Kerko: a
Adil Fetahu: Arbëreshi Françesko Krispi, dy mandate si Kryeministër i Italisë së Bashkuar
E diele, 26.01.2020, 08:26 PM
ARBËRESHI FRANÇESKO KRISPI, DY MANDATE KRYEMINISTËR I ITALISË SË BASHKUAR
-Kolonitë shqiptare në Itali paraqesin
fenomenin më kurreshtar dhe më interesant të mbijetesës etnike
-Arbëreshët kontribuan në çlirimin dhe
bashkimin e Italisë. Ata mbi pesë shekuj edhe ruajtën gjuhën, kulturën,
traditat, virtytet shqiptare
Shkruan: Adil
FETAHU
Ngulitja e shqiptarëve në Itali
Dyndjet dhe ngulimet e shqiptarëve në Itali, historiani Primaldo Koko i
renditë duke filluar nga viti 1272 e deri më 1794 kur, sipas tij, është edhe
vala e fundit e emigrimit (këto të kohës sonë, pas vitit 1990, janë kapitull
tjetër historik,v.j.). Ai thotë se ka pasur mbi 250 mijë arbëreshë në Itali.
Shqipëria e asaj kohe quhej Arbëri,
prandaj shqiptarët e shpërngulur
quheshin Arbëreshë. Autorë të lashtë,
Plini e Festusi thonë se tërë popullsia në Jugun e Italisë: Apulia, Kalabria,
Toskana, janë me origjinë ilire, të fiseve Japige, Darde, Salentine, Pedikule,
etj. Edhe në kohën e Perandorisë Romake, në Romën e vjetër kanë shkuar shumë
shqiptarë (ilirë), sepse Roma kishte tri kërkesa kryesore prej provincave të pushtuara: pagesën e haraçeve
dhe taksave; kryerjen e detyrimit ushtarak; dhe respektimin e autoritetit
romak. Është e ditur se deri në vitin 395 të erës sonë, 27 perandorë të Romës
kanë qenë me prejardhje ilire ose nga Ilirikumi ndër të cilët më të njohur
ishin Diokleciani dhe Konstantini i Madh.
Marrëdhëniet dhe partneriteti italo-shqiptar kanë një histori të gjatë dhe
ato janë intensifikuar sidomos në kohën kur Skenderbeu ishte prijës i
luftërave, jo vetëm në Shqipëri. Në vitin 1443, mbreti i Napolit, Alfonsi,
kërkoi ndihmën e shqiptarëve, për të shtypur rebelimin e banorëve dhe
pretendimet e francezëve për ta pushtuar Napolin. Me ndihmën e shqiptarëve, prej 4000 vetash, të komanduar nga Demetrios Rera dhe dy djemtë e tij: Gjergji
dhe Bazili, arriti ta shtypë
kryengritjen dhe t’i zmbrapë francezët. Si shpërblim për këtë meritë,
mbreti e emëroi Reren guvernator të Kalabrisë, dy djemëve të tij iu dha pozita
të larta ushtarake, ndërsa ushtarëve
shqiptarë iu dha toka në zonën malore të provincës Katanzaro. Aty u bë ngulitja
e parë e Arbëreshëve në Itali. Prej vitit 1448 e tutje në Itali kanë imigruar
shqiptarë të tjerë (edhe mercenarë), të cilët janë shquar dhe mirëpritur në luftërat e zhvilluara atje. Kalorësia
shqiptare, me emrin stratiotët, u bë e
famshme gjatë luftërave të Italisë kundër pushtuesve francezë, spanjollë dhe
austriakë.
Pa kaluar as 20 vjet, më 1461, për të njëjtat arsye mbreti i Napolit,
Ferdinandi I, djali i mikut të ngushtë
të Skënderbeut, mbretit Alfonsi, kërkoi përsëri ndihmën e shqiptarëve, për ta
parandaluar pushtimin e mundshëm francez.
Këtë herë, Skënderbeu me 4000 ushtarë, kalorësit e tij, ndihmoi shtypjen
e kryengritjes, në betejën e njohur të Puglias dhe shpëtoi mbretërinë e
Napolit. Pas betejës, 2000 ushtarë të Skënderbeut mbetën si ndihmë Napolit për
t’u mbrojtur nga rebelimet dhe mësymjet e mundshme. Për falënderim dhe
shpërblim për këtë ndihmë, mbreti iu dha ushtarëve toka në provincën e
Avelinos, që pëfshinte edhe fshatin Greci, i cili do të bëhet qendër e njohur e Arbëreshëve.
