Mendime
Albina Toçilla: Debatet mbi rrjetin 5G - Një mit apo një realitet për tu pasur frikë?
E enjte, 30.04.2020, 02:28 PM
Debatet mbi rrjetin 5G: Një mit apo një realitet për tu pasur frikë?
Nga
MSc. Ing. Albina TOÇILLA - Pedagoge,
Universiteti Polis
Ashtu
si gjeneratat paraardhëse të rrjetit wireless (2G, 3G dhe 4G), edhe 5G
transmetohet përmes radio valëve. Për të përmirësuar shpejtësinë dhe
kapacitetin e teknologjisë wireless, 5G përdor një frekuencë më të lartë të
radio valëve, krahasuar me gjeneratat më të vjetra.
Rrjeti
më i madh në botë i 5G u lançua në 31 Tetor 2019 nga tre prej operatorëve më të
mëdhenj të rrjetit kinez: China Mobile, China Unicom dhe China Telecom. Ato
aktivizuan rrjetet e tyre në më pak se 5 muaj pasi morën licencat e 5G dhe ofruan
shërbimet 5G për $18 në muaj, për 50 qytete kineze. Operatorët e rrjetit
zhvilluan rreth 86,000 stacione bazë 5G, me plan afatshkurtër zgjerimi në
130,000. Sipas GSMA, 36% e përdoruesve mobile kinezë do të përdorin 5G deri në
vitin 2025, çka nënkupton rreth 600 milion abonentë. Kjo pritet të ndodhë
pavarësisht përpjekjeve që qeveria Amerikane ka bërë për të penguar
“shpërthimin” e palës kineze, ndonëse këto përpjekje gjithsesi mund të ndikojnë
në përhapjen e kompanive kineze në tregun global.
Rrjeti
Rus (RT America) ngriti problematikën e titulluar “Një eksperiment i rrezikshëm
mbi njerëzimin”, duke trajtuar atë që ekspertët parashikonin për 5G. RT America
trajtoi impaktin e 5G në shëndetin e njeriut (2018) dhe raportoi se fëmijët e
ekspozuar ndaj sinjaleve nga stacionet 5G do të vuanin nga kanceri, gjakderdhje
nga hundët dhe mungesë aftësish për të mësuar.
Shkencëtarët,
grupet mjedisore, mjekët dhe qytetarët në mbarë botën po iu bëjnë thirrje
qeverive të ndalojnë kompanitë e telekomunikacionit nga implementimi i
gjeneratës së pestë të rrjetit wireless, duke e konsideruar si “eksperiment mbi
njerëzimin dhe mjedisin”. Kërkimet kanë treguar se rrezatimet wireless mund të
shkaktojnë dëmtime tëmtime të ADN-së, efekte neuropsikiatrike, si edhe probleme
të tjera shëndetësore. Gjithsesi, këtu ekzistojnë disa këndvështrime, nisur nga
lloji i rrezatimit.
Nëse
i referohemi spektrit elektromagnetik, radio-valët përmes së cilave
transmetohet 5G, përfshin një pjesë të vogël të këtij spektri (ku përfshihen
mikrovalët, drita e dukshme dhe rrezet-X). Këto radio-valë, për nga vetë
natyra, nuk janë jonizuese, çka nënkupton që nuk mund ta dëmtojnë ADN e
qelizave, ndërkohë që rrezet gamma dhe ato UV mund ta bëjnë diçka të tillë.
Ndonëse në frekuenca pak më të larta se paraardhësit, ai ndodhet akoma i
pozicionuar në këtë pjesë të spektrit.
Shëndeti
Publik në Angli ka pranuar që nuk ka akoma evidenca bindëse që të vërtetojnë që
ekspozimi ndaj rrezatimeve jo-jonizuese mund të shkaktojë probleme të ndryshme
shëndetësore apo të dëmtojë sistemin imunitar të njeriut.
Nëse
i referohemi Dr. Robert O. Becker në librin e tij “The Body Electric”, trupi i
njeriut ka një frekuencë elektrike dhe shëndeti i tij mund të përcaktohet prej
saj. Frekuenca është shkalla e matshme e rrjedhës së energjisë elektrike që
është konstante midis dy pikave. Çdo gjë ka frekuencë. Dr. Becker zbuloi se çdo
sëmundje ka një frekuencë, si edhe zbuloi që frekuenca të caktuara mund të na
mbrojnë nga zhvillimi i sëmundjes, si edhe frekuenca të tjera që mund ta shkatërrojnë
këtë të fundit. Sipas tij, substancat në frekuenca të larta do të shkatërronin
sëmundjet e frekuencave të ulëta. Në
vitin 1992, Bruce Taino nga Taino Technology, ndërtoi monitorin e parë të
frekuencës në botë. Ai përcaktoi që frekuenca e një trupi të shëndetshëm gjatë
ditës luhatej nga 62 deri 68 MHz dhe çdo sëmundje, në varësi të komplikacioneve
shoqëruese, shoqërohet me një ulje të kësaj frekuence. Kjo nënkupton atë që ne
quajmë rënie imuniteti.
