Kerko: a
Meri Lalaj: Andon S. Frashëri i fundmi i dishepujve të Nolit
E hene, 08.06.2020, 06:32 PM
Andon S. Frashëri i fundmi i dishepujve të Nolit
Nga
Meri Lalaj
Kam
vite të tëra që mbart në kujtesë emrin e shkrimtarit, publicistit dhe
shqipëruesit Andon S. Frashëri. Në vitin 1964, vajzë e re, kur sapo pata kryer
studimet e larta u emërova mësuese e gjuhës angleze në gjimnazin e Korçës, dhe
unë për herë të parë e jepja këtë gjuhë të huaj në atë qytet. Që në muajin e
parë pasi pata filluar punë, një ditë pas orëve të mësimit një nxënësi im (më
vonë i shkëlqyer në mësime), Aleks Jani, shtatpakët me kaçurrela të verdha m`u
afrua i ndrojtur i skuqur në fytyrë duke më thënë se një burrë, që dinte
anglisht donte të më takonte, kështu më shpuri tek shtëpia e Andon Frashërit.
Ajo
ishte një shtëpi e vjetër me portën e jashtme të rrënuar prej viteve, kishte
një oborr dhe pasi ngjitje disa shkallë hyje tek një portë tjetër, e cila
rrinte gjithnjë e hapur, sepse aty banonin edhe disa familje të tjera e në
njërën prej dyerve djathtas jetonte Andon Frashëri, në një dhomë jo shumë të
madhe me mure të ciflosur me libra gjithandej dhe tavani që kish lëshuar bark.
Ai pat lindur në këtë shtëpi, kjo ishte shtëpia e prindërve të tij.
Kështu
filloi miqësia ime me Andon Frashërin. Mësova se ai pat qenë për
shtatëmbëdhjetë vite radhazi sekretar i Imzot Fan Nolit më 1924, kur ai pat
qenë kryeministër i Shqipërisë ndërsa më parë veprimtar në shoqërinë “Vatra” të
Amerikës njëkohësisht gazetar dhe botues i gazetës “Dielli”, Andon Frashëri
shkruan: “Në vitin 1915 emërohem ndihmësi i tij si nëndrejtor i gazetës
“Dielli’. M`u duk ahere sikur kapa Perëndinë me dorë. Dhe vjetët që rodhën në
bashkëpunim me të më dhanë rast ta njoh Nolin me rrënjë e degë… Me Nolin si
udhëheqës puna më e rëndë bëhet më e lehtë se penda, më e ëmbël se mjalta. Pa
gënjeshtër ai të inspiron, të frymëzon, të jep zemër.”
Ne
bisedonim të dy për librat që unë lexoja, ai më tregonte letrat, librat,
fjalorët, që i dërgonte Noli dhe hera herës ndonjë çek të vogël në raste
Krishtlindjesh apo Pashkësh dhe gjithnjë prapa zarfeve shkruhej një adresë
tjetër me një emër femre “Mary”, (ndoshta përdorej emri i sekretares së Nolit,
Mary Johns) apo ndonjë mbiemër tjetër i sajuar që të mos kuptohej se ata të dy
mbanin letërkëmbim, kushedi edhe përmbajtja e letrave do të ish e tillë që të
merrej vesh vetëm prej atyre të dyve. Unë i prekja me dorë letrat, librat e më
dukej sikur takoja dorën time me dorën e të madhit Fan Noli mijëra kilometra
larg. Më tej ne të dy bisedonim për mrekullinë e shqipërimeve të Nolit: dramat
e Shekspirit, “Rubai” të Omar Khajamit, poemën “Skënderbeu” të H. Longfellout
me vargjet brilantë: “Lufton luftën dhe fiton / Mbreti Ladislav gjëmon…” e të
tjera.
Miqësia
ime me Andon Frashërin ishte një miqësi paksa e trembur, e përndjekur ndoshta.
