Kerko: a
Xhelal Zejneli: Poezia lirike antike greke
E hene, 02.03.2020, 08:22 PM
POEZIA LIRIKE ANTIKE GREKE
Nga Xhelal
Zejneli
Poezia lirike lindi dhe u zhvillua në shekujt VII dhe VI para K. Është koha
kur në gjirin e rendit të aristokracisë fisnore u poqën elementet e shoqërisë
skllavopronare. Ndryshimet sollën shkatërrimin e mbretërive, dikur të fuqishme,
të epokës heroike që këndoi “Iliada” dhe “Odisea”. Mbretëritë
u fikën njëra pas tjetrës për t’i lënë vendin lindjes së një shoqërie të re
me qytetarë të lirë dhe me skllevër. U rritën qytetet (poliset). Lidhjet e
vjetra fisnore u shkatërruan, ndërsa vendin e tyre e zuri një shoqëri e re, e
organizuar në shtet. Ndryshimet erdhën pas një lufte të gjatë ndërmjet popullit
(demosit) dhe fisnikëve të lashtë. Kjo përplasje, në historinë e Greqisë ka
hyrë si luftë midis demokracisë dhe aristokracisë.
Ndryshimet ekonomike në shekujt VII dhe VI para K. sollën në shoqërinë
greke interesa të reja që u pasqyruan në mënyrën e shprehjes së
ndjenjave dhe të mendimeve. Në vend të paraqitjes në poezi të
hyjnive dhe të heronjve të idealizuar, vendin kryesor tani e
zë njeriu me hallet dhe gëzime e tij, me dashuritë, me urrejtjet dhe me
shqetësimet e jetës së përditshme.
Në këto rrethana të reja, kërkohej dhe një art i ri që do ta
paraqiste botën e brendshme të njeriut me drithërimat dhe klithmat e
qenies së tij. Të gjitha këto, gjetën shprehje në një lloj letrar të ri, në poezinë
lirike.
Fjala lirikë vjen nga greqishtja lira që do të thotë vegël
muzikore me tela, që shoqëronte këngën e poetit, i cili shpesh i përcillte
vargjet edhe me lëvizje të trupit apo me valle. Sipas mënyrës së të kënduarit
të këngës, dallojmë lirikën monodike që këndohet vetëm nga një njeri dhe
lirikën korale që këndohet nga një grup njerëzish.
Rruga nga poezia epike në poezinë lirike ka
qenë e gjatë. Poezia lirike, si poezi subjektive, që shpreh ndjenjat dhe
mendimet e poetit, njihej edhe më parë në fisin e akejve. Këtë e dëshmojnë poemat
e Homerit. Kur ai e përshkruan në “Iliadë” mburojën e Akilit, tregon
figurën e një fëmije që “i binte ëmbël qestes dhe lehtë me zë, këngën e
Linit merrte”. Është një këngë e trishtuar që vajton vdekjen e fëmijës Lin.
Elemente lirike hasim edhe në vajtimet e Andromakës dhe të Hekubës mbi kufomën
e Hektorit, në përshkrimet e natyrës, të emocioneve të heronjve etj. Por,
poezia lirike si gjini letrare më vete u zhvillua vetëm kur u krijuan rrethana
shoqërore të përshtatshme.
Shekujt VII, VI dhe gjysma e parë e shekullit V nxorën poetë të mëdhenj
lirikë, të cilët në vargjet e tyre i kënduan pasionet e vrullshme politike e
shoqërore, ndjenjat e thella e të brishta të dashurisë, të dhimbjes, virtytin e
urtësinë, natyrën në të gjitha dridhmat dhe në vezullimet e bukurisë së saj.
* * *
POETËT E PARË LIRIKË – Poetë të parë
lirikë të Greqisë së lashtë ishin Terpandri, Arioni, Tirteu, Soloni etj.
Në vargjet e tyre tingëllon e fuqishme tema e mbrojtjes së atdheut,
thirrja e qytetarëve për të luftuar me trimëri, pa iu trembur vdekjes. (Gjergj
Fishtën, për lirikat e tij, kritika letrare e ka quajtur Tirteu
shqiptar).
Poetët antikë krijuan edhe poezi lirike me përmbajtje didaktike që
bëjnë thirrje për veprime të mira dhe të virtytshme, për dashurinë ndaj së
vërtetës dhe drejtësisë dhe për nderimin dhe bindjen ndaj ligjeve të shtetit.