Në
kohën e pandemisë që po jetojmë, shumë kërkues shkencorë dhe laboratore janë të
fokusuar të gjejnë mjekimin që e lufton këtë virus. Shumë astrologë nga ana
tjetër po bëjnë parashikime se kur do i vijë fundi pandemisë. Por, si lidhet
frekuenca e trupit me këtë problematikë? Ne po flasim për Coronavirus, i cili
si çdo virus tjetër ka një frekuencë shumë të ulët, me një frekuencë rezonuese
5.5-14.5 Hz dhe të gjitha studimet tregojnë se në frekuenca më të larta nuk
është aktiv. Ndaj, për një individ që jeton në “vibrime” të larta, coronavirus
nuk mund të jetë më shumë kërcënues sesa infeksionet e tjera respiratore
akute. Në kushtet e disa sëmundjeve,
frekuenca e trupit ulet ndjeshëm krahasuar me sëmundjet tjera duke e rritur
ndikimin e virusit, pasi gjen ambjentin më të “përshtatshëm” për zhvillim. Në
kushtet e bashkëjetesës së disa sëmundjeve në organizëm, frekuenca ulet
ndjeshëm duke mos qenë në gjendje që trupi ta shkatërrojë virusin, por ky i
fundit arrin të “triumfojë”. Gjithashtu, duhet të theksojmë frekuenca rezonuese
mesatare e tokës është rreth 27.4 Hz dhe ndaj ambjentet e hapura nuk
konsiderohen shumë të rrezikshme për virusin, krahasuar me ambjentet e mbyllura
ose spitalet, burgjet, etj ku frekuenca është më e ulët dhe risku ndaj virusit
më i lartë. Në këto vende frekuenca zbret poshtë 20Hz.
Por,
ku qendron rreziku jonë kundrejt rrezatimeve elektro-magnetike dhe 5G? Në vitin
2011, një grup prej 30 shkencëtarësh ndërkombëtarë, pjesë e IARC (International
Agency for Research on Ccancer), studiuan rrezikun e zhvillimit të kancerit si
pasojë e ekspozimeve RF-EMF. Ata publikuan një përmbledhje të studimeve të tyre
në The Lancet Oncology. Ata arritën në përfundimin që ekziston një lidhje midis
rrezatimit RF-EMF të telefonave celularë dhe gliomës, e njohur ndryshe si
kanceri i sistemit nervor. Ky konkluzion nuk u mbështet nga shumë organizata të
tjera dhe ndaj mbetet një diskutim i hapur akoma. Nga ana tjetër, Dr. Lennart
Hardell nga departamenti i onkologjisë, në Örebro University, Suedi, bashkë me
një ekip prej 29 mjekësh dhe shkencëtarësh, kanë publikuar në International
Journal of Oncology, në vitin 2017 një artikull ku kanë theksuar lidhjen që
ekziston midis dëmtimit të ADN-së,
stresit, kancerit, autizmit, etj dhe rrezatimeve RF-EMF.
Duam
ta mendojmë që ardhja e 5G do të na përmirësojë jetën, duke na “ngopur” me
shpejtësi dhe gjerësi brezi transmetimesh. Por, a është kaq pozitiv ky
këndvështrim?
Ardhja
dhe implementimi i 5G nënkupton stacione të reja transmetuese apo qeliza të
vogla në mbarë globin. Arsyeja është e thjeshtë: valët në frekuenca të mëdha, udhëtojnë
në distance më të shkurtra, kjo referuar lidhjes përpjestimore të zhdrejtë
sipas formulës: ?=c/f. Presim një transformim të jetës duke filluar me
aplikacionet e integruara e-health, makinat pa shoferë, “internet of things”,
etj, por edhe rrezatim elektro-magnetik nga ana tjetër. Impaktin e këtij të
fundit, askush nuk e di me siguri!
Të
gjithë pranojnë që rrezatimi në vetvete nuk sjell diçka pozitive për shëndetin,
duke sugjeruar të përdorim më shumë bisedat telefonike përmes internetit
(rrjetet sociale), të mundohemi të mbajmë një lloj distance midis dorës dhe
telefonit kur jemi në telefonatë (përdorimi i kufjeve ose opsioni Speaker),
etj. Këto e shumë të tjera sugjerimi vijnë nga FDA (Food and Drug
Administration).
Së
fundmi, por jo për nga rëndësia, duhet të theksohet ndikimi i 5G në ekonominë
botërore. Rrjetet 5G pritet të gjenerojnë rreth $13.2 trillion në ekonominë
globale deri në 2035. Ato do të fuqizojnë shumë këto industry: Prodhimi,
Teknologjia e Informacionit, Shitjet (Whosale dhe Retail), Shërbimet Publike
dhe Ndërtimi.
Duke
konsideruar gjitha problematikat e trajtuara më sipër, në këndvështrimin tim,
5G nuk lidhet absolutisht në mënyrë të drejtpërdrejtë me përhapjen e Covid-19,
por ndikimi i tij në sistemin imunitar të njeriut është dhe do të jetë. Se në
çfarë shkalle, kjo do të mbetet një “enigmë”, pasi do të eklipsohet gjithmonë
nga avantazhet dhe ngritja globale që 5G do të sjellë.