Ushtarët dhe emigrantët shqiptarë në Itali themeluan mbi 50 fshatra të tyre, të
cilat lulëzuan dhe u zhvilluan, në të cilat flitej dhe ruhej gjuha shqipe. Nga fshati Greci
ishte edhe mësuesi i poetit tonë të madh, Gjergj Fishta. Ai ishte një shkrimtar i njohur e prift françeskan, At Leonardo de Martino, i cili
shërbeu një kohë të gjatë në Shqipërinë e Veriut. Në vitin 1960, Martin Camaj kishte shkuar në
fshatin Greci për të studjuar të folmën e shqipes nga Arbëreshët e atjeshëm. Në
funt të studimit të tij Camaj, ndër të tjera shkruan: “…Më lejoni të shpreh
diçka për vlerën atdhetare e shpirtërore të Grecit. Më lart unë fola për
specifikat kulturore, sepse edhe në lidhje me dialektet e tjera të arbërishtes
“a la katunçe”, Greci është unik në botë dhe në fakt në asnjë fshat nuk
flitet kaq ekzaktësisht si flitet në
Greci. Unë jam i gëzuar që kjo shtojcë për kulturën e Grecit arriti deri aty sa
mua të më jepet titulli qytetar i nderit…Por, ka edhe një arsye tjetër që më
jep kënaqësi të identifikohem me ju dhe kjo është arsyeja më e natyrshme në
botë: Greci është një fshat shqiptar dhe unë jam Shqiptar”, shkruante Camaj.
Një valë e madhe e shpërnguljes së
shqiptarëve-arvanitë dhe ngulitja e tyre në Itali konsiderohet ajo nga Morea me
rrethinë (Peloponezi). Arvanitët e Moresë, me 200 anije u shpërngulën në vitin
1543, pas pushtimit otoman të Peloponezit. Sipas marrëveshjes me mëkëmbësin e
mbretit të Dy Sicilive, Don Pedro, ata u vendosen në Bazilikatë, në Pulje, në
Secili e gjetkë. Pasardhësit e tyre,
edhe sot e kësaj dite e kujtojnë kohën e shpërnguljes dhe vendin e tyre të prejardhjes, me këngën e
njohur:
More, e bukura
More,
si të le e më
s’të pe!
Atje kam zotin
tatë,
atje kam zonjën
mëmë,
atje kam dhe tim
vëlla
gjithë të
mbuluar me dhe!
Shpërngulja dhe vendosja e shqiptarëve në Itali, në valë të ndryshme, u bë
nën rrethana e kushte të vështira. Republika e Venedikut, për interesa të veta
ekonomike, kishte urdhëruar që kalimi përtej Adriatikut të bëhej vetëm me
anijet veneciane. Ai që nuk ishte në gjendje të paguante udhëtimin, duhej të
punonte pa pagesë për Republikën 10 vjet rresht! Të shpërngulurit i mbanin larg
qyteteve, nga frika se mos do të organizoheshin për të rrëzuar qeveritë. Nga
ana tjetër, kleri vendor bënte punën e tij të përçarjes midis ardhacakëve të
cilët u përkisnin dy besimeve fetare: ortodokse e katolike.
Përhapja dhe shpërndarja e Arbëreshëve në Itali është e madhe, ndonëse në
ndërkohë shumë sish kanë emigruar në Amerikë e Argjentinë. Sipas një statistike
që jep Eugenio Barbarih në revistën “L’Albania”(1905) për arbëreshët e
vendosur në provinca të ndryshme të Italisë,
del se në 80 koloni, fshatra e vendbanime të ndryshme, ishin 209.000
arbëreshë, të shpërndarë:
-në provincën e Kozencës, 33 koloni me 60.000 banorë arbëreshë,
- në provincën e Katanxaros 13, fshatra-koloni, 20.000,
- në provincën e Potenco-s
5 fshatra me 11.000 ,
- në provincën e Foxhia-s 8
koloni, me mbi 26.500,
- në provincën e Kampobaso-s 5
koloni me mbi 16.000,
- në provincën Lece-s, 10 fshatra-koloni, me 30.000,
- në provincën Palermo-s, 4 koloni me 22.500 dhe
- në provincën Katania-s, 2 koloni me 21.000 banorë arbëreshë, duke shtuar
edhe 2000 “frymë” në Girxhenti dhe Teramo (Burimi: Gent Ulqini, “Shqipëria
dhe Shqiptarët”, libri 4, fq.8-12).
