e saj po i përjetonte rëndshëm,
e gjykoi se pa dashje ai vetë kishte ndihmuar në përparimin e sëmundjes,
gjë që e vërtetuan bisedat e hapura me Sefretin, i cili e kishte konsideruar të
zakonshëm përdorimin e duhanit origjinal me llullën mes buzëve apo gjatë
parapërgatitjes së saj mbajtur nq duar. Sa par Vasilin, ai kishte konsumuar
plot dy paketa cigare gjatë 24 orëve.
Dy
moshataret i afroi dhimbja shpirtërore. Nga të panjohur më parë dhe as të
takuar, rastësisht u miqësuan, pasi koha e gjatë e qëndrimit brenda së njëjtës
dhomë spitali, mundësoi njohje dhe miqësi. Fatmirësisht gjetën mirëkuptim midis
tyre edhe bashkëshortet e tyre. Me probleme serioze të sëmundjes së sheqerit
dhe duhanpirës prej shumë vitesh, Vasili qëndronte në spital për vazhdimin e
mjekimit të plages në këmbën e djathtë me origjinë diabetike, vërtetuar nga
plotësimi i testeve përkatese. Fakti që sëmundja e tij prezantonte nivele tejet
të larta të sheqerit në gjak kishte mundësi avancimi të plagës deri në prerje
të këmbës së tij në shifrën 25 %, gjë e vërtetuar dhe e bazuar në konsultat
mjekësore të përsëritura.
Periudha
kur Vasili po njihej me rrezikun e humbjes së këmbës së djathtë e ndërgjegjësoi
të realizohej e pamundura në atë pak kohë të mbetur para tij, prandaj gjithçka
e la në dorë të grupit të mjekëve, veçanërisht kirurgut vascular, i cili
kryente procedura kirurgjikale, për të siguruar fluksin e gjakut në këmbën me plagë dhe të infektuar, për të
evituar prerjen e saj…
Çuditërisht
Vasili prezantohej si një nxënës i bindur para mësuesve, e kishte mëse të qartë
se koha e kaluar dhe e pavlerësuar prej tij kishte bërë të arrinte në ate
nivel. Ai ishte njeri i mençur në mënyrë të natyrshme, por këtë dhuratë nuk
duhej ta kishte keqpërdorur për të marrë vendime të gabuara, të cilat qëndronin
përballë shëndetit të tij. Më kryesorja ishte fakti këmbëngulës se duhanpirja
nuk kishte si të prekte zemrën e tij të fuqishme, sikurse mundej ta provonte
personalisht. Dëmtimi i syve nuk mund të prekte më tej verbërinë e lindur të
syve, por njohuritë e tij mjekësore ishin dhe mbetën sipëfaqesore, sikurse dhe
më parë. Njëherazi, kur mësoi se u diagnostikua me sëmundje sheqeri, ai nuk
kishte informacione të plota se si diabeti dëmtonte nervat e trupit, kryesisht
të këmbëve.
Në
të njëjtën dhomë dy pacientë, dy burra të zgjuar. Kur Sefreti tregonte për
vetminë shpirtërore, mbylljen brenda vetes dhe kufizimin e hapësirës mbas ikjes
së fëmijëve, Vasili i përgjigjej:
-
A nuk kam qenë i vetmuar nga bota unë për kaq vite dhe ja tani në fund të
shtratit është ulur Besa, vajza ime e dashur.
Sefreti,
në njërën nga bisedat me shokun, i tregoi për një vizitë njëmujore te djali në
Amerikë. Atje nuk kishte shkëmbyer asnjë fjalë të vetme anglisht, gjë që
fajësonte veten që të kishte lexuar më pak libra apo të kishte krijuar më pak
poezi dhe të kishte mësuar anglisht së paku. Intelekti nuk i mungonte, por e
kishte lënë pas dore. Pikërisht ishte arsyeja e vetme se përse aroma e luleve
shumëngjyrëshe në lulishte, ku ai ulej për orë të tëra, nuk i dhuruan aromën e
këndshme; asnjëra prej tyre nuk e përshëndeti dhe flladi pranveror nuk përshkoi
rrugën më të afërt ta përkëdhelte. Mos duhet ta provokonte sërish takimin me
natyrën në një kopsht tjetër? As e mendonte një vizitë të dytë. Kishte vendosur
me bindje të mos provonte emocione të
tjera jashtë vendit.
