Kerko: a
Libra të rinj: Botohet “Adrenalina e një titisti” nga Shefqet Dibrani
E marte, 23.06.2020, 11:20 AM
NJERIU ME ADRENOLINË E SHKATËRROI LDK-në DHE KOSOVËN
Këto rrëfime janë
rezultat i zhvillimeve politike në Kosovë dhe brenda vetë Lidhjes
Demokratike të Kosovës. Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK-ja doli përsëri
humbëse, por mania për ta kthyer humbjen në fitore, mbetet ves i atyre që janë
të prekur nga adrenalina, sëmundje kjo që ua dobëson arsyen e të menduarit
aktiv dhe pozitiv. Ndoshta është kjo arsyeja pse Isa Mustafa insiston t’ia
sigurojë vetes edhe postin e Presidentit të Kosovës, prandaj është në gjendje
të bëjë çmos, të krijojë ngërç e madje t’i ndërrojë partnerët e koalicionit?!
Në këto rrethana “LDK-ja po e kushtëzon VETËVENDOSJEN, për postin e
presidentit të cilin do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë KOSOVA e ka rastin
historik për t`u futur në Librin e Rekordeve Guinness!”. Këto analiza
të cilat rrëfehen si tregime, janë publikuar edhe në rrjetet sociale duke e
kryer misionin e vet. Tash rikthehen në libër, si rrëfime, si tregime të
trishta për kohë absurde, vetëm iu kanë nënshtruar një retushimi si
domosdoshmëri profesionale!
Sipas këtyre rrëfimeve
na bëhet sikur edhe Kosova ka probleme me çrregullimin e adrenalinës, (në kimi:
C9H13NO3). Adrenalina është hormoni i
gjëndrave mbiveshkore, kurse veshkat janë filtër për trupin. Ky hormon ndikon
në gjak, në zemër, rrit stresin, krijon siklet psikik, çrregullon funksionimin
normal, kurse shoqërisë mund t’i sjellë paradokse të mëdha, kuptohet nëse edhe
politika vuan nga çrregullimet e adrenalinës?! Mungesa e saj, rrit lipozën
(yndyrat), shton glukozën, gjegjësisht sheqerin në gjak. Po ashtu adrenalina
ndikon në muskuj, në tru e në sistemin e neuroneve, krijon metabolizëm në mëlçi
etj., d.m.th. adrenalina, në trupin e njeriut ka rol specifik dhe mjaft të
rëndësishëm. Adrenalina ka veprim të kundërt me insulinën, sepse ajo rrit
sasinë e sheqerit në gjak, kurse insulina e zvogëlon. Ndonëse është hormon me
kohëzgjatje të shkurtër veprimi, pasojat nga ky çrregullim janë të mëdha dhe
shpeshherë të përjetshme, prandaj krahasimi i këtyre çrregullimeve me sistemin
politik tek ne në Kosovë, veçmas në strukturat e LDK-së, më duket gjetja ma
fatlume, sidomos kur e kemi parasysh karakterin korruptiv e kriminal dhe pozitat
e pamerituara, të atyre që qenkan shkolluar në Amerikë(?!), me frikën se
kohëzgjatja e tyre në pushtet, ka rrezik permanent t'iu bëhet ves i
përjetshëm...
Numri
13, cilësohet i pafat,
ndërsa në mitologji thuhet se ndjell mallkim. Edhe reagimet në një farë mënyre
janë “mallkime”, që shprehen kundër një shëmtimi të bërë, për një punë të keqe,
kundër veprimeve të dëmshme etj. E duke pasur parasysh efektin psikologjik i
cili mund të ngjallë halucinacione, menduam se këto tregime do të ndikojnë në
psikologjinë e individit dhe të lexuesit, ndoshta ishin dhe janë arsye të vetme
pse i kemi kundruar si mallkime, të vetëdijshëm se komunisti nuk beson në Zot,
aq më pak frikësohet se mund ta zë mallkimi i demokracisë kaotike?!
Isa Mustafa, në cilësinë
e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, dhe të kryetarit të LDK-së, (2015
– 2016), karshi autorit i ka bërë dy veprime të shëmtuara. Si rezultat po i
bart këto mallkime kundër konceptit të tij ideologjik. Isa Mustafa, nuk ka
pasur kurajë të bisedojë me themeluesit e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani.