Me kalimin e kohës, shumë Arbëreshë janë shpërndarë nëpër qendra e qytete
tjera të Italisë dhe shumë sish kanë emigruar në shtete tjera të Europës dhe të
Amerikës. Kështu që, sipas regjistrimit të vitit 1966, si popullsi që flasin
gjuhën shqipe – arbëreshe, ishin
deklaruar e regjistruar (vetëm) diçka më shumë se 84.000 veta: në krahinën Kampobaso 10638; në
Foxhia 4.833; në Potenca 11.445; në Kozenca 37.877; në Katanxaro 10.011 dhe në
Palermo 9.571. (Denisa Tare: “Arbëreshët e Italisë dhe Çështja Shqiptare”, temë
e doktoratës, dorëshkrim,2016; fq.xxv-xxvi).
Figura të shquara të Arbëreshëve të Italisë
Nga Arbëreshët e Italisë kanë dalë figura të shquara: priftërinjë,
peshkopë, papë, poetë, shkrimtarë, publicistë, folkloristë, filologë,
politikanë, diplomatë, historianë, biznismenë, anëtarë parlamenti, ministra,
kryeministër, profesorë univeristetesh, ushtarakë, prijës të revolucionit,
intelektualë dhe dijetarë të fushave të ndryshme, të njohur jo vetëm në
Itali e në Shqipëri, por edhe në mërgatën e
Amerikës dhe në Europë. Shumica
prej tyre kanë qenë me profesion dhe shërbim priftërinjë ortodoksë të ritit
bizantin, por krahas atij profesioni kanë dhënë kontribut të madh edhe në fusha
tjera. Ndër ta, të përmendim emrat më të
njohur: Gjergj Basta, Lekë Matrënga,
Papa Klementi XI, Nikolla Ketta, Jul Variboba, Demetrio Kamarda, Jeronim De
Rada, Francesko Krispi, Nikolla Barbato, Anton Santori, Zef Serembe, Zef
Skiroi, Ernesto Sabato, Karmine Abate,
Gjergj Guxeta, Feliçe Rodota,
Nikollë Filja, Pal Maria Parrino, Gjergji Stasi, Gavril Dara i Riu, Anselmo
Lorensio, Francisk Muzaka,Toni Petrota, Domeniko Belushi (as.Vorea Ujko), Lluka
Perone, Karmel Kandreva, Sotir Ferrara,
Antonio Gramshi, Jozef DioGuardi, Paolo
Petta, Francesko Altimari, Mateo Mandale, etj. etj. (Emrat e tyre në
origjinal janë të shkruar në trajtën e gjuhës italiane, me alfabetin
latin, me titujt kishtar para emrit të
tyre “At”; “Papa”; “Imzot”, por ne këtu
i transponuam përshtatur gjuhës shqipe, ashtu sikur i kemi mësuar dhe i njohim nga historia e letërsisë).
Kontributi i tyre në kulturën, letërsinë dhe lëzivjen çlirimtare për bashkimin
e Italisë, ishte i madh dhe është çmuar lart. Por, ajo që ne shqiptarët na bënë
të krenohemi, është kontributi i tyre në
ruajtjen, kultivimin dhe përhapjën e
gjuhës, arsimit, kulturës, dokeve dhe
traditve shqiptare, tash e afro 600 vjet.Secili prej tyre dha kontributin në
mënyrën dhe në fushëveprimin e vet, por më i vyeshmi ndër ta ishte Jeronim de Rada, për të cilin edhe shkrimtari
legjendar francez, Viktor Hygo, ishte shprehur
me fjalë lavdie: “De Rada është një poet origjinal dhe sublim. Ai që
dëshiron ta shohë realizmin e përkryer të poezisë moderne romantike, le t’i
lexojë ‘Këngët e Milosaos’ të zotri
Jeronim de Rada”.
Me punën dhe veprat e tyre, Arbërshët
dhe në bashkëpunimin me kolonitë, shoqëritë dhe diasporën shqiptare në Rumani,
Egjypt, Sofje, Amerikë, ndihmuan në ngritjen e vetëdijës kulturore e politike
kombëtare shqiptare dhe të pavarësisë së Shqipërisë.
Kontributi i Arbëreshëve për çlirimin dhe bashkimin e
Italisë
Është e ditur se shqiptarët kontribuan në luftërat e revolucione për çlirimin e popujve, formimin
dhe udhëheqjen e shteteve të ndryshme: Egjiptit, Rumanisë, Greqisë,
Italisë.