Në shumë poezi u këndohet ndjenjave intime siç është ajo e miqësisë, e
dashurisë, e dhembjes për rrjedhën e shpejtë të kohës dhe për rininë që shket
pa e kuptuar, ndërsa vendin e saj e zë pleqëria. Së këndejmi tingëllon e fortë
thirrja për ta gëzuar jetën.
Lirika monodike – Poezia lirike
monodike njohu zhvillim të madh te fisi i eolëve, sidomos në ishullin
Lesbos. Prej këtu ishin poetët e lashtë Terpandri dhe Arioni, i
cili i takon jo vetëm historisë por edhe legjendës. Babai i historisë antike, Herodoti
(Herodotos Halikarnesseus, 848-424) tregon sesi Arioni, duke udhëtuar nëpër
det nga Taranti për në Korinth, është kërcënuar nga piratët. Poeti këndoi një
këngë me qesten e tij dhe, për të mos rënë në duart e tyre, u hodh në det. Një
delfin, i prekur nga tingujt e këngës, e mori poetin mbi shpinë dhe e çoi në
Kepin e Tenarit. Një legjendë tjetër thotë se poeti çalaman Tirteu i
priu ushtrisë spartane në luftë, jo si strateg, por me këngën e tij që i ndezi
flakë zemrat e luftëtarëve. Kënga e sirenave (“Odisea” Kënga XII) ose
kënga e gërshetëzave, e nuseve të ujërave në legjendat shqiptare, flasin për
forcën e madhe të artit dhe për rolin e tij në shoqërinë njerëzore. Këtu zë
fill edhe një nga parimet themelore të teorisë mbi të bukurën.
Te grekët e vjetër muzika ishte e lidhur shumë ngushtë me poezinë,
saqë në fillim lirika u quajt melikë, nga fjala melos (këngë). Melika
lindi në ishullin Lesbos, një nga vendbanimet e fisit të eolëve. Në këtë
ishull lindën, jetuan dhe krijuan dy nga poetët më të shquar të poezisë antike
greke - Alkeu dhe Safo.
ALKEU – Ky poet lirik ka jetuar midis
shekujve VII dhe VI para K. Poezia e tij u bë pasqyrë e jetës së tij. Luftërat
e vazhdueshme kundër tiranëve, problemet e mërgimit nga atdheu, konfliktet
sociale gjetën shprehje në vargjet e shkruara me shqetësim dhe me shpërthime të
shpejta, plot thirrje nostalgjike për kohët heroike, për të rrokur armët dhe
për të luftuar:
“me burrërinë e etërve trima
që dergjen poshtë nën dhe”.
Poeti hedh poshtë edhe paragjykimet mbi botën e përtejme:
“Po si kujtove ti? Kur të kalosh
tej Akerontit që valon me gjire,
kujton se përsëri do ta shikosh
rrezen e pastër t’diellit? Oh, dëgjomë,
shporru asi mendimi, je shumë larg
---------------------------------------------
E ndërsa fryn veriu me furi,
ta pimë këtë verë si mjaltë,
ilaç hidhërimesh”.
Poeti i ka kushtuar një poezi edhe poeteshës së madhe - Safos:
“Flokëmanushaqe, të dlirë
e me një të qeshur të ëmbël si mjalti”.
Vargjet e Alkeut dallohen për forcën shprehëse të tyre, për figurat e
thjeshta dhe të këndshme dhe për muzikalitetin e pasurinë ritmike.
Poetesha SAFO është bashkëkohëse e Alkeut. Është poetja më e madhe e
antikitetit. Lindi në Eres, por jetoi në qytetin kryesor të ishullit Lesbos, në
Mitilinë. Nga atdheu u largua vetëm një herë, për të bërë një udhëtim për në
Sicili. Bashkëqytetarët e nderonin shumë, ndaj ia kishin besuar edukimin e
vajzave të tyre në shkollën që kishte hapur ajo për mësimin e këngës, valles
dhe vjershërimit.
