Kulturë
Femi Cakolli: Kulturocidi që po zbeh kornizën heterogjenitare shqiptare
E enjte, 30.01.2020, 09:16 PM
Kulturocidi që po zbeh kornizën heterogjenitare shqiptare
Fjalë
promovimi për librin “Qytetet e Ilirisë” të autorit Gani Mehmetaj
Dr. Femi Cakolli me autorin Gani Mehmetaj
Nga
Pastor Dr. Femi Cakolli
Libri
më i ri i shkrimtarit Gani Mehmetaj, i shtypur para përfundimit të vitit të
kaluar, mban titullin “Qytetet e Ilirisë”, botuar nga Shtëpia Botuese Titaniku,
Prishtinë. Kësaj radhe nuk kemi në dorë ndonjë roman a përmbledhje publikimesh
nga aktualiteti ynë kulturor siç jemi mësuar të kemi nga ky autor por tani kemi
një vepër të zhanrit udhëpërshkrues, udhëtregues e arkeologjik të 23 qyteteve
iliro-shqiptare. Përshkrimi i këtyre qyteteve nis nga Gjakova tok me disa
vendbanimeve tjera të lashta përreth saj, pastaj vazhdon me Nishin si qytetin
më verior të Dardanisë e pastaj për të zbritur në Pazarin e Ri, Artanë,
Domastion, Ulpianë, Cermjan, Rudinë, Prizren, Shkup, Shkodër, Plavë, Guci,
Gjytet, Ulqin, Lezhë, Krujë, Kaninë, Pogradec, Korçë dhe Gjirokastër.
Autori
kësaj here ka zgjedhur që të lë imagjinatën dhe të braktisë fiksionin letrar,
trillimin si mjeti letrar, pra lë rolin e shkrimtarit si primat arti, dhe vishet më shumë si vizitator duke marrë rolin
për mbledhjen e faksioneve (fakteve) si shënimtari ose regjistruesi i
arkeologut dhe ciceronit për gjetjet më të fundit nëpër këto qytete ilire, si
pjesë e ekspeditave dhe të udhëtimeve të realizuara prej marsit të v. 2017 e
deri në mars të v. 2019.
Duke
e përcjellë veprën krijuese të autorit Mehmetajt për disa vjet rresht, mund të
konstatoj se nga aspekti tematik dhe i shtrimit të materies letrare, i stilit
ekspozues dhe i vokacionit artistik kjo vepër që po promovojnë sot nuk përbën
ndonjë risi strukturale, formale, përmbajtësor e angazhimor, ani pse provon të
kultivojë një zhanër të ri letrar. Veçantia e këtij teksti është sintetizimi i
arkeologjisë si prova të antikitetit ilir dhe atij urban aktual i këtyre 23
qyteteve për të përçuar e evokuar një mesazh dhe kundërshtesë për një civilizim
të synuar perëndimor të qenies shqiptare.
Në
aspektin e kohës autori zgjedh të kaluarën e largët (antikitetin ilir), të
kaluarën e mesme (mesjetën arbërore), të kaluarën e afërt (rilindjen kombëtare)
dhe të sotmen. Pra kemi një të kaluar në tri periudha dhe të sotmen. Skema
është e thjeshtë: dje dhe sot, por diku për një çështje autori lëshon disa
lemza dhe për disa tjera trishtime, për të ardhmen tonë kulturale e identitare.
Pse
autori flet për këto 23 qytete ilire? Në esencë të këtyre qyteteve, pra kupto
në qendër të këtij civilizimi, gjendet perandori bizantin me prejardhje ilire,
Justiniani i cili ndërton 8 qytete na fillimi dhe rindërton mbi 50 qytete
tjera, kala, fortifikata, kështjella dhe disa prej tyre vazhdojnë jetën edhe
sot. Justiniani në këtë vepër nuk është personazh apo vetëm figurë historike
por është ndërtuar në ide letrare, është metafora postmoderne autoriale, është
modeli, është vlera e yjësive më të larta (paradigma) se çfarë autori ëndërron
në projeksionin e tij: t’i luftojmë barbarët; të merremi me rikuperimin e
dëmeve arbërore e shqiptare që janë bërë nga barbarë të shumtë. Kjo qasje nuk
është vetëm njëlloj semantike por si një
projeksion, pra është një modernitet (ndërmarrje e madhe nga të gjithë dhe me
dobi për të gjithë).
Përpos
Justinianit figura të tjera historike që hasen në këtë tekst, por me synime e
ide të tjera letrare janë: Jerina (e bukura shqiptare; vajzat tona janë
mbretëresha shqiptare), Leka i Madh (princi që përhap civilizim në botë), Lekë
Dukagjini (princi që mblodhi e kodifikue ligjet, pra ne nuk jemi pa ligje),
Pjetër Bogdani (kryeipeshkvi i Shqipërisë dhe i Serbisë që pos uratës ka edhe
kamën duke mobilizuar 6000 luftëtarë kundër osmanëve), Lesh Spani, sundimtari i
fundit arbëror i Artanës i cili prezanton lakoren historike; Martin Shegyni
(Segoni) rrëfimtari i parë i të bëmave të Skënderbeut prezanton idenë e
kallëzimtarit mishëruar kaq shumë në vetëdijen dhe kulturën tonë etj.
