Kulturë
Ilir Sefaj: Poezi e meditimit dhe rezignatës intelektuale
E hene, 03.02.2020, 04:33 PM
POEZI E MEDITIMIT DHE E REZIGNATËS INTELEKTUALE
Nga Ilir Sefaj
Është thënë
ngaherë se një poezi e mirë, e cilësisë së lartë, rëndom vjen si rezultati një
meditacioni të thellë, por në radhë të parë, një vepër e arrirë artistike pa
mëdyshje vjen edhe si rezultat i një përqasjeje serioze drejt një letërsie të
krijuar nga njerëz pasionantë të cilët jetën e tyre e lidhin me artin letrar,
apo më mirë jeta e tyre është sinonim i këtij arti.
Është thënë po ashtu ngaherë, se vlera artistike e veprës letrare nuk qëndron në interpretimet që i bëhen asaj, por ajo është në vetë veprën letrare. E themi këtë meqë gjykimi kundrejt një krijimi të caktuar, në cilën do kohë e në cilën do rrethanë që jepet, ai është kryekëput subjektiv, ani pse ekzistojnë shkolla e metoda e dije të tjera mbi të cilat mbështetemi parimisht.
Teoricieni i
njohur bashkëkohorë amerikan Xh. Kaller, shprehet: “Të interpretosh një
poezi është çështje e përpunimit nga të dhënat e tekstit dhe nga dijenia jonë e
përgjithshme rreth folësve dhe gjendjeve të zakonshme, e natyrës së qëndrimeve
të folësit”.
Letërsia
bashkëkohore shqipe, në veçanti ajo e dy dekadave të fundit të shek. XX,
karakterizohet në radhë të parë për nga gjerësia tematike e saj, ndërsa mjetet
e saj shprehëse ishin të çliruara nga rregullat e ngurta e strikte që në
njëfarë mënyrë e ‘cenojnë’ lirinë shprehëse, e cila është e domosdoshme për
secilin krijues. Po ashtu karakteristikë tjetër e kësaj letërsie është edhe
fakti se autorët që krijuan në këtë periudhë, po edhe më herët, kërkonin
krijimin e një individualiteti krijues, dhe doemos të sillnin diçka të re në
letrat shqipe.
Prurjet e reja
letrare të dekadave të fundit të shekullit XX, në veçanti ato të viteve ’90,
dëshmojnë për një pjekuri krijuese të autorëve tanë të cilët medoemos në artin
letrar në përgjithësi e në atë poetik në veçanti, sollën vlera të çmuara
letrare e artistike të panjohura më parë në letrat shqipe.
Duhet thënë se
shfaqjen e disa krijuesve në këtë periudhë do konsideruar fatlume ngase
letërsia bashkëkohore shqiptare u shpërblye me art të mirëfilltë dhe me vlera
tejkohore.
Njëri ndër këta
krijues që me penën e tyre dëshmuan se dinë të shkruajnë poezinë dhe jo vetëm
atë, pa mëdyshje është edhe poeti rugovas, Azem Shkreli (1938 -1997).
Azem Shkreli është konsideruar me të drejtë si njëri ndër zërat më autentikë të poezisë moderne shqipe, i cili ka gërshetuar në mënyrën më mjeshtërore dijen me talentin, dhe ka mbajtur një vijë poetike tejet të konsoliduar në raport me rrethanat dhe kohën në të cilën ka krijuar.
Poezia e këtij
autori herë-herë merr nuanca të theksuara intime, herë-herë “fotografon”
ambiente të caktuara, e jo më rrallë ironizon ide e mentalitete arkaike të
cilat kërkojnë kohë e kurajë për t’u ndryshuar. Sigurisht se, diskursi poetik i
Azem Shkrelit është modern edhe kur i këndon atdheut, edhe kur i thur elozhe
dashurisë, edhe kur ironizon, por edhe kur “fotografon” pamje reale e abstrakte
të cilat janë rezultat i imagjinatës së tij të pasur.
Poezia e Azem
Shkrelit tingëllon e freskët dhe aktuale ngase gjerësia e saj tematike,
shprehja e pasur gjuhësore, përdorimi me masë i figurës letrare, vënia në pah e
disa reflekseve metafizike, ka dëshmuar se ky autor është i mishëruar me artin
letrar e në veçanti me atë poetik.
Azem Shkreli është i pranishëm në letërsinë shqipe qysh në fillim të viteve ’60, mbase edhe më herët, mirëpo qëllim i kësaj përqasjeje është vënia në pah e disa refleksioneve karakteristike të kësaj poezie e cila u botua në dekadën e fundit të shekullit XX, ku shprehet qëndrimi ironik i poetit karshi realitetit ekzistues.
