Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin
E hene, 22.06.2020, 05:18 PM
Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin
Nga
Keze Kozeta Zylo
Në
ditën e ikjes tënde, o Dardanesha e bukur shqiptare, ndjeva dallgët e oqeanit
me krah pulëbardhash të rreshtuara njera pranë tjetrës të cilat dukeshin sikur
bënin homazh për ty motra ime prej Kosove!
Ndërsa
përgjatë Manhattanit në kerthizë të botës, një shatërvan në mes të OKB-s ndali
rrjedhjen e ujit, aty ku mijëra shqiptare mblidheshin herë pas here për të
denoncuar genocidin serb dhe për të demonstruar para botës kërkesat tona për
Pavarësinë e Kosovës, që ju e donit aq shumë!
Por
ju edhe pse po largoheshit nga kjo botë se ç’pata një ndjesi se po vazhdonit të
na dhuronit buzëqeshje hyjnore, buzëqeshje që ta dhurojnë vetëm lulet bozhur si
ty, që hapën petalet gjithë aromë vetëm në ditën e Lirisë së Kosovës.
Ju
ishit e plagosur në shpirt, ende kishit pikla gjaku të pathara të bashkëshortit
tënd, ish avokatit të mirënjohur Bajramit dhe djemve të tu Kushtrimit dhe
Kastriotit të vrarë e masakruar nga kuçedra serbe.
Ata
dhe gjithë martirët e Kombit si yje qielli spërkatin me pikëza drite Kosovën
martire, e në këto pikëza u bashkove dhe ti sokoleshë Pejane, ndaj dhe unë më
duket sikur i lexoj më qartë enigmat e shumta…ato duken të kthjellta në bebëzat
e syrit tënd.
Ikja
tënde e shpejtë la plagë të çelura ende të pashëruara, ndaj duke hyre në palcën
e fjalës tënde në sa e sa mediume kombëtare dhe ndërkombëtare, më doli si
feniks burri i madh shqiptar, IBRAHIM RUGOVA!
Brenda
gjoksit tuaj dëgjova ca tinguj të përvajshëm që rënkonin tutje nëpër erën e
Ilirisë. Rënkonin për bijtë e vrarë, për mijëra të zhdukur… Ishin trimat e
Kosovës dhe ti Drenushë e Lirisë që mbollët ëndrrat me sythe shprese.
Edhe
pse kujtimet e makthshme i përjetove kudo, dhe pe me sytë e tu fatin tragjik të
familjes dhe të Kombit, ju përsëri nuk e shuajtët ëndrrën, ëndrrën e bukur të
Lirisë. Ju u shkritë si qiriri i Naim Frashërit, si një zonjëz e rrallë e
Kombit, për t’i dhënë atij pakëz dritë…
E
kjo dritëz ndizet si pishtar e bëhet flakërrimë për Kosovën, ku zambakët e
bardhë të Prizrenit pikojnë bukuri mëngjezore.
“Vizioni
juaj mbeti Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa
dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Liri,
pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës NEKIBE KELMENDI dhe të të
gjithë lëvizjes gjithë popullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u
angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë
ideal”, ka thënë presidentja e Kosoves, zonja Jahjaga, sipas Kosovapress.
Ju
ikët para kohe dhe në ikjen tuaj m’u duk sikur pëllumbat e Manhattanit më
çukitnin në xhamin e dritares dhe sillnin pranë amanetin tënd të fundit: “M’i
bëj të fala Kosovës”. Eshtë amaneti tënd që s’e tret as dheu, amanet që u dha
në gjithë botën ku frymojnë shqiptarë, u tha me lot në sy nga bija juaj me
emrin Kosovare, me emrin më të bukur në botë.
Amaneti
tënd: “M’i bëj të fala Kosovës”, më është bere si refren duke e pëshpëritur në
buzë herë pas here, është një refren që do të jetojë gjatë, është kënga e
shpirtit të një Zane si në legjenda që e donte me jetën e saj Kosovën!
Ju
tashme flini e qetë, sepse siç thotë poeti i madh Din Mehmet në poezinë e tij:
Gjërat më të shtrenjta i dhatë për Kosovën/ dhe dashurinë tuaj e shënuat në çdo
lule/ në çdo gur, në çdo rrugë…
Ju
prehuni e qetë, o Teutë e bukur shqiptare. Ju jeni si një degë e blertë plot
sythe në pemën e madhe të Lirisë!
Tani
ju ndriçoni, ndriçoni nga qielli dhe plas nata serbe në ferr…
21 Qershor, 2011
Staten Island, New York