Kerko: a
Edison Ypi: Ik nga kurvizmi
E diele, 23.02.2020, 01:01 PM
Ik nga kurvizmi
Nga
Edison Ypi
Majtas
e djathtas rrugët dhe rrugicat mbajnë emra vrasësish. Po të vazhdosh të ecësh
mbi këto rrugë, pas pak do çmendesh. Ik. Ik e mos u duk.
Mozaiku
kriminal ta mpin trurin. Nuk jetohet në këtë vend me këtë shesh e këtë simbol.
Ik nga kurvizmi propagandistik, ik nga syt këmbët.
Në
bulevard ta err shikimin varri i kurvit. "Është vepër arkitektonike",
"dëshmi historike," "brezat e ardhshëm duhet të dinë çfarë ka
ndodhur", janë rrena trashanike për të mos i lënë shqiptarët të ikin nga
kurvizmi. Ik o ik. Ik si zhapik duke u zvarritur. Si kunadhe duke u fshehur. Si
gjarpër duke u përdredhur. Vetëm ik.
Sheshi
tek Pazari i ri mban emrin e një vrasësi me pagesë që e mbajnë për dëshmor.
Ik-ik-ik, dhe kurrë mos u kthe.
Krim
në familje. Deputetë vrasës. Aleanca parlamentare pa asnjë lidhje me
preferencat e elektoratit. Shpifje, intriga, kurthe. Të mbushet balli me
djersë. Nëpër trup të kalojnë me mornica. Mos humb kohë me çmendurira. Ik.
Ti
duke u ngjitur, ai duke zbritur, këmbehesh nëpër shkallë me një sigurims që të
sheh vëngër sikur i ke vra babën.
Një
kat më lart banon një ish-komandant burgu të cilit po t'i thuash se Sigurimi
ishte kriminal, të vret.
Në
rrjetet sociale tmerre dhe turpe që kapërxejnë çdo përfytyrim. Femra në kërkim
të burrit duke fotografuar veten në një mijë mënyra. Burra-lavire pa asnjë
zotësi dhe asnjë talent të cilët në perëndim i ka hedhur sigurimi, burracakë të
pështirë që sa më larg nga Shqipëria ndodhen aq më trima hiqen. Nuk durohen. Ik
nga këllirat, ik e mos u duk. Ik nga kokën këmbët. Barkaz a me kurriz, duke u
përplasur a duke u rrokullisur, duke thyer brinjë e duke u gjakosur, vetëm ik.
Kurvistat
më të ndyrë kanë bërë vilat më të mëdha. Kalamajtë i kanë çuar me studime
jashtë nëpër universitete të shtrenjta. Vetë mbajnë postet kyçe të rendit, të
drejtësisë, të gjithave. Ik, ik, ik, ik dhe vetëm ik dhe kokën prapa mos e
kthe.
E
ç'të duhen Lugina e Vjosës, Korabi, Cukali, Karavastaja, Tomorri, Devolli,
Naimi, Noli, Lasgushi. Ik o budalla, ik. Ik këmbeji kaltërsitë e Llogorasë me
blozat e Birminghamit, diellin e Myzeqesë me ngricat e Stokholmit, freskun e
Thethit me qelbësirat e haleve që do pastrosh.
Ik
qafën thefsh. Ik edhe në Etiopi, në Nepal, në Indonezi, në Madakaskar. Ik ku të
mundësh. Vetëm në Shqipëri mos rri. Vetëm në Shqipëri kurrë mos u kthe.
Ik
o shqiptar ik. Ik nga kurvizmi.
Ik
sa më parë, sa më larg. Hiç mos u sëkëlldis se shqiptarët paksohen dhe
Shqipëria zvogëlohet. Shqipëria kurrë nuk ka qënë më e vogël se e ka merituar.
Shqiptarët kurrë nuk kanë qënë më pak se kanë mundur të jenë.
Mos
u merakos se pasi të kesh ikur do vijnë t'i pushtojnë vatrat e ngrohta,
shtëpitë e gjalla, tokat e begata. Ku kurvizmi u kultivua me aq zell e pasion
prej vetë shqiptarëve në atë masë sa tashmë ka rrënuar gjithçka, askush nuk do
mund të ndezi vatrat e ftohura dhe ngjalli shtëpitë e vdekura.