Më treguan të tjerët ose ai vetë se pat qenë dhjetë vjet në burg politik pas
çlirimit, por për këtë gjë unë nuk e pyesja e nuk bisedonim e kështu vijoja ta
vizitoja. Edhe bashkëshortja e tij rumune, Maria, (Meri) u arrestua dhe bëri dy
vjet burg, duke qenë e mbyllur brenda në burg ajo bëri dhe një përpjekje për të
vrarë veten. Më vonë pas lirimit, aty nga viti 1959 Zonja Frashëri u largua nga
Shqipëria për në Rumani duke e lënë Andonin fill të vetëm dhe pa fëmijë. Në
burg Andoni kish operuar stomakun dhe për pasojë kishte shumë probleme me të
ngrënit e ushqimeve.
Pasditeve,
aty në dhomën e tij të vogël u jepte mësime të gjuhës angleze disa intelektualëve
të qytetit dhe disa vajzave korçare të prekura nga regjimi komunist. Mbaj mend
se më mbajti një ditë për drekë, ishin Krishtlindjet e të dy trokitëm nga një
kupë me verë të kuqe. Andoni ishte tepër i përkorë në sjellje dhe më trajtonte
sikur të isha e barabartë me të për nga shkalla e njohurive. Unë pata qenë
studente e Skënder Luarasit dhe asokohe dija aq shumë vargje përmendësh të
Nolit, të shqipërimeve të tij të mrekullueshme si edhe dija diçka për burra të
tjerë të shquar të kombit tonë, që u përpoqën për të bërë Shqipëri.
Atje
përmbi oxhakun e dhomës së tij në vend që të mbante ndonjë ikonë (se ende nuk
ishim bërë i vetmi vend ateist në botë), ai mbante një fotografi të madhe të
Fan Nolit dhe i ndizte kandilen me vaj të kremteve. Fan Noli ishte idhulli i
jetës së tij. Po aty mbi oxhak pashë për herë të parë librin e Nolit “Psalme”,
ai më pat treguar një fjalor të madh anglisht Webster me të cilin punonte,
librin “Betoveni dhe Revolucioni Frëng’ në anglisht e të tjerë libra. Nuk
guxoja të kërkoja libra për të lexuar, po ashtu ai kurrë nuk më tregoi për
librat që pat shkruar vetë, të cilat u zhdukën nga qarkullimi kur Andonin e
futën në burg, kështu ishte autor i ndaluar.
Tek
libri “Fanoliana” i Prof. Nasho Jorgaqit lexojmë një letër të Andon Frashërit
dërguar Nolit më 4.3.1938 ndër të tjera: “Imzot, … ashtu siç priste Shqipëria
një kohë Skënderbejnë, po me atë mall ju presim edhe ju sot… Shqipëria sot ka
nevojë për patriotë si ju. Kujtoni pastaj se kini edhe detyrë kundrejt shokëve
të vjetër; këta me ardhjen t`uaj do bëhen burra. Këtë nuk e thom për vehten
time, po për shokët, të cilët me çdo rast pyesin me ngashërim për ardhjen
t`uaj. Bashkimi juaj me Faiknë na ka prekur; ish i domosdoshmë dhe s`ka dyshim
se të dy kolonat të lidhura tok janë për ne garancia më e madhe…”
Vite
më parë në arkivin e qytetit të Pogradecit pata ndeshur në faqet e një reviste,
të cilën e botonin intelektualët e kohës në vitet `20-të, një fotografi të
Andon S. Frashërit dalë kokë më kokë me Bahri Omarin. Në librin e Enver Hoxhës
“Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” pikërisht në faqen 106 kam lexuar:
“Fazlli Frashërin e shihje pasdreke, dimër e behar… duke biseduar me të njëjtët
profesorë të Liceut të Korçës… me Andonaqkën e Frashërit, agjent i amerikanëve
dhe imoral.”
Po
në librin “Fanoliana” lexojmë një tjetër letër të gjatë të A. Frashërit dërguar
F. Nolit:
Tiranë
28.9.945 I dashur Imzot. Prej disa muajsh më parë ju pata dërguar një letër, me
anën e së cilës ju lutesha - në emër të shokëve - që të ndërmjetësonit pranë
Qeverisë këtu për shpëtimin nga vdekja e të ndjerit Kol Tromara e B. Omari, të
cilët u dënuan dhe u ekzekutuan së bashku me Akif Përmetin, Dhimitër Balën,
Haki Tatzatin, Zejnel Gjolekën, Xheneral Mirdaçin, Fejzi Alizotin, Toçin etj.
