Kerko: a
Edison Ypi: Ladi
E merkure, 19.02.2020, 08:15 PM
Ladi
Nga
Edison Ypi
Ladi
i tallte pedagogët. Unë jo. Ladi i bashkohej “shumicës dërrmuese", siç e
quanim me tallje kopenë e atyre që shkonin nëpër aksione. Unë nuk shkoja. Luaja
rolin e budallait. Ladi më lutej t’ja mësoja rolin e budallait. Nuk mundja.
Rolin e budallait nuk e luaja. Budalla isha.
Ladi
thoshte seriozisht; Jeta gjatë së cilës nuk bën asgjë për të tjerët, nuk është
jetë, është vdekje.
Pas
Politeknikumit, na morën ushtar. Ladin "e hodhën", kështu thuhej, në
Marinë, mua në një repart kundërajror.
Pas
ushtrie shqyheshim së qeshuri duke i rrëfyer njëri-tjetrit gallata militare.
Katera silurues në Sazan me motorra të ndryshkur gjysëm të fundosur. Nëndetse
me bateri të thara. Marinarë të alivanosur. Alarme pa asnjë shkak. Rreziqe
imagjinare nga NATO. E të tjera e të tjera, Ladi të shkulte gazit me
hajvanllëqet e marinës detare, asaj karrakatinës ujore së cilës sot ca hajvanë
i thurin lavde.
Ladi
tallte gjithë kohës nomenklaturën dhe Bllokun për të cilët tregonte vazhdimisht
qyfyre. Bisedat e rrezikshme, vizitat e fshehta i përdornim si ilaçe për
parandalimin e atakut të zemrës apo çmendjes.
I
thashë një ditë Ladit; O Lad, ma arrestuan vëllain.
Ladi
më la pa ment. Ja plasi gazit. S’ka problem tha, vëllai yt do gjallojë ca vjet
në një burg të vogël, ndërkohë ne do vazhdojmë të mbijetojmë brenda burgut të
madh. Sa mirë që vëllai yt dha një shembull madhor, bëri një gjë konkrete për
të tjerët. Unë e ti nuk kemi bërë asgjë, vetëm llafe. Ti, si vëllai i të
dënuarit, do heqësh picirin. Vëllai yt, meqënse nuk do ketë vëlla të dënuar, do
vuaj më pak se ty.
Qëllonte
që nuk takoheshim me muaj.
Një
nga këto intervale u zgjat më tepër se zakonisht. Pyet njërin pyet tjetrin,
askush nuk e dinte ku ndodhej Ladi.
Kaluan
muaj.
Ishullarët
vazhdonin të thoshin se nuk e dinin ku ishte Ladi. Por jo me vendosmërinë e
parë. Këtë herë në një mënyrë që të linte të dyshoje se mungesa e Ladit ndrynte
brenda diçka dramatike.
Pasi
kaloi një vit që Ladi s’dihej ku ishte, u muar vesh se Lad Toto nuk ishte
gjallë. Çfarë kishte ndodhur ? Askush nuk e dinte.
Po
bëheshin më tepër se dy vite nga zhdukja e Ladit, kur e vërteta nisi të dilte
me zor si një natë pa gjumë që mezi zbardh. Ladi kishte vajtur një mbrëmje tek
disa kushurinj të tij në Laprakë që banonin në një parafabrikat peskatësh. Kaq.
Asgjë me tepër nuk u muar vesh për vite.
Gjatë
atyre viteve hamendjet mbi Fatin e Ladit rrëfeheshin vesh më vesh nëpër ishuj
me një solemnitet manastiresh. Si rrëfim murgjësh që nuk nguten, rrëfejnë
ngadalë me fragmente kohore disavjeçare.
U
desh të kalojnë vite të tjera për tu marrë vesh se Ladi atë natë kishte
qëndruar gojëkyçur nja një orë tek kushurinjtë. Pasi ishte larguar nga
kushurinjtë ishte ngjitur në terracën e parafabrikatit ku kishte ndejtur i
strukur në një qoshe i mbështjellë me pallto deri në mëngjez. Në të zbardhur
kishte dalë nga strukja. Kishte hequr pallton. I ishte afruar ngadalë bordurës.
Ishte hedhur nga terraca në tokë ku e gjetën të nesërmen mbytur në gjak.
Për
shumë kohë rrëfimit të kësaj llaftarie, nuk ju shtua asgjë. Nuk u tregua asnjë
shkak. Nuk u bë asnjë interpretim. Nuk qarkulloi asnjë hamendje. Gjithçka mbeti
e mbytur si muzikë daullesh në muzg që vjen nga larg.
E
vërteta u mësua vonë. Sigurimi i kishte kërkuar të spiunonte miqtë. Ladi nuk e
la t’i ikte nga duart Fati i shumpritur. Ëndrrën e kahershme për të bërë diçka
të madhe për të tjerët e realizoi duke u vetvrarë.