Kulturë
Alfred Papuçiu: Vedat Kokona, ati shpirtëror i frankofonisë
E enjte, 30.01.2020, 07:27 PM
Vedat Kokona, ati shpirtëror i frankofonisë
Nga
Alfred Papuçiu
“Artisti i madh nuk pyet
as për luftëra, as për epidemi, as për tërmete…ai fluturon mbi të gjitha këto
me veprën e vet dhe mbetet i përjetshëm”. I tillë ishte Vedat Kokona. Ai u
largua nga kjo botë me kujtimin më të mirë, të profesorit fisnik, flokëbardhë
që na dha nocionet e para të artit të përkthimit. Shumë nga botimet e Vedat
Kokonës mbajnë autografin e tij, të cilat i ruaj me kujdes në bibliotekën time.
Më shkruante pak para se të ndronte jetë, se shqipot nuk mendojne për fjalorë e
lexim. Pak më vonë dolëm në fotografi bashkë me të në Tiranë, në shtëpinë e
tij, ku i qëndronte pranë e shoqja, një grua e urtë dhe pafjalë, diskutuam për
fjalorin e madh që kishte në dorë, për një botim tjetër që kishte dëshirë që
unë ta sponsorizoja…Fliste me atë zërin e tij karakteristik, me gjuhën e pastër
shqipe, për të cilën kishte punuar shumë dhe kishte botuar së fundi “Thërrime
me mjaltë”-gramatikë e vogël e gjuhës shqipe. Më thoshte me keqardhje se “me
kalimin e kohës në shtyp e në mjetet e komunikimit masiv përdoreshin shumë fjalë
të huaja, duke e lënë pas dore gjuhën amtare, për të cilën u munduan aq shumë Rilindasit
që e shkruan edhe me gjak”. Kujtimet më
lidhin me profesor Kokonën që nga ora e fonetikës dhe deri tek fjalori
Frëngjisht-Shqip dhe shtëpia botuese e vajzave të tij. Me profesorin fisnik kujtuam edhe vitet e shkuara, ato vite të 1965-66, kur shkonim bashkë me
të në malin e Dajtit, duke u ngjitur në këmbë. Rrugës ai na mbante gjallë dhe
megjithëse binte dëborë dhe bënte ftohtë e na tregonte pambarim barcoleta me kripë
dhe me “bum”. Kujtuam edhe vitet e fakultetit, kur profesori i shquar na dha
nocionet e pastra të përkthimit që më shërbyen pastaj tepër gjatë viteve.
Kujtonte me nostalgji romanin e tij “Me valët e jetës”, si dhe dramën “Hijet e
natës”, që ai ish kryeministri e kishte ndaluar pa kuptim. Sidoqoftë, vite më
vonë, ajo u vu përsëri në skenë dhe profesor Vedati ndjente një kënaqësi të
veçantë. Kujtuam edhe raste të shumta, kur ndonjë nga bashkëstudentët i
emocionuar bënte gabime, në shqiptimin e
fjalëve frënge, e ai me dashamirësi e korigjonte, ose shtonte me shaka:
“T’i shkruajmë Akademisë Franceze që ta përfshijë këtë fjalë të re në
fjalor”.Kujtuam edhe Rudinën, e cila pyeti a ka në frëngjisht fjalë “përtoj” e
ai ishte përgjigjur se nuk ka francezë përtacë, prandaj edhe folje të
mirëfilltë në frëngjisht nuk ka. Ose mbaj akoma pranë letrën e tij të fundit që
më dërgonte së largu, midis shumë të tjerave ku më shkruante me dashuri: “I
dashur Alfred. Të uroj nga zemra, pak me vonesë ç’është e vërteta për dhuratën
që më pate bërë shumë kohë më parë dhe për të falat që më ke dërguar disa herë.
Nuk të kam shkruar, por ta dish se të kujtoj shpesh me dashuri. Je nga fort të
pakë ish studentë të mji që të kam pranë shpirtërisht dhe shpesh e kujtoj
shëtitjen në Dajt, 30 vjet më parë dhe fjalët që shkrove për profesorin
flokëbardhë. Me rastin më të parë që do të gjej do të të çoj një botim, me disa
sonete të Shekspirit. Këtu gramatika thuajse s’po shitet. Shqipot s’kanë nevojë
për gramatikën e gjuhës së tyre, të cilën e njohin shumë mirë. Urimet e mija më
të përzemërta për Vitin e Ri dhe Krishlindjen ’96. Të përqafoj me mall. I Yti
Vedati”.
Ai solli si trashëgimi
për ditët e sotme vepra të rilindësve tanë. Përkthimin e parë e bëri që në vitet '30 kur botoi në të përkohshmen
"Illyria" me kryeredaktor Ernest Koliqin, poezinë "Njerëz të
varfër" të Hygoit, për të cilën
e përgëzuan Koliqi dhe diplomati Fico. Vedat Kokona përktheu shumë klasikë të
letërsisë së përbotshme, si Pier Kornejin, Zhan Rasinin, Shekspirin dhe Tolstoin “Ana Karenina”, Gorkin “Fundërrinat”, Xhon Gollsuorthin “Saga e Forsajtëve”, Dikensin “David Koperfildin”, Aleksandër
Beku “ Udha e Volokolamksut”, Rabindranat Tagoran “Stuhi
në Gang” , Ernest Heminguejin
“Lamtumirë armë”, La Fonten
“Fabula të zgjedhura” , Stefan Cvaig “Letra e një të panjohure” etj, Vedat Kokona
ka sjellë në shqip rreth 15 mijë vargje nga poezia botërore. Ai ishte një nga
përkthyesit kryesorë nga frëngjishtja, italishtja, anglishtja dhe rusishtja. Vlerat e
shqipërimit të profesor Vedatit, ashtu si ai i sillte të mëdhenjtë e letërsisë
në duart e brezit të ri dhe çdo lexuesi në Shqipëri, është bërë në mënyrën më
ekselente të mundshme sepse ai shqipëronte në mënyrën më të duhur.
