E shtune, 05.10.2024, 12:39 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh - Prof. Martin Camaj

E merkure, 08.07.2020, 07:43 PM


Nga Fritz RADOVANI:

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:

PROF. MARTIN  CAMAJ

Pse ashtë aktual Gjergj Fishta?

Prej Prof. Martin CAMAJ...

Dorëshkrimi i fundit i studimeve kritike (1991):

Fjala ‘aktualizim’ na qet ndërmend kthimin tek një proces i nisun dhe i këputun në një shêj vendi. Ndoshta dikush mendon se vijimësia, rimarrja e procesit mbërrihet tue marrë të dy fijet e këputuna e që ngjiten bashkë, bile tue i lidhë nye po aty ku janë këputë para afër një gjysmë shekulli.

Don me thanë zhvillimi i traditës kulturore ndër ne i këputun nuk ka shembull anaçor në asnjë kulturë të popujve që dalin nga diktatura staliniane dhe kërkojnë rrugë kthimi në traditën e vet të mirëfillt.

Rasti ynë ashtë i veçantë, për ju të breznisë së re posaçe. Juve ju mbetet të filloni një proces të ri, pra, ta aktualizoni traditën në kushte të reja.

Edhe Fishta do lexue përsëri, jo vetëm Shkodër, por edhe në Tiranë, Vlonë e Korçë. Ju të lindun në pjesën e dytë të këtij shekulli në trollin tonë amë, amë edhe për ne të diasporës, Fishta iu tingllon  si emën abstakt nëse nuk e lidhin me një emën vendi Fishtë, katund i Zadrimës ku lindi Poeti ynë.

Para se të kaloj në shqyrtimin e temës së dhanun nalt, si nisë me jetue vepra artistike e ndalueme këtu tek ju, due të sjelli vërejtjen se Fishta,

në diasporën shqiptare të shprishun nëpër botë e pra, vepra e tij nuk ashtë qitë kurr në harresë.

Mbas 1950 Lahuta e Malcís u botue dy herë në mija ekzemplarë në Romë dhe i treti botim gjindet në shtyp të një Editorí kosovar.

Lahuta u përkthye gjermanisht nga albanologu i përmendun Max Lambertz, i cili ishte profesor i universitetit të Leipzig-ut, në zonën-komuniste. Qeveria e Enver Hoxhës ndërhyni që Lahuta e përkthyeme mos të botohet në DDR (RP Gjermane), andaj doli në dritë në Gjermani Perëndimore (Botues: Südosteuropa Institut. R. Oldenbourg Verlag. München 1958).

Kangë të ndryshme të Lahutës si edhe shumë copa nga satira e Fishtës kanë qenë përkthye prej Ernest Koliqit dhe botue herë mbas here në revistën letrare “Shêjzat” – Le pleiadi në Romë (1957-1974).

Lahuta tanësisht e përkthyeme doli në Palermo në vjetet ‘60; përkthyesi Ignazio Parrino: albanolog arbëresh dhe dishepull i prof. Zef Valentinit, drejtor i “Istituto di Studi Albanesi” – Universita di Palermo.

Për Fishtën në këtë ndërkohë kanë shkrue studiues të shquem, ndër ta del në pah Prof. Arshi Pipa, i Universty of Minnesota (USA) (sh. Trilogia albanica, në 3 vëllime, 1978. München) etj.

Këtu po marr rastin t’ju vê në dukje se disa përkthime të Arshi Pipës në gjuhën anglishte janë dëshmi e madhshtisë së vargjeve të Fishtës si në asnjë përkthim në ndoj gjuhë tjetër. Pipa ashtë edhe autor i tri veprave poetike, botue në mërgim: Libri i burgut, Rusha e Meridiana. Ka botue mija faqe gjithnjë në gjuhën anglishte mbi letërsinë shqipe, mendmin filozofik dhe estetik të spiritualitetit apo pajës shpirtnore shqiptare.

Po shfrytëzoj këtë rast, por tue mbetë gjithnjë mbrenda temës, të theksoj se pa veprat e Arshi Pipës nuk mund të lidhet filli i këputun i traditës letrare ndër ne. Për këtë pinjuell të qytetit tonë, të Shkodrës; duhet të jeni krenarë!

Prof. Martin CAMAJ per poezinë Fishtjane...

Fishta si figurë e shkëlqyeshme e letërsisë dhe e kulturës shqiptare ka qenë dhe ashtë gjithnjë në qendër të vëmendjes së shkencës në të gjitha qendrat universitare albanologjike në Perëndim, Romë, Neapull, Palermo, Kozenca, Bari, Mynih, Minneapolis, Minnesota (USA) etj.

Mbi veprat e Fishtës janë shkrue dhjeta teza doktorati.

