Kerko: a
Mid’hat Frashëri: Vlora më 1912 dhe 1920
E diele, 31.05.2020, 12:34 PM
(Me rastin e 100 vjetorit te Luftës së Vlorës, maj 1920-maj 2020)
Vlora më 1912 dhe 1920
Nga
Mid’hat Frashëri
Vlorë,
një emër paskëtaj i lidhur me historinë e Shqipërisë; me lidhje të zgjidhshme.
Dy
data 1912 dhe 1920, dy ngjarje, dy flakë. E dyta plotësoi të parën, e mbaroi, e
forcoi, i dha shkëlqim, e bëri të vërtetë, reale, e shpëtoi prej mjegullës dhe
dyshimit. E para i hapi udhë të dytës, po e dyta i dha trup së parës, e bëri të
pashme, të gjallë, me shpirt, me frymë, ose më mirë akoma, mblodhi në këtë
pjellë shpirtin dhe frymën e përhapur, që fluturonte në erë dhe s’kishte zënë
vend përdhe, e forcoi në këtë zall me rërë pastaj e hodhi mbi gjithë
Shqipërinë, si një vesë që bie dhe ngjall bimët e vyshkura prej të thatit.
Shumë
herë fati i një njeriu, i një kombi, varet prej një të papandehur dhe më kot
kërkojmë shkaqet e ngjarjes, pyesim si dhe pse u bë kështu. Ato janë ngjarjet,
që rrjedhin befas, papritur, që i kanë rrënjët në faktorë të padukur. Po edhe
disa ngjarje të tjera janë drejtësisht fryti i një dëshire dhe i një vullneti,
që i bën, që i mejton dhe që i do. Thamë se fati është i verbër. Në kushtet e
dyta fati e ka hequr shaminë, që i mbyll sytë dhe sheh, shikon, kupton.
Një
mijë e nëntëqind e dymbëdhjeta mund të bëhej edhe gjetkë, në vend që të bëhej
në Vlorë, në çdo qytet tjetër, në të parin fshat, edhe në të fundit.
Po
një mijë e nëntëqind e njëzeta nuk mund të bëhesh veçse në Vlorë, në këtë
baltë, prej këtyre njerëzve.
Dymbëdhjeta
hodhi një flakë, se materializoi dëshirën dhe idealin e një kombi, mbaroi një
ide, i dha formë mendjes.
Njëzeta
i dha gjallim lëndës, e bëri me shpirt formën, e mbërtheu në zemra dhe në
mendje.
Mbarimi
i Dymbëdhjetës qe pak befas, e papritur, mbase dhe një grimë para kohe. Dhe në
gaz e në turbullim të një ngjarjeje të lumtur, që nuk pritet, ndërgjegjja
kombiare nuk gjeti kohë të kristalizonte aspiratat e saj, të merrte gjerësinë e
fatit, të ndjente dhe të shijonte lumturinë e re. Ishte një ide, një ideal, një
dëshirë e qëndruar pak në erë, e pazbritur fare në dhê.
Intervali
dymbëdhjetë-njëzet është mbushur me të bëra të këqija dhe të zeza, po mbase jo
të palogjikshme. Logjika është e pamëshirë dhe më tepër akoma kur komenton
punën që ka rrjedhur, ngjarje të cilave u njohim shtytkat. Kështu që në tetë
vjet mjerime, në qoftë se kjo jetë nga nisja dhe në fund njeh “mjerime”, gjemë një shpjegim.
Po të shpjeguarit, edhe me logjikë qoftë, s’e ndalon njeriun nga fatkeqësia dhe
nuk ia praps dot as keqardhjen e turpin. Çdo të shpjeguar nuk fal, nuk e lan
fajin. Komentimi nuk ecën bashkë me harrimin, mbase bën zgjimin, se në i gjettë
shkaqet e një ngjarjeje (dhe ngjarjen fatkeqe njerëzit e quajnë faj dhe turp),
sheh dhe mënyrat, mjetet e të prapsurit të së keqes, e të pjellit të ngjarjeve
fatbardha.