Me urdhër të nomenklaturave partiake
përktheu shumë raporte kongresesh të partisë, rinisë, të Bashkimeve
Profesionale e të gruas, që nga Kongresi i Parë e deri tek i shtati.
Gjithashtu, ka botuar 30-40 vëllime të përkthyera me urdhër nga lart, nga
nomenklatura komuniste.
Vedat Kokona u lind
më 8 gusht 1913,
në Izmir, nga një familje qytetare gjirokastrite.
I ati, Elmazi, ishte avokat. Më 1920 kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore dhe më pas
vijoi mësimet në Liceun e Korçës.
Gjatë studimeve në këtë shkollë, më 1935, Kokona fitoi çmim në një konkurs
letrar. Çmimi ishte një aparat fotografik Kodak, që e ëndërronte, dhe një botim
i bukur poezish të Lamartinit. Po atë vit nisi studimet e larta në Paris për
drejtësi, ku qëndroi deri në fillim të 1939-s. Pas përfundimit të universitetit
, u emërua në gjykatën e Krujës, ku nuk shkoi të merrte detyrën. Ai punoi si
mësues i gjuhës frënge, në
po Liceun e Korçës, ku kishte qenë
nxënës. Aty u dallua si një nga mësuesit më të mire. Gjatë invazionit fashist,
kur Kokona punoi si profesor, udhëzimi ishte që të spiunonte nxënësit gjë që ai
nuk mund ta pranonte për arsye të parimeve dhe të karakterit të tij. Për shkak të trysnisë politike, dha dorëheqjen
më 1942 dhe i hyri profesionit të tij të fillimit, avokatisë. Në shkurt 1944,
së bashku me Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen, themeloi dhe kryesoi redaksinë
e së përdyjavshmes Revista letrare, jetëshkurtër, por me ndikim në
jetën kulturore. Në vitet e para të pasluftës, i padëshirueshëm si avokat, ai
iu kthye punës si mësues i frëngjishtes në një shkollë të mesme në Tiranë,
kurse nga 1949 deri më 1965 punoi si kryeredaktor dhe përkthyes në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Nga 1965 e
deri sa doli në pension dha frëngjishten në Universitetin e Tiranës. Vedat
Kokona pjesën më të madhe të jetës dhe të punës së tij ja kushtoi gjuhës frënge.
Ai mbetet një nga autorët më të rëndësishëm shqiptarë të leksiokologjisë dhe
leksikografisë.
Vedat Kokona mban titullin doktor "Honoris Causa" i Universitetit të
Tiranës, dhe është nderuar me titujt e dhënë nga Republika Franceze
“Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të
Letërsisë”, më 1995 dhe “Oficeri
i Urdhrit të Palmave”, më 1996. Një rrugë
në Tiranë mban emrin e tij. Në 100 vjetorin e lindjes së tij në 2013, doli dhe
një pullë postare me figurën e tij.
Ai mbetet një figurë akademike me shumë kontribute në jetën e
vendit, i cilësuar shpesh edhe si ati shpirtëror i frankofonisë..
Si fryt i çmimit që fitoi në vitin e fundit të liceut, udhëtoi
në Itali, Gjermani, Suedi dhe Danimarkë. Pas këtyre udhëtimeve do të
shkruante dhe botonte ditarin me shënime udhëtimi Nga Tirana në
Stokholm, Tiranë 1935, një nga librat e parë të këtij lloji të botuar
në gjuhën shqipe.
Gjatë luftës botoi dy vëllime me poezi, Dritë dhe hije,
Tiranë 1939, përmbledhje me nëntëmbëdhjetë vjersha introspektive dashurie, dhe
atë me satira, Shtatë prilli, Mussoliniada, Tiranë 1943. Si
prozator, Kokona përmendet kryesisht për vëllimin Yje të këputur,
Tiranë 1940, përmbledhje e shtatë tregimeve me frymë moderniste, që e
paraqitnin si një ndër prozatorët më të talentuar e më origjinalë të viteve të
luftës sipas Elsit. Ndër veprat
e mëvonshme të Kokonës janë romani me dy pjesë Me valët e jetës,
Tiranë 1961, 1965, dhe drama Hijet e natës, Tiranë 1966. Ai ka lënë
një botim me vlerë me titull « Mbi përkthimin, me përkthyesin », si
dhe « Quo vadis letërsi shqipe dhe shkrime të tjera kritike »,
« Në kopshtin e soneteve », « Komedia e përjetshme ». Në
Kosovë janë botuar një numër të veprave
të tij si « Yje të këputur ».
Vedat Kokona u largua nga ne, por me kujtimin më të mirë të një njeriu zemërmirë, me pasion për jetën, për gjuhën, për frëngjishten që aq mirë e zotëronte, duke na lënë, ndër të tjera, një dhuratë të çmuar për gjuhën: fjalorin 35 mijë fjalësh shqip-frëngjisht.