Fishta ka hy me kohë në letërsinë botnore, posaçe në studime e monografi specifike rreth epikës botnore, meqenëse Poeti ynë në këtë gjini letrare zë vend të posaçëm: Lahuta e Malcis mbahet si vepra e fundit epike në kontinentin tonë. Artikuj mbi Fishtën dalin sot e gjith ditën në enciklopedi letrare në tanë botën.

Tash ju, brezni e re shqiptare, gjindeni para një vepre mija e mija faqesh të Poetit ma të madh tonin, i cili për afër një gjysmë shekulli ju ua hoqën sysh shì asi njerëzish të paaftë me gjykue çka ashtë art e poezi, po se po, por edhe pa vlera morale e patriotike shqiptare, tipa Tartufash që simbas Fishtës edhe në kohën e tij kishin këso parimesh:

Ti ke mbajtun

Gjithmonë këtë rregull:

Erzin e shpirtin

Do t’losish shtregull

Do t’i shesish vllazent,

Do t’ mohojsh fisin,

Sá herë qi n’ shekull

T’a leverdisin... (Anzat e Parnasit)

Ku do t’ia filloni ta zbërtheni gërshetimin kompleks të mbarë veprës së Fishtës, mes epikës, lirikës, ironisë e satirës?

Shpejt do të kujtoheni se Fishtën e madh nuk do ta zbuloni vetëm me Lahutën e Malcis, ndonëse zbulimi i kësaj vepre na jep në dorë fillin për zbulimin jo vetëm të një periudhe, por të mbarë traditës sonë letrare, andaj të gjitha veprat Fishtjane që përfshijnë të gjitha gjinitë letrare, donë pamë e analizue në kontekste të gjana të letërsisë dhe të poetëve tanë; me De Radën, për shembull në lirikë dhe epikë.

Gjergj Fishta dhe Jeronim De Rada janë klasikët tanë që lidhën traditën letrare gojore popullore, me siguri një traditë letrare mija vjetësh, me letërsinë reflekse apo individuale të shkrueme. Në të dy spikatë talenti i shkrimjes të këtyne dy komponenteve më një, po ashtu si zbulohet qartë në përpunimin e vargut të poezisë popullore (sh. Pipa, Albanian Folk Verse: Structure and Genre, 1978). Tek të dy këta poetë spikat një varg i ripërtrimë, i ri, në një shkëlqim të paimitueshëm, të papërsëritshëm. Këtë vijimësi nga burimi i gjenit të kombit e gjejmë edhe në funksionin e këtij arti nga rrezaton vetëdija se kush jemi si arbënorë dhe si të tillë në çfarë rreziku gjindemi për të mos qenë ata që jemi.

Breznia juej ashtë e stërvitun të përnjësohet me një tjetër funksionalizim të letërsisë që nuk ishte dhe nuk ashtë e përgjithshme shqiptare, por në interesin e mbijetesën e një klike. Kalimthi po theksoj: poezia popullore edhe e klasikëve do kuptue si britje e dhimbshme, gjamë e vajtim grashë zemërplasuna që gjimbarë britje e dhimbë integrohen në poezin e Fishtës sonë.

Në saje të këtij kunorzimi, përputhjes së kangës në zanin e një populli dhe të shêjit simbolik që shlyhet në lëkurë e gur, por del përsëri (sh. Palimpsest 1991).

Andaj me të drejtë pohojmë edhe na vete se jemi trashigues kulturash të ndryshme të rralla në botë. Më falni për këtë shpërthim ndjesish në një tekst analizues! Fishtës posaçe ma tepër se De Radës i mjafton vetëm një fjalë, një theksim në sistemin tingullor të vargut popullor, për ta ba atë specifik, të papërsëritshëm, origjinal me vulën e artit Fishtjan.

Në një lloj të tillë të vargut epik, rapsodi i maleve tona sa ta ndëgjojë, brof e thotë: Ky ashtë Fishta!

Si te De Rada ashtu edhe te Fishta, hasim në vargje popullore autentike, të paprekuna, por që integrohen natyrshmënisht në strukturën tekstuale të veprës së tyne. Kjo metodë e poetëve tanë i përgjason asaj të komponistëve të mëdhaj të muzikës klasike të cilët kur tematizojnë motive thjesht folkorike popullore, në një shêj vendi integrojnë në partiturë apo tekst motive të rralla tingujsh po ashtu, si gjinden në variantet popullore, ndoshta, sepse këto pjesë burimore të muzikës apo kangës popullore në të dy rastet, në vetvete kanë mbërritë përsosmëninë dhe së dyti, si të tilla përkojnë me harmoninë e saktë në strukturën kompozicionale të pjesëve të elaborueme.