Ironia si shprehje e qëndrimit kritik ndaj mjedisit jetësor
Ironia si shprehje
e qëndrimit kritik është konstantë permanente e veprës poetike të Azem
Shkrelit. Poezia e këtij autori e cila u botua në dekadën e fundit të shek. XX,
karakterizohet në radhë të parë për gjerësinë e saj tematike, shprehjen e pasur
gjuhësore si dhe ironinë e groteskut.
Duke qenë poet me prirje moderne a postmoderne, Azem Shkreli është kujdesur që gjithnjë të jetë në rrjedhën e kohës me artin e tij letrar e në veçanti me atë poetik.
Në fillim të
viteve ’90 (konkretisht më 1990) poeti shfaqet para lexuesit me librin e tij
poetik “Nata e papagajve”, vepër kjo e cila shënon një kthesë të madhe
(në kontekstin e vlerës) jo vetëm në opusin krijues të tij të publikuar deri në
atë kohë, por edhe në poezinë shqipe përgjithësisht.
Te kjo
përmbledhje, vihet re përpjekja e autorit që të bëjë atë çlirimin mes subjektit
lirik dhe botës kolektive, duke i dhënë poezisë së tij ngjyrime intime, mirëpo
që lidhen me kolektivitetin e që kanë për qëllim të vizatojnë ndjesitë e poetit
karshi një bote të egër e të trazuar:
Pritet të ndodhin ngjarje të ziret hëna
Çakajt t’i trembim me lodra e këmbana
( ... )
Vëllai vëllait t’ia shesë paj gjinjtë e sëmës
Në çdo Luftë Kosove të fitojnë vetëm lulëkuqet
Këtu vargut m’i ra një gur e kërrokën korbat
Nëpërmjet këtyre
vargjeve poeti ka vizatuar gjendjen e rëndë nëpër të cilën po
kalonte populli i
Kosovës në fillim të viteve ’90, për t’u errësuar akoma më shumë më 1999,
sikurse edhe e hetonte ai intuitivisht.
Ky diskurs poetik i Azem Shkrelit, jo më pak ironizon politikën utopiste
paqësore të kohës e cila predikonte rrugën e “urtësisë” për tejkalimin e
situatave të rënda të cilat rëndonin çdo ditë e më shumë mbi supet e njeriut
tonë.
Përmes vargut, Çakajt
t’i trembim me lodra e kambana, më bukur se asnjëherë
tjetër, poeti
përqesh dhe e vë në lojë këtë mendësi të kohës e cila nuk posedonte as edhe të
vetmin opsion objektivisht të realizueshëm për tejkalimin e kësaj gjendjeje
apatie në të cilën ishte vënë po ky njeri. Ndërkaq, kulmin e qëndrimit të tij
kritik karshi gjendjes së rëndë e cila mbretëronte në këtë kohë, poeti e ka
shprehur në vargjet e fundit të kësaj poezie, ku ka shfaqur si një lloj dyshimi
në unitetin e kombit përballë furtunave të cilat përgatiste koha.
Në poezinë Shënim
për ata, poeti ironizon demagogjinë e sistemeve totalitare të
kohës të cilat
djallëzisht i thurin elozhe proletariatit dhe në të njëjtën kohë i pinë
gjinë gjakun bëjnë / të nëntëdhjetenëntat:
Hanë e pinë e flenë me klasën
Si me gruan
Lakuriq e çveshin të bukurën
Proletaren
I pinë gjinë gjakun bëjnë
Të nëntëdhjetenëntat
Mrekullive të tyre skuqet
Vlladimir Iliçi
Dhe ata letrat na i shkruajnë
Me të kuqën
Kuq ata kuq ne kuq
Komunizmi
Përballë këtyre
“mrekullive” dhe veprave “madhështore” e shumë të “dobishme” për masën që bënte
sistemi monist dhe kasta politike e kohës, e cila ishte e gatshme të rrënonte
çdo gjë në emër të një ideologjie utopike, “skuqej” edhe revolucionari dhe
themeluesi i saj, Vladimir Iliç Lenini.
Azem Shkreli,
sikurse me të drejtë është thënë, është nga ata poetë tek i cili nuk
mund të bëhet në
mënyrë të prerë diferencimi ndërmjet llojeve të lirikës, dhe për
receptuesin e
vargut të tij uni lirik apo poetik jo rrallë shkakton edhe telashe në të
kuptuarit drejt të “çështjes”, ngase siç do të shprehej studiuesja gjermane
Kate Hamburger gati një shekull më parë: ”Nuk ka asnjë kriter ekzakt, as logjik
as estetik, që do të mund të na sqaronte nëse mundemi ta identifikojmë
subjektin rrëfyes, folësin e poezisë me vetë poetin”.