Kam dyshim në ju ra në dorë.
Gjendja
e këtushme… Fuqinë në dorë e ka qint për qint Partia Komuniste me Enver Hoxhën,
Koçi Xoxen, Sejfulla Malëshovën, Bedri Spahiun, Mehmet Shehun etj. këta janë në
bashkëpunim të plotë me Titon… Gegët nëmërohen me gisht dhe po bëhet një propagandë
katastrofale toskë-gegë dhe kaur e turq! Shkabën me dy krerë e mbuloi Hyll`i
kuq. Propagandën e bëjnë haptazi, duke mos lënë rast pa ekzaltuar edhe lajmën
më të vogël që vjen prej Beligradit ose Moskës dhe duke vogëluar çdo gjë që
rrjedh nga Perëndimi.
Ndërsa
në letrën e datës 30.1.1964 Andoni i shkruan Nolit me një ton të përmbajtur
duke u ankuar për shëndetin dhe pleqërinë dhe natyrisht duke shprehur mendime
për libra të ndryshëm që kanë lidhje me ata të dy.
Së
fundi vajta në Bibliotekën tonë Kombëtare dhe mora për të lexuar librat e A.
Frashërit, sapo hapa librin e parë romanin “Patrioti” me 160 faqe botuar në
Korçë në vitin 1933, mu në faqen e parë më zuri syri një vulë ku lexohej
“Mitrush Kuteli Biblioteka’ (do me thënë) se ky libër i paskërka përkitur
shkrimtarit Dhimitër Pasko dhe në krye të faqes një kushtim: “Z. Mitrush Kuteli
me miqësi A. Frashëri”, për një çast pata një vegim sikur po i shihja të dy
shkrimtarët tek po shtrëngonin duart me njëri tjetrin. Romanin e tij “Patrioti”
autori ua kushton “Dëshmorëve të kombit që dhanë me gëzim jetën e tyre për
idealin kombëtar ua dedikoj këtë vepër të vogël për kujtim.” Ky roman është i
bazuar në faktet e ngjarjeve të viteve të fillimshekullit të njëzetë, ato
luftëra të turbullta të Shqipërisë në ato vite e sidomos në qytetin e Korçës
dhe rrethinave të saj. Libri i kushtohet atdhetarit Themistokli Gërmenji, i
cili u vetëflijua që të bëhej Shqipëria. Për Themistokli Gërmenjin Lasgushi më
ka thënë këto vargje: “Tha të tri fjalët dhe mbaroi / Dhe shpejt jep urdhër:
Zjarr! / Atje ku bie vdes heroi / Rilind Atdheu Shqiptar!”
Libri
“I funtmi i Kastriotëve” botuar në Tiranë nga Botonjësi Ismail Mal`Osmani në
vitin 1944 përbëhet prej 113 faqesh. Këtë roman Andon S. Frashëri ia kushton:
“Fan S. Nolit Kalorësit të Letërsisë Shqipëtare si shenjë mirënjohjeje
Dishepulli i Tij”. Në këtë libër autori me zjarrin e zemrës shkruan për
ngjarjet që vijuan në kombin tonë pas vdekjes së Kryetrimit Gjergj Kastriotit,
për birin e tij të vetëm Gjonin dhe kryengritjet që zunë fill në Krujë për ta
shpëtuar Shqipërinë nga zgjedha turke e ndonëse shumë trima luftuan e ranë në
shesh të betejës nuk mundën dot të fitojnë sepse u tradhtuan nga shqiptarët e
shitur tek turqit për grada e ofiqe. Megjithëse libri mbaron në mënyrë tragjike
vështrojmë të vërtetën drejt e në sy e jemi krenarë për birin e vetëm të
Skënderbeut i cili kreu me nder detyrën ndaj Atdheut.
Andon
Frashëri shquhet edhe si shqipërues i librave “Kapedani i jeniçerëve ose
Skënderbeu” shkruar prej Xhejms Ludllout, fillimisht botuar si shtojcë letrare
tek gazeta “Dielli”, më vonë botuar si libër më vete në Korçë nga Libraria
“Drita” në vitin 1934 (dhe ribotuar në vitin 1967 në 500 vjetorin e vdekjes së
Skënderbeut), kësaj here me titullin “Konstandini dhe Morsinia”, përsëri tema e
librit është për Kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin. Po kështu ai ka përkthyer
edhe librin “Pavlli dhe Virgjinia” të autorit Bernardin de Sen Pierre.