Të
parët dhe të gjykuarit me gjak të ftohtë është një lumturi, por bashkë me të
edhe një pafatësi. Është një gëzim shpirti, si edhe një pikëllim zemre. Sido që
të jetë, është një qetësi fryme dhe kush ka qetësinë, di të presë, të durojë,
të ushqejë shpresën, se fundi i gjykimit është puna. Në debat të ndalimeve, të
vështirësive, të veprimeve të zeza, e sheh njeriu se një punë dhe një veprim i
lumtur mund dhe prish të palumturin. Puna, aktiviteti, të ushqen shpresën. Si
mekaniku që njeh makinën dhe e ndreq, sado e prishur që të duket, ashtu edhe ai
që analizon, ai që sheh dhe përkëdhel çarqet e panumërta të kësaj makine, që i
themi jetë, e di se me punë, me durim, me palodhje e me papikëllim, sistemi i
makinës mund të vihet në lëvizje në drejtimin, që duam.
Duhet
një shkaktar, një që të dojë ta ndreqë makinën.
Ky
shkaktar u bë Vlora. Shkaktar jo i fatit, befas, pa ditur, pa pandehur, pa
dëshirë, po shkaktar i mençur, i ndërgjegjshëm për atë që duan, që dinë
ç’bëjnë, që ka përgatitur kushtet, që ka mprehur vullnetin, në durim e në
heshtje, të vendosur për fitim a për vdekje, që ka parë çdo rrezik, ka peshuar
pse-në dhe si-në e shortet, duke mos kapsitur syrin, me gjak të ftohtë ka hyrë
në zjarr dhe ka dalë me fitim në dorë.
Shpesh
një punë e vogël, një shkak i vogël pjell një fryt të madh. Këtu kemi një punë
të madhe, një shkak të madh, që i jep lindje një pune të madhe.
Edhe
kështu njëzeta kurorëzon dymbëdhjetën. Njëzeta e fortë, më trime se e
pushtetshme, e merr dymbëdhjetën, e nxjerr nga gjembat dhe greminat, e ngre në
këmbë dhe i thotë: EC.
Dymbëdhjeta
solli famë në këtë Vlorë. Njëzeta nderoi Vlorën. Vlora nderoi njëzetën.
Njëzeta
i tha Shqipërisë: je e lirë, dhe këtë liri ja ke hua vetvetes. Nuk ke miq dhe
dashamirë, po ke veten tënde. Dhe kur ke veten tënde, mos ki më frikë. Këtij
urdhri, qe e pamundur mos t’i bindet njeriu; Shqipëria u mëkëmb, u forcua, u
mbajt dhe eci. Fuqinë, shëndetin, shpirtin dhe gjëllimin e mori nga vullneti i
saj.
Nderim,
respekt dhe venerim për këtë vend!
Një
dëshirë e kaq dhjetë vitesh po shtynte kombin drejt një të ardhmeje të re,
drejt një jete të bërë dhe të shpënë për të mbarën, për dobinë, për interesin
dhe për shkëlqimin e vendit. Një dritë ishte hedhur mbi udhën që po ecnim dhe
ajo dritë rrëfente një udhë të re. Kandili qe ndezur dhe busulla e dëshirës
kishte gjetur një pol, herë e ndritur, herë e zbehtë, shpesh herë në rrezik që
të shuhej. Busulla e humbiste polin dhe udhëtari e lidhte udhën si anija pa
timon, si barka pa vela. Yllit, që rrëfente qëllimin, re të zeza e mbulonin shkëndijën dhe tallazet e valës
bëheshin kanosëse.
Atij
kandili i desh hedhur vaj, që të dilte flaka përmbi tymin dhe të ndriste
rrugën. Edhe në qoftë se djersa bën pjellor çdo send, këtu djersa u mbyt me
gjak dhe u ngjall me vullnet.
Venerim,
respekt dhe nderim për ata njerëz!
***
Në
këtë qytet të bërë vërtet “shqiptar”, çdo shqiptar ndjen një kryelartësi dhe
një mburrje, kërkon të zbulojë shkaqe të reja për lëvdatë, burime për mburrje
dhe në çdo çap, që bën zemra, bën një lutje, që ta gjejë këtë qytet më të
lavdërueshëm dhe më të lulëzuar se nga çdo tjetër. Në ç’punë hyn ajo therori,
ajo burrëri, po qe që një punë e palodhshme s’erdhi t’i jepte çdo ditë një
shkëlqim të ri.
Edhe
me këtë dëshirë në zemër nxitoj të bëj një vizitë të shpejtë. Tetë vjet jete
turbullimi i kanë sjellë pak nderim fizionomisë së qytetit: këtu atje sheh ca
shtëpi të reja, disa dyqane të modernizuara, një shesh tregu të rregulluar, një
ndërtesë qeverie të mbajtur mirë, një kujdes prej bashkisë në pastrim të
rrugëve dhe në ngritje të godinave të rrëzuara.