Megjithatë, poetit
ynë sa do që ka ecur tehut të shpatës kur ka thurur vargje të cilat i
përshkon ritmi dinamik, diskursi ironik dhe figura letrare, nuk ka rrëshqitur
asnjëherë në hermetizëm, siç jo rrallë mund të ngjajë te një numër i
konsiderueshëm
krijuesish.
Poeti Azem Shkreli
është ithtar i fjalës së frymëzuar, ai i jep dimension universal fjalës së tij
poetike edhe kur vizaton peizazhe, edhe kur në artin poetik shkrin unin e tij,
por edhe kur komunikon direkt me “natyrën” dhe njerëzit që e rrethojnë.
Arti poetik i
këtij krijuesi siç e vë në pah edhe studiuesi A. Vinca: “Është serioz
dhe autokton, edhe kur krijon vargje me motiv nga e kaluara jonë edhe kur
rreket pas temave intime a personale edhe kur denoncon njerëz, kohë e vizione,
ngase sipas të njëjtit, poeti është i vetëdijshëm se universalja në art dhe
letërsi nuk mund të arrihet pa lokalen dhe nacionalen”.
Vargje që shprehin mllefin ndaj deformimeve të kohës
Azem Shkreli është
poet i meditimit të thellë, poet i reflekseve intelektuale, i cili, sikurse
edhe shumica e krijuesve tanë nuk guxoi të rrijë indiferent karshi situatës së
krijuar pas vitit ‘81 e në veçanti në vitet ’90 në Kosovë, ku shenjat e
identitet shqiptar të Kosovës ishin vënë në pikëpyetje.
Lirika e Azem
Shkrelit është moderne në substancën e saj, ngase autori nuk vuan nga euforia
nacionaliste sikurse mund të ketë ngjarë të një numër jo i vogël i krijuesve të
tjerë të cilët krijuan në këtë kohë. Ai në radhë të parë denoncon veset e
njeriut tonë, demagogjinë dhe besëtytnitë e tij.
Në kohën kur
vendit i nevojitej më shumë se kurrë uniteti, poeti ironizon karshi qëndrimit
gati-gati indiferent të një grupi të caktuar njerëzish të cilët luajnë rolin e
krimbave dhe luten për mot të lëmashkët:
Në kënaqësi të zeza, gëzohen zi, cimbojnë me të zezë,
Marshim i jargët i tyre zvarret tryezave, shikimeve
Bien në dy gjunjë, lutën të marrë mot i lëmashkët
Hipin shoq më shoq dhe shpallin kremten e krymbave...
Në vargjet e
sipërcituara të cilat gjenden poshtë poezisë me titull Koha e krimbave,
ironia merr karakter të hidhur, sulmues, dhe shpreh urrejtje të thellë, dhe
kësisoj kalon në sarkazëm.
Azem Shkreli është
poet i cili talentin e tij krijues e kishte vënë në shërbim të
vendit të tij, dhe
për asnjë çast nuk do të mund të pajtohej me hartat që kishte vizatuar Evropa
në dëm të tokave shqiptare. Autori nëpërmjet një ironie të sofistikuar i vë në
pah djallëzitë dhe të palarat e zonjës së rëndë siç edhe e quan ai Evropën në
një rast:
Zonja Evropë e cila në treg të madh për së gjalli
Nxjerr gjymtyrë popujsh dhe harta e historia
Këto vargje
shfaqin ndrojtjen e poetit karshi veprimeve ogurzeza të Evropës, e
cila kishte
dëmtuar interesat e shqiptarëve në konferenca të ndryshme, dhe poeti do të
shpërthejë:
Sa luftëra, sa kufij, sa popuj të ha mangalli
Zonja Evropë, e rënda. Dhe zonja Evropë, e mira
Epitetet që i jep
autori Evropës, si zonjë e rëndë, dhe zonjë e mirë, flasin qartë
për subjektin lirik i cili me artin e tij letrar i lufton dhe shpreh mllefin
përballë padrejtësive që i kishte bërë Evropa kombit shqiptar gjatë historisë.
Ndërkaq, në
poezinë Ballkanasit, poeti ironizon mendësinë e popujve të Ballkanit të
cilët secili në mënyrën e vet synon Olimpin duke “përvetësuar” kështu historinë
dhe “lavdinë” e stërgjyshërve të tyre:
Secili Olimpin
Më të lartin, Itakën më të bukurën
Mbi rrathë të Arkimedit
Troku i kuajve të tyre të Trojës
Turren prapthi kohëve
Mesjetëve, vdesin në Kosovë
Kthehen fitimtarë
Me kokën e tyre në shtizë
Vargjet: Turren
prapthi kohëve/ Mesjetëve, vdesin në Kosovë, flasin për Betejën e njohur të
Kosovës (1389), ku Aleanca ballkanike kishte pësuar disfatë të thellë nga
Perandoria Osmane.
