Kerko: a
Edison Ypi: Mylandi
E hene, 24.02.2020, 08:33 PM
Mylandi
Nga
Edison Ypi
Mylandi
është një vend banorët e të cilit mburren me Historinë që nuk e kanë, lavdinë
që nuk e meritojnë, trimërinë që nuk janë.
Mylandi
është vend i shenjtë ku shtëpitë janë Kisha dhe Teqè pa besimtarë, banorët janë
murgj dhe dervishë që meditojnë s'dihet se për çfarë dhe kërkojnë ca gjëra që
nuk ekzistojnë.
Në
Myland, ku këndon bilbili, të deh pranvera, të rrënqeth vjeshta, të dalldis
Prilli, të sëmur muzgu, rritet një frut që po ta tymosësh të bën të ëndërrosh,
po ta shesësh në Itali mund të mbytesh në det ose mund të përfundosh në burg.
Mylandi
është një patate e zjerë, e nxehtë, e shijshme, që nuk kafshohet, nuk
gëlltitet, nuk hahet, vetëm rrotullohet nëpër gojë, shoqëruar me ulurimat
përkatëse të ngjajshme me ato të seksit.
Mylandi
është një pusetë ujrash të zeza të cilës i kanë vjedhur kapakuan e kanë shitur
për skrap.
Mylandi
është orë muri pa akrepa me një qyqe që del e bën ku-ku sa herë që i duket se
Mylandi ndodhet buzë humnerës dhe botës po i afrohet fundi.
Mylandi
do bëhet së afërmi vend pelegrinazhi që do mbledhi male me pare nga budallenj
kureshtarë që do vinë nga an' e anës për të marrë në Myland përvojat e fitimit
pa punuar, diturisë pa e kuptuar, dashurisë pa e ndjerë.
Mylandi
është vendi ku nëse je mish por ndjehesh sallam, shndrrohesh në derr, dhe nëse
je derr por ndjehesh mish, shndrrohesh në sallam nga ai që po ta hash ndjehesh
i lumtur.