-
Më dëgjo, më kupto drejt, i dashur Vasil! Nisur nga gjendja shëndetësore e
tanishme, e kam të domosdoshme të marr përgjatë gjithë ditës një grusht me
ilaçe. Kam të drejtë të mendoj se më e rëndësishmja prej tyre, medikamenti i
cili qëndron mbi gjithë të tjerët, është një buzëqeshje apo një përshëndetje e
njërit prej 10 pasuesve të mi, pra tre fëmijëve dhe 7 vogëlushëve te tyre.
Çfarë mund të bëj kur nuk po e gëzoj këtë rikthim të merituar ndaj meje? Ata të
më dhurojnë të paktën disa grimca gëzimi. Ku shkoi qumështi i gjirit të
Hurmasë, vrapimi rrugëve brenda oborrit apo dhomave të shtëpisë kur asaj nuk i
mjaftonte koha as të uleshim së bashku në tavolinën e drunjtë? Sa për mua, kur
koha nuk mjaftonte, ulesha në një buzë rruge…
Sapo
Sefreti niste këtë temë, lotët e pengonin të formulonte mendimin. E informuan
se bëhej fjalë vetëm për një konsultë mjekësore të specializuar në kryeqytet
dhe ai ra dakord të shkonin atje. Sefreti përmendet menjëherë mbas ndërhyrjes
kirurgjikale dhe, pasi vështroi Hurmanë, hodhi sytë përqark, duke thirrur me zë
të lartë:
-
Ku ndodhem tani? Ku jam? Vasil! Vasil!
-
Nuk ka Vasil këtu. Vasili që po kërkon, është atje ku jeni ndarë me
njëri-tjetrin. Ti sapo ke dalë nga salla e operacionit. Të kanë vendosur një
pajisje funksionale që do ta përtërij jetën tënde, - i thanë.
U
dëgjua më e thella shkallë në zërin dhe shpirtin e Sefretit:
-
Duhet të dini se unë nuk kam mundësi të përballoj as shpenzimet e një plage të
vogel, jo më për një aparat që as mundem ta imagjinoj!
E
qetësuan duke i thënë se Hurmaja ishte marrë me zgjidhjen e problemit dhe
gjithçka kishte kaluar mirë dhe nuk e lanë të shqetësohej më tej. Për më tepër,
edhe nëse do të kishte marrë informacione paraprake, ai nuk shpresonte se do të
mund të plotësohej shuma e duhur e të hollave për aparatin mjekësor të
rekomanduar, që as mund të sigurohej nga shitja e çdo gjëje që posedonte nga
puna e përditshme së bashku me Hurmanë, për një periudhë kohe mbi 40 vjet. I
ngrohej zemra nga përkujdesi njerëzor i gjithë personelit mjekësor, njëherazi
nuk i largohej nga mendja Besa, një fëmijë e birësuar në ditët kur i qëndronte
pranë të atit dhe i shërbente me dëlirësi dhe gatishmëri, si të ishte bija e
tij. Atëherë, si mund të mos pikëllohej brenda vetes Sefreti?
Në
bisedat mirëbesuese me Fatmirën, gruan e Vasilit, sigurisht ide të sugjeruara
dhe aprovuara më parë prej tij, Hurmaja u imformua se familjarët gjetën
dokumenta origjinale që vërtetonin disa pronësi në emër të tij në vlera të
larta, për të cilat Vasili kishte pasur informacione të zbehta, por pamundësia
fizike dhe ekonomike nuk e kishin lejuar të ndiqte rrugën e gjatë dhe të
vështirë deri në konfirmimin e pronësisë, kështu që në mirëkuptim me njerëz të
familjes në fshat u realizua.