Edhe suita e tij është
identike, ajo është e prekur nga adrenalina andaj rri heshtur! Të të zhbëjë një
komunist, është sikur të të kafshojë gjarpri. Helmi i tij ideologjik tashmë ka
helmuar demokracinë e brendshme në LDK. Por strukturat udhëheqëse duhet ta dinë
se ai ka Mision për ta shkatërruar Lidhjen Demokratike të Kosovës, si
hakmarrje, pse kjo Parti ia shkatërroi Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë.
Isa Mustafa pa qenë
kurrë më parë anëtar i LDK-së, arriti të bëhet kryetar i saj. Tash, bashkë me
klientelën nga Instituti RIINVEST dhe të ashtuquajturin “Brez i Republikës”,
janë duke bërë kërdi mbi proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Nga ky brez,
që u sistemua në hierarkinë e LDK-së, madje jashtë rregullave demokratike, janë
shqetësuese sidomos çirrjet se do të vejnë rregull në strukturat shtetërore.
Kudo, infrastruktura njerëzore duhet të ketë kredibilitet moral e intelektual
që ka rëndësi jetike për vendin. Por Kosova, po vuan mallkimin e Isa Mustafës.
Një të tillë e ka provuar drejtpërdrejt Kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, i
zgjedhur në Kuvendin VIII Zgjedhor, më 10 maj 2015.
Reagimet, kundërshtimet
dhe mospajtimet ishin të shumta por nuk i dëgjoi kush, edhe pse ishin mirë dhe
në kohë të informuar. Kosova, po vuan nga Njeriu teknokrat, i sëmurë me
adrenalinë, i paralizuar në tru, e paradoksalisht dëshiron ta paralizojë
Kosovën, prandaj i kushtëzon proceset, krijon ngërç institucional dhe në anën
tjetër ka qëllim për ta shndërruar humbjen në fitore, pse jo edhe për ta
mashtruar elektoratin që prapa i shkon.
Mallkimi tjetër ka të
bëjë me rrenën që sllavët dhe komunistët e kanë ngritur në parim për të
ndëshkuar të tjerët. Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryetari i
LDK-së, pat deklaruar rrejshëm se “ata që merren dhe shkruajnë letra, do të
ishte më mirë që një herë në jetën e tyre të punojnë e të jetojnë nga puna dhe
djersa e tyre dhe jo të jetojnë me ndihmat e taksapaguesve të atyre
vendeve e të djerrin kohën duke prodhuar patriotë e tradhtarë në Kosovë”, (Koha.net, 07.02.2016).
Kjo deklaratë – ishte gënjeshtër, e cila është publikuar kudo, ndërsa nuk u
lejua përgjigja të publikohej. Së këndejmi Isa Mustafa, beson në Misionin e tij
për ta shndërruar LDK-në në LIDHJA, një solucion ideologjik nga mbetjet titiste
e komuniste dhe nga bijtë e tyre plëngprishës, të cilët po përkrahin NJERIUN
kufomë?!...
Shikuar në përgjithësi
këto 13 Tregime, arsyetojnë mendimin pse Isa Mustafa nuk duhet të bëhet
President i Kosovës?! Arsyet janë të shumta. Ai nuk e meriton të paraqitet në
publik, pa le më të bëhet President i Kosovës. Pavarësisht aventurave të tij,
përgjegjësia bie edhe mbi përkrahësit dhe mediat në Kosovë, të cilat sikur
paskan mision, bashkë me LIDHJEN, për ta dështuar Kosovën, e cila ngjason me të
prekurin nga adrenalina.
Në fund të këtij
fillimi, i mbetem borxh lexuesit për t’i shpjeguar se të gjitha faktet i kemi
mbështetur në citime dhe burime publike që janë theksuar me korrektësi brenda
librit!
Zvicër,
janar 2020.
Sqarim
i autorit: Libri ka 172 faqe,
është i pajisur me dokumente, fotografi dhe referenca që janë vendosur nëpër
fusnota në fund të secilit shkrim, (mbi 300 sish), e përveç atyre shënimeve
sqaruese, në fund të secilit “Shkrim / mallkim”, është shënuar gazeta, gazeta
elektronike dhe portalet ku janë publikuar këto shënime!