Në
një letër dërguar A. Frashërit prej F. Nolit më 30 maj 1964 botuar tek “Noli
Vepra 6” midis të tjerash shkruhet: “Katër vjetët e fundit po mësoj
hebraishten, me qëllim që të përkthej Dhjatën e Vjetër nga origjinali dhe për
këtë po punoj tani. Deri më sot kam përfunduar Psallmet dhe do t`ju dërgoj një
kopje të tyre. Lexojeni librin dhe më shkruani se çfarë mendoni për të.” Dhe ja
se çfarë ka shkruar A. Frashëri për F. Nolin tek Revista “Shkëndija” 1942 Nr.
9-10: “Ata që kanë patur fatin ta dëgjojnë - shkruan një dëshmitar, që e ka
ndjekur ecurinë triumfale të oratorisë noliane - nëpër mbledhje, në kishë, ose
parlament, të huaj e shqiptarë këtu dhe jashtë kanë dalë të entuasizmuar prej
forcës së oratorisë së tij. Fjalimet e Nolit të drithërojnë e të japin zemër,
këtu të ngrejnë në qiell, aty të përplasin për tokë, të ndezin e të ndërsejnë
gjer në frenezi, të fanatizojnë deri në marrëzi, po edhe të zbusin e të
qetësojnë dhe dendur të bëjnë të qeshësh dhe të derdhësh lot gëzimi… Fjalën e
tij ai e shoqëronte me një buzëqeshje të mbaruar, me një takt njerëzor, dinte
të krijonte komunikim me auditorin.”
Një
ditë i vajta në shtëpi, porta e së cilës mbante numrin 13 dhe e gjeta Andon
Frashërin të sëmurë në shtrat. I shtrydha dy portokalla që ndodheshin mbi
tryezë dhe ia dhashë lëngun për ta pirë aty ishte edhe receta për ilaçe prej
mjekut. Vajta në barnatore dhe ia bleva, ai ndihej nervoz i pafuqishëm. Nuk
dija çfarë të bëja më tepër. Atë pranverë pas vdekjes së Nolit më 13 mars 1965,
Andon Frashëri u shtrua në spital. Vajta për ta takuar tok me një shokun tim
profesor gjimnazi. Sytë e tij u përlotën nga mallëngjimi: “Shiko këtu - më tha
- numri i krevatit ku jam shtruar është 13, Noli ndërroi jetë më datë 13 edhe
unë do të vdes së shpejti… e si mund të jetoj kur ai nuk është më në këtë
jetë!…”
Kjo
ishte biseda jonë e fundit. Një ditë të vrenjtur me shi teksa ecja bulevardit
të Korçës më ndali tek anësorja e rrugës një mikesha ime, Irenë Mëria, gjyshja
e saj ka qenë motër e Andonit, dhe më dha lajmin: “E ke marrë vesh, xhaxhi Andoni na vdiq!” Dhe
pas pak kohësh ato gjëra të pakta që patën mbetur nga librat dhe dorëshkrimet e
Andon Frashërit u mbartën tek një nipi i tij në Tiranë. Në një bllok të
rëndomtë nga ata që përdoren nëpër magazina për hyrje dhe dalje malli, Andoni
pat shkruar nja 130 faqe por u gjetën të grisura me përjashtim të pesë a
gjashtë fletëve. Kaq munda të marr vesh unë.
Dimrin
pas vdekjes së tij unë tërhoqa në Bibliotekën e Korçës librin “Betoveni dhe
Revolucioni Frëng” (këtë kopje Noli ia pat dërguar Dhespotit të Korçës e në
faqen e parë me dorën e Tij pat shkruar disa fjalë për të), u ula dhe e përktheva
me një frymë në kujtim të Fan Nolit dhe Andon Frashërit (nuk u botua asokohe
ndonëse ndenji dy vite në Ndërmarrjen Botuese “Naim Frashëri”).
Duke
shkruar këto radhë mendoj se po ndez një qiri për shpirtin tënd, Andon
Frashëri!