Kulturë
Haxhi Mehmetaj: Stela e antroponimisë ilire nga Kosova
E diele, 21.06.2020, 05:08 PM
Stela e antroponimisë ilire nga Kosova
Nga
mbishkrimi kuptojmë që monumentin të bijës së shtrenjtë Ulpia Mata
e cila jetoi 15 vjet ia ngriti e ëma Aelia Andia. Te dy emrat e femrave,
Mata dhe Andia janë emra të antroponimisë ilire dhe dëshmi që dardanët nuk u
asimiluan nën sundimin romak. Stela i takon gjysmës së dytë të shek. II apo
fillimit të shek. III pas Krishtit.
Nga
Haxhi MEHMETAJ
Në
fshatin Peqan i Vogël të komunës së Suharekës në korrik të vitit 2019, gjatë
hapjes së themeleve për ndërtimin e një shtëpie, në vendin e quajtur “ Të
Kisha” u gjete një monument epigrafik mbivarrorë - stelë e tipit dardan. Stela
është e punuar nga guri gëlqerorë dhe lëmuar
vetëm ana e përparme. Ka këto përmasa: lartësia 177cm, gjerësia 64cm dhe
trashësia 28.5cm. Në të dyja anët në
pjesën sipërme dhe në mesin e anës së poshtme të saj vërehen gjurmët e vrimave
të hapura , në mënyrë që stela të përforcohet për bazë dhe për ndonjë objekt
tjetër statik të kompleksit të varrezës.
Stela
përbehen prej dy pjesëve, edikulës më mbaresë harkore, përkatësisht fushës
relievore dhe fushës mbishkrimore. Në
nishën e fushën relievore dimensionesh 66.5 x.65cm më mjeshtri të rrallë në reliev të ulet janë skalitur dy portrete -
buste të femrave, siç kuptohet nga mbishkrimi, janë paraqitur nëna dhe në
barkun e saj e bija.
Gruaja
ka të veshur një fustan autokton tradicional më mëngë të gjata, jake me tegel,
të prerë në formë gjysmërrethi, pala të ngushta e të drejta vertikale. Më mjeshtri
të veçantë sidomos është skalitur portreti i gruas, ku spikasin fytyra e
rrumbullaket, sytë e mëdhenjtë në formë bademi, hunda e drejtë, buzët e plota e
senzuale, koka e zbuluar më flokë të gjata, të ndare në mes, që bien poshtë në
formë të gërshetave. Kjo mënyrë e të krehurit ti kujton frizurat e
perandoreshave romake, të cilat ishin në modë gjatë gjysmës së dytë të shek. II
pas Krishtit. Qafa e gruas është stolisur më një gjerdan rruazash të
rrumbullakëta , çfarë hasen si stoli e femrave edhe në stelat tjera dardane të
Kosovës. Thuajse me tipare të ngjashme është trajtuar edhe portreti i fëmijës,
fytyra, frizura dhe veshja, sado që për shkak të përmasave të vogla nuk hetohen
mirë imtësitë sikurse të portreti i gruas. Fusha mbishkrimore është profilizuar dhe zbukuruar
në katër anë më një kornizë e cila e ndanë edikulën nga fusha mbishkrimore. Në
qendër të anës së poshtme të stelës është skalitur ena e verës e tipit kantar, nga e cila dalin dy kërcej të
hardhisë së stilizuar më fleta urthi të cilat ngjiten anash dhe rrethojnë
kornizën. Në vend të vegjëve të enës janë paraqitur në profil figurat e dy
luanëve , të cilët në pozicionin e vegjëve shfaqen për herë të parë në trevën e
Dardanisë Në fushën e profilizuar mbishkrimore në formë drejtkëndore dimensionesh
58 x 34.5cm më shkronja të mëdha e të bukura, të larta 4.6 – 5cm,
është skalitur epitafi prej 8 rreshtash, me gabime gjuhësore:
D
M / VLP MATA/ QVE VIXIT/ANN XV/AEL
ANDIA/ FILIE MEAE / PIISIME PO/ SVI.
Lexohet
: Dis Manibus, Ulpia Mata quae vixit
annis quindecim, Aeila Andia,filiae meae pissimae posui.
Nga
mbishkrimi kuptojmë që monumentin të bijës së
dashur e të shtrenjtë, Ulpia
Mata, e cila jetoi 15 vjet ia ngriti e
ëma Aelia Andia. Te dyja femrat, nëna dhe e bija janë qytetare të lira. Ato sipas skemës tre gjymtyrësh ( praenomen, nomen
dhe cognomen), mbajnë emra t ilir,
përkatësisht dardan dhe gentilice romake. Pra emrat Mata dhe Andia janë emra
tipik të antroponimisë ilire dhe dëshmi që dardanët nuk u asimiluan nën
sundimin romak. Stela i takon gjysmës së
dytë të shek. II apo fillimit të shek. III pas Krishtit.