Pas Kongresit të Vjenës (1814), Italia ishte e ndarë dhe copëtuar në 7-8
principata të ndryshme, me sundimtarë francezë (Burbonët), spanjollë e
austriakë. Për t’u çliruar nga sundimi i huaj dhe për bashkimin e vendit, ishte
formuar lëvizja e njohur “Risorxhimento”, në të cilën ishin përfshirë edhe
Arbëreshët liridashës. Ata ishin qytetarë të denjë, besnikë, punëtorë dhe luftëtarë të dalluar,
që morën pjesë në ndërtimin, përparimin
dhe mbrojtjen e vendit mikpritës dhe kontribuan shumë në luftërat për çlirimin dhe bashkimin e
Italisë, që u zhvilluan prej vitit 1843
deri në vitin 1870. Lëvizja dhe
revolucioni për çlirimin dhe bashkimin e Italisë nisi dhe u zhvillua në Sicili
dhe Kalabri, aty ku ishin ngulimet kryesore arbëreshe. Ata formuan komitete dhe
çeta luftëtarësh, të prirë e komanduar nga Arbëreshë të shquar, si: Françesko
Krispi, Domeniko Mauro, Domeniko Damici, Petro Piedestalci, Vinçenco Stratigoi,
Gjovani Paçe, Muço Paçe, Guljelmo Toçi, Francesko Pete, etj. Një jehonë të madhe bëri atentati i ushtarit
arbëresh Anxhisilano Milano (dhjetor 1856) kundër mbretit burbon Ferdiandi II,
me ç’rast mbreti kishte shpëtuar në saje të parzmores mbrojtëse, kurse atentatori
u ekzekutua me varje. Xhuzepe Garibaldi,
figura më e njohur e lirisë, pavarsisë dhe bashkimit të Italisë, kishte plot
fjalë lavdie për kontributin, trimërinë
dhe virtytet e vullnetarëve arbëreshë të cilët iu kishin bashkuar luftëtarëve
të tij. Korpusi i parë i përbërë prej 1860 luftëtarësh arbëreshë që iu bashkuan
Garibaldit, i detyruan trupat burbone t’i dorëzonin armët. Garibaldi theksonte
aftësitë ushtarake e politike dhe kontributin
e arbëreshëve për lirinë dhe bashkimin e Italisë, duke thënë: “Arbëreshët
janë heronjë, të cilët janë dalluar në të gjitha luftërat kundër tiranisë”. Në shenjë mirënjohje, më 20 tetor 1860,
Garibaldi kishte dhënë këtë dekret: “Duke marrë parasysh kontributin e
shënuar që trimat dhe zemëbujarët arbëreshë i kanë dhënë çështjes kombëtare,
deklarojmë: Sa të mbarojnë nevojat e kësaj lufte dhe të bëhet bashkimi i
Italisë, Thesari i Napolit detyrohet të derdhë menjëherë 12 mijë dukatë për
zgjërimin e Kolegjit të San Adrianos. Zbatimin e këtij dekreti e vë nën
garancinë e Kombit dhe të sovranit zemërgjerë”. (Arbëreshët e Italisë dhe
Çështja Shqiptare…” fq.14).
Për karakteristikat e arvanitëve të shpërngulur në Itali, M. Sanuto,
shkruante: “Janë të armatosur shumë më lehtë se frëngët dhe pothuajse pa
torakse metalike, por kanë një përgatitje të mrekullueshme për kalorësi dhe në
përdorimin e armëve. Janë të shpejtë, të rrezikshëm, të stërvitur dhe tepër të
aftë për luftë. Veshja e tyre, armatimi i tyre, straegjia e tmerrshme dhe
taktika luftarake që kanë përvetësuar, është për ta një sistem që i dedikohet
traditës së lashtë që kanë pasur dhe i bënë ata tepër të pashoq”.
Pas çlirimit,
arbërshi Françesko Krispi dy mandate ishte kryeministër i Italisë së
bashkuar
Pas luftërve gadi njëzetvjeçare për çlirim dhe bashkim, në vitin 1861 u
mblodh parlamenti i Italisë së bashkuar, shpalli Mbretërinë e Napolit dhe
zgjodhi mbretin (Emanueli II), veçse akoma jashtë kësaj mbretërie kishin mbetur
Roma dhe Venediku. Deputetë në Parlamentin e Mbretërisë së Napolit ishin
zgjedhur edhe udhëheqësit e njohur arbëreshë të revolucionit për çlirimin dhe
bashkimin e Italisë,si: Guljelmo Toçi, Domeniko Mauro, Domeniko Damici, Muço
Paçe, Françesko Krispi, etj. Në qeverinë revolucionare të Garibaldit, në
Napoli, bënin pjesë arbëreshët Françesko Krispi, Paskuale Sura dhe Luigji
Gura. Lufta vazhdoi deri sa u çliruan
edhe Venediku (1866) dhe Roma (1870), të cilat iu bashkuan Italisë, dhe më 1871
Roma u bë kryeqytet i Italisë së bashkuar. Françesko Krispi, bashkë me të
shoqen dhe me arbëreshë të tjerë ishin në radhët e prijësve të luftës së
aradhave të Garibaldit, në mesin e të cilëve kishte edhe gra arbëreshe.