Gjatë
kohës së qëndrimit së bashku me Sefretin në të njëjtën dhomë spitali, Vasili u
gëzohej vizitave të miqve të Sefretit, temës së bisedave, por me mençuri
gjykonte pozicionin e vet dhe ishte pjesëtar me të pranishmit kur ata e ftonin
në bisedë. Shpesh ndihej i lumtur, sepse po i krijohej një përshtypje e
panjohur se po i kthehej shikimi, aq sa një ditë iu drejtua mikut:
-
Ti njeh mirësitë e shumta që më dhuron vazhdimisht, për të cilat je i
ndërgjegjshëm. I bën i nxitur nga shpirti yt dhe zemra jote, por nuk e di se
realisht ato, të transmetuara drejtpërdrejt te një person i verbër që kurrë nuk
mundi të shijojë bukurinë e një rrezeje të vetme drite, ky për fatin e tij të
hidhur, pikërisht ky person po i vlerëson me mundësinë e shikimit. Mos është gjë
e pakët kjo? Jo, sepse as mund ta kisha imagjinuar! Pa e tepruar, edhe më ka
rastisur të jem ndodhur mes personave, teksa diskutonin për çështje të
ndryshme, nganjëherë interesante, që edhe kanë tërhequr për t’u bërë pjesëtar
në bisedë, por nuk kam përjetuar moment më të vështirë emocional kur njëri prej
tyre i drejtohej folësit të çastit: “Lëre të qetë Vasilin, mos e ngatërro! Ai
nuk sheh”. Dakord që Vasili nuk shikon, por ai dëgjon mirë dhe arsyeton në
mënyrë normale. Njohja ime me ty dhe Hurmanë më pozicionoi në një tjetër
shkallë, aq sa kam përshtypjen se mund të shoh qartë të sotmen dhe të ardhmen.
Tepër
i rëndësishëm është dhe fakti që vajza ime e shtrenjtë Besa besoi në aftësitë e
tua krijuese, sepse, sikurse më tregoi Fatmira, i lexoi poezitë e tua të
përzgjedhura brenda më të shkurtrës kohë dhe për të respektuar ty i mundësoi të
parat botime, por që nga ana tjetër mësoi se sa e lumtur do të ndihet kur këtë
rrugë ta ndjekin vargjet e krijuara me shpirtin e saj të ndritur, që e
demonstron çdo çast… Unë e di se i pëlqen poezia, por ama vetëm deri këtu,
asgjë tjetër. Prandaj nuk ta harroj këtë mirësi që ti i dhurove Besës; ju kam
dëgjuar kur përmendnit autorë botërorë, për mua plotësisht të panjohur, unë
gjoja se dremisja…
Vasili
me Fatmirën vendosën në mirëkuptim, pa u ekspozuar dhe duke i përjetuar
falënderimet e sinqerta të Hurmasë, të plotësonin gjysmën e kostos së pajisjes
mjekësore të domosdoshme për Sefretin, krahas gjysmës së parë të siguruar jo pa
vështirësi nga vëllezërit dhe motrat e tij. Pra qëndruan në pritje të ardhjes
nga jashtë shtetit ku ishte bërë porosia. Qëndruan në pritje me shumë vëmendje
sa të merrnin njoftimin nga spitali në kryeqytet, pa e përfshirë Sefretin,
derisa ndërhyrja kirurgjikale të kishte përfunduar me sukses, sepse Sefreti me
siguri do ta kishte refuzuar këtë veprim të pazakonshëm.
E
mira të vjen nga ku nuk e pret, saktësisht nga një njeri që e njeh rastësisht.
Miqësia e tyre u bë shembull për shumë të tjerë, pavarësisht se realiteti nuk u
përhap sipas një sugjerimi, buruar nga zemërbardhësia dhe zemërmadhësia e
rrallë e Vasilit:
-
Ndiej lumturi kur e ndihmoj konkretisht dikë sa më shpejt dhe në më të
shkurtrën rrugë, sepse kohëzgjatja, për më tepër ekspozimi i këtij veprimi
shpirtëror prej meje, do ta zbehte atë, do t’ia pakësonte vlerën.