Safoja jetonte në botën e saj femërore, të vogël e të mbyllur, me të gjitha
gëzimet e dhembjet e nxënëseve – shoqe të saj. Gëzimi i tyre më i madh ishte të
lexonin, të mblidhnin lule e të bënin me to kurora dhe të deheshin me bukurinë
e këngës e të valles. Jeta për Safon ishte vetëm dashuri për çdo gjë të
bukur e të brishtë. Në një fragment ajo shpreh mendimin se gjëja më e
mirë në jetë është të dashurosh atë që është e bukur dhe fisnike. Poetja e
urren luksin dhe pasurinë. Ajo çmon shumë virtytet dhe botën shpirtërore, të
pasur në ndjenja e mendime:
“Me të vërtetë i bukur është ai njeri,
që është i madh nga shpirti”.
Tema kryesore e poezisë së Safos është dashuria. Me ngrohtësi dhe
thjeshtësi të veçantë, poezia zbulon emocionet e saj intime dhe të fshehtat e
zemrës së saj. Poetja është e ngashëruar për shkak të dashurisë dhe e fton
Afërditën të vijë e ta çlirojë nga mendimet:
“O fronstolisur Afërditë a amshuar,
tinëzarja bijë e atit Zeus,
të lutem me brenga e vuajtje,
o hyjneshë e madhe
mos ma lodh zemrën,
por këtu eja...”
Në pjesën e dytë të kësaj ode të bukur, poetes i mjafton të shohë
fytyrën hyjnore të Afërditës për të gjetur ngushëllim e për të shpresuar se
dashuria e humbur do t’i kthehet.
Me gjithë madhështinë e saj si hyjneshë, Afërdita është dhënë me tipare
njerëzore që e ndihmojnë poeten të zbulojë pasionin e saj. Poetja e quan atë “shoqe
lufte”.
Safoja ka ndjenja të holla poetike, aftësi për t’i kapur dridhjet,
rogëtimat më të thella të shpirtit të njeriut, zërat e panumërta të natyrës, të
shohë ngjyrat më delikate të saj, për të krijuar me të gjitha këto gjendje
psikologjike, harmoni tingujsh e melodish, të rralla në poezinë botërore.
Ndjenjat e saj ajo i derdh në vargje me një ngrohtësi dhe thjeshtësi të
veçantë.
Nga poezia e saj u ndikuan poetë të mëdhenj, sidomos liriku romak Katuli
(Gaius Valerius Catullus, 84-54) por edhe poeti i madh
italian i kapërcyellit të mesjetës dhe shekullit të ri, Dante
Aligieri (Dante Alighieri, 1265-1321) si dhe poeti italian Françesko
Petrarka (Francesko Petrarca, 1304-1374), në sonetet dhe në këngët e
tyre.
Përveç lirikës së dashurisë, Safoja u bë e njohur edhe për epitalamët,
këngët e dasmës. Këto këngë këndoheshin natën, kur nën dritën e pishtarëve e
çonin nusen në shtëpinë e dhëndrit dhe shoqëroheshin me refrenin “Hymen, o
hymene”. Me epitalamët e saj, me një pasuri të madhe krahasimesh dhe
similitudash të tipit folklorik, Safoja na përkujton këngët popullore të
dasmës, të njohura qysh në kohët e Homerit. Në një fragment të shkurtër,
me një paralelizëm figurativ, jepet portreti i nuses:
“...seç kuqëlon molla e ëmbël majë degës,
në majë të majës, vjelësit e harruan.
Jo, s’e harruan, por s’e arritën dot”.
Dhëndri krahasohet me një fidan të bukur, të hedhur aq lart saqë çatia
duket e ulët për të:
“Më lartë ngrini çatinë,
O hymene...
Si Aresi po kalon dhëndri”.
Me dy tri poezi të plota e me vargje të grimcuara e të shkëputura, Safoja u
bë e dashur në të gjitha kohët. Kundërshtari i demokracisë athinase, filozofi
grek Platoni (427-347) e ka quajtur Safon “Muza e dhjetë”.
(Termi muzë vjen nga Greqia antike dhe mitologjia greke.
Nëntë perëndeshat – nëntë vajzat e Zeusit dhe të perëndeshës së kujtesës,
Mnemosimës – kanë qenë mbrojtëse, mbështetëse apo mecenë të shkencës dhe të
artit: Talia – mbrojtëse e komedisë, më vonë edhe e tërë
jetës skenike, teatrore; Urania – mbrojtëse e astronomisë; Melpomena –
mbrojtëse e tragjedisë; Polihimnia – mbrojtëse e poezisë lirike; Erato
– mbrojtëse e poezisë, përkatësisht e poezisë epike; Klio –
mbrojtëse e historisë; Kaliopa – mbrojtëse e deklamimit, përkatësisht e
oratorisë; Euterpa – mbrojtëse e muzikës; dhe Terpsihora –
mbrojtëse e vallëzimit).
