Mendime
Enver Bytyçi: Disa ngjarje politike dramatike
E enjte, 19.03.2020, 08:24 PM
Enver Bytyçi:
Sot
në Kosovë kanë ndodhur disa ngjarje politike dramatike. Kronologjia e tyre na
ndihmon të gjykojmë për atë çfarë ndodh në këtë vend.
Krizën
e gatoi Hashim Thaçi. Ai mbodhi këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe dekretoi
shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Pastaj rekomandoi që dekreti i tij të
votohet në parlament. Presidenti shfrytëzoi një të drejtë kushtetuese për të
mbjell përçarjen në koalicionin e qeverisjes. Kjo sepse çdo dekret i tillë i
presidentit duhej të ishte projekt dhe propozim i qeverisë, e cila ka
përgjegjësinë e saj të plotë për të analizuar situata të tilla emergjente.
Presidenti nuk e bëri këtë me kryeministrin, por me Isa Mustafën, kreun e
partisë në koalicion, LDK-në, i cili para se Thaçi të mblidhte Këshillin
paralajmëroi publikisht se donte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Por
Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi e kishin llogarit hapin tjetër. Nxitën ministrin e
Brendshëm, Agim Veliu, që ky të bënte deklarata në kundërshtim me qëndrimet e
kryeministrit Albin Kurti. I kam ndjekur me vëmendje zhvillimet në koalicionin
qeverisës dhe më ka rezultuar se dy anëtarë të kabinetit Kurti nga LDK, Agim
veliu dhe Abdullah Hoti, i kanë atakuar publikisht e në vazhdimësi qëndrimet e
shefit të ekzekutivit, çka nuk ndodh në asnjë rast e në asnjë rrethanë në
qeverisjet e tjera. Kjo LDK, e cila i është përbetuar Thaçit për besnikëri pa
kushte, iu kundërvu Vetëvendosjes ende pa filluar punën në qeverisjen e
përbashkët me LDK-në.
Interesant
është se sherri në qeveri erdhi nga dy anëtarë të kabinetit, të cilët morën
pjesë në një takim me Grenell në Berlin pak ditë para se të krijohej qeveria e
post 6 tetorit.
Albin
Kurti, nga ana e tij, nuk dëshmoi lidership të vendosur. Në raste të tilla
vetëm një qëndrim i rreptë dhe i prerë në modelin e Ramush Haradinajt mund t’i
shkëpuste lidhjet midis Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. Ai shkarkoi ministrin e
Brendshëm dhe kreu i LDK-së mblodhi kryesinë e e partisë së tij, në të cilën u
vendos që të kërkohet votëbesim për kryeministrin, Albin Kurti. Dhe kur? Në
kohën më të vështirë për Kosovën, pas çlirimit të saj nga sundimi dhe pushtimi
i Serbisë.
Përfundimisht
mund t thuhet se Lidhja Demokratike e Kosovës nga parti e Ibrahim Rugovës duhet
të pagëzohet si partia e Hashim Thaçit! Eshtë fjala për lidershipin e saj dhe
jo për anëtarësinë. Anëtarët e LDK-së, të cilët vazhdojnë të besojnë te Isa
Mustafa, Agim Veliu e dy-tre fosile tjera hashimiste, duhet të me falin për
këto rreshta që po i hedh me dhimbje të madhe. Me dhimbje, sepse një parti, e
cila me pretekstin e të qenit parti institucionale ka përligjur çdo interes
politik të Hashim Thaçit, kur bashkëqeverisnin bashke, nuk mund të mburret më
as për institucionalizimin e trashëguar nga Ibrahim Rugova. Përkundrazi LDK
duhet ta ndalojë paudhësinë e pabesisë së të tipit të Zanzibarit, të kurdisur
po nga Hashim Thaçi.