Përmes
këtyre qyteteve autori ka për synim që të plasojë mesazh për brezin e sotëm
duke dëshmuar se ne kemi pasur qytetërim, kemi pasur ushtarë, piktura e
piktorë, skulptura e skulptorë, vepra e shkrimtarë, ligje, statute të
kështjellave, tempuj e kisha (paramendoni se vetëm kisha sase në Artanë të
Kosovës i zinte 3000 frymë – kjo faltore ishte aty deri në vitin 1455),
monedha, ari etj. Dhe krejt në fund porosit dhe evidenton autori se ka një
vazhdimësi dardane nëpër këto qytete andaj ne duhet të shfaqim më shumë dashuri
për historinë dhe vendin tonë.
Dalloj
në këtë vepër kategorinë sa estetike, ndoshta jo të pranuar nga të gjithë ose
jo të veçuar nga të gjithë, po kaq edhe kategori biblike e teologjike atë të
sakralitetit. Kjo kategori në fjalorin e sotëm të shqiptarëve madje tejet të
zakonshëm kur shtyjnë ide a plane përpara së debatuari dhe kur duan që t’i
bindin të tjerët këtë e bëjnë me anë të ndrojtjes dhe ngritjes së argumentimit
të pakundërshtueshëm, si prej qielli, të argumentimit me bazë e mendësi të
paprekshmërisë, të bindshmërisë dhe shumë herë edhe në formë të manipulimit. Sa
shpesh pra e dëgjojmë sintagmën “është e shenjtë”, kështu autori ka ndërtuar në
strukturimin e tij të menduarit për faktin se qytetet apo vendbanimet e hershme
njerëzore të gjendura tek ne janë të shenjta.
Kështu kemi edhe Urën e Shenjtë, Kështjella e Rozafës, vendet e shenjta,
gjësendet e shenjta, stelat, shpatat, ushtat, shtizat, luftërat e shenjta,
gravurat ilire, shpella e kryqeve, tempulli ilir, rrasat e gurit me vizatime
parahistorike etj.
Janë
katër qytete që rrëfimtari i idileve u jep më shumë vëmendje: Shkupi, për shkak
se ka qenë kryeqendra e Dardanisë dhe tani gati sa nuk është sllavizue;
Prizreni, dikur pronë e Kastriotëve i cili vazhdimisht po kozmopolizohet
qëllimisht për t’i humbur karakteri arbëror paramendoni si qyteti ku është
organizuar Lidhja e Prizrenit tash promovohet si qyteti i etnive e kulturave të
ndryshme; Kruja, kryeqyteti i rezistencës së Gjergj Kastrioti; dhe së fundi e
që më së shumti flet për të është qyteti i Shkodrës. Shkodra është qyteti i
miteve, i legjendave, i kujtesave, i mbretërve e mbretëreshave, i epokave të
lavdishme, qyteti i ëndrrave të fëmijërisë së autorit – ëndrra të kopshtuara në
fakt nga i ati i vetë autorit.
Të
kthehemi tek ideja kryesore e veprës. Edhe pse dominojnë dy lëndë këtu,
arkeologjia dhe historia ideja qendrore është kulturociada, pra shkatërrimi
sistematik i kulturës ilire, arbërore e shqiptare e nisur nga dyndjet sllave
për të vazhduar pastaj fise e popuj tjerë dhe së me pushtimet osmane e serbe
dhe nga organizatat turke e arabe. Ky program kulturocid, sipas autorit po
ndodh me hov të madh si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni këto 20
vitet e fundit.
Është
e qartë se nga metodat e studimit të cilitdo tekst përmes leximit qëllimor e
kërkimor si metodologji ne e gjejmë kryetemën, temën dhe nëntemat e tekstit. Përmes
vëzhgimit të mirë të tekstit ne i gjejmë faktet e mira. Përmes fakteve të mira
ne bëjmë interpretimin e duhur, dhe interpretimi i duhur na çon në aplikime të
ndryshme por të dobishme. Kështu ky tekst edhe pse me rezervime nuk udhëzon
lexuesin për tek aplikimet e synuara, por në fakt kjo i mbetet në ndërdije
atij, në ndërgjegje, i mbetet ndër dhëmbë duke hapur e kapur dilemën dhe
reflektimet: si nuk po shohim kulturocidin, si nuk po na pengon kulturocidi, si
të fitojmë ndaj kulturocidit sistematik.
Shikuar
nga pikëpamja e spektrit të kulturës së përgjithshme kombëtare, dihet se
kultura shqiptare ka qarqet e veta kulturore të ndërlidhura e ndërshtresuara si
pasojë e rrjedhimeve dhe e ndikimeve historike, ashtu saktësisht si edhe autori
përmend fatin e fisit Kuçi që disa janë katolikë, disa ortodoksë e disa
myslimanë, prandaj mbështetja kaq e madhe e autorit, mbitheksimi kaq i trashë,
mbivlerësimi kaq i lartë i njëri qark kulturor shprehur në këtë libër mendoj se
pikësëpari nuk është as i qëndrueshëm, as i lakueshëm, as i lakmueshëm, as i
dëshirueshëm dhe as i praktikueshëm pasi të gjitha qarqet tona kulturore
pavarësisht prej zonave, specifikave, besimeve dhe përcaktimeve tjera i kanë
dhënë kombit dhe kulturës shqiptare në momentet e caktuara.
Identiteti
i kulturës shqiptare si realitet është ndërtuar mbi parimin e heterogjenitetit
dhe mbi parimin e universalitetit, duke shtyrë mënjanë parimet tjera sikurse
parcialiteti, ekskluziviteti dhe hemogjiniteti. Kjo është korniza jonë
kulturore dhe identitare si komb por krijuesi është i lirë dhe mund të këndojë
si ai të dojë meqë është vlerë po ashtu e përcaktimit tonë si shoqëri e hapur
dhe kritike.