ANAKREONTI – Ky poet i shquar lirik lindi në
qytetin jonian Teos, në bregdetin e Azisë së Vogël, midis shekujve VI dhe V
para K. Poezia e këtij këngëtari që jetoi mbi tetëdhjetë vjet, për nga
karakteri dhe fryma, eci në gjurmët e poezisë së Safos dhe të Alkeut.
Në vargjet e tij plot muzikalitet, i këndoi dashurisë, verës, u këndoi
gostive, valleve e luleve dhe gëzimeve të jetës. Për dallim nga ndjenjat e
thella e të trishtuara të Safos, ndjenjat e Anakreontit janë të lehta dhe të
sipërfaqshme. Brengat e dashurisë, poeti i kapërcen lehtë, me tone gazmore dhe
me një humor të hollë. Nga kjo nënkuptohet se, përpos dashurisë, jeta ka edhe
gëzime të tjera. Vajza e bukur nga
Lezbosi ia shanë poetit flokët e thinjur, ndërsa kjo ia përkujton atij
pleqërinë. Mbase vajza tanimë dashuron dikë tjetër. Megjithëkëtë, poeti nuk
dëshpërohet, por pikëllohet kur i shkon
ndërmend se po i afrohet fundi.
Poetit i pëlqen ta shijojë jetën me të gjitha gëzimet e saj, i pëlqen vera,
por jo edhe sa të dehet, i japin kënaqësi vajzat e bukura, por jo edhe sa t’i
dridhet zemra. Përkundrazi, ai urdhëron që ta bëjnë gati për t’u ndeshur me
perëndinë e dashurisë, Erosin.
Vargjet e Anakreontit shquhen për ndjenjën e sinqertë, për shprehjen e
thjeshtë dhe për qartësinë e figurave.
Lirika korale – Ky lloj i lirikës u zhvillua në
shekujt VI dhe V para K. në fisin e dorëve. Poezia korale këndohej në
mes të popullit dhe në vende publike nga një grup njerëzish. Shprehte ndjenja,
mendime dhe dëshira të përbashkëta për tërë qytetin. Në festat popullore
fetare, në dasma e funerale, në lojëra olimpike për nder të hyjnive të
ndryshëm, koret e dorëve ushtonin nëpër rrugët e qyteteve duke vallëzuar
dhe duke kënduar me një stil solemn. Në këto manifestime merrnin pjesë atletë
nga të gjitha krahinat e Greqisë. Lojërat shndërroheshin në festa popullore. Në
atdheun e tyre fituesit nderoheshin gati si hyjni.
PINDARI – Është përfaqësuesi më i madh i lirikës
korale dhe një nga poetët më të mëdhenj të antikitetit. Ka jetuar midis
shekujve VI dhe V para K. Lindi në një fshat të Beotisë në një familje me
tradita muzikore. Sa poet, aq edhe muzikant, Pindari lëvroi lloje të ndryshme
poetike të kënduara në kor, si himne, ode. U shqua sidomos për epiniket
e tij. Në to himnizon me tone të ngritura fitoret e atletëve në garat e
ndryshme që organizoheshin për nder të hyjnive të caktuar. Duke marrë shkas
prej këtyre ngjarjeve, poeti nxjerr përgjithësime me karakter moral mbi
virtytin, të vërtetën, ndershmërinë, mirësinë, e veçanërisht mbi bukurinë
shpirtërore e fizike të njeriut. Ky ishte mishërim i idealit të kohës
dhe shëmbëlltyrë për të tjerët.
Talenti i këtij poeti shpërthen kur depërton në botën e miteve
dhe të legjendave, në ato bredhje poetike që tanimë njihen me
shprehjen “fluturime pindarike”. Poeti romak Horaci (Quintus
Horatius Flaccus, 65-8), i shkolluar në Romë dhe në Athinë, në mënyrë
figurative e përfytyron Pindarin si një përrua të vrullshëm që
rrjedh nga malet, duke rrëmbyer në shtratin e tij gjithçka.
Kuptimi i jetës për Pindarin qëndron në vetëflijimin për qëllime të
larta e fisnike:
“... e mira më e parë janë veprat e hijshme
ndërsa nami, e dyta.