Ani pse popujt e
Ballkanit ishin thyer keq në këtë Betejë, ata nuk hezitojnë t’i
thurin himn
patriotizmit që u dëshmua aty: kthehen fitimtarë / me kokën e tyre në shtizë
(ironi deri në sarkazëm), dhe përmes këtyre vargjeve, poeti përqesh këtë
demagogji të këtyre popujve e cila më shumë bëhet për ta “dëshmuar” autoktoninë
e tyre sesa për ta idealizuar lavdinë e heronjve që flijohen në këtë Betejë.
Sado që diskursi
poetik i Azem Shkrelit jo rrallë është ironizues dhe shpreh
revoltë karshi një
çështjeje të caktuar, poeti sikur bën kursimin e fjalëve denigruese dhe të
papeshuara mirë, andaj siç edhe shprehet kolegu i tij, poeti Ali Podrimja: “Azem
Shkreli njihet si fanatik i vargut, i latimit të tij, i ritmit, i
muzikalitetit, i ironisë që shpesh na shfaqet në sarkazëm. Me pak mundohet të
thotë shumë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, të cilët dinë pse shkruhet
dhe artin e kuptojnë punë mjeshtërore. Nuk mund të pajtohej se teksti është
kryer, nëse fjalës e figurës nuk ia ka gjetur vendin e vet. Nga fanatikë të
tillë lind dhe madhështorja, që vazhdimisht i kthehesh”.
Muza poetike e
këtij autori, gjatë rrugëtimit të saj ka sjellë aspekte nga jeta e popullit
tonë, pa përjashtuar shfaqje nga jeta e përditshme, kohë e subjekte reale,
imazhe nga vendlindja, e miklime nga jeta intime, të cilat ai i bën ekspresione
letrare e artistike.
Në poezinë Idhuj
të rrejshëm, poeti nuk kursen ta qesëndisë as edhe vetveten e tij, dhe më
një diskurs poetik sa ironik aq edhe sarkastik, mëton t’i bëjë tokësore
shpresat e idealet e rreme që kishte ruajtur si relikte në mendjen e tij:
Ndaj, idhuj t’rrejshëm, zbritni nga koka ime
Mbi t’cilën sa kohë ju mbajta si profetën,
Më leni t’pëlcas prej gazit e prej dhimbe,
Ta bëj timen unë – e djalli t’vetën.
Pra, përmes kësaj
ndjeshmërie poetike, subjekti lirik sikur kërkon të zbres nga ky Olimp i rremë
në të cilin kishte hipur si rezultat i një hipnoze të momentit.
Se vargu poetik i
Azem Shkrelit shpreh revoltë karshi deformimeve të kohës na e bën më se të
qartë edhe qëndrimi krejt përjashtues i poetit karshi atyre që janë të gatshëm
t’i shesin shpirtin djallit dhe bëhen kasnec të së keqes dhe injorancës për ca
privilegje krejtësisht të papërfillshme:
Ju falem që rrini zgjuar që
Ditën e natën ruani nga unë
Gratë e veja qentë qeveritë
Ju falem ore ju falem
Krijimtaria
letrare e Azem Shkrelit, në veçanti poezia e tij, është e mbrujtur me
sharmin e një
krijuesi të talentuar, i cili di të luaj mjaft bukur me figurën letrare, me
idetë, me motivet.
Ky autor me artin
e tij poetik na ka dhënë kurdoherë tablo të gjalla e të plota të një kohe e
rrethane konkrete, duke ironizuar situata, fenomene e mentalitete arkaike.
Poezia e tij është
edhe dëshmi e një kohe para së gjithash, dhe ky art që plasoi pena e këtij
krijuesi merr përmasat e vlerës universale ani pse në qendër të saj është
nacionalja, ngase siç edhe do të shprehej poeti në një rast: “para vetës dhe
para të tjerëve nuk do të jemi interesant si francezë, si anglezë ose si
gruzianë, por vetëm si këta që jemi”.
Me pak fjalë ky
është liriku modern i shqipes, poeti i Bjeshkëve të Nemuna, vepra letrare e të
cilit sipas perceptimit tonë mbetet e hapur, dhe çdo rikthim në të do të lerë
mundësi për interpretime të reja, ngase në këtë punim është thithur shumë pak
nga nektari që përmban arti që dha pena e këtij krijuesi.
(Autori është master i Shkencave filologjike – UP)