Mësoj
se një kopsht qyteti, një park i vogël po përgatitet në këtë klimë të butë,
këtu që rron ulliri, lulëzon limoni dhe portokalli, këtu që eukaliptusi,
kaktusi dhe palmat me gjithë shoqet e tyre të vendeve të nxehta, gjejnë një
diell mbrojtës dhe gjelbërim prurës, padyshim një park i kujdesur mund të bëhet
një model bimësh dhe një kënaqësi për syrin e për shpirtin. Po pse të
paralajmërojmë, le të presim mbarimin. S’është me të thënë, është me të bërë.
Ja
spitali: mjeku më rrëfen udhën, më bën nderimet si një zot shtëpie, më rrëfen
të sëmurët, sallat e operacioneve, depozitat, farmacinë ... dhe tekdo një
pastërti e kujdes mbretëron, tekdo sheh njeriu shenjën e një dashurie për
mjeshtërinë, një dëshirë për shërbim.
Mësoj
se flitet për formimin e një muzeu dhe mbrëmë që luajtur një pjesë teatri prej
një trupe amatorësh.
Një
muze! Të donin, sa lëndë të begatshme mund të mblidhnim! Të kishim dashurinë e
së shkuarës dhe të na dhembte pak më tepër për të lënat e stërgjyshërve! Por pa
u ngjitur në paranikët tanë të vjetër, pa vajtur në “antikat” e Pojanit dhe të
kaq viseve të tjera, balta e të cilave mbulon qytete të moçëm, vetëm plaçkat,
kujtimet dhe mbeturinat e këtyre dhjetë viteve të fundit sikur të mbledhim,
vetëm për të mos harruarit e viteve 1912 dhe 1920 sikur të kujdesej muzeu i
Vlorës, do të bëhej një koleksion prej më të vlefshmëve për ne.
Duke
shëtitur mejtohem. Dhjetë vjet. Kujtimi është akoma tepër i ri për t’u harruar.
Sa ndryshim, që atëherë e tëhu: n’atë kohë gjindja kishte një ç’interesim për
çdo send që prekte punët e shoqërisë. Tani çdo gjë e Shqipërisë e intereson dhe
e zgjon. Zgjedhjet e deputetëve, zgjedhjet e bashkisë janë bërë me një zell, që
dëften se detyrat qytetare janë kuptuar mirë.
Ndërgjegjja
kombëtare kur zgjohet, i jep një fisnikëri njeriut, si çdo dashuri dhe çdo
frymë, që fisnikëron punët e të mortmit.
Por
fisnikëria ka dhe detyra të rënda. Është gjë e rrallë dhe fort e madhe që të
jesh fisnik, por dhe sa gjë e rëndë që të dish të mbash shkallën e asaj
fisnikërie.
Sa
barrë e rëndë bie tani mbi supet e kësaj Vlore, nga e cila të gjithë presin
mbarimin e punëve të mëdha, zbukurim dhe lulëzim! Zgjimi i ndjenjës kombiare
sjell entuziazëm dhe ky hov i zemrës e bën njeriun të përparojë, të naltësohet,
të mos qëndrojë pa arritur kulmin e udhës, që ka zënë.
Dymbëdhjeta
nuk zgjoi entuziazëm, nuk tronditi dejet, nuk flaku poshtë këtë atmosferë
vdekjeje, që mbështillte çdo njeri të dënuar për prishje. Edhe mbeti në
shpirtra e në zemra si gjumë i somnambulit.
Njëzeta
nuk mund që të mos zgjonte entuziazëm. Jo, një punë e tillë nuk mund që të mos
njihte detyrat që i ngarkoheshin. Do të qe më i madhi mëkat në botë
përgënjeshtrimi i atyre shpresave të mëdha, që zgjoi Dymbëdhjeta. Vlora që bëri
një hap kaq të madh dhe të shkëlqyer, nuk mund më të kridhet n’ errësirë.
Edhe
sa punë akoma për të mbaruar! Sa çape të tjerë për të hedhur!
*
Ky fragment është
nxjerrë nga “Një udhëtim nga Trieste ne Vlorë” 12 tetor 1922, një udhëpërshkrim
i Mid’hat Frasherit (Lumo Skendo), njëherësh edhe një meditim historik,
filozofik dhe artistik për dy ngjarje madhore te
historisë së Shqipërisë, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ( 28
Nëntor 1912) dhe Luftën e Vlorës ( 21 maj 1920), që solli çlirimin dhe
pavarësinë e vërtetë e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj.
Uran Butka