Kush ndeshi dhe rroku të dyja,
më të lartën kurorë fito”.
Heroizmi dhe lavdia janë dy shtyllat
kryesore mbi të cilat ngrihet poezia e Pindarit. Legjenda thotë se kur
Aleksandri i Madh e ka rrënuar Tebën, u paska thënë luftëtarëve të tij: “Shtëpinë
e poetit mos e digjni!” Pindari dhe Homeri kanë qenë për Lekën e Madh
poetët më dashur.
Pindari sheh te poezia zjarrin që ngre peshë zemrat dhe zgjon ndjenja të
bukura. Janë me interes mendimet e poetit për rolin e poezisë, të shprehura në
vargjet e tij. “Fjala jeton më gjatë se vepra dhe po qe se del nga thellësia
e zemrës, e bën atë të pavdekshme. Edhe veprat më të bukura mbeten të mbuluara
nga errësira po qe se nuk këndohen në himne”.
Me Pindarin mbyllet periudha e shkëlqyer e poezisë që lulëzoi me aq bukuri
në fiset eole dhe dore. Tanimë kushtet e reja shoqërore kërkonin një formë të
re të shprehjes artistike dhe kjo ishte poezia dramatike. Ajo e
filloi rrugën e zhvillimit të saj në Athinë, para mesit të shekullit V para K.
* * *
“ÇËSHTJA HOMERIKE” - Për Homerin
(shekulli VIII para K.) asgjë s’dihet me saktësi. E
konsiderojnë autor të epëve “Iliada” dhe “Odisea. Epoka antike e
konsideronte personalitet historik. Të parët që u morën me “çështjen
homerike” ishin gramatikanët aleksandrinë.
Çështjen homerike në kuptimin e sotëm të fjalës, e shtroi filologu klasik
gjerman F. A. Wolf në veprën “Mbi Homerin” (Prolegomena ad
Homerum, 1795). Me fjalë t tjera, Vulfi shprehu dilemë radikale për ekzistimin
e Homerit. Ai thotë: “Homerum numquam fuisse suscipio – Dyshoj që Homeri të
ketë ekzistuar ndonjëherë). Teza e tij është se poezia homerike është poezi
gojore, shkrimi i së cilës ka lindur jo më parë se në epokën
klasike. Teza e Vulfit shënon fillimin e shkollës analitike në
homerologji. Përfaqësuesit e kësaj shkolle thonë se teksti i “Iliadës” dhe
i “Odisesë” ka lindur me bashkimin artizanal të këngëve të vogla. Ata
thonë po ashtu se teksti i epëve mund të ketë lindur nga një bërthamë e
vogël e cila, me kalimin e kohës, është zgjeruar me shtesa të tjera.
Studiuesit klasikë gjermanë Fr. A Wolf dhe K. Lachmann epet
popullore të mëdha i kanë sqaruar me anë të teorisë së këngëve. Së
pari kanë lindur këngë të veçanta, të cilat këngëtarët apo rapsodët i kanë
lidhur dhe kësisoj janë krijuar epet.
Përballë tyre qëndrojnë unionistët të cilët pohonin se që të dy
epet, “Iliada” dhe “Odisea” artistikisht janë vepra unike të
cilat i krijoi poeti gjenial – Homeri, duke përdorur lëndën e vjetër në
të cilën rrëfime të caktuara, tanimë kanë qenë të përpunuara si tërësi të
rrumbullakuara.
Në shekullin XX, një teori të veçantë për lindjen e epëve të Homerit
paraqitën edhe studiuesit amerikanë M. Parry dhe A. Lord, të
cilët Homerin dhe poezinë epike gojore të popujve ballkanikë
e studiuan në mënyrë krahasimtare.
Në këtë mes duhet theksuar romanin “Dosja H” të Ismail Kadaresë ku
flitet për dy studiues fiktivë irlandezo-amerikanë, Maks Roth dhe Vili Norton,
të cilët nisen për në malet e humbura të Shqipërisë veriore të paraluftës, me
magnetofon në dorë, në kërkim të atdheut të eposit. Të dy folkloristët kanë për
synim të hetojnë mundësinë e ekzistencës së një lidhjeje të drejtpërdrejtë
midis poezisë homerike dhe këngëve heroike të
kënduara nga malësorët shqiptarë me lahutat e tyre.