Françesko Krispi (1818 – 1891),
mësimet e para i mori në Seminarin italo-shqipar të Palermos, ku ishin edhe
Antonio Gramshi dhe shumë arbëreshë tjerë. Studimet e larta i kreu për drejtësi
dhe një kohë ushtroi profesionin e avokatit në Palermo. E fliste arbërishten dhe krenohej me origjinën e tij
shqiptare. Bashkë me arbëreshin tjetër,
Rosalino Pilo, në janar të vitit
1848, udhëhoqi kryengritjen e Sicilisë
kundër Burbonëve. Në qeverinë e Depretisit (1877/78) ishte ministër i
brendshëm, ndërsa kryeministër i Italisë
së bashkuar ishte në dy mandate (1887-1891 dhe 1891-1895). Në kohën sa ishte kryeministër, Krispi u bë
politikani më i njohur në Europë, krahas me kryeministrin gjerman Bizmarku, me
të cilin pati miqësi dhe takime të shpeshta.Vetë arbëreshët e Italisë dhe
rilindasit tanë, sidomos vëllezërit
Samiu, Naimi dhe Abdyl Frashëri, kishin një simpati dhe shpresë se
Krispi nga pozita dhe autoriteti që gëzonte, do ta ndihmonte pavarësinë e
Shqipërisë. Samiu shkruante në “Kamus
Al-Alam”: “Në Itali kanë ardhur nga
gjaku shqiptar shumë dijetarë, poetë e shkrimtarë; kujtoj se është mjaft të
përmendim se është bir i këtij kombi edhe Krispi, që sot ka në dorë frenat e
administratës së Italisë”.(D.Tare: “Arbëreshët e Italisë dhe…; dorëshkrimi
,fq.113).
Por, Krispi kishte tjera preokuptime. Për shkak të rivalitetit me Austrinë
dhe nga frika se Austria do të aspironte ta pushtojë Shqipërinë, për të dominuar
mbi Adriatikun, edhe ky aspironte dominimin e Shqipërisë dhe të Adriatikut,
qoftë përmes protektoratit apo të pushtimit klasik. Sado që në raste të caktuara shprehej në
favor të një autonomie për Shqipërinë
pasi të çlirohej nga pushtimi turk,
megjithatë synonte dominimin Italian mbi Shqipërinë. Për këtë qëllim edhe
kishte hapur dhe mbante shumë shkolla italiane në Shqipëri, në mënyrë që të
fitonte simpatinë dhe përkrahjen e popullit. Nuk mund të mohohet përkrahja,
ndihma dhe kontributi i Krispit në zgjërimin dhe financimin e kolegjeve dhe
seminareve arbëreshe në Itali, në të cilat mësuan dhe u edukuan personlitete
dhe breza të shumta të arbëreshëve. Sidoqoftë, mosbesimin ndaj politikës së
Krispit kundrejt Shqipërisë e shprehnin
edhe Dora d’Istria dhe De Rada, në korespodencën e shpeshtë që zhvillonin midis
tyre.
Sado që shqiptarët kudo që ishin krenoheshin me arritjet dhe afirmimin e Krispit në qarqet
kombëtare në Itali dhe në relacione ndërkombëtare, sado që shpresonin se ai do
ta shfrytëzonte autoritetin dhe pozitën e tij për të ndihmuar kauzën e kombit
të origjinës së vet, ai i ishte
përkushtuar imperializmit, donte të
shfrytëzonte rrethanat e kohës pas Kongresit të Berlinit, që ta bënte Italinë fuqi të madhe në Europë.
Kështu, Krispi për Italinë dhe Europën ngeli njeri i madh, ndërsa për
Shqipërinë, përveç ndjenjave private dhe
simpatisë, nuk bëri ndonjë përpjekje për
ta ndihmuar çlirimin dhe pavarësinë e
saj.