Problem për kuptimin e poezisë Fishtjane si të çdo autori tjetër të madh në letërsinë tonë, Poradeci apo Mjeda dhe në kohët e reja Mitrush Kuteli, për shembull, paraqet forma, kryekreje gjuha e lidhun ngusht me stilin vetjak të poetit (language). Dukuni e përgjithshme për të gjitha vendet e diktaturës staliniste, me pak përjashtime si janë gjuhët me traditë të gjatë kulturore, ashtë formalizimi i gjuhës në një drejtim të caktuem për t’a ba atë mjet e vegël përçuese të propagandimit të doktrinës dhe praktikave të shtresës sunduese. Karakteristikë e këtij zhvillimi gjuhësor të panatyrshëm ashtë cungimi i pjesëve të gramatikës, zvetnimi i gjuhës përmes marifeteve tjera manipuluese që nuk kanë të bajnë me shkencën e mirëfilltë gjuhësore, quejtë me një terminus technicus lingvistik komponente “jashtagjuhësore”. Kjo gjuhë artificiale, natyrisht, nuk mund të merret as si bazë formale krahasuese në studime të historisë së gjuhës shqipe prej asnjë shkencatari të saktë.

Ideologjia moniste kishte nevojë për një kufizim apo ngushtim formash, për vorfnimin e gjuhës, për të ngushtue edhe mendimin e lirë që lyp një fjalor të llojllojshëm ashtu si i ka gjuha shqipe.

Vetëm me gjuhën gazetareske të propagandës nuk mund të kuptohet asnjë autor shqiptar cilësor, për mos me shkue larg, as veprat e fundit të Mitrush Kutelit. Disa autorë të realizmit socialist sa ma tepër shtyhen në zgjanimin e përmbatjeve dalin si pa u kujtue edhe jashta hallkave formale të gjuhës ‘njësuar’, andaj veprat e autorëve mediokër (si i quen shtypi sot) ishin të përkrahun nga klika sunduese enveriste.

Veprat e tyne ishin për klikën të tejpamshme të përshtatshme për ta shndërrue njeriun në robot.

Tek unë dhe ata që e kanë ndjekë zhvillimin e kësaj lloj letërsie disi për së largu por vijueshmënisht qet kryet kujdesi që n’ këto kushte ‘aktualizimi’ i autorëve mos të marrë drejtim të gabuem. Rrezik për gjeneratet e reja në përvetësimin dhe receptimin e klasikëve mos të ndahet përmbatja nga forma.

Kjo na qet edhe në në një plan tjetër të shqyrtimit: tek Fishta, për shembull, mbivlerësohet funksioni patriotik dhe s’kujtohemi se Fishta së pari ashtë poet i madh.

Fishta u gjykue gabimisht edhe nga disa autorë të realizmit socialist ndoshta edhe mbushamendas, sepse ata s’e panë Lahutën e Malcis në kontekstin e letërsisë së një periudhe mbasrilindëse.

Vepra Fishtjane shënon një kthesë pa të cilën nuk do të kishte pasë zhvillim të matejshëm poezia jonë.

Fishta vé në dukje, për shembull, problemet mbas krijimit të shtetit shqiptar, korrupcionin si trashigimi e burokracisë otomane përmes nëpunësve që Turqia e re “i hodhi si këlbazën” jashtë, dhe si patriotë shqiptarë gjoja, shtypnin popullin mbas praktikës otomane të vjetër.

Në vlerësimin funksional, Fishta për kohën e tij ashtë ma tepër social se nacionalist në kuptimin e lashtë të fjalës.

Breznitë e reja shqiptare gjinden para mundësive të reja që edhe përmes poezisë së klasikëve tanë, të përvetsojnë cilësitë estetike të lira e të natyrshme e prej andej të nisen rrugëve të reja në zbulimin e jetës e të artit tonë të ethnos-it, skajim që përfshin të gjithë botën shqiptare.

Shenim nga F.Radovani:

Ky material shkencor asht i përgatitun nga Profesor Martin Camaj, në Munich të Gjermanisë per me u lexue para Shoqatës “At Gjergj Fishta”, me 23 Tetor 1991, në Shkoder. Nuk u lexue se Autori Camaj, u randue nga shëndeti dhe, nuk mujti me ardhë ma në Shqipni...

Prof. Martin CAMAJ asht le me 21 Korrik 1925 në Temal të Shqipnisë së Veriut. Ndrroi jetë në Munich të Gjermanisë me 12 Mars të vitit 1992...

Materiali i Prof. Camaj nuk u lexue as nuk u botue sepse në Shqipni, edhe njëherë vazhdoi censura enveriste në të gjitha fushat e artit e të kulturës.

“Rilindja”komuniste mundohet me “ringjallë” edhe njëherë të gjitha ato figura të dekompozueme të “realizmit socialist”, shumica t’ harruem...

Prandej, edhe ka fillue shpifjet kunder Prof. Martin CAMAJ !..

Melbourne Korrik 2020.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora