Kulturë
Tahir Bezhani: Muharrem Kurti - Kufiri i Gjakut
E hene, 22.06.2020, 09:02 AM
IDEOLOGJIA E KOHËS APO MALLI QË SHKRIN EDHE HEKURIN
Muharrem Kurti: “Kufiri
i Gjakut”, roman, SHB ”Bogdani” Bruksel-Prishtinë, 2020
NGA
TAHIR BEZHANI
Letërsia shqipe përditë e më shumë po
pasurohet me emra të rinj në të gjitha gjinitë letrare. Njëri ndër autorët më
të spikatur që po bën bujë në letrat tona shqipe viteve te fundit, është padyshim, emri i Muharrem Kurtit, i cili me punën e tij
të palodhshme, ka përvetësuar lexuesin, dashamirët e artit letrar në gjitha hapësirat
shqiptare e jo vetëm. Një krijues i mirëfilltë në poezi e prozë.
Pas sukseseve të njëpasnjëshme në
prozën e gjatë, me romanet “Data
njëmbëdhjetë, ” ”Qëndresa e bardhë” dhe “Jeta e rrënojave”, këto ditë
para lexuesve, doli me romanin më të ri ”Kufiri i gjakut”, një roman i karakterit historiko-estetik, me një tematikë të patrajtuar deri me tani nga askush në prozën tonë.
Kësaj tematike, zoti Kurti
i qaset me një përkushtim të thellë ndjenjash dhe
emocionesh personale, duke përjetuar momente dramatike si person, por duke personifikuar gjithë shtresën
shqiptare, e cila e përjetoi në palcë të ashtit gjithë dramën e
paparë të ndarjes së kufirit, copëtimin e trojeve shqiptare, që nga viti 1913-të, nga interesat e fuqive të mëdha të
Evropës. Këtij copëtimi ja vunë kufijtë,
gurtë-piramida, në vitin 1948-tën, atëbotë, kur mes veti ndan përgjithmonë babë e birë, motër e vëlla, kushërinj e gjithë farefisin e
gjerë.
Në romanin më të ri të Kurtit, që në fillim ndeshim përshkrimin prekës të
kësaj ndarje, si emocion e përjetim që
ndizet në vetvete si gacë e mbuluar me hi. Dukjen e parë të kufirit, zoti Kurti e përshkruan me pamjen e atyre
kodrave, me kurrizet e tyre, “si copëra qefinësh që zgërdhiheshin kobshëm, piramidat”. ..
Vjen një ndjenjë prekëse e cila sillet
vërdallë, në zemrat e shpirtin e të
gjithë shqiptarëve nga dy anët e atij “kufirit”, e cila asokohë mbolli vetëm kob, mjerim, mall e gjak për afër gjysmë shekulli.
-Ideologjitë e kohës komuniste, si manipulim i masës së gjerë të popullatës
shqiptare.
Në qarqet zyrtare të ideologjive të dy
vendeve, Shqipërisë e Jugosllavisë, zyrtarët
kishin marrë veprime nga më të
ndryshmet për ta bindur popullin
se “këto vende nuk kanë asgjë të përbashkët mes veti”, duke
ndërmarrë edhe masa ligjore tejet të ashpra për kalime ilegale, më parashikime drastike te denimeve ligjore. E
gjitha kjo bëhej me qëllimin e vetëm, të
fshirjes nga truri të çështjes kombëtare nga shqiptarët dhe të disiplinoheshin
nga masat represive shtetërore. Duke kaluar koha, shtohej malli dhe vuajtja, deri në atë masë sa
që prindërit e djegur malli, flisnin me
vete, si Col Gjoni me motre e tij, Rinën, martuar në fshatin Fortesë të Kosovës. Duke i
pikur lotët, Gjoni i fliste motrës, sikur të ishte e gjallë pranë tij:” të njoftoj
moj Rina
se nëna vdiq me sy të hapur për ty, pa e parë Rinën edhe njëherë”...
Vlen
për ta theksuar se Kurti motivin e tragjikes
në veprën e tij e ka përshkruar me një realitet
tejet prekës, por në fakt, qëndron
si realitet i kohës, për të cilin jemi
të gjithë dëshmitarë, përjetues të asaj drame të madhe e të gjatë. Ndikimet ideologjike së bashku me represionin ligjor dhe shtetëror, si dhe njerëzit servil të pushtetit të futur
në gjitha meset e popullatës, ndikuan
dukshëm në masën e popullit, por kurrë
nuk arritën ta ftohin zjarrin e mallit për njëri tjetrin.
Si kudo që kishte njerëz servil, një punë (argat) të tillë e bënte edhe Cub
Gjoni, kushëri i Col Gjonit, i cili spiunonte gjithë njerëzit e terrenit, që në një mënyrë mbanin lidhje me Kosovën dhe
kosovarët, në çfarëdo aspekti, miqësie
apo farefisnie. Me veprimet e tij të ndyra, ishin dënuar njerëz me varje para masës
fshatare për të krijuar tmerrin ndaj atyre që mbanin lidhje këndej kufirit.
E njëjta gjë bëhej dhe në Kosovë, ku ushtria Jugosllave vriste në kufi grupe
shqiptarësh, duke i quajtur dezertorë dhe grupe armiqësore e terroriste e çka
jo tjetër. Kishte servilë të pushtetit edhe në Kosovë, që kishin hedhur në prita grupe njerëzish
atdhetarë, si mësues të devotshëm e
njerëz të arsimuar.
Autori i romanit “Kufiri i gjakut”, z. Muharrem Kurti, me një ndjesi zemre e mjeshtëri pende, ka arritur qëllimin që gjithë aspektin
historik dhe dramën shqiptare me pasojat e ndarjes nga trungu shqiptar, ta
shtrojë jo vetëm si një problem mes shqiptarëve, por edhe si një pengesë
historike shqiptare për ecjen e drejtë e të përbashkët në rrugën e civilizimit
evropian. Në këtë kontest, Kurti shtron
një pyetje të skajshme filozofike, po aq
edhe logjike, duke pyetur letrarisht:
” A jeton dot një trup me predha në gjymtyrë?!
-Dhe JO!- përgjigjet vet...”
Pastaj shpirti ia nxjerr si alternativë mendimin
psikologjik, ndoshta edhe si tezë se:
” Sa lehtë qenka me vdek për liri!....”
Në këtë vazhdë
mendimesh vlen të ceket se autori i librit, gjatë jetës së tij, ka qenë i përfshirë në
luftë dhe ngjarje tjera të kufirit, por
edhe duke përjetuar mungesën e farefisit nga Shqipëria për afër gjysmë
shekulli.Duke trajtuar çështjen e kufirit mes shqiptarëve në prozën e tij, duke
dhënë tablo jete konkrete, përjetime historike që nuk do harrohen kurrë ndër
breza, autori i romanit, ka formuar
llojin trilogjik në prozë, një gjë që deri tani nuk e kemi hasur shpesh nga
autorë të tjerë. Prandaj, nxjerrja para
lexuesit dhe para gjeneratash këtë formë proze me tema problematike politike, e bën te veçuar dhe te respektuar autorin e
romanit ”Kufiri i gjakut”, Muharrem
Kurti.
-Besa dhe besnikëria, vlera te pakontestuara të romanit “Kufiri i
gjakut”.
Në letërsinë shqipe
besadhe besnikëria e një
populli, nuk janë tema të panjohura për
opinionin shqiptarë por edhe te huaj.
Posaçërisht besa është trajtuar
në letërsinë gojore, në epiken popullore,
në balada të ndryshme.
Në romanin në vështrim të zotit Kurti, ”Kufiri i
gjakut”, besa trajtohet si një episod i veçantë, si motiv dhe tablo jete shqiptare, ku pasqyrohen vlerat dhe virtytet njerëzore të
një populli të lashtë. Ky episod përmban thuaja se edhe esencën romanore duke
spikatur artistiken krahas sakrificës jetësore, si të barabartë, si vlerë mes
dy të fejuarve, Zogës nga Babina e Tropojës e Shpendit nga fshati Molliq i
Gjakovës, mu në kohën e vitit të
mbylljes së kufirit, viti 1948-të. Pas
mbylljes së përfundimtare të kufirit, në Babinë të Tropojës, tubohen pleqtë e
dy vendeve, (Molliq-Babinë), për prishjen e miqësisë, me shkak mbylljen e kufirit. Në momente
dramatike ndërhyn Zoga në odë burrash dhe u thotë pleqve:
” Unë burrë tjetër pos Shpendit nuk marr në jetën
time”. Të njëjtën porosi ua kishte dhënë edhe djaloshi, Shpendi nga Molliqi, se “tjetër grua në jetë pos Zogës, nuk marr në jetën time”.
Këto fjalë kulmore të rastit mes miqësisë se dy
familjeve, Zogës e Shpendit, kishin bërë që miqësia të mos prishet kurrë mes
këtyre familjeve. Martesa mes këtyre personaliteve në roman, ka ngjarë realisht, pas 41 vitesh, të cilët janë bashkuar, anise pakës në moshë, por sot e tutje jetojnë në harmoni dhe kanë
krijuar familjen solide.
Motoja e krijuesit Muharrem Kurti është krijimi i një
letërsie realiste, duke theksuar shpesh se “s’ka gjë më të bukur se
realiteti....”
Sikur të thelloheshim sadopak në trajtimin e këtij
fenomeni martesor, ku në spikamë vihet
besa e një kombi si vlerë historike, por
gjithsesi, paraqiten edhe elemente të
tjera të traditës, e mbi të gjitha
karakteri psikologjik, edukata familjare,
durueshmëria për ta përfituar të mirën
etj. Mendoj se këto janë karakteristika
që duhet vlerësuar, nga se
vijnë nga shprehje të një pene të
respektuar në letrat shqipe.
-Lufta dhe rihapja e kufirit Shqipëri- Kosovë në fund
të shekullit XX-të
Vetëdija kombëtare dhe e atdhedashurisë, përkundër të
represioneve që ndërmerrte qeveria
jugosllave ndaj popullatës kosovare, asnjëherë nuk kishte pushuar së
vepruari, duke kërkuar të drejta
gjithnjë e më shumë nga ai shtet i sajuar me parullën e “bashkim-vllaznimit të
popujve të barabartë”, një parulle
demagogjike pushtetit për të mashtruar botën dhe popullin brenda shtetit
jugosllav. Nuk kalonin më tepër se dhjetë vite pa u dridhur ish Jugosllavia nga
demonstratat e shqiptarëve të Kosovës, anise ato, shpesh u shuan me gjakun e
rinisë kosovare.
Autori Kurti, me vigjilencën e tij krijuese, më mjeshtri e ndërthur elementin e amanetit
amnor ndër gjenerata me qëllimin e mosshuarjes së dashurisë ndaj atdheut. Këtë
element e gjejmë në prag të vdekjes së Rinës, bijës së Col Gjonit nga Berisha e Bytyqit, duke i thënë të birit:
” “ Gjekë, më ka thënë nëna, po t’u dha mundësia shko në
vendlindjen time dhe e merr një shishe, mbushe
në kroin tim të rinisë, dhe ma
lag varrin. Do dhe’ merre në Berishën time dhe ma vendos nën varrin tim në
Fortesë. Mos e lër pa ma krye këtë amanet bir!”
Kjo porosi amnore, nuk është futur në tekstin e
romanit si rastësi nga autori Kurti, por
si domethënie e veçantë dhe si kushtrim
gjeneratash, për të mos lejuar kurrë
kufi mes Shqipërisë e Kosovës. Përmes këtyre porosive, autori Kurti, ka dashur
që përmes mallit dhe amanetit, të mbajë
të ndezur çështjen kombëtare ndër
breza. Mendoj se këtu edhe kuptohet më së miri ajo plazma shpirtërore e autorit
Muharrem Kurti, i cili me talentin
krijues ka qëndisur, gërshetuar bukur, historiken
me artistiken, ku mesazhi bëhet i
lakmueshëm. edhe për gjeneratat pas nesh.
Romani “Kufiri i gjakut” thurur në konjukturat e
lartcekura nga autori tani me përvojë në prozën e gjatë, përshkruan rihapjen e
kufirit mes Shqipërisë e Kosovës, si
rezultat i një lufte të fortë e të përgjakshme
për lirinë dhe bashkimin e
trojeve shqiptare. Në këtë luftë, pra në
luftën e fundit në Kosovë, për lirinë e vendit , autori si realitet kohe, fikson bukur përfshirjen e rinisë Kosovare dhe
asaj shqiptare nga Shqipëria, e cila ishte pjesë e pandashme e lirisë së
Kosovës, duke lënë shumë njerëz jetën në beteja të përgjakshme. Kjo luftë e
përbashkët, jep mesazhin e qartë se të
gjithë së bashku mbrojmë trojet tona kudo kur e do nevoja, një
popull-një atdhe...
Kurti , duke treguar realen mbi luftën, jep edhe emra të dëshmorëve të rënë bashkërisht për liri, nga Shqipëria dhe Kosova.Marrë në tërësi, romani i Muharrem Kurti, ”Kufiri i gjakut”, ka përmbushur boshësinë e deritanishme nga aspekti i tematikës së
lartcekur.Mendoj se ky roman do jetë i mirëpritur, do zgjojë kërshërinë e lexuesit anembanë
vendit tonë dhe më gjerë.
Gjakovë, 21 qershor, 2020